Këngë nga Rruga e Farkëtarëve

« Dans ma ville coule un fleuve / qui parfois se sépare en deux »​ « Nëpër qytetin tim derdhet një lumë / që herë-herë ndahet në dysh »

Festa Molliqaj dhe Ndriçim Ademaj prezantojnë përmbledhjen me poezi Chants de la Rue des Forgerons / Këngë nga Rruga e Farkëtarëve. Do të bisedohet rreth përkthimit, frymëzimit dhe shkrimit, si dhe do të lexohen poezi nga libri në frëngjisht dhe në shqip.

 Këngë nga Rruga e Farkëtarëve është një vepër poetike e shkruar nga shkrimtari i ri nga Kosova, Ndriçim Ademaj. Këto poezi përshkojnë  vende të ndryshme dhe flasin për dashurinë në shumë forma të saj: braktisje, mall për të kaluarën, idhnim, xhelozi, dëshirë e pafund. I konsideruar si një nga përfaqësuesit e brezit të ri të autorëve kosovarë, Ndriçim Ademaj ka botuar tri përmbledhje me poezi dhe një roman. Ai mori çmimin e Frankofonisë në konkursin ndërkombëtar të poezisë të Fakultetit të Letërsisë të Universitetit të Sorbonës në Paris në vitin 2022. Përkthyesja e kësaj përmbledhjeje, Festa Molliqaj, e cila është rritur dhe ka studiuar në Lozanë, është rritur në një kontekst dygjuhësh shqip-frëngjisht. Ajo qysh herët ka filluar të zhvillojë mekanizma të kalimit nga një gjuhë tek tjetra dhe ka bërë përkthimin një mjet përsiatjeje. Duke e njohur mjaft mirë edhe gjuhën italiane, ajo aktualisht po përkthen në frëngjisht romanin e Doris Femminis, Fuori per sempre, i cili do të botohet nga Éditions d’en bas në vitin 2023.
Kjo ngjarje e organizuar nga Tulalu?! dhe Qendra e përkthimit letrar në Lozanë (CTL) do të moderohet nga Valmir Rexhepi.

Rezervimet mund të bëhen në [email protected] ose [email protected] (ose përmes telefonit në 021 312 85 02).

Shoqata nga LozanaTulalu?!, mundohet të ndërtojë urë lidhëse « mes atyre që mbajnë penën dhe atyre që shfletojnë faqet e librave. » Me këtë rast ajo bashkëpunon me Qendrën e përkthimit letrar në Lozanë (CTL) për të prezantuar një përmbledhje mepoezi përkthyer nga gjuha shqipe, gjuha e parë e huaj në Zvicër.

https://tulalu.ch/ ; www.unil.ch/ctl

Prezantimi i përmbledhjes në faqen e Éditions d’en bas :  

https://enbas.net/ademaj-ndricim-kenge-nga-rruga-e-farketareve-chants-de-la-rue-des-forgerons-2022/

 

Shyhrete Kurti-Musa vjen me librin e saj të parë “Poezia është grua”

Të hënën, në Sion, është përuruar libri me poezi “Poezi është grua”, e autorës Shyhrete Kurti-Musa. Gjatë përurimit, autorja ka thënë se këtë libër, ia ka kushtuar jetës, miqve dhe anës saj personale, ndjesive të saj shpirtërore, do të thotë përmes poezive ajo ka sjell përjetimet jetësore dhe të miqve të saj.

Vëllim me poezi nga poetja kosovare, Shuki, (Shyhrete Kurti-Musa) që aktualisht jeton në Zvicër ka 78 poezi në shqip dhe frëngjisht, të përkthyera nga Erih Ahmetaj. . Ky është libri i saj i parë.

“Ndonjëherë e kemi të vështirë të themi me saktësi se çka në të vërtetë e bën të bukur e të fuqishëm një tekst lirik. Mes figuracionit, thellësisë meditative, koloritetit, harmonisë kompozicionale, muzikalitetit apo edhe ndonjë veçorie tjetër letrare. Leximi i librave poetikë si ky që ka në dorë lexuesi, pos që të dhurojnë emocione të veçanta, edhe më shumë të përforcojnë bindjen e hershme se poezia nuk është rastësisht edhe e magjishme, edhe mbretërore.

Ndonëse është libri i saj i parë, autorja befason këndshëm posaçërisht me estetikën ligjërimore, peizazhin, por edhe me frymën e saj. Raporti lirik për të ndërtuar shtëpinë prej shpirti, që në dukje të parë ka fatin gati si të letrave të shkruara e të padërguara, na shfaqet më triumfal, sepse poezia është edhe aromë gruaje që ndez, edhe një diell tjetër…”, ka thënë Bujar Salihu, poet.

“Poezia është grua” nga Shuki Kurti Musa është botuar nga Revista letrare me redaktore Ornela Musabelliu dhe botues Dritan Kiçi./ALBINFO.CH/

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch 
albinfo.ch 

 

Shkrimtarja Shqipe Sylejmani promovoi librin “Bürde & Segen“ në Cyrih

Shkrimtarja shqiptare, e cila jeton dhe vepron në Zvicër, Shqipe Sylejmani, ka promovuar mbrëmë botimin e librit të saj më të fundit në gjuhën gjermane “Bürde & Segen“ (Barrë&Bekim), shkruan albinfo.ch.

Shqipe Sylejmani ka lindur në Prishtinë, Kosovë, në vitin 1988 dhe jeton në Zvicër që kur ishte katër vjeçe. Ajo studioi gazetari dhe komunikim në Cyrih dhe punoi ndër të tjera si gazetare në Zvicër dhe New York. Që nga viti 2018 ajo është përfshirë në fushën e financimit kulturor dhe është presidente e shoqatës “Kulturwerkstatt: Techno”.

Libri i saj u prmovua mbrëmë, më 22.10.2020, në Cyrih të Zvicrës, ku të pranishëm ishin një numër i madh i libërdashësve. Përveç kësaj, promovimi u shoqërua edhe me muzikë popullore e folklorike.

Shkrimtarja Shqipe Sylejmani mbajti edhe një fjalim në lidhje me librin e saj “Bürde & Segen“, duke pasqyruar disa pjesë të librit para audiencës së pranishme, shkruan tutje albinfo.ch.

Në librin “Bürde & Segen“ trajtohen tema interesante, ndërthurje historie, me të cilën autorja me mjeshtërinë e saj letrare rrëfen përvojën e saj të migrimit dhe udhëtimet në vendlindjen e saj.

Romani rrëfen historin e vajzës që jeton në Zvicër dhe ka gjithçka që të afërmit e saj në Kosovë mund të dëshirojnë: lirinë, mundësitë dhe ambiciet. Megjithatë, edhe në fëmijërinë e saj, ajo ndjeu se gjithnjë i ka humbur diçka. Kur gjyshja i vdes dhe e lë me një fletore me destinacione udhëtimi në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, e reja vendos të udhëtojë në këto vende vetëm për të gjetur qartësi në lidhje me jetën e saj. Në udhëtimin e saj ajo jo vetëm zbulon anekdota të vjetra, histori dhe mite, por gjithashtu gjen miq të rinj, dashuri dhe veten, shkruan albinfo.ch.

 

Mes stripit, jazz-it dhe gazetarisë: gjeniu humanist i Gani Jakupit

  • Foto: Frank Margerin

  • Havana 2014

  • Barcelona

  • Caen 2013

  • Jamboree 2016

  • Connections

  • Prishitnë 2010

Me “rücksack”-un e tij në shpinë, ku kishte gjithsej 6 skica stripesh, para më shumë se 40 vitesh po trokiste plot vetëbesim në redaksitë më prestigjioze të revistave kulturore të Parisit. “Isha shumë naiv”, thotë, sot, pas kaq vitesh, tek kujton fillimet e veta. Por, duke marrë shtytjen nga ky “naivitet”, sigurisht edhe duke “ja ba hyzmetin” me punë siç e thotë vetë, bashkëbiseduesi ynë sot është një emër i përveçëm në botën e romanit grafik, stripit, gazetarisë, muzikës xhaz…: Fjala është për Gani Jakupin, “katundarin” e Gollakut të Prishtinës, siç ka dëshirë të prezantojë veten, që jeton dhe krijon në Barcelonë. Një “Weltburger” i vërtetë dhe i rrallë ndër shqiptarët e sotëm. Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me të, në prag të vizitës së tij në Zvicër, ku do të jetë mysafir në aktivitetin artistik “Délémont’BD” që mbahet në kryeqytetin e Kantonit Jura dhe në Gjenevë, sponosir medial i të cilit është albinfo.ch

Albinfo.ch: Kush është Gani Jakupi?

