Ambasador Latifi: Komuniteti ynë, dikur barrë, tani shtyllë e shoqërisë zvicerane

Ai është akredituar rreth një muaj më parë në postin e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Zvicër. Rruga jetësore e ambasadorit të ri, Shkëlqesisë së tij Mentor Latifi, është jo shumë tipike për diplomatët: ai zotëron dy shtetësitë, si atë të shtetit që përfaqëson, Kosovës, ashtu dhe të shtetit pritës, Zvicrës. Siç kanë shkruar mediat zvicerane, aktualisht është vetëm edhe një rast i tillë, që ambasadori i një shteti të ketë edhe pasaportën zvicerane.

Edhe në një gjë, ambasadori i ri ndryshon nga të tjerët: ai flet edhe “schweizerdeutsch” (dialektin zviceran të gjermanishtes), sigurisht, krahas gjermanishtes standarde, anglishtes etj.

Në intervistën e tij të parë që i jep një medie në gjuhën shqipe, ambasadori Latifi flet për marrëdhëniet e shkëlqyera Kosovë-Zvicër, që duhet të avancohen edhe më tej, për lëmenjtë të cilët kanë potencial për këtë avancim, për imazhin e përmirësuar dukshëm të komunitetit tonë në Zvicër, për nevojën e përfshirjes më të madhe të nxënësve në mësimin plotësues të gjuhës shqipe, për kujdesin që duhet të kenë prindërit që fëmijët e tyre të mos bien pre e propagandave ekstremiste fetare etj.

Albinfo.ch: Jeni ambasadori i katërt i Kosovës në Zvicër, që nga lidhja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Nuk jeni i pari me shtetësi (edhe) zvicerane. Ndërsa jeni ambasadori i parë me bagazh të kulturës dhe gjuhës së Zvicrës gjermane, zonë kjo ku është ngulitur pjesa më e madhe e diasporës sonë. A e konsideroni këtë një përparësi apo më tepër barrë, sfidë për t’u kaluar?

M. Latifi: Barrë jo se jo. Njohja e kulturës zvicerane në përgjithësi, e sistemit politik dhe e gjuhës gjermane, përfshirë dialektin e Zvicrës gjermane, besoj se është një përparësi. Komunikimi është mjeti bazë i punës së një diplomati dhe rrjedhimisht edhe mundësi për hapjen e dyerve të ndryshme. Kur ky komunikim mund të kryhet në mënyrë të shpejtë dhe të pakomplikuar, padyshim që është një përparësi dhe përshpejtues i proceseve me interes të dyanshëm.

Albinfo.ch: Jeta juaj e deritanishme ka kaluar afërsisht sa në Kosovë, aq në Zvicër. Kjo sigurisht është një tregues se ju i njihni në masë të përafërt të dy realitetet e shteteve përkatëse. A pritni t’ ju ndihmojë kjo përvojë në përmbushjen e detyrave në misionin e përfaqësimit të Kosovës në Zvicër?

M. Latifi:  Mendoj se është një kombinim lehtësues, meqë edhe roli i ambasadorit është të jetë një urë lidhëse mes dy shteteve dhe shoqërive. Ambasadori kosovar e prezanton shtetin dhe shoqërinë kosovare në Zvicër dhe njohja e ndërsjellë e lehtëson këtë shkëmbim.

Albinfo.ch: Ju keni ndjekur një rrugë interesante, jo shumë tipike për brezin e emigrantëve, të cilit i takoni: Pasi keni ardhur si 17-vjeçar në Zvicër (për t`iu bashkuar familjes) dhe keni mbaruar gjithë shkollimin këtu, ju keni vendosur të ktheheshit në Kosovë. Çfarë ju ka shtyrë ta bëni këtë, në një kohë kur shumica dërmuese e kosovarëve zgjedhin drejtimin e kundërt, atë të ardhjes në Zvicër?

M. Latifi:  Ka qenë një kombinim i disa arsyeve që në atë kohë më ka shtyrë ta ndërmarr hapin e kthimit ne vendlindje. Patjetër që një arsye e fortë ishte njohja me bashkëshorten time, Sebin, e cila asokohe studionte dhe nuk  ishte e entuziazmuar të vinte në Zvicër. Pastaj kësaj iu shtua ideja ime se pse mos ta realizoja unë menjëherë atë që shumë emigrantë e kanë në kokë, që një ditë do të kthehen në vendlindje? Duhet cekur këtu se unë njoh edhe mjaft të tjerë që kanë ndërmarrë këtë hap të njëjtë, nga Zvicra dhe shtete tjera. Në këtë kuptim nuk përbëj ndonjë përjashtim.

Albinfo.ch: Është bërë të thuash një konstatim klishe se “marrëdhëniet në mes të dy vendeve, Kosovës dhe Zvicrës, janë të shkëlqyera”. Përtej floskulave, cila është shkalla e këtyre marrëdhënieve dhe në cilët sektorë ka hapësirë për përmirësim të tyre?

M. Latifi: Përtej floskulave: ne kemi me të vërtetë marrëdhënie shumë të mira me Zvicrën. Marrëdhënie që bazohen në interesat e dyanshme dhe të cilat janë të forcuara sidomos nga diaspora jonë këtu. Kështu që unë më shumë do të flisja për avancim se për përmirësim të marrëdhënieve tona. Ne mund të mësojmë shumë në çdo fushë nga shteti helvetik dhe këtu shpresoj të mund të hapim shtigje të reja bashkëpunimi. Këtu më bien ndërmend sidomos sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe sigurisë.

Albinfo.ch: Ju vini nga sfera e ekonomisë, prandaj mund të keni më shumë informacion për këtë fushë. Kemi viteve të fundit një rritje të eksporteve nga Kosova në Zvicër, kryesisht të prodhimeve të industrisë së drurit, të mobilierive etj. Sa mendoni se përbën interes ekonomia kosovare për atë zvicerane dhe ku janë potencialet ende të pashfrytëzuara për rritjen e eksporteve dhe marrëdhënieve ekonomike në përgjithësi?

M. Latifi:  Është inkurajues fakti se bilanci ynë tregtar me Zvicrën është pozitiv, pra kemi më shumë eksporte se sa importe nga Zvicra. Këtu, një nga bartësit kryesorë është pikërisht industria e drurit, siç e përmendët edhe ju. Avancimi i kapaciteteve prodhuese si dhe ngritja e cilësisë së produkteve, ka bërë që këto produkte të gjejnë hapësirë për plasim gjithnjë e më të madh në tregun zviceran.

Kemi potenciale edhe në shumë lëmenj të tjerë. Në lëmin e shërbimeve gjithashtu tashmë ka një bashkëpunim shumë të mirë. Këtu përparësi e madhe vazhdon të jetë njohja e gjuhëve të huaja nga rinia jonë, në veçanti njohja e gjuhës gjermane.

Ka edhe potenciale të pashfrytëzuara, në të gjitha fushat ku kostoja e lirë e fuqisë punëtore në Kosovë dhe afërsia gjeografike e Kosovës me Zvicrën dhe Evropën në përgjithësi, mund të ndikojnë që kapacitetet e ndryshme prodhuese të zhvendosen në Kosovë.

Albinfo.ch: Është folur prej vitesh për një “kthim të trurit” (Braingain) në Kosovë, në kuptimin e tërheqjes së të rinjve të shkolluar jashtë vendit, për të dhënë kontributin e tyre në Kosovë. A shihni të jetë bërë deri më tash ndonjë gjë konkrete në këtë drejtim? A keni ndonjë ide se si mund të përfitojë Kosova nga ekspertiza e këtyre të rinjve (dhe të tjerëve), duke pasur parasysh se edhe ju keni qenë një nga të kthyerit atje?

M. Latifi: Së pari vendimi për t’u kthyer është çështje individuale. Sa më shumë që zhvillohet ekonomia në Kosovë, aq më i madh mund të jetë numri i bashkëkombësve tanë që kthehen në Kosovë për të realizuar projekte të ndryshme si investime, themelime ndërmarrjesh etj. Për shumë të rinj ekzistojnë mundësi të kryerjes së praktikave të ndryshme brenda institucioneve të Kosovës. Ky është një shans i mirë për shumë të rinj entuziastë nga diaspora për të mbledhur përvoja të reja në Kosovë. Imagjinojeni një studente kosovare që shkollohet në Gjenevë, Basel apo Zürich, e cila shkon në Kosovë dhe jep kontribut në institucione të larta shtetërore. Në Zvicër ajo do të kthehej me një përvojë të vlefshme.

Albinfo.ch: Duke ju sjellë në Zvicër si adoleshent, babai juaj ju ka “detyruar” të braktisni planet që kishit në Kosovë, për t`ju sjellë në një realitet tërësisht ndryshe, në Zvicër. Ngjashëm edhe ju tani po “ua ndryshoni” vajzave tuaja rrjedhën e jetës në Kosovë, ku kanë lindur dhe janë rritur. Marrë parasysh moshën, e shihni këtë si sfidë për to ose si një përparësi që po u ofrohet?

M. Latifi: Rrethanat janë krejt të ndryshme. Më 1991 si familje qemë të shtyrë të largoheshim nga Kosova për shkak të përndjekjes nga regjimi i atëhershëm serb. Më 2024 vajzat e mia vijnë këtu si fëmijë të rritur në Kosovën e çliruar dhe me njohuri të gjuhëve të huaja. Vajzat e mia nuk vijnë tash me një të ardhme të padefinuar, por për një qëndrim me kohë të kufizuar dhe pas disa viteve mund të kthehen prapë në vendlindje. Çdo ndryshim është shans.

Albinfo.ch: Ju, sigurisht keni njohuri rreth komunitetit shqiptar në Zvicër, pasi keni qenë një kohë të gjatë pjesë e tij. Megjithatë, pas kthimit tuaj në Kosovë, ky komunitet me siguri ka kaluar shkallë të reja të zhvillimit. A konsideroni se e njihni mjaftueshëm atë, në fazën që po kalon dhe çfarë mund të thoni për imazhin e komunitetit tonë në Zvicër, aktualisht?

M. Latifi: Komuniteti ynë ka evoluar në mënyrën më të mirë të mundshme. Nga një komunitet që pa fajin e vet një kohë ishte barrë e shoqërisë zvicerane (marrë parasysh ardhjen si refugjatë të një numri të konsiderueshëm të mërgatës këtu gjatë viteve `90), tani bëhet fjalë për një komunitet shtyllë të shoqërisë. Komuniteti ynë këtu është i pranishëm në të gjitha sferat shoqërore: si punëtorë në fusha të ndryshme, si ndërmarrës dhe krijues i vendeve të punës në Zvicër, si staf medicinal (mjekë, infermierë) dhe kontribuues në mbarëvajtjen shëndetësore të shoqërisë, si pjesëmarrës aktiv në strukturat e sigurisë (ushtri, polici), si menaxherë të suksesshëm në firmat më prestigjioze zvicerane dhe botërore në Zvicër, si profesorë, gazetarë e shumë profesione tjera të rëndësishme që tash po iu mbes borxh pa i përmendur. E kur t’i shtohet gjithë kësaj edhe ndikimi pozitiv i sportistëve tanë këtu, atëherë me të vërtetë kemi të bëjmë me një paraqitje shumë pozitive të komunitetit tonë këtu. Këto të arritura shpesh pasqyrohen edhe nga mediat zvicerane.

Albinfo.ch: Cila mendoni se është rruga më e mirë për tu ndjekur nga mërgata jonë, për një integrim sa më të suksesshëm në Zvicër?

M. Latifi: Komunikimi është bazë e integrimit dhe adaptimit në një vend të ri. E për komunikim nevojitet mësimi i gjuhës së vendit. Kjo do t’ju mundësojë edhe njohjen e kulturës së vendit dhe rregullave të ndryshme, të shkruara e të pashkruara.

Është shkencërisht e dëshmuar se kush e njeh mirë gjuhën amtare, do të mësojë më lehtë edhe gjuhë të tjera. Gjuha është çelësi i integrimit në shoqërinë zvicerane. Andaj i ftoj gjithë prindërit që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në mësimin plotësues në gjuhën shqipe.

