Kosova

“Vienna World Orchestra”, koncert në Prishtinë më 31 mars

Ansambli tetanëtarësh “Vienna World Orchestra” do të mbajë koncert në Prishtinë në kuadër të edicionit të 13-të të DAM Festivalit.

Orkestra, e cila në muajin shkurt pati koncert në njërën nga sallat më prestigjioze të Vjenës  “Musikverein” do të sjellin materialin e tyre muzikor përpara publikut të Prishtinës në mbrëmjen e 31 marsit në amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë, përcjell albinfo.ch.

Anëtare e këtij formacioni është edhe violonçelistja nga Kosova, Rina Kaçinari, e cila prej shumë vitesh jeton dhe vepron në Vjenë. Anëtarët e tjerë të orkestrës janë nga Austria, Irani, Kuba dhe Turqia.

“Vienna World Orchestra”, duke pasur në përbërjen e saj anëtarë nga vende të ndryshme, një pjesë e të cilëve kanë kaluar nëpër rrugën e migrimit, arrin të përçojë frekuenca të tilla duke i mundësuar publikut të zbulojë humanitetin e tyre të përbashkët. Koncerti është mbështetur edhe nga Ambasada Austriake në Prishtinë.