Gani Jakupi: Unë kam lindur në vitin 1956 në male të Gollakut, por jam rritur në Prishtinë. Gjithë shkollimin e kam kryer në Kosovë. Kam diplomuar në fakultetin e Elektronikës dhe telekomunikacioneve. Mentori i temës sime të diplomës, “Modulimi frekuencor”, ka qenë Agron Dida. Fatkeqësisht, kurrë nuk e kam praktikuar këtë profesion, për shkak se shumë më herët kam pas filluar me udhëtime, dhe në momentin e diplomimit unë veçse jetoja në Paris. Atje nuk ma pranuan diplomën e Prishtinës, e unë s`kisha mundësi financiare për të rifilluar studimet. Nuk e mbaj mend daljen e parë jashtë vendit, me gjasë diku nga viti 1974 apo 1975… Së paku nga 1978 e më tutje, me nji “rücksack” (sac à dos”) në shpinë, udhëtoja nëpër Evropë.

Albinfo.ch: Si 13 vjeçar keni botuar për herë të parë në një magazinë në gjuhën shqipe. Pastaj, në vitet `70 keni publikuar në revistat dhe gazeta që botoheshin asokohe në ish RFJ. A mund të na tregoni se për çfarë botimesh është fjala?

Gani Jakupi: Fillimisht kam botuar disa poezi, por nuk më kujtohet se në çfarë moshe… Njëkohësisht vizatoja, dhe e mbaj mend se si tetëvjeçar, gjatë një shërimi, kur nuk më lejonin te bëja tjetër gjë, kam marrë dhe e kam vizatuar faqen time të parë të stripit. E si trembëdhjetëvjeçar e kam realizuar një strip trefaqësh, me temë nga historia ilire, që Tajar Hatipi vendosi ta botonte në revistën “Pionieri”. Kjo më dha guxim që t’i drejtohesha “Rilindjes për fëmijë”, ku Vehap Shita insistoi shumë që ta bindja se vërtet jam unë ai që po i krijoja storiet e mia, se nuk jam duke kopjuar nga ndonjë revistë. Mbas asaj, erdhën“Bat”-i, “Zëri”, “Jedinstvo”… dhe gati çdo publikim që dilte në Kosovë. Pasoi tregu jugosllav: Serbi, Kroaci, Bosnjë. Botoja stripe, ilustrime, karikatura (dessin de presse).

Albinfo.ch: Vitet `70 mbahen mend si kohë e një shpërthimi krijues, nëse mund të thuhet kështu, në Kosovë, kohë kur fillon për herë të parë një zhvillim i asaj që quhet jetë kulturore atje. Çka mbani mend nga kjo kohë dhe atmosferë? A keni qenë pjesë e saj dhe si mund ta përshkruani?

Gani Jakupi: Konsideroj se kam pasur fatin që, edhe pse vija nga një familje e varfër me origjinë fshatare, më kanë vërejtur dhe me kanë inkurajuar letrarët si Mirko Gashi, Vehbi Kikaj ose Tajar Hatipi. Miku im, jazzisti Ilir Bajri pat thënë një herë se “s’ka ma keq për zhvillim artistik se me qenë më i miri në lëmin tënd!”. Kjo më pati ngjarë si autor stripesh. Takimi me Nexhat Krasniqin- NEKRA, diku kah fillimi i ’80-ve, qe inkurajues, por ai vinte nga karikatura… kështu që e mora hapin më të mirë të mundshëm – shkova atje ku automatikisht rashë pothuajse “në fund të shkallës”: në Paris!

Albinfo.ch: Sigurisht stripi dhe aq më pak romani grafik, nuk kanë qenë atëherë dhe nuk janë as tash, të eksploruar në Kosovë dhe ndër shqiptarët në përgjithësi. Keni bërë ju asokohe përpjekje për ta zhvilluar këtë zhanër dhe si jeni pritur?

Gani Jakupi: Personat më të moshuar, që e kanë përjetuar Jugosllavinë titiste, e dinë se censura ka qenë shumë më liberale se në vendet tjera të bllokut komunist. Ne kemi mundur t`i lexonim, ngandonjëherë gati se edhe në real time, stripat që botoheshin në Paris, Romë, Londër e gjetiu. Por më lejoni një saktësim të vogël. Strip (ose “bande dessinée” në frëngjisht) quhet çdo rrëfim ku gërshetohen teksti dhe vizatimi sipas disa kodifikimeve specifike. Historikisht, stripi u është drejtuar fëmijëve apo adoleshentëve. Të rriturit e kanë lexuar eventualisht nga nostalgjia. Epoka e revolucionit seksual e ka sjellë si material të quajtur “për adult”, “për të rritur”, por ky nënkuptonte vetëm vepra erotike, pornografike ose, eventualisht, underground (shprehje e “kontra-kulturës” së viteve ’70). Zhanri i romanit grafik e ka zanafillën në krijimtarinë e angazhuar politikisht të viteve ´80, në veprat e autorëve gjenialë si Hugo Pratt e Jacques Tardi, por nuk definohet konkretisht si i tillë deri kah fundi i të ’90-ve dhe fillimi i mileniumit të ri. “Maus” (Art Spiegelmann), “Persepolis” (Marjane Satrapi), “Le photographe” (Emmanuel Guibert) e hapin rrugën për një rrëfim më serioz, që i drejtohet një publiku me sensibilitet kulturor e letrar të veçantë.

Albinfo.ch: Ju dolët jashtë vendit. Fillimisht në Francë, në Paris. Çfarë kishit marrë me vete dhe me çfarë synonit të prezantoheshit para francezëve? A na përshkruani shkurtimisht përvojat e para?

Gani Jakupi: Isha shumë naiv! Unë kam udhëtuar për në Paris me gjashtë ilustrime nën sqetull. Bile nuk iu drejtova publikacioneve të vogla: shkova drejt e në “Paris Match”, “Jour de France”, “Le Figaro”, e s’di më se ku… Kjo atyre iu duk simpatike, e më udhëzuan në hapat e parë. Gjatë disa viteve botova ilustrime në revista të vogla, me ndonjë sukses sporadik në ndonjë më të madhe. Me kohë u integrova në botën e stripit, dhe e fillova bashkëpunimin me një skenarist francez. Ky aktivitet qe jetëshkurtër, sepse u binda se kisha gjëra më interesante për të rrëfyer, nga ajo që më propozonin. Posa e përfitova teknikën e skenarizimit, e zbatova në projektet e mia. Që nga fundi i të 80-ve, fillova të punoja si skenarist me vizatuesin francez Hugues Labiano

Albinfo.ch: Me cilat punë, krijime, e keni realizuar veten në Francë? 

Gani Jakupi: Trilogjia “Matador” (1991-1994) me Hugues Labiano pati goxha sukses, dhe ma dha një prestigj të mirë por, në njëfarë mënyre, e huça shansin tim! Refuzova të angazhohesha në disa projekte me grafistë që nuk ma “mbushnin syrin”, pata fatin e keq të bija në vorbullën e ndryshimeve radikale në shtëpitë e mëdha botuese (blerja e “Dargaud” dhe “Dupuis” nga grupe religjioze), dhe e përjetova një lloj zhgënjimi me nivelin a stripit në përgjithësi. Fatkeqësisht, isha vizionar në hulumtimin e rrugëve të reja krijuese, por jo edhe në gjetjen e partnerëve profesional adekuat.

Albinfo.ch:  Vetëm pak vite më vonë ju e braktisni Francën për t`u shpërngulur në Spanjë. Si ndodhi kjo? Çka ju tërhiqte në Spanjë, Barcelonë dhe ku ishte dallimi me Parisin?