Dua të tërheq vëmendjen edhe te diçka tjetër me rëndësi: prindërit duhet të kenë një kujdes jashtëzakonisht të madh që fëmijët e tyre mos të bien pre e rrymave radikale fetare, që mund të hasen në Zvicër. Si komb kemi dhënë shumë shembuj të tolerancës fetare dhe të përvetësimit të vlerave civilizuese e universale. Këto vlera duhet t’i ruajmë edhe në mërgatë.

Albinfo.ch: Në kohën e shkurtër që ushtroni postin e ambasadorit, a keni vendosur kontakte me subjektet (kulturore, politike, sportive…) që zhvillojnë aktivitetin në kuadër të komunitetit tonë në Zvicër?

M. Latifi: Kjo është java ime e pestë në Zvicër. Fillimi i mandatit të një ambasadori kosovar në Zvicër dominohet nga shumë punë të domosdoshme teknike e burokratike, përfshirë përgatitjen e infrastrukturës bazë, si gjetja e një hapësire të përshtatshme për banim, kontakti me institucione shkollore për regjistrimin e fëmijëve etj. Përkundër këtyre obligimeve, kam pasur rastin të takoj disa profesionistë nga komuniteti ynë dhe të marr pjesë në disa aktivitete, të cilat vetëm sa kanë konfirmuar bindjen time se mërgata e Kosovës në Zvicër gjendet në një proces të zhvillimit dhe avancimit të pandalshëm. E shoh si mjaft pozitive edhe lidhjen me atdheun – një lidhje që kultivohet me përkushtim të madh nga shumica e bashkëkombësve tanë këtu. Në këtë drejtim shpresoj të ketë sa më shumë bashkëpunim në fushën e kulturës dhe arsimit mes komunitetit shqiptar në Zvicër dhe autoriteteve të Kosovës.

Pak biografi

Mentor Latifi ka lindur në Prishtinë në vitin 1974. Shkollën fillore një pjesë e ka kryer në shkollën e sotme “Faik Konica” dhe një pjesë tjetër në shkollën “Dardania”. Dy vitet e para të së mesmes, në gjimnazin “Sami Frashëri”. Pastaj në vitin 1991 zhvendoset në Zvicër, ku tashmë ndodhej si i përndjekur politik babai i tij, veprimtari i njohur dhe ish-profesori universitar, Shaip Latifi. Në vitin 1992 Mentori ka nisur nga fillimi gjimnazin kantonal në Zofingen për ta përfunduar maturën më 1996. Pas kësaj, ka vazhduar me Fakultetin e Ekonomisë pranë Universitetit të Baselit, ku ka diplomuar më 2002. Deri në dhjetor të vitit 2004 ka punuar në Bank Coop (sot Bank Cler), pastaj në janar 2005 është kthyer për të jetuar në Kosovë. Në fillim është angazhuar në ProCredit Bank dhe pastaj nga viti 2006 gjer më 2019, në kompaninë zvicerane farmaceutike Roche. Nga 2019-2021 ka punuar në kompaninë amerikane Sutherland dhe pastaj prapë është kthyer në industrinë farmaceutike, tek kompania zvicerane farmaceutike Ewopharma, ku ka punuar deri në mars të këtij vitit.

Paralelisht ka shërbyer në disa borde të organizatave të ndryshme, si Fondi kosovaro-amerikan për edukim (KAEF) dhe Këshilli i Investorëve evropianë (EIC).

Nga 15 maj 2024 jeton në Bernë të Zvicrës, ku më 11 qershor i ka dorëzuar presidentes Viola Amherd letrat kredenciale si ambasador i Kosovës.

 

 

Një shqiptare e denjë me qëllime të qarta politike në kantonin e Ticino

Shumë mërgimtarë shqiptarë po depërtojnë në fushën e politkes në Zvicër duke kandiduar nëpër kantonet ku ata jetojnë.

Lindita Osmani Durmishi, e cila jeton dhe punon në Zvicër, kandidon në zgjedhjet e 18 prillit për këshillin komunal të Bellizona-s në kantonin Ticino, Zvicër.

Lindita ka përfunduar studimet në Ekonomi dhe Menaxhim si dhe është duke përfunduar Masterin në Administrim Biznesi. Punon si accounting manager dhe këshilltare për çështjet ekonomike për disa kompani prestigjoze në Zvicër.

“Jam Lindita Osmani, 1987, nëne e 4 fëmijëve, ekonomiste, aktualisht në përfundim të Masterit në “Business Administration with Major in Innovation”, jetoj në komunën e Bellinzona, tani e 4 vjet kemi të ashtuquajtur “Bellinzona e madhe” e cila  i ka grumbulluar 13 lagje dhe numëron mbi 40 mijë banor, sa që mundem të themë që jemi një mini kanton” shprehet Lindita për albinfo.ch.

Ajo që nga viti 2007 është edhe përkthyese e gjuhës italiane, ndërkohë në vitin 2019 ishte e para femër shqiptare kandidate në Ticino.

“Vitin 2019 garova në zgjedhjet kantonale, duke qenë kështu e para femër shqiptare që garon në zgjedhjet kantonale në Ticino. Edhe pse nuk arrita të kyqem në Parlamentin e Ticinos, arrita të numëroj një numër te konsiderueshëm të votave”, tha ajo.

Lindita përveç formimit intelektual, ka qëllime të qarta dhe nuk është emër i ri ne fushën e politikes në këtë kanton. Përvoja e saj e mirë, bënë që ajo të jetë ndër figurat më në fokus për tu votuar në këto zgjedhje.

“Në kantonin Ticino parashikohet të kemi zgjedhje komunale me datën 18 prill 2021. Nga këto zgjedhje kemi shumë fytyra të reja në politik. Aktualisht kemi një situatë jashtëzakonisht të vështirë lidhur me virusin që ka kapluar mbarë botën dhe fushata zgjedhore ka qenë jashtëzakonisht e vështirë, pasi që mungonte kontakti direkt nëpër lokale, pazare apo vende tjera. Fushata vazhdon të jetë më tepër social media, kontakte personale, flyera nëpër shtëpia, dhe panoja nëpër rrugët e komunës” tregoi ajo për albinfo.ch.

Ndërkohë, Lindita flet edhe për komunitetin e shqiptarëve në kantonin e Ticinos, sipas së cilës, ky kanton numëron afërisisht 7500 shqiptarë dhe ka pasur më parë kandidat shqiptarë që ka kandiduar përgjatë viteve të kaluara.

“Komuniteti shqiptarë këtu në Ticino numëron përafërsisht rreth 7500 persona. Jemi ndër komunitetet më të mëdha, mos të themi më i madhi në Kanton. Vlen të theksohet se në këtë kanton ka një histori të shkurtër në kyçjen e shqiptarëve në politikë, si në zgjedhje komunale ashtu dhe kantonale. Vlen të theksohet me plotë modesti që shqiptarët e parë që janë kyçur në politikën kantonale në kanton ka qenë Faton Durmishi ne vitin 2014 me partinë UDC, pastaj në zgjedhjet e vitit te kaluar isha unë me një listë apartiake, kandidate e gjinisë femërore.

Mund të them që po që kishte qenë një mobilizim ma i mirë i vetëm shqiptarëve sigurisht që nga viti 2014 shqiptaret kishin pas përfaqësuesit e vet.

Shqiptarët kanë dëshirë të japin kontributin e tyre në vendin ku jetojnë dhe veprojnë, ne këto zgjedhje komunale kemi me dhjetëra shqiptarë nëper komuna të ndryshme të cilët kandidojnë për Këshillin Komunal, dhe 2 të tjerë që garojnë në Keshillin Ekzekutiv” tha ajo.

Lindita është një kandidate potenciale për të fituar në këtë kanton, ajo është optimiste për këtë aspekt, referuar rezultatit të kaluar votimi, që ishte votuar mjaft mirë, ani pse nuk arriti në numrin e duhur.

“Po, unë pasi qe në vitin e kaluar garova për parlamentin e kantonit, dhe arrita një rezultat mjaft te mirë, me kërkesën e partisë popullore demokratike (PPD), kalova, nga lista partiake me tematika kryesishtë që kanë të bëjnë për ngritjen dhe barazinë gjinore të gruas, në një ndër partitë më të vjetra ekzistuese. PPD, më dha mundësi dhe hapësirë të pakufizuar të propozoj idetë e mija dhe pse jo aty ku është në interes të të gjithëve edhe ti implementoj këto ide/projekte.  Para dhe pas zgjedhjeve pavarësisht se si është rezultati duhet të jemi aktiv, duhet të punojmë që të tregojmë vlerën tonë. Nga secila eksperiencë duhet kuptuar se çfarë nuk shkoj si duhet.  Unë besoj që secili prej nesh ka mundësin e vet, por nuk mundem të pretendojmë që në start mundem të dal fituese. Elektoratit i duhet kohë për të kuptuar se kush janë kandidatët, në zgjedhjet komunale luajnë më së shumti kontakti me njerëz. Prandaj, sa ma shumë shoqëri që ke, aq më tepër ke mundësi që të kyçesh. Vete fakti që sot në kantonin tonë kemi dhjetëra kandidat nëpër komuna të ndryshme, tregon që ne si komunitet jemi fitues. Fitues për shumë arsye. Aktivizimi ynë në politikë për të kontribuar sado pak për mirëqenjën e përgjithshme vlerësohet shumë nga institucionet dhe gjithë popullata. Prandaj përtej numrave individual ne veçse jemi fitues, si komunitet.”

Lindita po ashtu tregon edhe synimet e saj, që në rast të zgjedhjes së saj si kandidate, ajo ka plane të shumta, veçmas në aspektin e familjës, me theks të veçantë për fëmijët.

“Duke pasur parasysh se në programin politik të partisë të cilën unë e përfaqësoj, familja është në qendër të të gjitha preokupimeve, domosdshërishtë dhe mua kjo temë më intereson më shumë. Mendoj se familja është baza e shoqërisë, fëmijët që kanë fatin të rriten në një rreth të shëndosh do të  krijojnë edhe një shoqëri të shëndosh. « temat politike » janë edhe ekonomia e turizimi, të rinjët dhe shkollimi, lëvizeshmëria, lagjet dhe shërmbimet, po që të gjiha kanë si mirëqenjen e qytetarit”, shprhet ajo.

Ndërkohë ajo në intervistë për albinfo.ch. tregon edhe për objektivat konkrete që i ka paraparë për të realizuar në agjendën e saj politike

“Qëllimet konkrete të mija janë: Më shumë personel nëpër shkolla, kjo dmth që numri i nxënësve do të jetë më i ulët nëpër klasa dhe mësimi, qetësia, përqëndrimi më kualitativ ; mësuesit do të kenë më shumë kohë t’i kushtojnë secilit nxënës, sidomos atyre që kanë më shumë nevojë për kujdes.

Mundësimin e qasjes të të gjitha klasave shoqërore në aktivitete sportive, muzikore e kulturore, çdo fëmijë ka të drejtë të ëndërroj, të mirret me një sport, apo të bie një instrumenti, apo të merret me art, dhe kosotoja nuk duhet të jetë problem për familjen. Mendoj se investimi më i mirë është investimi tek fëmijët.

Sa i përket temës së ‘Shërbimeve’, si psh aty ku është e mundur të fuqizohet digitalizimi në prodecurat administrative. Të shfrytezohen dhe vlerësohen hapësirat e gjelbërta si përshembull ai i parkut urban duke i marr parasysh dhe idet e populaltës një ashtu dhe projekti i hapësirës për biçikleta që të përfshinë tërë komunën dhe të jetë e sigurt.

Objektiv tjetër është të kemi më tepër gra në vendete ku mirren vendimet, të largohet hendeku i pagës diskrimuese mes gjinive, së paku në nivelin e punëtorve komunal dhe të promovohet punësimi “Partime” për personat të cilët kanë femijë.

