Të jesh mësues-e do të thotë të mos ndalesh kurrë së mësuari

Fitore Ajdini punon si mësuese në një shkollë në Gjenevë. E rritur bashkë me dy vëllezërit dhe motrën, nën përkujdesjen e nënës së saj, ajo filloi që herët ta gëzojë atë me suksese dhe duke marrë përgjegjësi serioze qysh në moshë të re.

Pyetjes së albinfo.ch rreth zgjedhjes së profesionit të mësimdhënëses, Fitorja që tashmë ka disa vite përvojë profesionale i jep këtë përgjigje: Ideja që të ushtroj profesionin tim në një rreth ku dituria dhe kultura kanë rëndësi të çmimit më të lartë në botë ishte motivi im i parë. Duke i mësuar të tjerët ne mësojmë jashtëzakonisht tërë kohën. Gjithashtu e dua edhe kontaktin me më të rinjtë që janë shpeshherë edhe tërheqës.

Këtë e dëshmoj edhe me faktin që, prej kur kam kryer formacionin praktik në Cayla menjëherë kam filluar të punoj e rregullt në këtë institucion dhe tani jam edhe përgjegjëse klase. Gjatë kohës së studimeve kam punuar këshilltare në shitje, kam kryer punë administrative në një bankë dhe organizma të tjerë ku shpeshherë më angazhonin edhe në korrigjimin e gjuhës frënge mirëpo dëshira që të jem mësuese gjithmonë ka mbetur e paluhatur.
Gjatë rrugëtimit shkollor, jeni ndjerë ndonjëherë e diskriminuar për shkak të origjinës suaj?

Personalisht, gjatë shkollimit e formimit tim profesional nuk mund të them se kam vuajtur nga ndonjë formë diskriminimi. Më ka ndodhur të dëgjoj vërejtje që më janë drejtuar, më shumë të natyrës ksenofobe, që synonin komunitetin shqiptar por nuk ishin këto vërejtje që mund të më bëheshin pengesë as në shkollimin tim as në angazhimin tim në punë. Gjithmonë jam ndjerë e barabartë me të tjerët dhe me mundësi të njëjta. Origjina ime shqiptare absolutisht as sot nuk është një e metë.

Rreth përshtypjeve të saj në raport me dallimet që mund të ekzistojnë gjatë shkollimit të fëmijëve me origjinë të ndryshme apo mjedis të ndryshëm social Fitorja për albinfo.ch shprehet: “Nxënësit që vijnë nga mjedise të varfra sociale patjetër që kanë edhe vështirësi më të mëdha për dallim nga të tjerët që vijnë nga mjedise prindërit e të cilëve kanë nivele universitare. Këtë e dëshmojnë edhe statistika të ndryshme. Gjithashtu është e rëndësishme të ceket se edhe shembujt janë të rëndësishëm në shkollimin e një fëmije. Shembujt që ndikojnë tek ata, më të parët janë prindërit, pastaj motrat e vëllezërit e tyre më të rritur me qëndrimin e tyre karshi rëndësisë së shkollimit. Ata që infuencojnë fëmijët janë pra shembujt e parë që ai ka në shtëpi.

Shumica e prindërve me origjinë të ndryshme që jetojnë sot në Gjenevë nuk kanë pasur mundësitë të kryejnë studime ngase kanë pasur një jetë të vështirë dhe të varfër. Ka disa prindër që më flasin se çfarë kanë përjetuar në jetën e tyre. Rrëfimet e tyre janë prekëse sepse ata, shpesh edhe sot, kanë një punë të vështirë fizike e që paguhet pak. Pos këtyre prindërve kemi edhe të tillë që ikin nga lufta ashtu siç ka ndodhur edhe me ne shqiptarët të cilët vijnë në Zvicër për t’ju ofruar ardhmëri më të mirë fëmijëve të tyre. Të gjithë kësaj mandej mund t’i shtojmë edhe përgjegjësitë e rënda që shpeshherë kanë fëmijët për arsye të kontekstit të ngarkuar në familjen e tyre gjë që nuk është pra për t’u habitur pse ata kanë më shumë vështirësi se të tjerët.  Pastaj edhe gjuha frënge e folur në shtëpi që nuk zotërohet sa duhet është një faktor që nuk lehtëson pasurimin me shprehje të reja në frëngjisht. Megjithatë, kjo nuk është pengesë  që s’mund të tejkalohet. Të flasësh shumë gjuhë është vërtetë një aftësi që mundëson më lehtë mësimin e gjuhëve të tjera.