Gani Jakupi: E lashë Parisin për arsye sentimentale: u ndava nga bashkëshortja ime. Arsyeja e kundërt më solli në Barcelonë. Ky hap qe i mirë për jetën time personale, por më penalizoi profesionalisht. U largova nga Parisi mu në momentin kur filloi të “zihej” ajo që unë aq shumë e dëshiroja, ndërrimi radikal i rrëfimit në strip. Me vite të tëra kam refuzuar t`i kthehesha, me ndjenjën se “e kam huq trenin”. Por, s’ka asnjë të keqe që nuk e sjell ndonjë të mirë! Natyrisht, nëse ia “ban hyzmetin”. Disfatat dhe zhgënjimet kurrë nuk më kanë bllokuar. Largimin nga stripi e shfrytëzova për t`u u zhytur në lëmenj tjerë: dizajn, fotografi, teatër, përkthim, gazetari, etj. Kjo ma dha një përvojë të rrallë në mjedisin profesional të autorëve të stripit

Albinfo.ch: Fakti që ju tashmë po i bëni mbi 20 vjet jete e pune në Spanjë tregon se jeni stabilizuar atje. Si ka shkuar rruga deri në këtë, ta quajmë, stabilizim. Jeni gjetur mirë në skenën e atjeshme artistike apo e keni pasur edhe ju atë periudhën e parë, të vështirë të adaptimit?

Gani Jakupi: Edhe pse i pata disa tentativa sporadike projektesh në strip (si skenarist me një vizatues kolumbian, ose si autor komplet me një revistë spanjolle) hoqa dorë prej tyre sepse tirazhet që parashiheshin nuk më dukeshin tërheqëse. Nuk ishte problemi material, nuk kërkoja honorarë të lartë, por dëshiroja që ajo që punoja të mbërrinte te një numër substancial i lexuesve. Në vitin 2005, në bashkëpunim me kritikun e jazz-it të së përditshmes kryesore spanjolle “El País” e krijuam një koleksion të librave-hibride: strip biografik mbi një figurë të rëndësishme muzikore, tekste kritike dhe recensione, dhe nga dy CD me përpilime të veprave të zgjedhura të këtyre personaliteteve. Fatkeqësisht, logjistika doli goxha e mangët, por puna ime e tërhoqi vëmendjen e mediave spanjolle (shtypi, televizioni, radiot), por edhe atë të botuesve francezë që më ftuan të këthehesha. Por tash me propozimet e mia, me tema që unë dëshiroja t`i trajtoj.

Albinfo.ch:  E mësuat shpejt gjuhën apo e keni pasur të njohur më parë? Kur e them këtë, mendoj për përkthimin që gjatë kësaj kohe i keni bërë në spanjishte një shkrimtari kaq kompleks si Danilo Kish!

Gani Jakupi: Spanjishten e kam folur ende pa shkuar në Barcelonë. Për herë të parë e kam pas mësuar në Budapest, nga e bija e ish ambasadorit hungarez në Havanë. Leksionet i pata vazhduar me disa vallëzues të flamengos në Angli, e kështu më tutje. Por, ta flasësh një gjuhë, e ta aplikosh atë në krijime letrare, janë dy nocione jashtëzakonisht të largëta. Edhe pse shkruaja sinopsise e skenarë në spanjisht pa problem, nuk e ndieja veten të aftë për t`iu qasur letërsisë. Kur filloi lufta e Kosovës, ftohesha pa ndërpre nga mediat spanjolle, e sa më tepër ngrihej niveli i debateve, më të mëdha bëheshin kërkesat e programuesve. Në disa aspekte, Spanja nuk është kulturalisht aq progresiste si, të themi, Franca. Që të dukem më “serioz” përball sfidave me intelektualë dhe politikanë të ndryshëm, më propozuan që të vendosin tjetër profesion në teletipet e prezantimit (deri atëherë isha ilustrues dhe dizajner grafik). Por unë kur nuk kam pranuar të vishja identitete falso. Kështu që brenda disa muajve i hyra intensivisht perfeksionimit të spanjishtes letrare, derisa ia arrita që të ma botojnë tregimin e parë në një revistë letrare. Po flas për një vepër fiksioni, se shkrime politike botoja gjithë kohën. Nga ky moment filluan të më prezantonin si “shkrimtar dhe gazetar shqiptaro-kosovar”. Më në fund e botova edhe romanin e parë spanjisht, “Día de gracia”, që në të vërtetë e kam pas shkruar fillimisht në frëngjisht.

Sa i përket përkthimeve, kam bërë edhe të tjera, por ai me të cilin jam më i kënaqur është “Mansarda” e Danilo Kishit. Për shkak të kualiteteve të veprës, por edhe sepse ky roman ka qenë i përkthyer më parë, por kritika letrare nuk e ka pas vlerësuar veçanërisht. Përkthimi, tash për tash ka mbetur definitiv.

Albinfo.ch:  Cilat kanë qenë lidhjet që gjatë kësaj kohe i keni mbajtur me Kosovën dhe me shqiptarët në përgjithësi? Keni pasur kontakte me artistët, krijuesit e atjeshëm?

Gani Jakupi: Që nga hyrja e trupave të NATO-s, unë kam udhëtuar rregullisht në Kosovë, nga disa herë në vit. Kam sjellë ndihma përmes OJQ-ve, kemi ndihmuar  ndërtime shkollash e banesash, kemi financuar shtëpi botuese, media, ndihmuar shoqërinë civile, etj. Në vitin 2000, në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit, e kam organizuar një dyjavësh të kulturës kosovare në Barcelonë, ku kam ftuar letrarë, aktivistë, fotografë, muzicientë të jazzit dhe të muzikës klasike, kam organizuar ekspozita, debate, koncerte dhe prezantime filmike. Nga ana tjetër, jam lidhur me shumicën e intelektualëve kosovarë, kam bashkëpunuar me shtypin, e edhe kur e lash gazetarinë, vazhdova bashkëpunimin me revista katallane në temat lidhur me Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Intervenimin e mbramë e kam bërë në një moment simbolik: e kam shkruar kolumnën editoriale për një mujore politike barceloneze me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Nga ai moment e tutje, kam hequr dorë nga ky aktivitet. Në Kosovë ka tash më shumë analistë politikë se sa inkasantë të rrymës, munden bile edhe me eksportue. Nuk kanë nevojë për mua.

Shpresoj të kontribuoj më tepër në lëmin e kulturës. KOHA e ka nxjerr “Imazhin e fundit” (fillimisht i botuar në frëngjishte si “La dernière image”), duke qenë kështu romani i parë grafik në gjuhën shqipe. Së shpejti përgatitet ribotimi i një strip-reportazhi tim, zhanër goxha i ri në botën perëndimore, e në të cilin (zhanër) unë kam fituar tashmë një mirënjohje të caktuar. Dëshiroj që artistëve shqiptarë t’iu prezantojë rrugë krijuese alternative, duke shpresuar që kjo do t’i inspirojë dhe nxisë për t` iu qasur edhe ata vet.

Albinfo.ch: Në vitin 1999 keni qenë si gazetar në Kosovë dhe nga kjo kohë ka dalë romani juaj grafik “Kthimi në Kosovë”. A na tregoni diçka nga përshtypjet tuaja të asaj periudhë?

Gani Jakupi: Mund ta merrni me mend se sa e dhimbshme është kur punoni në një temë e cila përfshin vrasjen e anëtarëve të familjes suaj! Por edhe niveli i përgjegjësisë, sepse deontologjia gazetareske kërkon që rezultati të jetë objektiv e jo militant apo anues. Duket se ia kam dalë deri në një masë, sepse në fillim të intervistës për të përditshmen “Le Monde”, gazetari më pati përgëzuar për objektivitetin tim.

“La dernière image” gjendet pothuajse në të gjitha bibliotekat publike franceze, dhe pandërprerë më ftojnë nëpër festivale të stripit, literaturës ose filmit për të dhënë konferenca në lëmin e rrëfimit dokumentar. Romani grafik  “Retour au Kosovo”, për të cilin e kam shkruar skenarin ndërsa e ka vizatuar grafisti argjentinas më i mirë në këtë moment, Jorge González, është përkthyer edhe në italisht, spanjisht e rusisht. Botuesi rus e ka cekur në parathënie mospajtimin me mënyrën si unë e prezantoj intervenimin ndërkombëtar në Kosovë, por thotë se i është qasur botimit sepse “trajtimi i temës nga Jakupi e ka nji dimension human të jashtëzakonshëm”.