Së shpejti do të zhvillojmë një projekt të ri, në bashkëpunim me shoqata kulturore, integrim, Projekt ky që: Do të afroj gjeneratat, Do të afroj kulturat, Do të hapë dritare të reja miqësie e diturie, Secili nga ne, ka: një libër, një autor, një zhanër që i ka më për zemër, ato e kanë inspiruar, vazhdojnë ta inspirojnë, bërë për të qeshur, bërë për të qarë, bërë më të ndjeshëm ndaj kauzave të ndryshme. Atëherë do të ishte mirë të takohemi, të shkëmbejmë njohuritë dhe përvojat me njëri tjetrin, të njihemi dhe të pasurohemi shpirtërisht”, thekson ajo.

Lindita ka një mesazh për votuesit e saj dhe veçmas për komunitetin shqiptarë në këtë kanton.

“Unë do jem zëri jo vetëm i shqiptarve, por do jemi zëri i fuqishëm i gjithsecilit qytetarë pa asnjë lloj dallime, prandaj do jem një rapresentuese e denjët e tërë qytetarëve. Prandaj Cape Diem – Dil voto të favorizuarit tu dhe në mesin e tyre mbeshtetni dhe kandidatët tjerë shqiptarë

Mua më gjeni tek lista 1. Kandidatja nr 25 në këshillin komunal për Komunen e Bellinzones.

Ftojë të gjithë komunitetin shqiptarë të votoni për secilin kandidat shqiptarë, sepse vetëm së bashku mundemi të fitojmë të gjithë”, përfundoi Lindita. /Albinfo.ch

 

 

“Super gruaja” e përditshmërisë, Xhemile Fetaji-Uka

Të tjerëve do t’u duheshin dhjetë jetë për të arritur atë që arrin Xhemile Fetaji-Uka: ajo bashkon njerëzit. E palodhur, e informuar dhe mbi të gjitha: me zemër të ngrohtë. Sidomos në kohën e Covid-19 por jo vetëm, shkruan blick.ch në një portret të frymëzuar, kushtuar aktivistes së shquar me rrënjë nga Gostivari.

Përmes organizatës profesionale “Perspective Thurgau”, ajo ka informuar migrantët mbi Covid-19, masat mbrojtëse, bllokimin dhe rekomandimet e fundit federale, trasnmeton albinfo.ch. Të gjitha këto në shqip përmes Whatsapp dhe Zoom.

“Të gjithë qeshim në të njëjtën gjuhë, kjo është gjëja më e rëndësishme. Shkruaje këtë!”, thotë Xhemile Fetaji-Uka, e cila është nderuar më 1 gusht 2020 nga ish presidentja Simonetta Sommaruga në Rütli për punën e saj gjatë krizës Covid-19 si njëra nga “heroinat e përditshmërisë”.

Për të është me rëndësi edhe kjo: “Që njerëzit të trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, pavarësisht nga origjina, pavarësisht nëse janë online ose jashtë linje, pavarësisht nëse janë fetarë apo jo. Mbi të gjitha, edhe Adami dhe Eva ishin migrantë”, shprehet zonja Fetaji-Uka

Lidhje midis institucioneve dhe migrantëve

Fetaji-Uka ilustron atë që thotë ajo: Në bllokimin e parë, ajo ka organizuar të ashtuqajturat “Stammtische” (tryeza) virtuale, në kuadër  të shoqatës së grave “Femme- Tische” për gratë migrante në bashkëpunim me organizatën profesionale “Perspektive Thurgau”.

Pas punës së saj të zellshme si specialiste logjistike në Migros, ajo përdorte Whatsapp, Zoom dhe platforma të tjera për të siguruar informacione mbi Covid-19, masat mbrojtëse, bllokimin dhe rekomandimet e fundit federale dhe shumë informacione të tjera, në gjuhën shqipe, për çdo mbrëmje.

Këshillat se çfarë duhet bërë me fëmijët gjatë gjithë ditës kur shkollat ​​janë të mbyllura ishin po aq problematike sa edhe ato për shëndetin mendor. Po ashtu edhe kultivimi i marrëdhënieve kur të gjithë, për shkak të koronës, duhet të rrijnë, papritmas në shtëpi gjatë gjithë kohës.

Nëna e dy fëmijëve, një djali dhe një vajze adoleshente, jo vetëm që u bë një pikë kontakti e rëndësishme midis organeve zyrtare dhe migrantëve, por edhe një lidhje për pothuajse të gjitha fushat e jetës, një kujdestare shpirtërore dhe shpesh një mik, përcjell albinfo.ch. Kjo gjithashtu e ka ndihmuar shumë, thotë 40-vjeçarja.

Ajo ka mësuar shumë gjëra që nuk i dinte më parë dhe ka bërë shumë miq të rinj.

“Unë thjesht i dua njerëzit”, thotë ajo, dhe bashkëbisedimi me video me të konfirmon se ajo është me zemër të madhe, e interesuar për njerëzit dhe shumë e informuar, trasnmeton tutje albinfo.ch. Me të mund të flisni me orë të tëra për Zotin, botën dhe politikën.

Por Fetaji-Uka gjithashtu di shumë për botën. Ajo e di se çfarë do të thotë të jesh zviceran dhe e di po ashtu se çfarë do të thotë të jesh migrant.

E bija e prindërve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut është rritur në Steckborn TG. Ka përfunduar për profesionin e e logjistikës në Bernina dhe, me burrin e saj, ka krijuar dhe drejtuar një kompani paketimi në Maqedoni me mbi 200 të punësuar.

Dy lot

“Por në një moment thjesht u bë e pamundur politikisht të vazhdoje drejtimin e fabrikës” thotë ajo dhe pendohet: “Imagjinoni që fabrika jonë ka siguruar jetesën e 600 ose më shumë njerëzve” dhe i  pikon një lot nga syri kur e thotë këtë.

Ajo lëshon një lot të dytë kur tregon se si ishte ndier kur u nderua më 1 Gusht nga presidentja e atëhershme Simonetta Sommaruga.

Për shkak se Fetaji-Uka ka ende shumë për të thënë, tryeza virtuale Femmes nuk është e vetmja gjë që ajo ka bërë në kohën e saj të lirë që kur është kthyer në Zvicër para tetë vitesh. Ajo ka mbledhur donacione me shoqatën “Children Smile” (Buzëqeshja e Fëmijëve), të cilën ajo e ka bashkë-themeluar, dhe ka ndërtuar një shkollë në Siri dy vjet më parë.

Në SP Thurgau ajo ulet është në kryesi ndërsa ka humbur zgjedhjet për këshillin kantonal vetëm për dy vota. Ajo është gjithashtu në bordin e Forumit të Grave Kreuzlingen – dhe aktualisht është në procesin zgjedhor për përkujdesjen e  shkollave.

Po kështu ajo ka një llogari në Instagram me vajzën e saj në të cilën ndan receta dhe ide gatimi.

Heronjtë në filma shpesh kanë super fuqi. Nëse shikoni jetën e Fetaji-Ukës, edhe ajo duhet të ketë me të vërtetë një fuqi të tillë, përcjell albinfo.ch. Atë që ajo tashmë e ka arritur në moshën 40 vjeçare, të tjerët nuk mund ta arrijnë për dhjetë jetë të tyre. Vendi ka nevojë për më shumë Fetaji-Uka!”, përfundon gazeta

Mentor Ilazi, në garë për Asamblenë e komunës Ollon, Vaud

Në Ollon të Kantonit Vaud, ashtu sikurse në gjithë kantonin më 7 mars mbahen zgjedhjet lokale. Këto zgjedhje kanë rëndësi edhe për komunitetin e këtushëm shqiptar, veç tjerash edhe për faktin se njëri ndër kandidatët është edhe Mentor Ilazi. Ai kandidon për PLR (Partinë Liberale Radikale).

Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me z. Ilazi. 

Albinfo.ch: Z. Mentor Ilazi, na tregoni, cila është ndjenja që si shqiptar të kandidoni në zgjedhjet lokale në komunën e Ollon-it ? 

M. Ilazi:Nocioni “shqiptar” përfshin ndjenjat dhe krenarinë. Kur flasim për ndjenja, ato janë të trashëguara nga familja dhe rrethi shoqëror. Unë jam i rritur në Zvicër dhe jam në dualizëm të përditshëm mes vlerave zvicerane dhe atyre shqiptare që, në fakt, më bëjnë edhe më të fortë, si shqiptar dhe zviceran.

Albinfo.ch: Sa mendoni që ka ndikim vota e shqiptarëve në këto zgjedhje?

M. Ilazi:Si në çdo demokraci, aty ku është mobilizimi më i madh, shihet edhe rezultati. Komuniteti shqiptar tani që nga pavarësia e Kosovës ka filluar të ndihet më i lirë dhe më i përcaktuar në aspektin politik këtu në kantonin Vaud, gjegjësisht edhe në zgjedhjet lokale. Shfrytëzoj rastin të bëj thirrje që e drejta e votës është sublime dhe duhet të zbatohet.

Albinfo.ch: Sipas jush, cilat janë nevojat jetike të komunitetit shqiptar në Ollon?

M. Ilazi:Thuhet që është e rëndësishme të kemi një përcaktim të përgjithshëm, po ajo që shihet dhe aty ku ndihet nevoja, është në aspektin lokal dhe këtu mendoj që komuniteti shqiptar mund të jetë më i organizuar në nivel lokal, jo vetëm në këto zgjedhje, po sidomos me organizim të mirëfilltë, për shembull, me një shoqatë ku mund të përkufizohet me objektiva afatgjatë!

Albinfo.ch: A i ndiqni zhvillimet politike në Shqipëri dhe Kosovë dhe cili është mendimi juaj për kastën politike në Kosovë?

M. Ilazi:Sa i përket klasës politike në Kosovë dhe Shqipëri, ashtu siç është shoqëria shqiptare në përgjithësi, e konsideroj dinamike dhe të përcaktuar për zhvillim dhe vendosje të një demokracie të mirëfilltë. Por, rajoni i Ballkanit duhet të luftojë korrupsionin dhe të ndërtojë një stabilitet të qëndrueshëm politik. Po, me sa duket, koha do të jetë përcaktuese e zhvillimeve demokratike, ku popullsia do ta ndjejë një zhvillim dhe një përfitim socio- ekonomik edhe në fusha të tjera.

Albinfo.ch: Cili mendoni që mund të jetë zeniti i karrierës tuaj politike?

M. Ilazi:Mendoj së pari të jem zëdhënës i votuesve, të mbroj votën e qytetarëve dhe të ndikoj në paqen sociale dhe njëherësh në kohezionin shoqëror. Ne jemi duke përjetuar një ndryshim të madh shoqëror, ku përfshihet ardhja e inteligjencës artificiale, mënyra e punës, lëvizshmëria, përdorimi i energjive të ripërtëritshme etj. Një epokë e re na pret dhe unë kam dëshirë të kontribuoj në këtë ndërtim dhe drejtim. Është e rëndësishme të lihen perspektivat për brezat e ardhshëm.

Albinfo.ch: Përshëndetja shqiptare që do t’ju pëlqente t’ia bënit komunitetit shqiptar këtu ? 

M. Ilazi:Forcimi i komunitetit përfshin një angazhim gjithëpërfshirës, ku organizimi në nivele lokale, kantonale dhe nacionale do të ishte një pozicionim afatgjatë i komunitetit. Jeta në Zvicër kërkon organizim dinamik për t’i marrë parasysh nevojat jo vetëm të gjeneratave të para të komunitetit shqiptar, por edhe të gjeneratave të reja.

Intervistën e realizoi: Zamira Bytyçi

Teuta Abazi, në garë për kreun e Këshillit të Integrimit në  Gelsenkirchen

Këtë të dielë, në landin gjerman të Rinit Verior dhe Vestfalisë, do të mbahen zgjedhjet  për Këshillat Komunalë dhe ato për Këshillat e Integrimit pranë komunave. Me këtë rast albinfo.ch biesdoi me zonjën Teuta Abazi nga Partia Socialdemokrate Gjermane (SPD)  e cila do të garojë për kreun e Këshillit të Integrimit në qytetin Gelsenkirchen.