Sa e njihni dhe e praktikoni ju gjuhën shqipe dhe meqë keni kompetenca pedagogjike a keni njohuri të mjaftueshme që të mund ta ushtroni profesionin e juaj edhe në shqip?

Në familje flas shqip e me të gjithë ata që kanë vështirësi të shprehen në frëngjisht, që do të thotë se nuk kam asnjë problem në komunikim gojor. Kam ndjekur po ashtu kurset e gjuhës shqipe në fillore dy tri vite por ajo kohë nuk më kujtohet shumë. E kam të vështirë të shkruaj në gjuhën letrare në mungesë të studimeve në gjuhën shqipe prandaj them “jo”, nuk mundem të praktikoj mësimdhënien në gjuhën shqipe. Sidoqoftë, të njohësh një gjuhë nuk do të thotë se do të mund edhe t’ua mësosh atë të tjerëve.

Cilat janë raportet tuaja me prindërit shqiptarë, lidhjet e juaja me aktivitetet shqiptare ?
Është interesante dhe shpeshherë edhe të bëjnë të qeshësh reagimet e nxënësve kur kuptojnë se edhe unë jam pjesë e përkatësisë së tyre kulturore. Ndodhë të më pyesin që të them ndonjë fjalë në shqip në shenjë vërtetimi të origjinës sime. Ndodhë që nganjëherë të kemi përshtypjen se kuptohemi mirë mes vete dhe nuk ngurroj të ju them se unë i njoh vështirësitë e tyre, veçanërisht faktin pse prindërit e tyre nuk e flasin mirë gjuhën frënge, pa i gjykuar ata.

Nuk kam pasur asnjëherë vështrim negativ pikërisht pra për faktin se unë e njoh kontekstin e tyre familjar dhe ndaj të njëjtat referenca kulturore me ata. Nxënësit e dinë se nuk do të mund “të anashkalohen” e t’u ikin obligimeve të tyre kur më duhet t’i ftoj prindërit e tyre me të cilët komunikoj shumë thjeshtë e pa pasur nevojë për përkthyes.

E gjithë kjo, në raste të caktuara, me të vërtetë lehtëson punën time. Gjatë mbledhjeve me prindër ka prej atyre që vijnë më me vullnet para kohës së caktuar apo qëndrojnë më gjatë pas saj me qëllim që të komunikojnë sa më qartë me mua.

Pos kësaj shpeshherë bëj shërbimin e përkthyesit edhe për kolegë të mi të cilët kanë nxënës që prindërit e tyre nuk e flasin gjuhën frënge e kjo pra lehtëson procedurën për profesorët dhe përfaqësuesit legalë të nxënësve. Në fakt, jo vetëm që njoh sistemin shkollor dhe normat e promovimit të tij por më ndodhë shpeshherë të njoh rrugëtimin e nxënësit apo personalisht të njihem me prindërit e tyre. Kjo krijon marrëdhënie besimi dhe vetvetiu komunikimi kalon më lehtë.