Albinfo.ch:  Pastaj vjen muzika, xhazi. Si lindi kjo te ju? E kishit brenda vetes edhe më parë, kishit të kryer ndonjë shkollim muzikor?

Gani Jakupi: Gjithmonë e kam dashur muzikën, por e praktikoja si autodidakt dhe si amator, sepse nuk kam formacion adekuat akademik. Kur më në fund ia pata filluar t’i qasesha seriozisht, nuk kisha pretendime të posaçme. Isha i kyçur në mjedisin jazz të Barcelonës, dhe vetëm doja t`i bashkoja disa shokë që do të interpretonin kompozimet e mia. Një takim i rastësishëm me Latin Jazz pianistin më të mirë në Spanjë, José Reinoso (nga Uruguaji), i ndryshoi të gjitha. Mbasi i dëgjoi demo inçizimet, më ftoi në studion e tij, dhe më lidhi me disa nga muzicientët më të mirë të skenës së Barcelonës. Disa ishin me prejardhje nga Brazili, Venezuela, Moldavia, Zvicra, Argjentina… Nga ana ime, incizova disa tema me miqtë nga Prishtina, si: Ilir Bajri, Armend Xhaferi, Visar Kuçi dhe Teoman Ukqa. Aranzhimet dhe drejtimi i incizimeve të muzicientëve të nivelit aq të lartë ishin ngarkesë e madhe për mua, ashtu që as nuk mendova të inkuadrohesha në to. Rezultati: albumi Aldea (2012), i tejkaloi të gjitha pritjet e mia. Mora kritika të mira nga shtypi e radiot e specializuara franceze dhe spanjolle. Radio Montreali i Kanadasë ma kërkoi një ekzemplar për prezantim dhe për arkivat e veta. Më vonë, muzika ime u prezantua në radiot e Miami (USA), Buenos Aires (Argentina), e gjetiu.

Dy vjet më vonë vendosa ta formoja një kuintet me interpretët vijues: Marcelo Mercadante, bandoneonisti më i mirë argjentinas në Spanjë; Manuel Martínez del Fresno, violonçelist i Operës së Barcelonës, që kishte bashkëpunuar edhe me Robert Plant e Jimmi Page (Led Zeppelin), të cilin më vonë e zëvendësoi violonçelistja e re dhe shumë e talentuar Cèlia Torres; Jorgi Gaspar, kontrabasist barcelonez që ka përcjell yjet spanjolle si Joan Manuel Serrat, Ferràn Savall (i biri i Jordi Savall-it), ose amerikanët John Abercrombie, John Zorn e të tjerë; daullisti më i mirë kosovar, Nesim Maxhuni, dhe unë në kitarë. Gjatë një darke me trompetistin franko-katallan Raynald Colóm, ky kërkoi t`i dëgjonte incizimet e mia, dhe e shprehu dëshirën për të marrë pjesë në projekt. Kush do ta refuzonte instrumentistin që katër vjet me radhë ka qenë shpallur si trompetisti më i mirë në Spanjë, dhe konsiderohet si njëri prej më të mirëve n’Europë?! Kështu që tashmë veprojmë si sekstet.

Për albumin vijues, Kismet (2014), gjithashtu ftova mysafirë: nga Turqia, Irani, Greqia, India, dhe mikun tim të mirë kosovar, Armend Xhaferin. Gati askush nuk e di se ky kitarist i famshëm është gjithashtu edhe interpret i spikatur i udit arab- kurrë nuk e ka përdorur publikisht këtë instrument përpos në albumet e mia! Për shkak të obligimeve me romane grafike, i kam refuzuar të gjitha ftesat për performime publike, deri në 2016, kur i dhamë dy koncerte në Shqipëri (Tiranë e Durrës), dhe dy sesione në Barcelonë. Për fund të këtij viti parashohim edhe një koncert në Spanjë e dy në Francë (Limoges). Ndërsa, duke filluar nga viti 2018 planifikojmë t`i përkushtohemi më tepër muzikës.

albinfo.ch: Mund t`i përmendni ndoshta disa nga krijimet tuaja në këtë fushë dhe një prezantim të shkurtë të grupit që e drejtoni “Gani Jakupi Connections”.

Gani Jakupi: Më vjen vështirë të bëj dallime mes veprave të mia. Kontrabasisti im më ka thanë se nuk beson se ndonjëherë do ta tejkaloj në bukuri melodinë e baladës “Novembro”, të kënduar nga brazilianja Anna Luiza Bonfím. E kam vënë re se qoftë me muzicientët e mi të zakonshëm, qoftë me mysafirë, kur dalim nga provat, zakonisht dikush e fishkëllen temën kryesore të pjesës “Kismet”. Në koncertet barceloneze, publiku ka shfaqur admirim për versionin orkestral të “Transparent House” (të cilin në albumin Aldea e interpretojnë kosovarët Xhaferi – Kuçi – Ukqa). Personalisht, jam emocionalisht i lidhur me kompozimin “Despedida”, të cilën ia kam kushtuar prindërve të mi të ndjerë.

Albinfo.ch: Diçka rreth pjesëmarrjes suaj në aktivitetin që do të zhvillohet javën që vjen në Zvicër. Me çfarë krijimesh do të prezantoheni dhe çka do të thotë kjo pjesëmarrje për Ju?

Gani Jakupi: Do të ketë një prezantim dhe bisedë me publikun në Universitetin e Gjenevës, diçka të ngjashme edhe në Delémont. Gjithashtu do të ekspozohen origjinalet nga romanet i mia grafike, me theks të posaçëm në “La dernière image / Imazhi i fundit”. Natyrisht, mysafirët do të gjejnë ekzemplarë të këtyre dy librave si dhe të veprave të tjera, po edhe të CD-ve Aldea dhe Kismet. Ideja kryesore e këtij organizimi është vendosja e kontaktit me diasporën kombëtare në Zvicër.

Prozatore, poete, piktore: Barbara Burbuqe Heim

 

Autorja shqiptaro-gjermane Barbara Burbuqe Heim jeton në Gjermani. Është një artiste jo vetëm e prozës artistike, por edhe e artit pamor dhe e vargut. Shkrimet e saj kanë në fokus problemet sociale. Në romanin e saj  “Lotët e Trëndafiles”, ndjehen plagët e dhembjes së atyre fëmijëve që u rritën në Kosovë, prindërit e të cilëve punonin në diasporë për të mbajtur gjallë familjarët. Si u rritën ata fëmijë, sa dhembje patën, sa mall, sa u kushtuan kohë atyre miq e familjarë, për të gjitha këto e ngriti zërin shkrimtarja Barbara Burbuqe Heim, duke  sjellë një frymë të re në romanin shqiptar.

Trëndafilja është vajzë shqiptare e lindur në Kosovë. Në kohën e paraluftës, prindërit e saj mërgojnë ndërsa Trëndafila me motra e vëllezër rritet në familjen e babait, në Kosovë. Duke u rritur, ajo ka nevojë për zërin dhe këshillën e prindit. Për përkujdesjen dhe përkëdheljen e tyre. Por për botën e fëmijëve pa prindër, të tjerët nuk gjejnë kuptim. Familja e babait e marton pa dëshirën e saj për një djalë që rridhte nga një familje e pasur. Me një burrë alkoolik Trëndafilja, edhe pse bëhet nënë e një vajze të bukur, nuk ka si e shijon lumturinë. Në njërën anë mbretëronte barbaria e pushtuesit serb e në anën tjetër dhuna e bashkëshortit. Këto të dyja po e mbytnin rininë e saj me lot.

Drama e rëndë jetësore e Trëndafiles

Nga frika e represionit serb, bashkëshorti i saj vendos të ikë në azil me Trëndafilen dhe vajzën. Pas shumë peripecive, ata arrijnë të vendosen si azilkërkues në Gjermani. Shumë azilkërkues atëbotë nga paratë e azilit kanë ndarë mjete edhe për në shtëpi, ndërsa bashkëshortit të Trëndafiles i dërgonin nga Kosova sepse paratë  nuk i dilnin për qejfet e tij.