Albinfo.ch: Zonja Abazi, jeni inkuadruar qysh në moshën 17-vjeçare në politikë dhe kjo nuk është përvoja juaj e parë me zgjedhje komunale. Çka dallon kjo fushatë parazgjedhore nga ato të mëparshmet?

Këtu vërej ndryshime të mëdha nga zgjedhjet e mëparshme. Në kohën e pandemisë, fushata zgjedhore është shumë më e vështirë dhe më e mundimshme se dikur. Njerëzit kanë frikë nga virusi. Fushata realizohet me pajisje mbrojtëse, distancë fizike dhe është e ndaluar te mbahen tubime te mëdha. Gjatë mbajtjes së tubimeve, rekomandimi është të respektohen të gjitha këto masa, të mbahet llogari për numrin e pjesëmarrësve dhe të shfrytëzohen pajisjet e zërit në mënyrë që të evitohet koncentrim më i madh i njerëzve në një vend. Për shkak të këtyre arsyeve, shumë nga organizimet janë anuluar. Sidoqoftë, unë po përpiqem të vizitoj shoqërinë civile e poashtu organizata si dhe gjithashtu t’i arrij njerëzit përmes internetit. Me shumë mund, fundjavën që shkoi, e kam realizuar edhe një organizim me kandidaten e SPD, Karin Welge dhe komunitetin shqiptar.

Albinfo.ch: Jetoni në një qytet me një numër të madh migrantësh. Cilat janë problemet kryesore me të cilat përballet kjo pjesë e popullsisë në Gelsenkirchen?

Në Gelsenkirchen më shumë se gjysma e të gjithë fëmijëve dhe adoleshentëve nën moshën 18 vjeç kanë emigruar dikur në Gjermani. Problemet kryesore me të cilat përballet kjo pjesë e popullsisë në Gelsenkirchen është shkollimi dhe pjesëmarrja në tregun e punës.

Nga pikëpamja ime, integrimi është një proces i përshtatjes dhe përfitimit të njohurive të reja në një shoqëri të re, e cila shkon në interesin personal dhe shoqëror duke zgjidhur probleme të ndryshme të cilat na sfidojnë në jetën e përditshme. Në anën tjetër integrimi është një proces edukativ i cili mbulon mungesën e njohurive që bëjnë dallime nga natyra kulturore, socio-ekonomike, teknologjike dhe shërbimeve të ndryshme si dhe shkëmben përvojat me të cilat njerëzit janë përballur në jetën e tyre të përditshme nga vendet e origjinës.

Albinfo.ch: Ju synoni postin e Kryetares së Këshillit për Integrime. Si duket plani juaj për ndihmë në zgjedhjen e prolemeve të bashkëqytetarëve tuaj të ardhur në Gelsenkirchen nga vendet më të ndryshme të botës?

Motoja ime është: “Së bashku për një shoqëri solidare, gjithëpërfshirëse dhe të fortë. Për Ty! Mua! Ne!”. Synimi im është, që të gjithë banorët në qytetin e Gelsenkirchen-it te jenë në gjendje të marrin pjesë në jetën shoqërore në mënyrë të barabartë. Për mundësi të barabarta në arsim, punësim dhe administratë pa marrë parasysh origjinën, për një të drejtë vote komunale si dhe për forcimin e pjesëmarrjes në  politikë: Si pjesë e kësaj shoqërie, njerëzit e emigruar duhen të përfaqësohen edhe angazhohen në politikë.  Dua që secili të ndjehet jo si i huaj por si pjesë e këtij qyteti dhe të vlerësohet puna dhe angazhimi i tyre për këtë shoqëri.

Albinfo.ch: Krahas problemeve me të cilat ballafaqohen gjithë migrantët në Gelsenkirchen, ka ndonjë problem specifik për bashkëkombësit tanë në qytetin tuaj?

Po, kemi mbi 4000 shqiptarë në Gelsenkirchen por ata nuk janë më të angazhuar dhe organizuar si dikur në vitet e 90-ta. Në qytet nuk ekzistojnë më shoqata shqiptare, mungon angazhimi edhe interesimi. Qeveria gjermane paguan një mësues shqiptar në qytet që t’ju mësojë fëmijëve shqiptarë gjuhën shqipe. Për shkak të neglizhencës së prindërve, pjesëmarrja e fëmijëve shqiptarë në shkollë ka qenë jo e mjaftueshme dhe në ndërkohë shkolla është mbyllur.

Albinfo.ch: Si mendoni ta zgjidhni këtë problem?

Synimi im është të hap prapë shkollën shqipe. Kur i mësojmë fëmijët për vendin ku jetojnë dhe vendin prej nga kanë ardhur dhe kur t’i njohin të dyjat, do ta kenë shumë më lehtë të kenë një identitet të tyre. Dua që prindërit të kuptojnë që vendimi i tyre që mos ti dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe, do të ketë më vonë pasoja për fëmijët e tyre. Ai femi nesër don ta di prejardhjen e prindërve dhe emrit të tij. Ai e viziton vendlindjen e prindërve dhe ballafaqohet me gjuhën dhe traditat shqiptare dhe në atë moment ndihet sigurisht shumë keq kur nuk mund të komunikoj me vendas. Nuk i kuptoj prindërit që thonë “kam frikë që po ma humb fëmija gjuhën gjermane”. Ajo frikë është e pa bazë.  Sipas studimeve të fundit, një fëmi që nga mosha trevjeçare mund të mësojë katër gjuhë pa kurfarë pengese.  Përkundrazi,  sa ma shumë gjuhë aq flet, më lehtë  e mëson edhe gjuhën tjetër.

Albinfo.ch: Për zgjidhjen e problemeve të lartëpërmendura me siguri se është e nevojshme një pjesëmarrje aktive e migrantëve si në Këshillin Komunal e poashtu edhe në atë të integrimit siç shihet në shembullin tuaj. A është ky angazhim i mjaftueshëm ?

Sipas mendimit tim, jo. Për të zgjidhur problemet, kërkohet një angazhim i gjerë, qoftë në procesin e ligjit, zbatimin e ligjit, punën në shtyp, punën në institucione të ndryshme shtetërore dhe punën në shoqërinë civile. Pra, është një proces i vazhdueshëm që kërkon shumë aktorë dhe shumë përkushtim.

Albinfo.ch: Ku qëndrojnë bashkëkombësit tanë dhe sa janë ata të angazhuar në politikë ?

Kur fillova të përfshihem aktivisht në politikë në moshën 17 vjeçare, me sa e di unë nuk kishte asnjë shqiptar në rajonin tim që ishte përfshirë në politikën gjermane. Miqtë e mi gjermanë dhe shqiptarë habiteshin se si mund të mirrem me politikë në këtë moshë të re dhe më thoshin se më mirë do të ishte të kaloj kohën e lirë me tjera gjëra të mira. Tani ka ndryshuar, ka gjithnjë e më shumë shqiptarë që janë të përfshirë në politikën gjermane, gjë që unë e mirëpres shumë.

Albinfo.ch: Cila është rëndësia e pjesëmarrjes aktive në politikbërje dhe çka ju shtyri juve të mirreni me politikë ?

Visioni im ishte për ti ndryshuar gjërat. Unë dikur erdha si 7-vjeçare në Gjermani dhe fillimi ka qenë shumë i vështirë sepse tek pas 13 vitesh qendrimi në Gjermani pata të drejtën ta vizitoja vendlindjen time, Kosovën. Si fëmi, mendoja për padrejtësitë që bëheshin ndaj njerëzeve të huaj por edhe njerzëve tjerë në pergjithësi dhe mendoja se kur të rritem do ta luftoj padrejtësinë dhe të jam shtyllë e shumë njerëve që nuk kanë fuqi ti luftojnë padrejtësitë që ju bëhen. Mundësinë më të mirë për të kontribuar dhe ndihmuar e pashë ta studioj drejtsinë dhe të angazhohem në politikë.

Albinfo.ch: Ky Land gjerman njihej gjithmonë si Landi i Socialdemokratëve. Viteve të fundit partia juaj nuk kishte arritur rezultatet e pritura. Çka pritni nga këto zgjedhje ?

Sipas mendihmit tim, atëherë performanca e SPD nuk ka qenë e mirë. SPD ka bërë shumë sidomos për drejtat e familjeve, të puntorit dhe arsimit por nuk e ka publikuar shumë në media. E partia ime është si nje punëtore e mirë që nuk bën zë po vetëm punon. Këtë njerëzit nganjëhere nuk e shohin por shohin më shumë propagandat që i bëjnë të tjerët.

Këtu në Komunën time, SPD udhëheq qe 16 vite. Tash kemi një kandidate femër e cila nëse fiton zjgedhjet, do të ishte kryetarja e parë femër në këtë komunë. Është nganjëherë interesant ta mendosh këtë fakt meqë thonë shumë se ne Gjermani femrat kanë shumë përparësi.

Shpresoj që njerëzit ta kenë parasqysh punën që e ka bërë SPD në qytetin Gelsenkirchen në 16 vitet e fundit dhe te votojnë SPD. Kjo është partia e punëtorëve, të rinjve dhe migranteve.

Albinbfo.ch: Cilat janë ambiciet tuaja politike në të ardhmen?

Kam shume vizione për të ardhmen, por ja lë punës time dhe fatit se si do të vazhdon ky kapitull. Por kudo që do të jem do të jap kontributin në realizimin e qëllimeve të partisë time. Gjithnjë do të punoj e angazhohem në përmirësimin e kushteve jetësore të bashkëqytetarëve shqiptarë dhe atyre të nacionaliteteve tjera.

 

 

Lipjanasi kandidat për asamblist në zgjedhjet Gelsenkierchen

22-vjeçari nga Lipjani garon në zgjedhjet komunale që do të mbahen në Gelsenkierchen të Gjeramanisë.

Ai është duke studiuar shkenca politike në Universitetin e Dusiburg Essen.

Berat Arifi karrierën e tij politike e ka filluar qysh në moshën 16-vjeçare, ndërsa në moshën 19-vjeçare ka qenë pjesë e bordit të ‘”socialdemokratëve të rinj” në Landin të Renanisë Veriore-Vestfalisë (NRw)..

Berati në zgjedhjet e ardhshme lokale në Gelsenkirchen është kandidati më i ri dhe shpreson që në mënyrën më të mirë të përfaqësojë interesat e qytetarëve atje, pse jo edhe të bëhet model për të rinjtë kosovar.

Një gjilanas në parlamentin kantonal të St. Gallenit?

Kantoni i St.Gallen ka tetë zona elektorale dhe në zonën Rorschach-ut në garë është edhe riu Iliri Mustafa që ka shpallur kandidaturën e tij në kuadër të të rinjëve liberalë (Jungpartei der FDP) të FDP-së.

Djaloshi me prejardhje nga Gjilani është vetëm 2o vjeç dhe ka lindur, është rritur e shkolluar në Rorschach-Rorschacherberg. Aktualisht ai ndjek maturën dhe është paralelisht i angazhuar si asistent për projekte marketingu në shkollën e lartë të Sankt Gallen-it (Fachhochschule St. Gallen).

Njëkohësisht Iliri nuk fsheh dashurinë për Kosovën e posaqërisht, thotë, „e dua shumë Gjilanin e bukur“.

Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë për të sjellë më afër synimet e kandiatit të ri, i cili është në fillim të karrierës, por që premton shumë në të ardhmën. Kështu që vota për të, është votë për faktorizimin e komunitetit shqiptar në dobi  te jetës së përbashkët dhe integrimit sa më të mirë të shqiptarëve që jetojnë në Zvicër.

Albinfo.ch: Si e shpjegoni vendimin tuaj për të kandiduar për FDP-në?