Sa u përket lidhjeve me aktivitet shqiptare, Fitorja tregon që kur ishte filloriste këndonte në një grup shqiptar dhe paraqiteshin në ngjarje të ndryshme festive në lidhje me kulturën shqiptare. Veçanërisht ajo ka ndjekur shpesh kurset e vallëzimit në grupin e të rinjve të “Rinia Contakt” kur ishte pjesë e Universitetit Popullor Shqiptar ku shumë prej shokëve e shoqeve të saj ndiqnin kurset e rregullta në vallëzim. Momentalisht, Fitorja thotë se i përkushtohet punës së saj ku është e angazhuar 100% dhe nuk i mjafton koha për aktivitete të lira shqiptare.

Çfarë u propozoni ju prindërve shqiptarë që fëmijët e tyre të jenë sa më të suksesshëm në shkollimin e tyre?

Duhet ditur se strukturat shkollore gjenevase organizojnë ndihmë shkollore në disiplina të ndryshme për të ndihmuar nxënësit jashtë orarit të obliguar shkollor e që prindërit duhet më shumë t’i nxisin fëmijët e tyre që ata t’i ndjekin kurset e organizuara pikërisht për të ndihmuar ata kur kanë ndonjë vështirësi. Po ashtu, i mbështes edhe prindërit të ju rrëfejnë fëmijëve të tyre çfarë kanë përjetuar në jetën e tyre me qëllim që fëmijët të njoftohen dhe të kuptojnë fatin që ata kanë që të shkollohen në sistemin shkollor zviceran. Rrëfimet e prindërve shumë shpesh luajnë një rol tejet të rëndësishëm tek fëmijët. Por, mbi të gjitha, suksesi në shkollim varet nga disiplina e çdonjërit që ai ia vë vetes për të punuar. Ajo çka unë këshilloj është vetëm një periudhë që iu mundëson atyre ngritjen e vetëdijes për t’ia arritur qëllimin e dëshiruar.
Çka pëlqeni në profesionin e juaj dhe cilat janë vështirësitë e tij? 
Ndër vështirësitë e profesionit të saj Fitorja i veçon ato të rendit disiplinor, kryesisht tek nxënësit që mund të disfunksionojnë në klasë. Mandej ajo thekson peshën e punëve administrative siç është p.sh. procedura e zëvendësimit. Në fakt pra, edhe po qe se je në pushim mjekësor, duhet t’i jepen udhëzime me gojë dhe me shkrim mësimdhënësit që të zëvendëson pa marrë parasysh gjendjen shëndetësore. Privilegjet apo pikat e forta te punës sime janë më të shumta thotë Fitorja. Në këtë profesion jemi përherë në një univers studimi, pra, përherë në lidhje me diturinë. Unë mësoj po ashtu nga nxënësit e mi që vijnë nga regjione të ndryshme. Të jesh mësimdhënës do të thotë që asnjëherë nuk ndalesh së mësuari sepse lexojmë, përgatisim privime, sekuenca … Shtjellojmë tema të ndryshme gjatë leximit dhe ballafaqojmë ide. Edhe pse gjithçka nuk është e lehtë me disa mosha të nxënësve, kam ndërrime që pasurojnë, interesante dhe të këndshme. Ajo që më bën të ndjehem e shpërblyer, është kontakti me të rinjtë dhe mundësia që transmetojmë diturinë tek ata. Andaj tani për tani nuk besoj se mund të ndërroj një ditë as profesionin që kam.
Cila është porosia e juaj?

Fëmijëve dhe prindërve shqiptarë do të ju thosha që gjuhën dhe kulturën e tyre ta marrin si një forcë. Të njohësh dhe të bësh të ta njohin origjinën që ke, është tejet e dobishme në formimin e identitetit dhe zhvillimit personal të çdonjërit prej nesh. Gjuha shqipe me karakteristikat e saj të veçanta dhe e lashtë le të ruhet duke u përpjekur që atë ta praktikojmë sa më rregullisht që është e mundur.