Drama e madhe e dhunës do të vërehej nga fqinjët gjermanë… Trëndafilja vendos të ndahet… Ai i merr vajzën dhe kthehet në Kosovë. Trëndafilja do ta shohë vajzën e saj pas disa viteve të masakruar nga pushtuesit serb në një fotografi të një gazete shqiptare në Gjermani. Ajo përfundon në psikiatri por ngrihet sërish në këmbë me vullnetin për jetë, me ndihmën morale të miqve shqiptarë e gjermanë. Kështu, ajo u bë heroinë, ajo i mundi të gjitha, por në shpirt e kishte të hapur një plagë me dhembje të fortë: Sa Trëndafile i ka kjo botë…?

Autorja, Barbara Burbuqe Heim diplomoi në Zvicër, në Letërsinë për fëmijë. Punon si ndërmjetësuese kulture dhe përkthyese. Me sukseset e saj çdo ditë e më shumë po bëhet një ambasadore e kulturës dhe letërsisë shqiptare. Me pasionin e saj prej artisteje ajo angazhohet për më shumë drejtësi, apelon për humanizëm, barazi gjinore, dhe dashuri. Thumbon psikologjinë prapanike, dhe i jep krah kohës së re. E tërë veprimtaria e saj reflekton për mirësi.

Një prozë që thyen tabu

E veçanta e metaforës së saj është se ajo e vë theksin fuqishëm te liritë themelore. Si autore, Barbara zbulon sekrete në mënyrë të detajuar, thyen tabu, dhe jep ngjyra shprese që lexuesit i mbeten si një amulet besimi për vete. Gjuha e saj letrare është sa metaforike, po aq shumëngjyrëshe. Veprat e saj sjellin një emocion të veçantë . Ajo i ofron lexuesit një rrugëtim nëpër kohë.

“Ne kemi shumë vlera kulturore. Civilizimi ynë i ka rrënjët në lashtësi, por një angazhim sa më i madh për vlerat tona parimore na jep gjithnjë e më shumë shkëlqim nëpër mote, sepse ne jemi një popull i lashtë dhe shumë i kemi dhënë kësaj bote”, shprehet për albinfo.ch Barbara Burbuqe Heim.

  • E rritur mes dy kulturave

Në shkrimet e saj theksohen me mjeshtëri të hollë të vërtetat e jetës “sepse jeta shpesh na ngarkon si lumin në stuhi”, shprehet autorja, e cila lufton për drejtësi me letërsi. Barbara Burbuqe Heim, një autore me imagjinatë të bujshme, e rritur mes dy kulturave, synon t`i ofrojë lexuesit më të mirën përmes shprehjes dhe ngjyrës së bukur.

Pas Trëndafiles dhe lotëve të saj, lexuesit e saj së shpejti do të befasohen me romanin e radhës, i cili po ashtu trajton një temë të rëndësishme sociale, ku shprehja artistike do të jetë si gjithnjë avangarde. Krijimtaria e saj është vlerësuar shumë lart edhe nga autorë zviceranë e gjermanë, ndërsa ne mund të themi se Barbara Burbuqe Heim është një vlerë shoqërore në letërsinë, në artin tonë.

Udhëtim nëpër kohë

E veçanta e metaforës së saj është se ajo e vë theksin fuqishëm te liritë themelore. Si autore, Barbara zbulon sekrete në mënyrë të detajuar, thyen tabu, dhe jep ngjyra shprese që lexuesit i mbeten si një amulet besimi për vete. Gjuha e saj letrare është sa metaforike, po aq shumëngjyrëshe. Veprat e saj sjellin një emocion të veçantë . Ajo i ofron lexuesit një rrugëtim nëpër kohë.

Florim Abazi, detektiv dhe autor i librit bestseller

Quhet Florim Abazi, një emër krejt i zakonshëm i një shqiptari nga Kosova. Por puna qe bën ai, nuk është aspak e zakonshme. Florimi, rreth 35 vjeçar, jeton në rrethinën e Cyrihut dhe punon detektiv. Ai përgjon, ndjek dhe i kap hajnat e shitoreve dhe të restoranteve. Këtë profesion e ka filluar para 10 vitesh ndërsa tash tre vjet ai ka edhe firmën e tij për këtë punë.

Por, ndryshe nga detektivët klasikë që për shkak të profesionit mbeten tërë jetën anonimë, Florimi ka bërë një zgjedhje tjetër: ai ka botuar një libër në gjuhën gjermane. “Voll erwischt” quhet libri i Florim Abazit, i cili po bën bujë në Zvicrën gjermanofone. Në këtë libër, shqiptari nga Kosova shpalos përvojat e veta prej detektivi dhe me një stil të lehtë e tërheqës udhëheq lexuesin në fshehtësitë e profesionit të tij interesant dhe të rrezikshëm njëkohësisht.

Këto ditë në shtypin zviceran janë botuar artikuj të ndryshëm rreth librit, për të cilin flitet në superlativ. Detektivi shqiptar ka ngjallur interesimin e gazetave  dhe medieve tjera për ta intervistuar.

Ai në këto intervista tregon se çfarë mënyrash, nga më të habitshmet, përdorin njerëzit për të kryer një vjedhje. Në karrierën e tij Florimi ka kapur edhe doktorë shkencash që kanë vjedhur gjëra ushqimore. Hajna shitoresh dhe restorantesh ka nga të gjitha kategoritë shoqërore, nga të gjitha kombet, shprehet ai. Askush nuk bën të ju befasojë!

Deri më tash thotë të ketë kapur së paku 3000 hajna. E ka mprehur tashmë intuitën dhe i “nuhat” në mënyrë të pagabueshme ata.

Por, si të ruhemi nga hajnat, të cilët sidomos gjatë këtyre ditëve të blerjeve festive të fundit të vitit janë në vlugun e punës? Detektivi ynë ka një këshillë të thjeshtë: “Keni kujdes nga njerëzit që ju kërkojnë t`ua këmbeni paratë duke u dhënë “para të imta” dhe, mbyllni mirë xhepat e kuletat”. Për këshillat dhe truqet tjera, na mbetet ta lexojmë librin “Voll erwischt”, që, në përkthim të lirë i bie “I kapur në vepër”.

Florim Abazi

Promovimi i dy librave të shkrimtarit Fehmi Berisha


Ky takim letrar ishte i organizuar si gjithnjë nga Shoqata e krijuesve shqiptarë në Zvicër, përkrahur nga grupi aktivist i sindikatës Unia të Zurich-ut dhe studio “Aleksandër Moisiu”. Në mesin e të pranishmëve ishin edhe stafi diplomatik i Republikës së Kosovës, konsulli Salih Sefa, i cili edhe foli me këtë rast.

Po ashtu fjalën e morën edhe prof. Fetah Sheholli, mësimdhënës në gjimnazin e Besianës, miku i idealeve, poeti Mehmet Bislimi, si dhe poeti e piktori Gani Bytyqi. Ky promovim i librit u udhëheq nga Saranda Ademi Gervalla, e cila në mungesë të kryetarit të Shoqatës së krijuesve shqiptarë në Zvicër, z.Besnik Camaj, lexoi fjalën e tij, po ashtu një vështrim kritik nga profesori Lebit Murtishi dhe disa nga poezitë e autorit F.Berisha.

Përveç kësaj, Saranda shfrytëzoi rastin të prezantojë dy nga poezitë e saj titulluar “Faleminderit”, dedikuar babait të saj të ndjerë dhe poezinë me titull “Sot”, dedikuar personave me probleme shëndetësore (të hendikepuarve fizikë), me të cilat, ashtu si me vallëzim dikur, ngjalli emocione të veçanta te publiku. Krejt në fund të pranishmit kishin mundësi të ndjeheshin të lirë gjatë një kokteji, t’i shtrojnë pyetje autorit dhe t’i kenë librat e tij.

Promovohet libri i Tedi Papavramit

Së shpejti, Tedi Papavramit  do të jetë sërish i ftuar para publikut në Gjenevë, këtë herë jo për një koncert por për provimin e librit « Fugue pour violon seul » që e organizon Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës. Mbrëmja letrare do të moderohet nga Besa Myftiu.

Tedi Papavrami i lindur në Tiranë ai u lidh me violinën që në moshën katërvjeçare. Studioi violinë me të atin, profesorin e njohur Robert Papavrami, i cili ka ndikuar mjaft në të ardhmen e tij artistike.