Ilir Mustafa: Partia FDP-së më është përshtatur mua më së miri. Arsyjet janë sepse FDP-ja është parti shumë liberale edhe e ka specifikë orientimin e saj në ekonomi. Njëashtu FDP-ja nuk fokusohet në ndalesa, por synon zagjidhjen e problemëve, njësoj angazhohem unë. Duhet të cekur se FDP-ja është e njohur për hulumtimet e shpenzimëve qeveritare dhe financave në përgjithësi, që është edhe në interesin tim personal.

Albinfo.ch: Mendoni se ju por edhe komuniteti shqiptar në përgjithësi ndani vlera të përbashkëta me këtë parti?

Ilir Mustafa: FDP-ja është liberale dhe e drejtë, veçanërisht brezi im nuk njeh dallime mes zviceranëve apo migrantëve (secondos). Partia FDP nuk ndjek aspak politik restriktive për migrimin, siç bën p.sh. SVP-ja. Meqë ne shqiptaret njihemi si punëtorë, jam i bindur që FDP-ja gjithmonë do mbështet punëtorin dhe veprimet e drejta.

albinfo.ch: Cilat mendoni se janë gjasat dhe ku i shihni më shumë të koncentruar zgjedhësit tuaj potencialë: te komuniteti shqiptar dhe i huaj apo te zviceranët?

Ilir Mustafa: Unë nuk pres mrekullira nga këto zgjedhje, jam i ri dhe në fillim të karrierës sime politike. Megjithatë, për mua është e rëndësishme të njoh me shumë njerëz nga regjioni dhe të fitoj eksperiencë. Kurse në zgjedhjet e ardhshme synoj të jem kandidat në listën kryesore të FDP-së. Atëherë gjasat e mia janë edhe më të mira. Jam ende i ri me 20 vite, prandaj edhe kandidoj në listën të rinjëve të FDP-së (Jungpartei der FDP). Në parim ne nuk fitojmë hapësirë, por ndjekim qëllime të tjera. Personalisht nuk bëj dallime mesë të huajve apo zviceranëve. Shpresoj që ta fitoj besimin dhe mbështetjen e të gjithë votuesve, por mendoj se nga rrethi dhe vendbanimi im do të kem më shumë mbështetës të huaj (secondos). Sidoqoftë, në gjeneratën time nuk bëjmë më dallime mes zvicëranëve dhe secondos.

Albinfo.ch: Me çfarë argumenti kërkoni votën e votuesve, pse duhet t’ju votojnë?

Ilir Mustafa: Unë jam i ri dhe shumë i motivuar për  ardhmen time. Unë besoj se shpenzimet qeveritare duhet të jenë më të kontrolluara, sepse janë para të taksa-paguasve dhe ata jemi ne. Unë gjithashtu jam në favor të politikës liberale. Të gjithë duhet të jetojnë ashtu siç kan dëshirë pa e dëmtuar askënd tjetër.

Albinfo.ch: Nëse do të zgjidhen -fitoni, cilat do të jenë temat të cilat do t’ju jepni prioritet në punën tuaj si deputet?

Ilir Mustafa: Përveç pikave të cekur me parë, unë jam shumë i interesuar për infrastrukturë dhe transport, që dëshiroja ta zgjeroja në mënyrë të qëndrueshme, qoftë me transport publik, qoftë me makinë. Përveç kësaj, prioritet regjional duhet të jetë spitali në Rorschach dhe zgjerimi më i shpejtë i lidhjes me autostradën.

 

 

Braktisi Gjermaninë për t’iu bashkuar AAK-së

Pranvera Ejupi-Hajzeraj është pjesë e listës së AAK-së për deputete. Ajo la Gjermaninë për t’u kthyer në Kosovë dhe t’i bashkohet AAK-së.

Hajzeraj që ka jetuar dhe është shkolluar në Gjermani, ka thënë se dashuria për vendin e ka shtyrë që ta lërë Perëndimin  dhe të vie në Kosovë për t’i rritur fëmijët e saj.

Duke besuar se do të jetë deputete e Kuvendit të Kosovës, Hajzeraj ka thënë se angazhimi i saj do të jetë rinia dhe sporti. Meqë vetë është dhe merret me këtë fushë, ajo ka thënë se do të punojë që të krijohen kushte për talentët e shumtë që ka Kosovë, raporton gazetaexpress, përcjell albinfo.ch.

Brikena Muharremi: Detyra jonë është t’i shërbejmë komunitetit

Brikena Muharremi është bërë e njohur në diasporën shqiptare si juriste londineze që angazhohet në të mirë të komunitetit shqiptar në Angli. Ajo së fundi është vlerësuar nga Qeveria shqiptare në Samitin e Diasporës në Tiranë me çmimin “Ambasadore e Kombit”.

Ndërkohë, Brikena është emëruar nga Qeveria e Shqipërisë edhe anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës. Lidhur me këtë, ajo shprehet: “Ndihem e nderuar dhe e privilegjuar që Qeveria e Shqipërisë më ka emëruar në Këshillin Koordinues të Diasporës dhe që m’a ka besuar detyrën e përfaqēsimit të Diasporës sonë në këtë nivel të lartë shtetëror si përfaqësuese nga Britania e Madhe. Jam e privilegjuar që do t’i shërbej bashkatdhetarëve të mi dhe atdheut tonë për një të ardhme më të mirë për të gjithë”.

Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me të ku ajo pasqyron organizimin e shqiptarëve në Angli dhe suksesin e tyre atje, duke veçuar emra si Rita Ora e Dua Lipa.

Albinfo.ch: Jeni aktualisht avokate nga diaspora shqiptare për të cilen më së shumti flitet. A mund të na thoni për lexuesit tanë kushështë Brikena Muharremi?

Brikena Muharremi: Jam avokate e bazuar në Londër ku jetoj qe 23 vite.  Kam mbi 12 vite përvojë pune në profesion. Kam lindur dhe jam rritur në Kosovë.  Në Angli kam ardhur me vizë, si studente e shkollës së mesme, tre vite para luftës në Kosovë. Arsyeja e ardhjes sime në Angli ka qenë që të shkollohem meqë shkollat në Kosovë në atë kohë u mbyllën dhe ne vijonim mësimin nëpër shtëpi private, i cili nuk ishte mësim adekuat. Pas përfundimit të shkollës së mesme nuk munda të kthehem në Kosovë për shkak të luftës dhe vazhdova studimet universitare në degën e drejtësisë në Londër.  Përfundova studimet dhe trajnimin pranë një firme avokatore dhe u liçencova si avokate në vitin 2005. Jam shqiptarja e parë që është kualifikuar si avokate në Angli.

Albinfo.ch: Kur është fjala për aktivitetin e shqiptarëve që jetojnë në Angli, emri juaj është lakuar shpesh në media.  Si janë të organizuar shqiptarët e Anglisë dhe cili është roli juaj në këtë drejtim?

 Brikena Muharremi: Në Angli janë disa shoqata që i shërbejnë komunitetit shqiptar në fusha të ndryshme.  Unë jam e angazhuar në komunitet përmes Shoqatës së Avokatëve Shqiptaro-Britanikë të cilën e themelova para 3 viteve dhe të cilën e udhëheqi.  Kemi një bord të përbërë nga 7 avokatë dhe si shoqatë kemi katër qëllime kryesore: Promovimin e bashkëpunimit në mes të avokatëve që punojnë në Angli, Kosovë dhe Shqipëri. Avancimin e diturisë në fushën e drejtësisë, përkrahjen e gjeneratave të ardhshme të avokatëve dhe promovimin e sundimit të ligjit dhe çasjes në drejtësi. Këto qëllime synojmë t’i arrijmë duke organizuar ngjarje rregullisht në formë të ligjëratave nga ekspertë të çështjeve të ndryshme juridike. Deri më tani kemi punuar me avokatët dhe gjykatësit më eminentë në Angli dhe më gjërë. Informata rreth aktiviteteve tona mund të gjeni në website-in tonë www.balawyers.co.uk. Numri i avokatëve shqiptarë në Angli është në rritje e sipër që është një gjë shumë pozitive për komunitetin tonë në Angli. Kjo është edhe arsyeja pse mora iniciativën për themelimin e shoqatës, që ne si profesionistë të kësaj fushe të jemi të lidhur, ta përkrahim njëri-tjetrin dhe ti shërbejmë komunitetit.

Jam gjithashtu anëtare e bordit të organizatës joqeveritare Germin, e cila është e bazuar në Kosovë dhe e cila promovon të drejtat e diasporës shqiptare.  Jam e angazhuar në projekte të kësaj organizate që synojnë përmirësimin e sistemit të votës së diasporës dhe përfaqësimin e diasporës në institucionet e vendit të origjinës.

Albinfo.ch: Diaspora shqiptare identifikohet kryesisht me shqiptarët që jetojnë në Zvicër e Gjermani, mirëpo shumë pak dihet për shqiptarët që jetojnë në Angli. Cila është përvoja juaj në organizimin e diasporës shqiptare të Anglisë?

Brikena Muharremi: Komuniteti shqiptar në Angli është relativisht i ri krahasuar me shtete tjera, por brenda 20 viteve të fundit ka arritur të jetë një komunitet shumë i suksesshëm i cili ka prodhuar dhe vazhdon të prodhoj talentë dhe profesionistë të shkëlqyeshëm në fusha të ndryshme.  Shembuj mund t’i marrë superyjet Dua Lipa dhe Rita Ora në fushën e muzikës dhe ka shumë shembuj suksesi në fushën e sportit, ekonomisë, drejtësisë, artit, shkencës, etj.  Meqë jemi komunitet i ri rrjedhimisht edhe organizimi i komunitetit është në zhvillim e sipër, por është duke u bërë me seriozitet dhe me hapa të sigurtë.  Shoqatat shqiptare që funksionojnë në Angli i shërbejnë komunitetit për nevoja të ndryshme duke filluar nga mësimi i gjuhës shqipe e deri tek rrjetëzimi i profesionistëve.  Gjithashtu kemi edhe gazeta, radio dhe media televizive shqiptare me bazë në Londër në shërbim të komunitetit.

Albinfo.ch: Në Samitin e dytë të Diasporës të mbajtur gjatë muajit mars, jeni dekoruar nga Qeveria Shqiptare me çmimin „Ambasador i Kombit“. Cili është kontributi juaj në këtë drejtim dhe çfarë do të thotë kjo për ju dhe shqiptarët që jetojnë në Angli?

 Brikena Muharremi: Vlerësimi që m’u bë në Tiranë është një privilegj dhe nder për mua.  Është një shtytje që të vazhdoj punën që e bëj me komunitetin shqiptar në Angli dhe me diasporën shqiptare në përgjithësi, punë të cilën e kam pasion. Shpresoj që vlerësimet që u bënë në Samit të shërbejnë edhe si frymëzim për të gjithë që puna në komunitetet tona në diasporë, kudo që jemi, të vazhdoj meqë duke respektuar identitetin tonë dhe duke përkrahur njëri-tjetrin jemi më të fortë dhe më të suksesshëm.

Albinfo.ch: Si e vlerësoni ju rëndësinë e Samitit të Diasporës, çfarë punohet aty dhe cilat janë konkluzionet që ju keni nxjerrë nga ky samit?

 Brikena Muharremi: Samiti është një rast i shkëlqyeshëm meqë i jep mundësi krijimit të një dialogu në mes të diasporës dhe institucioneve të vendlindjes.  Është një hap i Qeverisë Shqiptare në drejtimin e duhur për krijimin e kushteve adekuate që diaspora të japi kontributin e saj në zhvillimin e vendlindjes.  Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë dhe Kosovës është më i nevojshëm se kurrë tani duke marrë parasysh gjendjen ekonomike dhe sociale si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Në Samitin e Dytë pati panele diskutimi rreth çështjeve të ndryshme që prekun diasporën si vota e diasporës, zhvillimi ekonomik, identiteti shqiptar dhe turizmi.  Unë isha pjesë e panelit për të drejtën e votës ku prezantova punën time në përmirësimin e sistemit të votimit të diasporës. Bëra thirrje që projekligji i paraqitur në Kuvendin e Kosovës për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje të ratifikohet sa më shpejt në mënyrë që t’i mundësohet votimi nëpër ambasada diasporës gjatë zgjedhjeve të ardhshme. Në fund të Samitit përfaqësuesit e Ministrisë së Diasporës bënë një pëmbledhje të konkluzioneve të dala nga secili panel të cilat do të mirren parasysh nga Ministria gjatë punës së saj.