 

Jetëshkrim

  • 33 vjeçare, e lindur në Kumanovë, Maqedoni
  • Nga viti 1989 jeton në Gjenevë
  • Shkollimin fillor e të mesëm (kolegj 2004) në Gjenevë
  •  2009 Bachelor në Fakultetin e gjuhëve: historia e religjioneve dhe literarura franceze
  • 2011  Master në letërsi
  • 2012 angazhohet në mësimdhënien e gjuhës frënge në Ciklin e orintimeve Cayla
  • 2011 Studime ne Institutin universitar të formimit të mësimdhënësve ( IUFE)
  • 2012 Didaktika e frëngjishtes në zotërimin universitar disiplinor për shkollimin e mesëm  (MASE 2)

Fotot: Jeton Haziri

Krenare se krahas gjermanishtes zotëroj edhe shqipen

Melani Alilaj është studente në Shkollën e Lartë Pedagogjike, e njoha në Konferencën kushtuar mësimit plotësues të gjuhës shqipe mbajtur para pak ditësh në Cyrih, në cilësinë e pjesëmarrëses theksoi rolin dhe vlerën e gjuhës amtare shqipe në përvojën e saj si nxënëse. Kaq është pak për të trokitur e hyrë “me ndrojtje “ në portën e jetës së vashës shqiptare, lindur dhe arsimuar në Zvicër. Ja disa copa të shkëputura nga bashkëbiseda e një ditë dhjetori me mësuesen e ardhshme të  gjermanishtes dhe admiruesen e gjuhës shqipe që me punën e palodhur dhe suksesin e arritshëm lëshon “rreze të arta” në shoqërinë e pritëse.

Kush është Melani Alilaj ?

Unë jam një vajzë shqiptare, bijë e një familje mërgimtarësh të ardhur nga Kosova në Zvicër, pra në Kantonin e Cyrihut. Këtu u linda dhe u rrita. Jam 24 vjeçe. Jam studente në Shkollën e Lartë Pedagogjike, drejtimi gjuhësor, viti i katërt përfundimtar – Master, saktësisht ky drejtim më përgatit për mësimdhënie në shkollën sekondare apo për klasat 7-9.

Si të duket jeta në studime?

Jeta në institucione studimore është e këndshme sepse merr gjithnjë dije, mundohesh të përgatitesh për një profesion që më vonë dijen tënde e përcjell tek brezat më të rinj.

Përveç se je një gjermanishtfolëse e rrjedhshme, ti e flet mirë edhe gjuhën shqipe. Nga ky kujdes?

Po. Unë flas shqip, gjermanisht, anglisht, frëngjisht dhe në gjimnaz kam mësuar edhe gjuhën latine. Sa i përket gjuhës shqipe në shtëpi flasim gjithmonë shqip. Fjalët e mia të para i thashë në gjuhën e nënës dhe kështu derisa fillova klasën e parë. Aty fillova të shkruaj e të lexoj gjermanisht. Fati më buzëqeshi kur qëlloi të ketë edhe shkollë shqipe me mësim plotësues në Cyrih dhe krahas shkollës së obligueshme  fillova edhe mësimin shqip nga klasa e parë deri në  mbarim, te mësuesi Naser Ulaj. Ndjej krenari se krahas gjermanishtes e zotërojë shumë mirë  gjuhën shqipe. Mësimin shqip e kam përforcuar duke lexuar tregime në gjuhën shqipe. Për këtë e falënderoj nënën time që më ka kushtuar kaq shumë kujdes për gjuhën shqipe dhe kulturën time shqiptare!

 Çfarë do të thotë të dish shumë gjuhë?

Shumë gjuhësia për mua është e rëndësishme për disa arsye: Së pari mund të komunikojë me shumë njerëz që nuk e flasin gjuhën time. Në radhë të dytë më pëlqen të njoh kulturat tjera gjuhësore në shoqërinë ku jetoj. Gjithashtu më pëlqen të studioj dhe krahasoj strukturat e gjuhëve të ndryshme. Prandaj gjuha shqipe ka lidhje me gjuhet latine ndonëse pak. Fare në fund është hobi im udhëtimi nëpër botë që të eksploroj kulturat e panjohura.

