Kulturë

Kulturë 

Ekspozitë

Praninë e artistëve nga Kosova në Ville la Grand, vizitori i rastit e ndjen që në hyrje të qytezës: atë e sheh të afishuar në një pllakat me përmasa të mëdha, të vendosur në një shesh ku mund të lexosh: “Ekspozitë e artistëve nga Kosova në galerinë Villamagna”. Kjo të tregon se prania e artit nga Kosova, më saktësisht, nga Ferizaj në Ville la Grand është një ngjarje e shënuar, jo vetëm për komunitetin e këtushëm Artistik.

Ville la Grand është një qytezë simpatike e Francës në afërsi të kufirit me Zvicrën, gjegjësisht me Gjenevën. Edhe këtu, si ngado tjetër përreth, gravitojnë mjaft bashkatdhetarë tanë që jetojnë e punojnë në të dy anët e kufirit.

13 piktorë dhe piktore kanë përfaqësuar komunitetin artistik të Ferizajt dhe të Kosovës në ekspozitën që është hapur javën që shkoi në këtë lokalitet. Organizatorët, galeria Villamagna e qytetit kishin ftuar artistët ferizajas në një vizitë kthimi pas një ekspozite dhe vizite që artistët francezë kishin bërë dy vite më parë në Ferizaj. Iniciativa, në të dy rastet ka qenë e Gani Bytyçit, piktor që jeton në Zvicër dhe anëtar i shoqatës dhe galerisë në fjalë.

Se organizimi i ekspozitës tejkalonte kornizat e një ekspozite të zakonshme të një galerie, e tregonte prania shumë aktive e kryebashkiakut, Raymond Bardet gjatë solemnitetit të hapjes. Pastaj, këtë aktivitet e ka nderuar me praninë e tij edhe kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarça, i cili ka ardhur enkas nga Kosova bashkë me drejtorin e drejtoratit për kulturë, Enver Halitin. Katër artistë: Skënder Bedriu (njëherësh drejtor i Galerisë së Arteve të Ferizajt), Lebibe Topalli, Mujadin Nuhiu dhe Ilmi B. Sadiku kanë marrë pjesë në këtë solemnitet dhe njëherësh qëndrojnë gjatë tri javëve si mysafirë të galerisë dhe të qytetit.

Një vernisazh që ka zgjatur shumë, me fjalime nga të dyja palët, me shprehje dëshirash për bashkëpunim të ndërsjellë dhe me këmbime dhuratash, i ka paraprirë një solemniteti tjetër të vogël e simbolik: atij të zbulimit të skulpturës së titulluar “Gjurmë”. Vepra e punuar ne gur, e skulptorit Mal Myrtaj dhe piktorit Gani Bytyçi është vendosur para hyrjes së galerisë. Kjo skulpturë i është dhuruar qytetit Ville la Grand si dhuratë nga komuniteti artistik kosovar.

Zbulimin simbolik e kanë bërë kryetari i komunës Raymond Bardet dhe Gani Bytyçi. Duke marrë fjalën e tij, z. Bytyçi veç tjerash ka thënë: “…kjo skulpturë, që është vetëm një copë gurë i tokës sime, nga atje ka rrugëtuar dhe këtu është shndërruar në personazh, është bërë dëshmitar kohe (…). Ajo sot ndodhet këtu, si simbol i afrimit e miqësisë, i mirëkuptimit e respektit, simbol i dashurisë”. Pastaj bashkautori i është drejtuar të parit të qytetit mikpritës: “Zoti kryetar, kjo skulpturë, që nga sot është qytetari më i ri i komunës suaj, ndaj ju kërkoj që t`i jepni qytetarinë!”

Duke bërë vlerësimin e punimeve të ekspozuara, Bytyçi është shprehur se “kjo ekspozitë paraqet një hark, që ndërlidh disa breza artistësh por jo tërë potencialin artistik të Ferizajt. Janë artistë që përdorin dhe zotërojnë teknika, nga më të ndryshmet, me të cilat shpërfaqin botën e tyre të brendshme. Vepra e tyre artistike është refleksion i periudhës së djeshme tepër të errët, realitetit të sotëm mjaft të rëndë por edhe shpresës për të ardhmen krejt të pasigurt…”

Ndërsa kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarça, është shprehur i entuziazmuar me pritjen dhe ka falënderuar organizatorët për angazhimin e tyre mbresëlënës. “Për mua ka qenë gjithmonë me rëndësi projektimi artistik i botës, i jetës dhe i realitetit, ashtu siç e bëjnë artistët, duke dalë jashtë vizioneve të ngurta e triviale që shpesh na shoqërojnë në profesione të tjera. Por, meqë rruga ime jetësore më ka çuar në drejtimin e politikës, unë përsëri e kam marrë me kënaqësi të madhe ftesën që në këtë rast të jem në mesin e artistëve, i vetëdijshëm se gjuha e shprehur përmes pikturës dhe e artit, është një gjuhë universale, pavarësisht nivelit apo mesazhit që mund të ketë. Jam thellësisht i bindur se bota në përgjithësi dhe jetët tona në veçanti, do të ishin shumë më të mira, shumë më fisnike, më bujare, më të begatshme dhe më të këndshme, nëse ata që vendosin për çështje të mëdha, siç janë politikanët, do të kishin dell më të theksuar artistik”, ka thënë veç tjerash Svarça në fjalën e tij të përshëndetjes.

Me prezantimin e ekspozitës dhe me fjalët e tyre përshëndetëse publikut i janë drejtuar edhe kryetarja e shoqatës së artistëve, Mirella Dersgeorges, drejtoresha Yasmine Lagnyer etj.

Në solemnitetin e hapjes së ekspozitës ka qenë i pranishëm edhe zëvendësministri i Kulturës në Qeverinë e Kosovës, Gjergj Dedaj, konsulli i përgjithshëm i Kosovës Ramadan Avdiu, i cili ka marrë fjalën si dhe zëvendës-konsulli, Arjan Kashtanjeva. Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Franceze-Shqiptare, Tahir Shabani, ka marrë pjesë në cilësinë e përkthyesit.

Ekspozita në të cilën prezantohen artistët nga Ferizaj, do të qëndrojë e hapur deri më 20 korrik.

13 artistët

Në ekspozitën e hapur në galerinë  Villamagne në Ville la Grand prezantohen artistët: Skender Bedriu, Jetullah Sylejmani, Ilmi Sadiku, Pranvera Sylejmani, Laura Brahimi, Antigona Heta, Lebibe Topalli, Haki Xhakli, Muhamet Ahmeti, Perparim Behluli, Kastriot Bzeqiri, Emin Hasani dhe Mujadin Nuhiu.

foto12_1

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriKulturë 
  • Profesioni:Ekspozitë

  WHO’S WHO të tjera