Mendoj që organizimi i paneleve të diskutimit ishte ide shumë e mirë meqë aty patëm rastin t’i shprehim mendimet tona rreth çështjeve të ndryshme dhe dhamë edhe sugjerimet tona konkrete.

 

 

 

 

 

 

Edhe një shqiptare, kandidate për deputete në Parlamentin e Belgjikës

Themeluese e shoqatës së parë për femrat shqiptare në Bruksel, Alketa Selimaj, është në garë si kandidate për Parlamentin e Belgjikës.

Selimaj që është me prejardhje nga qyteti i Vlorës, është kandidate në vendin e pestë për deputete federale në partinë belge CDH dhe garon në zgjedhjet që do të zhvillohen më 26 maj në Belgjikë, përcjell albinfo.ch.

Me kandidimin e saj, mundësitë që një shqiptare të jetë deputete në Parlamentin e Mbretërisë Belgjikës janë të mëdha.

Alketa njihet nga shqiptarët në Belgjikë për angazhimet e saj si aktiviste.

Ajo është themeluesja e shoqatës së parë për femrat shqiptare në Bruksel “Albelges” dhe anëtare e disa shoqatave të tjera, si “Konitza” dhe “Albalife”.

“Të dashur miq, që keni të drejte vote në Belgjikë, ju ftoj miqësisht të votoni për Alketa Selimaj, numri 5, lista 5 CDH më 26 maj në Belgjikë”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale, përcjell albinfo.ch.

Rixhil Agushi: Angazhohem kundër diskriminimit dhe për bashkëjetesë kulturash

Albinfo.ch: Prej tetë vjetësh jeni asambleiste në Schlieren dhe pjesëtare e Komisionit të Kontrollit. Çfarë ju ka shtyrë tash që të kandidoni edhe për Parlamentin Kantonal?

Rixhil Agushi: Në tetë vjetët e fundit në Komunën e Schlierenit kam pasur mundësinë që t`i përfaqësoj dhe t`i çoj drejt realizimit shumë çështje. Por ndërkohë shumë iniciativa kanë ardhur për votim në rrafshin kantonal, për të cilat edhe unë do të doja shumë që të thosha fjalën time. Si deputete kantonale, unë kam mundësi të angazhohem më tepër për shqetësimet e njerëzve, të cilat kanë të bëjnë me Kantonin e Cyrihut si tërësi. Ndër to janë për shembull shkurtimet në sferën e arsimit. Është me rëndësi që ne të sigurojmë të ardhmen e fëmijëve tanë dhe për të bërë këtë, nevojitet arsimim cilësor. Prandaj unë do të angazhohesha veçanërisht shumë që të mos na imponohen shkurtime drastike në këtë lëm.

Albinfo.ch: Cilat janë shqetësimet tua kryesore që dëshironi t`i sillni në Parlamentin e Kantonit?

Rixhil Agushi: Unë gjatë tetë vjetëve të fundit jam angazhuar për të mirën e Schlierenit. Mirëpo jo vetëm qytetarët e Schlierenit duhet të jenë në gjendje të përfitojnë nga një përkujdesje e mirë arsimore, por i gjithë Kantoni i Cyrihut. Për një ofertë të larmishme të përkujdesit arsimor për shkollat është me rëndësi që ne në Parlamentine  Kantonit të kemi më tepër deputetë nga partitë e majta. Kjo për faktin se të majtët janë për më pak kursime, pasi që ne jemi të bindur se më vonë kjo gjë do të shpaguhet. Motoja jonë është: “Për të gjithë, në vend se për pak veta”. Veç kësaj unë angazhohem kundër diskriminimit të mendimit ndryshe dhe për një bashkëjetesë të rregulluar të kulturave dhe religjioneve të ndryshme.

Albinfo.ch: Ku do ta vinit theksin si parlamentare kantonale në politikën e arsimit?

Rixhil Agushi: Unë do të angazhohem kundër reduktimit dhe kufizimeve në përkujdesjen jashtëshkollore dhe për një arsimim të orientuar nga e ardhmja.

Albinfo.ch: Si mendoni ju, si deputete kantonale, të veproni kundër diskriminimit të folësve të gjuhëve të huaja dhe besimtarëve të religjioneve të tjera?

Rixhil Agushi: Duke biseduar shumë me njerëzit, qoftë në rrugë, qoftë në parlament ose madje edhe në televizion. Është me rëndësi që t`u sqarohet të djathtëve përse njerëzit që flasin gjuhë tjera dhe kanë besime tjera, nuk përbëjnë rrezik për Zvicrën. Ata, thjesht, vetëm i kanë rrënjët jashtë vendit dhe jo në Zvicër. Dhe kjo na qenka pengesë për një jetë të rregullt këtu? Jo, për këto paragjykime nevojiten shumë argumente të mira që mund të ndikojnë për të kundërtën.

Albinfo.ch: Në ç`masë angazhimi juaj si parlamentare shqipfolëse do të kishte ndikim pozitiv në imazhin e shqiptarëve në Zvicër?

Rixhil Agushi: Imazhi i shqiptarëve është katandisur në mënyra të ndryshme në humnerë nga mediat. Sepse në të vërtetë ne si popullatë e tërë jemi në rrugë të mbarë. Kjo pasi që gjenerata e sotme po arsimohet mirë ose shumë mirë dhe po gjen vende të mira pune, pjesërisht edhe në nivelin e kuadrove. Mirëpo, këta njerëz në shoqërinë tonë harrohen dhe në vazhdimësi raportohet për rastet problematike. Mediat kërkojnë tituj të diskutueshëm. Në këtë mënyrë, thjesht merren ngjarjet negative për t`ua ofruar lexuesve  atë që dëshirojnë të lexojnë. E kjo konsiston në: të huajt të cilët shkelin ligjin në Zvicër.

Por megjithatë, vetëkuptohet se unë do të angazhohesha për komunitetin tonë. Është me rëndësi që të mos cilësohet një popull i tërë si i keq por të bëhet me dije se ka vetëm përjashtime dhe të tilla ka në çdo vend. Shembulli më i mirë jam unë, pasi që unë kam edhe rrënjë të huaja dhe bëj politikë për vendin tim, d.m.th. për Zvicrën. Unë mendoj se me pozitën time si deputete kantonale kam mundësi të kontribuoj shumë në këtë drejtim.

Rixhil Agushi kandidon si deputete kantonale për Partinë Socialdemokrate, në Listën 2.

Politikanja shqiptare në mesin e 100 personaliteteve të vitit 2018 në një kanton të Zvicrës

Gazeta ditore „Thurgauer Zeitung“ në magazinën e saj „Who is Who“, ka prezantuar në një event para 170 të ftuarve në qytetin Weinfelden, emrat e prominentëve të vitit 2018.

Nazmije Ismaili ishte nominuar në kategorinë politikë, sport, ekonomi dhe dije, si personalitet politik që është angazhuar për mirëqenie të qytetarëve. Ismaili është prej tre vjetësh anëtare e komisionit për verfikimin e buxhetit të komunës. Angazhimi i saj veçohet në ruajtjen e vendeve të punës, veçmas në doganën e Romanshornit, për të cilën zëvendeskryetarja e FDP-së për Romanshorn ishte angazhaur me sukses që dogana mos të mbyllet, njofton Albinfo.ch.

Krahas angazhimit politik, Ismaili punon si menxhere e produkteve në kompaninë e madhe të sigurimeve, « Generali ». 29 vjeçarja është e diplomuar në ekonomi dhe që nga qershori është zgjedhur presidente e liberalëve të rinj, JFDP në Thurgau, shkruan Albinfo.ch.

Reis Luzhnica

“Nuk mund ta paramendoj të jetoj në një qytet tjetër, pos në Cyrih”, shprehet 28 vjeçari Luzhnica, prindërit e të cilit kanë braktisur Prishtinën kur ai ishte vetëm 2 vjeç.
Të gjitha kujtimet fëmijërore i ka në Cyrih. Nga Prishtina kujton vetëm gjuhën shqipe, të cilën e fletë rrjedhshëm dhe me krenari.

Ky politikan i ri, është kandidat i socialdemokratëve në zonën 3 (Wiedikon) të qytetit Cyrih në zgjedhjet e 4 marsit 2018 dhe kërkon votën e qytetarëve të kësaj zone me zotimin se do të punojë për një shoqëri të hapur dhe për të ardhura fer.

Ai është aktiv në dy parti politike, me SP-në Zvicrës në Cyrih, me të cilën angazhohet për punë të vogla, dhe tjetrën në Kosovë, me “Vetëvendosjen”, që synon zgjidhjen e problemeve të mëdha.

“Në Cyrih angazhohem që të gjithë qytetarët të kenë të drejtë vote edhe nëse nuk e kanë shtetësinë zvicerane, sepse edhe ata janë pjesë e shoqërisë dhe kontribuojnë në komunë me punë dhe tatime”, thotë Luzhnica që ka pesë vitë prej se është anëtarësuar në SP i nxitur nga një përjetim zhgënjyes në kohën kur vijonte shkollimin profesional.

Ai kujton si ishte angazhuar nga shkolla për një projekt ku i duhej ta intervistonte një politikan të SVP-së, i cili i kishte thënë se „Kriminaliteti tek të rinjtë ka një emër: të huajt!“.

Kjo kishte qenë një goditje e rëndë për Luzhnicën, por ai e kuptonte: kush dëshiron ti luftojë paragjykimet, duhet të bëhet vetë aktiv dhe kështu përgjigjen më të mirë ai do t’ua jepte politikanëve të tillë duke marrë përgjegjësi në parti politike, siç është rasti tani me garën për postin e këshilltarit komunal dhe, duke i zgjedhur pjesëtar i kryesisë së SP-së në seksionin 3, në Cyrih.

Krahas angazhimit në SP dhe fushatës zgjedhore për zgjedhjet komunale të Cyrihut, ai është aktiv edhe në partinë më të madhe të Kosovës, në LVV.
Në Zvicër ka dhjetëra anëtarë të socialdemokratëve me prejardhje sikur të Luzhnicës, të cilët angazhohen edhe në Vetëvendosje.

Emrin e Vetëvendosjes për herë të parë e kishte dëgjuar në vitin 2005, sa ishte një adoloshent. Asokohe bëhej fjalë për iniciativë qytetare në Kosovë, e cila më vomë u kurorëzuar në një parti poltike e cila e ka si pjesë të programit bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Për Luzhnincën kjo nuk përben problem; “të dy partitë anagazhohen për shoqëri të hapur dhe paga fer”.
„LVV dhe SP i përkasin dyja spektrit të majtë dhe kanë program të përafërt. Dyja partitë anagazhohen për barazi sociale, për një shoqëri të hapur dhe për të drejta të punëtorëve. Mes SP-së dhe LVV ka një bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje në fushata“.

Në seksionin e Cyrihut ai koordinon bashkëpunimin e Vetëvendosjes me SP-në.
„Unë do të angazhohem për të gjithë qytetarët pavarësisht prejardhjes së tyre dhe kurrësesi nuk bëj dallime se cilën parti e votojnë“, siguron Luzhnica.

Sipas tij, shumica e shqiptarëve i takojnë shtresës së mesme dhe ai angazhohet për banesa me çmime të përballueshme për ta dhe premton se do e ngrisë saherë zërin kur në media njëlloset imazhi i shqiptarëve.

„Në Cyrih jetojnë shumë shqiptarë por ne nuk kemi asnjë përfaqësues në kuvendin komunal, besoj që nëse arrijmë të kemi një shqiptar në kuvend, kjo do të jetë në të mirën e imazhit tonë si komunitet“, thotë në fund të bisedës me albinfo.ch kandidati socilademokratëve që në zgjedhjet 4 marsit kërkon votën e qytetarëve të zonës së 3-të për një vend në asamblenë e qytetit Cyrih.