Mund të më flisni më gjerë pse kishte për ty rëndësia e mësimit plotësues të gjuhës shqipe?

Për veç atyre që thash më lart, gjuha shqipe është e pasur me 36 tinguj dhe shkronja, më ka lehtësuar në shqiptimin e drejt të disa tingujve te gjuhët e huaja si në: anglisht, frëngjisht dhe të gjuhës latine. Natyrisht në formimin tim ka ndikuar përgatitja e lartë arsimore në SHL Pedagogjike sepse aty është vendi i diturisë.

Por është shumë me rendësi qe fëmija të mëson gjuhen e nënës sepse kjo është baza për gjuhë tjera. Gjithashtu ka rëndësi në shoqërimin dhe kontaktet mes fëmijëve shqiptarë sepse këtu ka një rreth me edukim me etni nga më të ndryshmet. Veç kësaj, fëmijët nuk e harrojnë prejardhjen e familjes dhe kulturën të cilës i përkasin.

Çfarë do t`u transmetoje nxënësve shqiptarë në Zvicër?

Do tu uroja çdo të mirë në mësimet e tyre të përditshme. Do të u dëshiroja nga zemra që ta flasin me dëshirë gjuhën shqipe, të shkojnë në shkollë për ta mësuar gjuhën shqipe krahas gjermanishtes apo frëngjishtes sepse gjuha e amtare vetëm se u ndihmon, në asnjë mënyrë nuk është pengesë. Megjithatë, rolin kryesor në mësimin e gjuhës shqipe e kanë prindërit e fëmijëve.

 

 

Shefik Osmani, promotor i mësimit plotësues të gjuhës shqipe

Prof . dr. Shefik Osmani është dijetar i madh, pedagog përparimtar, didakt i shquar, promotor dhe drejtues i zgjedhur shkencor – pedagogjik i shkollës shqipe jashtë atdheut. Natyrisht se pohimet e këtilla kanë mbështetje mbi fakte dhe vepra të tij.

Prof. dr. Shefik Osmani është i lindur në Shkodër, në vitin 1923. Në këtë qytet me tradita arsimore e atdhetare, që fëmijë, u dha i tëri pas “dritës së diturisë”. Është laureat i çmimit të Republikës.

Ish drejtor i shkollave pedagogjike në Shkodër, Peshkopi, Tiranë. Inspektor pranë Ministrisë së Arsimit dhe të kulturës, punonjës shkencor në ISP, publicist. Shefik Osmani ka shkruar e botuar shumë. Ç’është e vërteta nuk janë pak 40 tituj të fiksuar në bibliografinë e tij shkencore.

Kur të shkruhet historia e diasporës shqiptare, krahas me shumë pedagogë të shquar që janë marrë me rëndësinë e gjuhës amtare larg atdheut apo me mësimin e gjuhës shqipe tek brezat e rinj, një vend nderi i takon pa dyshim prof dr Shefik Osmanit.

Shkolla e parë shqipe e pavarur në Zvicër zë fill në vitin 1990 në kantonin Glarus, me mësuesen Drita Krasniqi, për t’u përhapur më vonë anembanë Kantoneve të Zvicrës. Përparime në këtë drejtim ishin arritur sidomos gjatë vitit 1994/95.

Shkolla shqipe jashtë atdheut është e organizuar në 14 shtete të botës: në Gjermani, Zvicër, Francë, Angli, Austri, Suedi, Norvegji, Holandë, Danimarkë, Finlandë, Belgjikë, Luksemburg, SHBA dhe në fillim të punës në Kroaci”. (Dr. Muhamet Bicaj). Për organizimin e shkollës shqipe, Ministria e Arsimit e Qeverisë së Republikës së Kosovës kishte përgatitur gjithçka të nevojshme: Plan-programin, dokumentacionin shkollor (regjistri, dëftesa, libreza nxënësish) tekstet shkollore udhëzime didaktike të hartuara dhe vënien në jetë të të cilit, prof dr. Shefik Osmani ka qenë promotor dhe drejtues i zgjedhur shkencor pedagogjik. Ai theksonte rolin shoqëror e pedagogjik të shkollës dhe edukatës përmes gjuhës amtare në kushte dygjuhëshe.