Përtej muzikës, Tedi Papavrami ka shfaqur edhe mjaft prirje te tjera në art. Kësisoj një interes të madh për Tedi Papavramin paraqet letërsia. Madje në vitin 2000 shtëpia botuese franceze “Fayard” e emëron përkthyes zyrtar të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare.

 

18.06.2013

“Midax-Merimanga kurioze”

Ilir Xheladini, një emër i ri në botën e letrave. I lindur në Kosovë, ku ka kaluar fëmijërinë dhe rininë e hershme, ai ka provuar veten si shkrimtar vetëm në gjuhën frënge. Pjesën, tashmë më të madhe të jetës e ka kaluar në Zvicër, në pjesën franceze të saj, në kantonin Neuchatel.

Arsyeja e takimit tonë me Ilirin është pikërisht libri i tij, një roman për fëmijë, me titullin “Midax-Merimanga kurioze”, i botuar në gjuhen frënge.

Po cili është subjekti i këtij romani?

Është një rrëfim i tipit të fabulave, që ngjall kërshërinë fëmijërore. I pasuruar edhe me fantazinë e autorit, romani na zbulon edhe dimensione të reja të rrëfimit.

Merimanga Midax ka një ëndërr: të ngjitet në majën e pemës së vjetër e cila përkëdhel e para rrezet e diellit në mëngjes, dhe të shohë nëse bota vazhdon përtej lëndinës ku ai jeton. Një ditë, ai vendos, dhe merr rrugën.

Gjatë udhëtimit të tij, ai takohet me xixëllonjën Etlea, me merimangën Grab dhe me Dea-në, një dallëndyshe e re, e cila lëndohet rëndë nga një skifter. Midax e shpëton dallëndyshen dhe lidhin miqësi. Ky takim shënon fillimin e një udhëtimi të gjatë dhe të rrezikshëm që do të dërgojë larg, shumë më larg se do mund të kapte imagjinata e një merimange…

Me këtë roman emocionues dhe dinamik, autori zbret në lartësinë e personazheve të tij, dhe ndryshon perspektivën tonë, duke na ofruar një shikim të ri mbi botën tonë dhe mrekullitë e saj. Libri është botuar në Francë nga shtëpia botuese “Jetsdencre”, në gjuhën frënge. Ai del nga shtypi më 1 nëntor.

Romani u pëlqye shumë edhe nga Patrice Garcia, i cili njihet për krijimet e tij në filma me renome si “Elementi i pestë”, “Arthur et minimoys” e shumë të tjerë, na rrëfen Iliri. Garcia u ka dhënë njëherësh  imazhet e para personazheve të Midax dhe Dea-së duke krijuar kopertinën e librit.

Nuk duhet harruar edhe intervenimin e Kushtrim Kunushevcit i cili u shtoi harmoninë këtyre personazheve, shpjegon më tutje Iliri rrugën e romanit nga ideja deri te botimi.

Por, si u bë që Iliri, ish i riu nga Kosova të shkruajë vetëm në gjuhën frënge? I pyetur nga albinfo.ch nëse shkruan edhe në gjuhën shqipe, Iliri përgjigjet se nuk ka guxim ta bëjë këtë. “Druaj se në gjuhën shqipe nuk do të arrij t`u jap thellësinë e duhur mendimeve dhe peshën e duhur fjalëve”. Kështu thotë ai dhe e thotë me një shqipe mjaft solide.

Megjithatë, shpjegon Iliri më tutje, se për tua ofruar këtë roman edhe lexuesve shqiptarë, punën do t`ia besojë një përkthyesi.

I lindur në Prishtinë në vitin 1973, Iliri në moshën 18 vjeçare ishte vendosur në Zvicër, në Kantonin e Neuchâtel-it.

“Kam punuar dhe vazhdimisht dhe kam kryer kurse të gjuhës frënge dhe në informatikë. I pasionuar pas librave, që nga rinia kam botuar poezi dhe tregime në revista për fëmijë. I lidhur ngushtë me artin kam marrë pjesë në disa ekspozita, festivale të filmit. Kam luajtur edhe në dy  filma të metrazhit të gjatë si: “Një dimër i tërë pa zjarr” i Greg Zglinski-të dhe “The War its Over” i Mitko Panov, thotë Xheladini për albinfo.ch.

“Midax” është roman për fëmijë dhe libri im i parë. Zanafilla e idesë së tij vjen nga Albani, djali im, të cilit i premtoja se do t`i shkruaja një tregim. Dhe kështu, faqe pas faqeje, tregimi zhvillohej duke përfunduar në një roman prej 117 faqesh.”

“Ky roman trajton kuriozitetin e një merimange për të kuptuar botën që e rrethon. Njëherësh gjatë udhëtimit të mbushur përplot me peripeci, autori ruan një dinamikë të zhvillimit të ngjarjeve që nuk lë lexuesin të ndërpresë leximin”, thuhet në shkrimin prezantues të botuesit.

ilir couverture

B.SH.

Libër që mbështet fëmijët në mësimin e gjuhës shqipe

Sebehate Ismailji-Zulfiji ka prezantuar ditë më parë në Cyrih, librin dhe CD-në me këngë dhe lojëra  për fëmijë të vegjël me titullin „Ne jemi të vegjël, ne jemi fëmijë”

Me këtë rast, zonja Maya Mulle udhëheqëse e:Elternbildung CH, veç tjerash u shpreh: “Këngët për fëmijë u përkasin të gjitha kulturave. Ato  kalojnë nga brezi në brez dhe posaçërisht për emigrantët/et ndërtojnë një urë me atdheun. Sebehat Ismailji Zulfiji, një grua shqiptare që jeton në Zvicër, ka vendosur të botojë një libër me CD për fëmijë  me këngë për fëmijët shqiptarë. Ajo ka përmbledhur këngë fëmijësh dhe tekste nga librat  shqiptare. Tekstet janë përpunuar dhe janë pasuruar me muzikë nga profesionistë muzikorë në Maqedoni, duke u ilustruar në mënyrën  më të bukur dhe duke ju përshtatur moshës për fëmijë të vegjël”.

Ky projekt u mundësua nga Elternbildung CH – Dachverband der Elternbildung.

Ndërsa autorja e librit dhe CD-së, Sebehate Ismailji-Zulfiji ka treguar se si i ka lindur ideja për të realizuar këtë projekt. “Si një profesioniste për nxitjen e integrimit në fushën e fëmijërisë së hershme, udhëheqëse e një grupi të fëmijëve zvarritës shqiptarë dhe ndërmjetësuese e kulturës, konstatova se një gjuhë e jetuar dhe kultivuar amtare ka domethënie të madhe. Kur  fillova të merrem me temën „Nxitja e  hershme”,  kërkova  këngë të thjeshta në gjuhën shqipe, për fëmijët deri në moshën pesë vjeçare. Por pa sukses” ka thënë ajo.

“Dhe kështu lindi ideja e këtij libri me këngë për fëmijë. Ky libër në mënyrë specifike mbështet fëmijët në mësimin e gjuhës së tyre dhe inkurajon pavarësinë. Përveç kësaj, fëmijët dhe të rriturit mund ta kultivojnë kulturën shqiptare në vendlindjen e re”, përfundon autorja e librit dhe CD-së “Ne jemi të vegjël, ne jemi fëmijë”, përfundon Sebehate Ismaili-Zylfiji

Porosia e këtij libri me CD bëhet në këtë adresë  www.elternbildung.ch/aktuelles.html.

Janë promovuar 3 vepra letrare të Lebit Murtishit

Ngjarja kishte ndodhur më 3 nëntor  në prani të dashamirëve të librit, në mesin e tyre edhe ministri këshilltar  në Ambasadën e Kosovës, Mustafë Xhemajli, por nuk munguan  edhe miqtë zviceranë.

Për librat e promovuar folën  Idriz Mehmeti, Isuf Ismajli, Skender e Elida Buqpapaj, ndërsa  poezitë e autorit u lexuan nga poeti Fehmi Berisha.

Autori Murtishi ka përshëndetur të pranishmit dhe “kritikët e tij pas shpine” të cilët mendojnë se autori është  në ´´konflikt” me dashurinë, e që nuk ka munguar nga ai edhe një poezi pikërisht dedikuar bashkëshortes së tij.