Florim Kadriu, bashkëkryetar i Forumit të Migrantëve të SP-së në Kantonin Aargau

Nevoja që edhe qytetarët me prejardhje të huaj të bëhen pjesë e politikës zvicerane, gjegjësisht e vendimmarrjes në rrethin ku jetojnë, është pranuar prej kohësh si nevojë reale. Për këtë arsye, disa nga partitë kanë ndërmarrë herë pas here nisma për integrimin e “të huajve” në forumet e tyre ose për të krijuar forume të veçanta për njerëzit me sfond migrimi. Siguriisht, Partia Socialdemokrate (SP) ka qenë e para në këtë drejtim, por edhe parti tjera, sidomos CVP (Parti demokristiane) ka provuar pak vite më parë të njëjtën gjë dhe në veçanti me shqiptarët, duke i kandiduar madje ata edhe për Parlamentin Nacional.

Forumi i krijuar ditë më parë “SP MigrantInnen” në Kantonin Aargau ndjek pikërisht këtë qëllim: ofrimin e mundësisë që edhe popullata “e huaj” të ketë zërin e vet në politikë. Për këtë forum të ri dhe për përfshirjen e të huajve në përgjithësi në jetën politike në kanton gazeta “Aargauer Zeitung” ka botuar sot një artikull të gjerë ku e aktualizon çështjen e participimit, shikuar nga këndvështrime të partive dhe ideologjive të ndryshme, transmeton albinfo.ch.

Lajmi është ky: në themelimin e forumit të përmendur të SP-së në Kantonin Aargau kanë marrë pjesë 33 veta. Misioni i tyre është rritja e pjesëmarrjes së njerëzve me prejardhje të huaj në politikë. Florim Kadriu dhe Esad Sadikovic janë zgjedhur bashkëkryetarë.

Kadriu: Nevojiten instrumente ndihmuese për forcimin e pozitës së migrantëve

Me këtë rast, albinfo.ch ka kontaktuar aktivistin e njohur shqiptarozviceran, Florim Kadriun, të posazgjedhur në krye të forumit. Pyetja që i është shtruar është se ku e sheh ai nevojën për themelimin e një organizmi të tillë dhe çfarë pritet nga ai. “Migrantët në Kantonin Aargau përbëjnë një përqindje prej 36% të popullatës, por janë shumë pak apo fare të përfaqësuar në politikë. Për politikën në nivel vendor por dhe atë nacionale, ky fakt paraqet një potencial të konsiderueshëm, por të papërdorur. Për ta bërë politikën zvicerane më të hapur ndaj migrantëve, për të çuar përpara emancipimin politik të migrantëve dhe për të forcuar pozitën e tyre në shoqëri, jam i bindur se duhen instrumente ndihmuese – në këtë rast janë “SP Migrantët”, të cilët angazhohen për arritjen e këtyre qëllimeve”. Kadriu ka provuar veten në vitin 2016 si kandidat i SP-së për Parlamentin e Kantonit. Por siç e thotë vet, ndonëse ka mbledhur një numër solid votash, nuk ka arritur të siguronte vendin në parlament.

Se shanset e kandidatëve me mbiemra “që nuk tingëllojnë si zviceranë” për tu zgjedhur nga votuesit zviceranë janë të ulëta, e ka konstatuar edhe një studim i realizuar nga Universiteti ETH i Cyrihut dhe Universiteti i Gjenevës. Studimi është fokusuar në rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentet kantonale të Cyrihut gjegjësisht të Gjenevës dhe ka ardhur në përfundimin se kandidatët në fjalë kanë qenë të nënvlerësuar.

Jo të gjitha partitë, të interesuara për përfshirjen e të huajve në politikë

Në artikull më tutje merret edhe qëndrimi i partive tjera lidhur me grupimet e të huajve brenda tyre. Kështu FDP (parti liberale) nuk e sheh të arsyeshëm themelimin e një forumi të tillë. “Në FDP janë të mirëseardhur njerëzit me prejardhje të huaj njësoj sikurse edhe të gjithë të tjerët. Ne nuk na nevojitet një kthinë e veçantë për ta”, ka thënë kryetari i FDP-së në nivel kantoni, Lukas Pfisterer. Ngjashëm deklaron edhe homologu i tij nga Partia e Gjelbër, Daniel Hölzle. Ndërsa sekretari i SVP-së, Pascal Furrer thotë veç kësaj se përfaqësimi i ulët i të huajve në politikë nuk përbën problem për partinë e tij. “SVP nuk bën dallim në mes të kandidatëve me ose pa prejardhje të huaj”.

Ndërsa bashkëkryetari i ri i “SP MigrantInnen”, Florim Kadriu mendon ndryshe. Ai thotë se partitë kanë detyrim të veprojnë, shkruan albinfo.ch. “Ato duhet të mbështeten më shumë te migrantët dhe t`i promovojnë ata në mënyrë të specifikuar”. Kadriu ka dhe një synim afatgjatë para vetes: të drejtën e të huajve për të zgjedhur dhe për t`u zgjedhur.

Drita Cacaj: “Do të jem zëri i shqiptarëve në Parlamentin austriak”

Drita Cacaj është shqiptarja e vetme që garon për deputete në Parlamentin Austriak, në zgjedhjet që do të mbahen më 15 tetor. Ajo është kandidate në listën e Partisë Popullore të Austrisë, OVP, që udhëhiqet aktualisht nga ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz. Me përvojën e saj mbi 10-vjeçare në politikën austriake, ajo beson se do të dalë fituese e kësaj gare. Në një intervistë të dhënë për albinfo.ch, Drita Cacaj kërkon mbështetjen e të gjithë shqiptarëve me të drejtë vote. Ajo premton se do të mbrojë të drejtat e të gjithë shqiptarëve në Austri, integrimin e përgjithshëm të tyre, e në veçanti të femrës shqiptare.

Albinfo.ch: Zonja Cacaj, ju jeni aktiviste prej shumë vjetësh e Partisë Popullore të Austrisë, OVP. Pse e keni zgjedhur këtë parti?

Cacaj: Është e vërtetë që jam aktiviste dhe kontribuese shumëvjeçare e kësaj partie. Përcaktimi im ka qenë programi i saj dhe ngrohtësia që më kanë dhënë që në ditën e parë në këtë parti. Më kanë përkrahur dhe më kanë dhënë shumë hapësirë për të treguar aftësitë e mia politike, për çfarë edhe u jam shumë mirënjohëse.

Albinfo.ch: Në zgjedhjet lokale nuk dolët aq e kënaqur me rezultatin dhe votat që morët. Pse provuat në zgjedhjet nacionale? Ishte besimi i partisë apo dëshira juaj për një sfidë tjetër, ndoshta edhe më të vështirë?

Cacaj: Në zgjedhjet lokale natyrisht se kam pritur më shumë, por megjithatë ka qenë një përvojë shumë e mirë për të kuptuar se si rrjedhin zgjedhjet. Sa i përket kandidimit tim për zgjedhjet nacionale, ishte besimi i partisë dhe puna ime në parti. Rezultatet e këtyre dy elementeve më dhanë mundësinë që të jem kandidate nga lista e Sabastian Kurz. Jam shumë sfiduese dhe besoj shumë në veten time.

Albinfo.ch: A i keni filluar aktivitetet e fushatës zgjedhore?

Cacaj: Jemi në përgatitje për fushatë dhe kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura në koordinim me bashkëpartiakët e mi.

Albinfo.ch: Na thuaj në pika të shkurtra çfarë do të përfshini në aktivitetet tuaja gjatë fushatës parazgjedhore? Ku është e fokusuar fushata juaj?

Cacaj: Aktivitetet do të jenë të shumta dhe të ndryshme. Kryesisht do të zhvilloj komunikimin me njerëz të ndryshëm në tërë territorin e Austrisë dhe do të fokusohem kryesisht në integrimin e popullatës shqiptare në të gjitha segmentet e jetës shtetërore në Austri, si në sferën arsimore, edukative – kulturore dhe në shumë sfera të tjera, deri në kyçjen e bashkatdhetarëve tanë në jetën politike. Si fokus të veçantë do të kem integrimin e femrës shqiptare me të gjitha të drejtat e barabarta, të cilat i ka përcaktuar shteti dhe ligji austriak.

Albinfo.ch: A prisni vota vetëm nga shqiptarët me të drejtë vote, apo edhe nga vendësit, pra nga vetë austriakët?

Cacaj: Unë dua të besoj se është koha e fundit që të gjithë shqiptarët që kanë të drejtë vote të motivohen dhe të dalin në zgjedhje, sepse duhet ta kuptojnë se pjesëmarrja në zgjedhje është interes i tyre. Besoj që do të votohem nga shqiptarët e mi, por besoj që edhe nacionalitetet e tjera, e posaçërisht austriakët do të më votojnë, siç më kanë votuar edhe më parë.

Albinfo.ch: Kryetari i partisë suaj, njëherësh ministër i Jashtëm dhe i Integrimeve, Sebastian Kurz, i cili është në garë për kryeministër, ka qenë mjaft kritik ndaj mbulesave të grave të besimit islam. Ditë më parë ai ka thënë se gratë shqiptare paguhen për t’u mbuluar. Cili është komenti juaj?

Cacaj: Mendoj se ai e di më së miri për atë çfarë ka thënë, unë nuk mund të komentoj deklaratën e tij.

Albinfo.ch: Si mund t’ju mbështesin pjesëtarët e komunitetit shqiptar dhe të tjerët në këto zgjedhje?

Cacaj: Unë besoj dhe shpresoj se të gjithë shqiptarët me të drejtë vote do ta shfrytëzojnë këtë mundësi që të votojnë një kandidate shqiptare, e cila do të jetë zëri i fuqishëm dhe mbrojtësja e të drejtave të tyre në Parlamentin austriak.

 

 

 

 

Ervin Sheu, apel shqiptarëve me shtetësi zvicerane të votojnë më 30 prill

Në listën socialiste prej 15 kandidatëve të PS-së së regjionit Jura Nord Vaudoise për Parlamentin e Kantonit të Vaudit, Ervin Sheu është i vetmi shqiptar. Në legjislaturën aktuale të këtij parlamenti, nga zona ku konkurron Ervini janë katër socialistë, tre prej tyre nuk kandidojnë sërish. Një shans i mirë për shqiptarin me prejardhje nga Korça për t`u zgjedhur, mund të thuhej.

Por kush është Ervin Sheu, cila është rruga politike dhe profesionale që ka ndjekur ai deri tash, cilat janë synimet e tij në politikë? Albinfo.ch ka zhvilluar një bisedë me të në prag të zgjedhjeve për parlamentin kantonal të Vaudit që mbahen më 30 prill.

“Kam lindur në Korçë në vitin 1973. Pasi që në Shqipëri kam mbaruar gjimnazin, kam ardhur në Zvicër në vitin 1997. Këtu filluar studimet në Fakultetin Juridik në Neuchatel. Gjuhën frënge e kisha të njohur para se të vija në Zvicër. Por pasi që nuk më njihej gjimnazi shqiptar, këtu kam mbaruar shkollën e mesme tregtare në Chaux de Fonds. Po ashtu kam mbaruar dy vjet të Fakultetit Juridik në Neuchatel. Më pas kam mbaruar edhe formacionin për kontabilist, profesion ky të cilin dhe e ushtroj”, prezanton veten Sheu.

“Sigurisht edhe fillimet e mia këtu nuk ishin të lehta. Si një i huaj, për shembull, e kisha të vështirë të fitoja bursë për të bërë studimet dhe kështu mu desh t`i ndërprisja ato”.

Prej dhjetë vitesh ai është përfaqësues shqiptar dhe anëtar i Komisionit për Integrim”. Dhjetë vite ka jetuar në Kantonin Neuchatel, prej nga në vitin 2007 është shpërngulur në Kantonin Vaud, gjegjësisht në qytetin Yverdon.