Rëndësia e gjuhës amtare dhe roli i saj në përvetësimin e një gjuhe tjetër u bë objekt hulumtimi edhe nga pedagogë evropianë, si: dr. Rudolf de Cillia në Austri, dr.dr. Basil Schader në Zvicër, dr. Katrin Hohman në Gjermani etj. Në këtë frymë u paraqit edhe mendimi pedagogjik e didaktik i prof Shefik Osmanit, në artikullin “Teknologjia didaktike dhe mësimi shqip në diasporën e re”. Ai këtu shkruan: “Shkollat e mësimit plotësues janë një dukuri e re në fushën e arsimit botëror, janë shtojca të shkollave të rregullta vendëse, por që mbarështohen me kurrikula të veçanta – të ngritura mbi bazën e të drejtave ndërkombëtare për arsimimin e fëmijëve refugjatë të punonjësve të huaj, që zakonisht emigrojnë si fuqi punëtore në vendet e zhvilluara, ku formojnë enklavat e tyre”.

Mbi 15 vite bashkëpunoi me organizatorë të mësimit plotësues, mësues e intelektualë të diasporës për hartimin e një vargu tekstesh shkollore me bashkautorësi, që u shërbyen nevojave shkollore në mësimin plotësues, si burim i rëndësishëm i diturisë. Fjala është për tekstet si: “Plotësori i abetares”, “Zemra ime” për klasat (I-II-III) “Shkollë e jetë” për klasat IV-V-VI, “Leximi im” së bashku me fletore pune, teksti “Fjalë pas fjale”, “Fjalor me figura” etj.

Jo vetëm në pikëpamje pedagogjike por edhe në fushën e kulturës ai mori pjesë në seminare të shumta të arsimtarëve si në Zvicër, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Suedi etj. gjithkund ku jetonin shqiptarët, duke dhënë kontribut, në veçanti për zhvillimin e arsimit dhe të shkollave në gjuhën amtare.

Për hapjen dhe mbajtjen e shkollave të mësimit plotësues në Zvicër ishte përgjegjësi e madhe jo vetëm në përqasjen e tyre me shkollat tradicionale zvicerane, por edhe me shkollat simotra të komuniteteve tjera si spanjolle, italiane, portugeze, turke etj., të cilat kanë mbështetje të fortë të qeverive përkatëse.

Siç shkruan edhe vet ai, “Shkolla Shqipe e Mësimit Plotësues është një hallkë e re në sistemin tonë arsimor për veçoritë që ka në krahasim me shkollat e tjera të rrjetit arsimor, nga përbërja e nxënësve me origjinë fshatare e qytetare, me prurje dialektore në ligjërim dhe nivele të ndryshme njohurish. Ajo dallon edhe nga shkollat publike e ato private. Kjo shkollë shkruan ai, – i përgatit nxënësit në drejtim të përvetësimit të gjuhës amtare shqipe dhe vlerave të saj artistike e shkencore, të njohjes së historisë së shqiptarëve, karakteristikave kryesore të gjeografisë së vendlindjes të të parëve të tyre dhe njohjes së disa tipareve të artit popullor, që është përpunuar në truallin tonë. Kjo shkollë mësimin e zhvillon njëherë në javë mbi bazën e klasave të bashkuara (I-X), u përshtatet rrethanave ku ndodhet dhe kushteve që kanë nxënësit në mesin dy gjuhësh”.