Ky promovim librash të cilin e ka udhëhequr Saranda Ademi Gervalla u mbyll me një koktej rasti të përgatitur nga Shoqata e Krijuesve në Zvicër. Krejt në fund kryetari, Besnik Camaj,  u ka bere thirrje donatorëve që ta mbështesin ekzistencën e kësaj shoqate të krijuesve në Zvicër.

Saranda Ademi Gervalla

 

19.11.2013

Traumat e tranzicionit të pafund

“Tranzicioni “, siç po quhet periudha tashmë jo e shkurtë nga viti 1990 e deri më sot ka shërbyer si objekt trajtimi i shumë shkrimeve, opinioneve, trajtesave që lexojmë në mediet tona. Ky nocion është kaq i pranishëm në debatet tona për vetë faktin se “tranzicioni” po zgjat më shumë se që pritet nga një “fazë transitore”.

Në këtë kuptim, libri “Traumat e tranzicionit” i publicistes dhe autores së njohur Elida Buçpapaj përbën sigurisht një përpjekje më të sistemuar për të vështruar nga një kënd tjetër tranzicionin që po e jeton shoqëria shqiptare.

Libri, të shtunën që shkoi pati një promovim në ambientet e bibliotekës ndërkulturore “Pestalozi” të Cyrihut, në organizim të Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës. Në emrin e organizatorit, Bujar Salihu prezantoi portretin e autores ndërsa për librin foli redaktori i tij, Skënder Buçpapaj.

“Sfida më e madhe e publicistikës së sotme – shqiptare dhe më gjerë – është sfida ndaj skemave” (…..).  “Traumat e tranzicionit”, libri më i ri i Elida Buçpapajt është një ndër dëshmitë më të mira të përballjes dhe të kapërcimit me sukses të sfidës ndaj skemave të sotme të publicistikës sonë. Ai buron dhe formësohet pikërisht nga mospajtimi me realitetin e tranzicionit shqiptar” tha Buçpapaj në hyrje të vështrimit të  tij mbi librin.

Kundërshtimi i konformizmit është, sipas redaktorit të librit, karakteristika kryesore e të shkruarit të Elida Buçpapajt, dhe antikonformizmi është guxim, është vetësakrificë në shërbim të të vërtetës.

Më tutje Skënder Buçpapaj në vështrimin e tij foli për tiraninë që e përshkon shtypin shqiptar sot. Ai është i orkestruar ashtu që të tërheqë vëmendjen e publikut nga realiteti i hidhur dhe abuzimet që bën oligarkia e ngritur mbi krimin, duke vënë në fokus të medieve, kryesisht kronikat e zeza, tha veç tjerash Buçpapaj.

Më tutje, në fjalën e tij S. Buçpapaj vuri në dukje edhe preokupimin e autores Elida Buçpapaj me fatin e të djathtës shqiptare. E djathta, sipas saj është tradhtuar nga vetë promovuesja e saj, PD-ja. Kjo parti i ka përjashtuar ose margjinalizuar bartësit e të djathtës së vërtetë në Shqipëri, konstaton autorja. Këtë tradhti ajo e përjeton në emrin e atyre që në fillim të viteve `90 u përpoqën dhe sakrifikuan për çlirimin e Shqipërisë nga komunizmi, me parullën e njohur “E duam Shqipërinë si Evropa”…

Ndërsa citimi nga parathënia e Frank Shkrelit, publicist i njohur shqiptaro-amerikan, ngre shqetësimin legjitim të shqiptarëve për mosmbarëvajtjen e procesit të transformimit politik. “…përse Shqipëria, si pothuaj asnjë vend tjetër në Evropë, nuk e ka plotësuar atë tranzicion transformimi që tanimë e kanë përfunduar shumica e vendeve ish komuniste?

Duke lexuar librin e Elida Buçpapajt, të mbetet përshtypja se Shqipëria, por edhe Kosova, kanë ngecur në një periudhë “transformimi ose tranzicioni të ngrirë”, të kontrolluara nga grupe të fuqishme oligarkike dhe me influencë, të cilat po keqpërdorin pasurinë e vendit…”, thuhet veç tjerash në parathënien e Shkrelit, të cituar nga S. Buçpapaj.

Autorja e librit, Elida Buçpapaj, duke marrë fjalën foli po ashtu për zhgënjimin me tranzicionin, në Shqipëri dhe në trojet shqiptare, për traumat që po prodhon ai. Por ajo u përqendrua më shumë në diasporën shqiptare, e cila, sipas saj, duke qenë jashtë procesit të kalbëzimit kaq karakteristik për shoqërinë shqiptare në atdhe, ka në vete mjaft forcë për të sjellë një frymë më të shëndetshme atje. Këtë pretendim ajo e mbështeti edhe në historinë e krijimit të Shqipërisë së 1912-ës dhe të shtetit kosovar të 2008-ës. Të dy këto procese, sipas E. Buçpapaj, kanë ndodhur falë në radhë të parë vizionit, angazhimit dhe sakrificës së diasporës.

Në përmbyllje u zhvillua një debat i gjerë rreth temave që shtjellon libri me pjesëmarrjen e një numri të të pranishmëve.

“Perandorët”, një roman për anën e zymtë të tranzicionit shqiptar

Romani “Perandorët” i autores së re Majlinda Nana Rama nga Shqipëria, i botuar pak muaj më parë nga Shtëpia Botuese “Toena” ka pasur një pritje të ngrohtë në mesin e publikut lexues në Shqipëri. Edhe kritika letrare është treguar zemërgjerë me këtë paraqitje të re në letrat shqipe ndërsa në dy panairet e fundit të librit, në Prishtinë dhe në Fier, romani i përmendur ka qenë ndër më të kërkuarit.

Me këtë roman, autorja që jeton në Fier, ka bërë edhe disa paraqitje në mesin e publikut lexues në diasporën shqiptare, në Gjermani, Austri dhe në Zvicër.

Të hënën, Majlinda dhe romani i saj “Perandorët” pati promovimin në Qendrën Kulturore të Kosovës, në Cyrih. Një promovim i një libri që publiku ende nuk kishte pasur mundësinë ta njihte dhe i realizuar pa përgatitjen e duhur, doli mjaft i mirë, falë spontanitetit të organizatorëve dhe të autores. Ushtruesja e detyrës së drejtorit të Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, Shukrije Ramadani, duke prezantuar autoren e librit u shpreh se qendra që drejton ajo është në dispozicion të vlerave kulturore dhe në këtë kontekst, promovimi i librit të shkrimtares Rama i bën nderë institucionit të përmendur.

Më tutje, poeti Sabit Gecaj në cilësinë e moderatorit ka bërë një prezantim te shkurtër të autores, libri i të cilës po promovohej. Sipas Gecajt, Majlinda Nana Ramaj në romanin e saj ka bërë një depërtim në jetën e shqiptarëve gjatë kohës së tranzicionit, duke përshkruar me një gjuhë moderne realitetin shqiptar aktual. Ai ka shtuar se autorja e sheh këtë realitet pa shumë optimizëm. Por, si rrëfim letrar, autorja përdor mjete shprehëse me të cilat abstragon rrëfimin trivial të vendosur në një lokacion konkret duke i dhënë atij karakter më universal.

Ndërsa redaktori i romanit kritiku i njohur letrar Behar Gjoka në parathënien e tij, një pjesë nga e cila u lexua edhe në promovim, shkruan se “ky roman të ofron një realitet të frikshëm, një pamje makabre të krimit dhe të pasojave të tij në përditshmërinë tonë. Ngjizja e tekstit vjen si rrëfim dhe dialog, strukturë dhe shprehësi, ku përplaset njerëzorja me çnjerëzoren, duke endur një libër me problematika shoqërore, të cilat zbulohen përmes toneve realiste dhe postmoderne, si dhe figurimit të karaktereve realiste, të cilat të grishin për ta lexuar romanin, si një grimcë tronditëse jetësore, që rroket dhe shqiptohet me anë të artit të fjalës”.

Publiku në sallën e vogël të QKK, në Cyrih ka marrë pjesë aktive në debatin e zhvilluar me rastin e promovimit. Me handikapin që kishin – pasi nuk kishin pasur mundësi ta lexonin librin – të pranishmit i kanë shtruar pyetje autores lidhur me romanin, pritjen që i është bërë atij në rrethet letrare të Shqipërisë por edhe lidhur me realitetin shqiptar në përgjithësi, pasi që ai realitet përbën “lëndën e parë” të këtij libri.

