Sociale

Remzije Sherifi

Aktiviste

Shqiptarja nga Gjilani e ka fituar këtë çmim nga organizatat dhe shoqatat britanike për të drejtat e grave dhe emigrantëve.

Me këtë çmim është nderuar puna dhe përpjekjet e saj për integrimin e grave dhe vajzave të reja emigrante në Britaninë e Madhe.

Jo vetëm kaq, 57-vjeçarja u nderua edhe për punën e saj vullnetare me shoqatën “Maryhill Integration”, me qendër në Glasgow të Skocisë.

Çmimi iu dorëzua në një ceremoni në Londër, me pjesëmarrjen e aktivisteve të shoqatave më të njohura të të drejtave të grave dhe vajzave emigrante në Britaninë e Madhe, për përkushtimin në integrimin e kësaj shtrese në shoqërinë britanike.

Remzija kishte braktisur si refugjate vendlindjen në vitin 1999 për shkak të luftës, duke u vendosur në një kamp për refugjatë në Maqedoni, prej nga pas një periudhe bashkë me familjen emigroi drejt Skocisë.

Me këtë çmim në Britaninë e Madhe nderohen gratë që gjejnë forcën të rindërtojnë jetën e tyre në këtë vend pas luftërave dhe persekutimit në vendlindje.

Rema me këtë rast tha se ishte befasuar me vendimin dhe nuk e kishte pritur këtë çmim. “Ka aq shumë gra në gjithë Mbretërinë e Bashkuar, të cilat bëjnë punë shumë më të mirë se unë”, tha shqiptarja nga Kosova.

Gjilanasja e emigruar në Britani ishte një nga gazetaret e para femra në Kosovë.

Ajo tashmë është vullnetare me “Zërin e Emigrantëve”, një gazetë dedikuar emigrantëtve në Britani të Madhe.

Për këtë vit Remzie Sherifi do të ndajë çmimin “Gruaja Emigrante e Vitit” me kamerunasen Constance Nzeneu, një juriste që braktisi vendlindjen e saj në vitin 2005, për t’i shpëtuar një martese të detyruar.

Ngjarja e çmimit përkon edhe me Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

“The Migrant and Refugee Woman of the Year Awards”  ishte organizuar këtë vit nga Forumi “Gratë për gratë refugjate”, Rrjeti për të drejtat e emigrantëve, Rosa, fondi i Britanisë së Madhe për gratë dhe vajzat, Oxfam dhe EQUALS.

16.03.2013

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriRemzije Sherifi
  • Prejardhja:Gjilan-Kosovë
  • Vendi ku vepron:Glasgow-Britani
  • Profesioni:Aktiviste

  WHO’S WHO të tjera