Për rolin e edukatës dhe shkollës bën fjalë në shkrimin “Roli dhe perspektiva e shkollës shqipe të mësimit plotësues në diasporë”, ku ndër të tjera shkruan: “Roli i shkollës në këto momente mbetet në epiqendër. Ajo e mëson, aftëson, e përgatit brezin e ri me dije, me shprehi, me aftësi që kur nxënësi të mbarojë klasën e nëntë të jetë një njeri i mësuar, një bamirës, një atdhetar i përgatitur, një person i edukuar në frymën e idealit kombëtar.”

Sipas tij angazhimi i mësuesve kushtëzon mbijetesën e fizionomisë kombëtare të brezit të ri shqiptar të kësaj diaspore, traditat e së cilës: gjuha shqipe, doket e zakonet tona ruhen, trashëgohen dhe transmetohen, “..nëse do të funksionojnë si duhet shkollat tona, nëse në kuvende, në vatra familjare, në mjediset e shkollës do të mbizotërojë gjuha shqipe, nëse do të kumbojë kënga shqipe. Ai komb që ka në dorë arsimin siguron të ardhmen e vet. Dhe e ardhmja sigurohet me përgatitjen e brezit të ri për kthim në vendlindje”.

Shkolla është një institucion shtetëror që përfshinë të gjithë nxënësit shqiptarë pa dallim krahine, pa dallim ideje e feje. Shkolla dhe mësuesi i edukojnë nxënësit që të miqësohen me njëri tjetrin, ta ndihmojnë njëri tjetrin, ta përkrahin njëri – tjetrin, së bashku ta lartësojnë emrin shqiptar, të mishërojë kudo nderin shqiptar, ta përfaqësojë kudo kulturën shqiptare dhe popullin shqiptar triumfues mbi dhunën, mbi forcën, mbi barbarët.

Shkolla shqipe është institucion i depolitizuar. Ajo është institucion kombëtar. Mësuesi personifikon personazhin numër një. Të mësuesi, prindërit shohin edukatorin e fëmijës së tyre, shohin zëvendësin e tyre që i mbulon me kujdes e dashuri të gjithë fëmijët e tyre pa asnjë dallim, pa asnjë iluzion tjetër. Shkolla është vatër e patriotizmit shqiptar, qendra e kulturës kombëtare shqiptare, institucion ku kalitet shkenca e gjuhës shqipe, shkenca e historisë dhe gjeografisë etnike, punishtja e botës së artit shqiptar, prezantuesja e figurave të shquara shqiptare.

“Ne intelektualët e Shqipërisë që na drithërohet zemra për të ardhmen e kombit “qëndrimin tuaj patriotik e shohim me kryelartësi, tubimet tuaja me krenari, shkollat tuaja me admirim të madh. Shqiptarët e mëdhenj nga Kosova si Ymer Prizreni, Hasan Prishtina, Isa Boletini etj etj le të na shërbejnë si shembull se si duhet kombi dhe gjithçka kombëtare.”

Ndërsa në artikullin “Gjuha jonë është e bukur” i këshillon prindërit: “E pra, fëmijët tuaj nëse nuk ndjekin shkollën shqipe, nëse prindërit kënaqen vetëm me mësimin në gjuhën e huaj dhe nuk i dërgojnë fëmijët në shkollën shqipe të mësimit plotësues, nëse mësuesve shqiptarë u mungon vokacioni kombëtar dhe ai profesional këto të fundit shkallë – shkallë do të humbin gjënë më të shtrenjtë që ka çdo njeriu, Gjuhën amtare. Humbja e gjuhës amtare dobëson marrëdhëniet me vendlindjen. Atdheu i dytë zë vendin e atij të parit. Vendlindja e prindërve, përkatësisht atdheu i parë mbetet vetëm në kujtesë sa për të treguar origjinën”.

Ai gjithnjë mendonte se si të përparojnë nxënësit shqiptarë në shkollat e vendit ku ata kanë vendosur të jetojnë. “Nxënësit shqiptarë padyshim se duhet integrohen në shoqërinë pritëse së bashku me gjuhën shqipe. Duke ditur shqipen ata do të mësojnë një gjuhë tjetër më mirë”

.