Majlinda Nana Rama ka theksuar se romani i saj, pos që është pritur mirë, edhe “është përkëdhelur” nga mediet dhe kritika letrare e Tiranës. Kjo për faktin se, siç është shprehur ajo, bëhet fjalë për një roman që trajton një temë të ndjeshme dhe të prekshme nga të gjithë, tranzicionin e dhimbshëm shqiptar që po zgjat tash mbi 20 vjet. Sipas autores, përcaktimi i saj që romanin ta pagëzojë me titullin “Perandorët” lidhet me personazhet e romanit, që janë njerëz nga shtresa e pasuruar rishtas, e pagdhendur  dhe e paskrupullt në shoqërinë shqiptare. Ata janë “perandorë” pasi që e kanë mbërthyer shoqërinë shqiptare duke ia zgjatur asaj makthin nga i cili nuk po mund të çlirohet tash sa vite.

Ajo tha se personazhet ekzistojnë në jetën reale në Shqipëri, madje janë edhe anëtarë aktive të partive të mëdha shqiptare. Ata dhe të tjerët si ata, ia zënë frymën dhe me dhunën që ushtrojnë nuk e lënë të zhvillohet shoqërinë shqiptare. Nana Rama përmes romanit të saj ka apeluar, madje ka klithur që personazhet e tilla, që në roman na vijnë të tipizuara mjaft saktë, shoqëria dhe shteti shqiptar t`i përjashtojë dhe t`ua pamundësojë helmimin e mëtejmë të realitetit shqiptar.

Aktivitetin e promovimit e ka përshëndetur edhe konsulli i Kosovës në Cyrih, Islam Spahiu.

Majlinda Nana Rama 2

Shaip Beqiri: “Hydra des Zorns/Hidra e Mllefit”

Vëllimin e parë me poezi Shaip Beqiri e ka botuar që në vitin 1976. Ai jeton nga viti 1995 në Zvicër ku ka vazhduar krijimtarinë e tij poetike dhe publicistike. Pas një numri paraqitjesh të poezive të tij në përmbledhje dhe antologji të ndryshme në gjuhën gjermane,  tash vjen edhe libri i  tij i parë i botuar në dy gjuhë: gjermanisht dhe shqip, me titullin “Hydra des Zorns/Hidra e mllefit”.

Libri është botim i shtëpisë së njohur botuese të Cyrihut “Limmatt Verlag” dhe përfshin një përzgjedhje poezish të autorit. Ai është përkthyer në gjermanishte nga Hans-Joachim Laksch dhe vjen në kuadër të serisë “Zweisprachige Lyrik” (poezi dygjuhësore) të shtëpisë së përmendur botuese.

Në këtë vëllim poezish gjejmë vargje herë plot mllef e herë nostalgjike, pasi që Beqiri ishte i detyruar të braktiste vendin e tij pa vullnetin e tij. Ai jeton në Ostermundingen të Bernës, ku është strehuar si i përndjekur politik. Arratisja dhe qenia gjithmonë në rrugë e sipër  “…në mes të mijëra plagëve të hapura…”  e kanë cilësuar dhe e cilësojnë poezinë e tij, disa prej të cilave janë krijuar para dhe disa pas ikjes.
“Nganjëherë mund të kthehem nën strehën time të parë”, pastaj ai e sheh veten atje ku ka lënë rraqet e veta, atëbotë, në shtëpinë e gurtë, atje, prej nga vjen.

Në faqen e njëjtë të gazetës është prezantuar edhe libri “Piramida”, i shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, të përkthyer në gjuhën gjermane .
Hydra des Zorns-Hidra e Mllefit

Shaip Beqiri: “Ky nuk është libri im”

Të shtunën, në hapësirat e Ambasadës së Kosovës në Bernë, me ftesë të Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër, u prezantua libri me poezi “Hidra e mllefit” e shkrimtarit Shaip Beqiri, botuar kohë më parë nga “Limmat Verlag” shtëpi e njhur botuese zvicerane. Libri është botuar në dy gjuhe, shqip-gjermanisht, në përkthim të Hans Joachim Lanksch.

Ndonëse ditë më parë libri “Hidra e mllefit”, e Beqirit u promovua me shumë sukses, në panairin e librit në Frankfurt të Gjermanisë, prezantimi në Bernë i autorit dhe i librit, për të pranishmit, ishte një udhëtim i veçantë kulturor e artistik, i tillë çfarë di të krijojë poezia dhe gjuha e saj plot magji.

Kritiku letrar Ibrahim Rugova, ka thënë se poezia e Shaip Beqirit, na flet me seriozitet klasik mbi çështjet moderne të ekzistencës. Derisa Beqiri librin “Hidra e mllefit” e çel me vargjet “Ky libër nuk imi / As i dhembjeve të huaja” (poezia “Zhapëllima”).

Gjithsesi, për të na thënë se i kujt është ky libër, me çfarë gjuhe flet e na ofrohet ne si lexues, cilat janë ngjyrat e tij, kush janë njerëzit që u drejtohet e kushtohet ai, dhe për të veçantat e shumta të poetit Beqiri dhe rëndësinë e botimit të këtij libri nga një shtëpi botuese me zë, sikur është “Limmat”, folën poeti Mustafe Xhemaili dhe publicisti Gani Bytyçi.

Libri më i ri i Beqirit, u shprehën ata, është ndër librat më të mirë të poezisë shqipe, i cili flet për pakufishmërinë e poezisë, për universalizmin e saj. Figura poetike e Beqirit është monumentale dhe filozofike, dhe përbrenda mbylljes së saj është thellim i mendimit letrar e kulturor. Por, libri si i tillë, dhe niveli i kësaj poezie, i përshfaqun në këtë formë, padyshim se është një prezantim i denjë i letërsisë sonë para lexuesit gjerman.

Të pranishmit i falënderoi edhe shkrimtari Beqiri, i cili ndër të tjera tha se ndjehet i nderuar për vlerësimin e fjalët e zgjedhura të miqve. As kritika nuk më ka mbetur borxh si autor, tha ai. Derisa shfaqi brengën, që si shoqëri ka shenja të mungesës së forcës për të krijuar një sistem vlerash e vlerësimesh.

B. Gecaj

Box:

Ibrahim Rugova mbi poezinë e Shaip Beqirit

Vizioni i zymtë poetik

Shaip Beqiri është njëri nga poetët më të shquar të gjeneratës së re dhe të poezisë së këtushme shqipe në përgjithësi. Kjo është gjeneratë që vjen si e katërta me radhë pas gjeneratës së Sabri Hamitit dhe Eqrem Bashës. Kjo gjeneratë ka më shumë se pesëmbëdhjetë autorë, të cilët cilësohen për hapjen ndaj fenomeneve dhe ndaj tekstit poetik. Me një fjalë, janë më të lexueshëm se sa autorët e gjeneratës pararendëse.
Mirëpo, përjashtim bën Beqiri, sepse ai i përmbahet një sistemi të mbyllur të komunikimit në planin e brendshëm të gjuhës poetike. Këtë gjuhë poetike ai synon ta realizojë më shumë si figurë poetike të përkatësisë metonimike. Të folurit e tij poetik i nënshtrohet një vizioni të zymtë për botën dhe njeriun, që jep të kuptohet se ai ndërlidhet mbi disa koncepte simboliste dhe moderne të botëkuptimit ndaj gjërave. Vështruar nga ky aspekt , Beqiri është krijues i përkryer i figurës poetike, ku bota dhe subjekti poetik përthyhen me lëvizje të matura dhe funksionale të  një refleksioni mbi kotësinë dhe kalueshmërinë e çdo gjëje të njohur, si trajtë e gjymtimit të forcës dhe të shpirtit njerëzor.

Para së gjithash, poezia e tij na flet me një seriozitet klasik  mbi çështjet moderne të ekzistencës dhe të vazhdimësisë. Vitaliteti i të folurit të tij shquhet për shtresime të thella të gjuhës dhe të figurës poetike, si rrjedhojë e të kuptuarit të tillë të gjuhës, si akt krijues.
Prishtinë,15.XI.1983
(Tekst i pabotuar më parë)