Për nevoja të mësuesve prof Osmani hartoi “Dokumentet didaktike bazë të SHSHMP” që përfshin 41faqe.

Aty përshkruhen me imtësi si kurrikula të një institucioni të ri në teori e praktikë: nga plan- programet, struktura, paraqitja e tyre analitike. Cikli i ulët përfshin klasat:I-II-III. Cikli i mesëm, kl. IV –V- VI. Cikli i lartë, kl. VII-VII-IX( me orët përkatëse të mësimit dhe temat në lëndët Gjuhë e Lexim), si dhe udhëzimet metodike e përshkrimi i teksteve e leximeve ndër lëndore deri te kultura muzikore dhe ajo figurative.

Ky plan vetvetiu është voluminoz, me përmbajtje të pasur dhe autentike, kështu që ai meriton të gjurmohet duke e çmuar apo vlerësuar rolin e tij në zhvillimin e pedagogjisë së Mësimit Kombëtar jashtë atdheut. Plani dhe programi i shkollës shqipe të mësimit plotësues përmban: Qëllimi dhe detyrat e shkollës shqipe. 2. Struktura e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues. 3. Programi analitik orientues. Para sheh 3 orë mësimore në ditë, sasia e temave dhe përmbajtja etj. …..4. Udhëzime metodike.

(Autorja është mësuese në Jura)

Mirash Hajdaraj

Vendlindja : Gjakovë (Palabardh), Kosovë

Qyteti ku jeton në Zvicër: Mellingen, Argau

Profili

Firmë private, Hajdaraj Import-Export, përfaqëson një firmë zvicrane në Kosovë. Pos kësaj është ndërmjetësues kulturor në kantonin e Argaut.
Prej vitit 2008 kam firmë private. 2000-2008 kam punuar në firmën Canon (Schweiz) AG.

1996 deri 2000 mësimdhënës dhe organizator i mësimit plotësues në Gjuhën Shqipe në kuadër të LAPSH-it dhe departamentit për mësim dhe edukim të kantonit Argau. Gjatë tërë kohës kam qënë aktiv si ndërmjetësues kulturor (në mes institucioneve të ndryshme zvicërane dhe shqipëtarëve të Kosovës në Argau dhe më gjërë.

Mirash Hajdaraj ka qenë aktivist i FR të LDK dega në Gjakovë, prej vitit 1992 deri 1995 nënkryetar i këtij subjekti politik. (Prej vitin 1995 jeton dhe vepron në Zvicër). Mëimdhënës dhe organizator i LAPSH-it në nivel të Argaut dhe Zvicrës. 1997 -1999 kyetar i LAPSH-it për kantonin e Argaur dhe administrator në nivel të Zvicrës. Prej vitit 1998 anëtar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës ( PSHDK), momentalisht sekretar i këtij subjekti në Zvicër. 2003-2009 anëtar i kryesisë së KISIF-it, shoqatë e inicuar nga qyteti i Badenit lidhur me integrimin e të huajve në Zvicër sa më lehtë.

 

 

Përvojat në lidhje me mergimin/Ballkanin

Ka përvojë të shumanshme në arsim, ekonomi, biznes, politikë etj. Momentalisht aktiv në politikë (PSHDK), KMU SWISS( organizatë ekonomike zvicërane), anëtar i SHHB” Nëna Tereze” në Zvicër.

Integrimi/zhvillimi : cilat janë prioritetet ?
Prioritet i domosdoshëm për shqiptarët dhe popujt tjerë të Ballkanit është demokratizimi i jetës në tërësi: në jetën shoqërore dhe institucionale. Ballkani duhet t’i bashkohet BE-es sa më shpejt që është e mundur me çdo gjë të mundur…!

 

Kontakt

076 760 68 05