Nga viti i kaluar, këshilltar në Asamblenë Komunale të Yverdonit

Si një njeri i ardhur nga Ballkani, nga Shqipëria, interesimin për politikë e ka pasur të natyrshëm, siç thotë se e ka të natyrshëm edhe përcaktimin për Partinë Socialiste (PS) të Zvicrës. “Kjo parti angazhohet më tepër për të drejtat e të huajve, i mbështet ata prandaj si njeri me prejardhje të huaj kam bërë zgjedhjen e natyrshme. Për nga orientimi jam socialdemokrat”, thotë Sheu për albinfo.ch.

Në zgjedhjet e vitit 2016 për Asamblenë komunale ka fituar një vend si këshilltar komune, ndërkohë që pasaportën zvicerane e kishte marrë vetëm një vit më parë, tregon Sheu. Ai sqaron më tutje se në kantonin ku jeton ai, e drejta e votës në nivele komunal u garantohet edhe të huajve me leje qëndrimi të përhershëm.

Ervini është anëtar i kryesisë së PS në nivel kantoni ndërsa bën pjesë edhe në kryesinë e seksionit për migrantë të kësaj partie në nivel të Zvicrës. “Prej dhjetë vitesh jam përfaqësues shqiptar dhe anëtar i Komisionit për Integrim”, tregon ai.

Kur jemi te komuniteti shqiptar i këtushëm, duhet theksuar se Ervin Sheu është prej vitesh kryetar i LAPSH “Naim Frashëri” për regjionin ku jeton, Jura Nord Vaudoise.

Shqiptarët me shtetësi zvicerane të shfrytëzojnë më shumë të drejtën e votës

I pyetur se përse një votues me prejardhje shqiptare duhet t`ia japë votën atij, Sheu së pari ndalet në shpjegimin e rëndësisë që ka për të huajt dhe në këtë kontekst edhe për ata me prejardhje shqiptare, shfrytëzimi të drejtës së votimit.

“Nga ajo që shihet, mund të thuhet se në Zvicër po vështirësohet natyralizimi, pajisja e të huajve me pasaportë zvicerane. Kur e them këtë e kam parasysh faktin se  përfaqësuesit e UDC/SVP-së po janë më aktivë me politikën e tyre. Për këtë arsye po bëhet shumë i rëndësishëm shfrytëzimi i të drejtës se votës për qytetarët me prejardhje të huaj. Duke votuar, ua pamundësojmë të tjerëve të vendosin në emrin tonë dhe e kundërshtojmë pohimin e tyre se të huajt nuk janë të interesuar të marrin pjesë në jetën e këtushme politike”, thotë Ervin Sheu për albinfo.ch.

Po ashtu ai dëshiron të angazhohet për të drejtën e votës për të huajt në rrafshin kantonal, duke qenë se ajo për komuna tashmë është arritur. Bashkëbiseduesi ynë vë re se shumë pak nga shqiptarët e shfrytëzojnë të drejtën e votës në nivelet që e kanë. Ndërsa e brengos fakti se ka edhe të tillë që votojnë për partitë që njihen si jo shumë miqësore ndaj të huajve.

Ai apelon te shqiptarët me të drejtë vote dhe të tjerët me prejardhje të huaj të votojnë për të, në mënyrë që të kenë zërin e tyre në parlament, ku do të përcillen shqetësimet dhe interesat e tyre. Sheu është i vetëdijshëm për numrin e kufizuar të shqiptarëve me të drejtë vote dhe sigurisht që pret edhe vota nga të tjerët. Statistika të sakta nuk mund të ketë por ai beson se megjithatë është një numër i konsiderueshëm nga komuniteti ynë që kanë pasaportën zvicerane dhe votimi sa më masiv nga ana e tyre mund të bëjë diferencën.

Të zyrtarizohet Mësimi Plotësues në gjuhën shqipe dhe në gjuhët e komuniteteve tjera të huaja

Ndër premtimet elektorale Ervini ka angazhimin që “kurset e gjuhëve dhe kulturave të origjinës”, siç është emërtimi zyrtar i mësimit plotësues në gjuhët e komuniteteve të huaja të zyrtarizohet, të njihet nga sistemi arsimor në kanton”. Këtu ai ka parasysh në radhë të parë mësimin plotësues në gjuhën shqipe, gjegjësisht LAPSH-in ku është aktiv prej vitesh. “Duke e njohur mirë gjuhën amtare, fëmijët janë më të gatshëm të mësojnë gjuhën e vendit”, thotë ai duke iu referuar studimeve shkencore që kanë arritur në këtë konstatim. Ndërsa synimet tjera për të cilat ai do të angazhohet në rast se zgjidhet deputet janë hapja e më shumë kopshteve për fëmijë, çmimet më të volitshme në transportin publik si dhe avancimi i nivelit të shkollës që të jetë i arritshëm për të gjithë.

Ervin Sheu është i martuar me një grua nga Shqipëria, ka dy vajza dhe pret së shpejti edhe një vajzë të tretë. Bashkëshortja e tij punon në sferën sociale.

Shpëtimi kërkon votën e shqiptarëve për deputet në Kantonin e Solothurnit

Të dielën e javës që vjen , më 12 mars në Kantonin e Soloturnit mbahen zgjedhjet për Parlamentin e Kantonit. Në këto zgjedhje kandidon në radhët e CVP-së edhe politikani i ri shqiptarozviceran, Shpëtim Xhemaili. Ai ka mbaruar kolegjin AKAD dhe punon si agjent në Airline Assistance Switzerland. Po ashtu Shpëtimi ka një përvojë edhe në punën e modelimit dhe aktrimit. Ai jeton në Trimbach, Solothurn.

Tash kur votimi përmes postës është në vlug të tij, Shpëtim Xhemaili ka bërë një thirrje në faqen e tij të facebook-ut. Përmes saj ai u drejtohet të gjithë shqiptarëve me shtetësi zvicerane që jetojnë në regjionin e tij, duke i sensibilizuar që të votojnë më 12 mars dhe duke i lutur qe t`ia japin votën atij.

“Luten gjithë shqiptarët me shtetësi zvicrane, me vendbanim në vendet e poshtshënuara të kantonit Solothurn, që me datë 12 mars 2017 të dalin në zgjedhjet kantonale dhe ta votojnë kandidatin shqiptar të partisë CVP-z.SHPETIM XHEMAILI. Ja lista e vendbanimeve te kantonit Solothurn që mund ta votojne z. Xhemaili: Olten, Trimbach, Wisen, Kienberg, Stüsslingen, Rohr, Erlinsbach, Niedererlinsbach, Lostorf, Winznau, Hauenstein-Ifenthal, Obergösgen, Niedergösgen, Eppenberg, Wöschnau, Schönenwerd, Gretzenbach, Dulliken, Däniken, Walterswil, Starrkirch-Wil, Wangen bei Olten, Rickenbach, Hägendorf, Kappel, Boningen, Fulenbach dhe Gunzgen.

Kosovarja pret mbështetjen e shqiptarëve në zgjedhjet në Zvicër

Kosovare Rrustemi nga Zhegra e Gjilanit është kandidate për deputete në Asamblenë e Kantonit të Solothurnit, në zgjedhjet që do të mbahen më 12 mars, shkruan albinfo.ch.

Ajo ka qëndruar në Kosovë, derisa është takuar edhe me kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri.

Politikania e re ka thënë se mbështetja e marrë nga kryetari Haziri dhe bashkëpunimi e motivimi që ka marrë nga bashkatdhetarët e Zhegrës së Gjilanit dhe Kosovës, është jashtëzakonisht i madh, duke potencuar faktin se karshi rendit demokratik në shtetet evropiane, domosdo duhet të jetë edhe përfaqësimi politik, sepse përkujdesi dhe fuqia është krejt tjetër kur shqiptarët do ta kenë zërin e tyre karshi qytetarëve rezident zviceran, ka njoftuar faqja zyrtare e Komunës së Gjilanit.

Ajo është aktiviste e dalluar, drejtuese e shumë projekteve dhe organizatave humanitare, organizatave joqeveritare, organizime për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe nënës shqiptare, dhe tash kandidate për deputete në Asamblenë e kantonit të Solotunit-Zvicër, për zgjedhjet që do të mbahen më 12 mars.

Kosovarja aktualisht është asambleiste në komunën e Derendigenit, ndërkaq ka treguar se synon një vend si deputete në Kantonit të Solothurnit. Ajo ka thënë se do t’i mbrojë të drejtat e shqiptarëve në Zvicër.

Kosovarja  garon për deputete në Kantonin e Solothurnit dhe për ta arritur këtë asaj i duhen 4 mijë vota.

 

Betim Bunjaku, kandidat për ekzekutivin e qytetit Rapperswil-Jona

Betim Bunjaku, i riu 27 vjeçar i cili kishte kandiduar edhe për asamblenë e Komunës Rapperswil-Jona, ka paraqitur së fundi kandidaturën për vendin bosh në ekzekutivin e qytetit të përmendur. Ky vend ka mbetur i zbrazët pas zgjedhjes së Martin Stöckling nga FDP, kryetar të qytetit.

Këshilli i Qytetit ose ekzekutivi ka 7 anëtarë. Zgjedhjet mbahen më 19 mars.

Ai kandidon si politikan pa parti ndërsa përveç tij kandidaturat i kanë paraqitur edhe dy politikanë ndërkohë që priten edhe dy të tjerë. Nga Liberalët e Gjelbër (GLP) kandidon Nils Rickert, i cili më parë ka qenë këshilltar kantonal i St. Gallenit ndërsa nga CVP, Ueli Dobler. Priten të bëhen publike së shpejti nominimet edhe nga dy partitë tjera: SP dhe liberalët e rinj.

Bunjaku është rritur Rapperswil-Jona, në këtë qytet buzë Liqenit të Cyrihut. Ai ka një diplomë bachelor në ekonomi, nga Universiteti i St. Gallenit ku së shpejti do të marrë edhe masterin.

Betimi ka marrë guximin për të kandiduar pasi që në dy sfidat që i ka pasur deri tash për asamble, ka arritur të shtonte në mënyrë mjaft impresive përqindjen e votave, shkruan südostschweiz. Në zgjedhjet e para ai ka fituar 8 për qind ndërsa në të dytat, 17 për qind.

Ai thotë se demokracia në qytetin e tij aktualisht ndoedhet në një gjendje dëshpëruese, gjë që ia shton atij motivi për të kandiduar.

Si pjesë e ekzekutivit, Bunjaku do të angazhohet për atë që ekonomia dhe shoqëria të pergatiten për ardhmërinë, transmeton albinfo.ch. Ekonomia, sipas tij po ndryshon me digjitalizimin në rritje, gjë që po e bën popullatën më të pasigurt. Prandaj politika duhet të marrë mbi vete përgjegjësinë dhe këtë zhvillim ta trajtojë si shans, thotë ai veç tjerash.

Emigranti shqiptar, i cili synon të bëhet kryetar Bashkie në Itali

Një emigrant shqiptar dëshiron të bëhet kryetar i një Bashkie në Itali, më saktësisht në Parma. Gazeta italiane “La Reppublica” i ka kushtuar një artikull të gjatë shqiptarit, Gentian Alimadhi (44) i cili synon të bëhet kryetar bashkie në qytetin e Parmës në Itali, përcjell albinfo.ch.

Alimadhi është kandidat në zgjedhjet paraprake brenda qendrës së majtë, me synim për të dalë kandidat në zgjedhjet komunale të vitit të ardhshëm. 44-vjeçari i lindur në Fier është qytetar italian prej 6 vitesh, i martuar, baba i dy fëmijëve, me profesion avokat, ndërsa si shumë shqiptarë ka mbërritur si emigrant klandestin me anije në Itali.

“I lindur në Fier të Shqipërisë, Gentiani jeton në Parma prej 24 vitesh dhe si shumë shqiptarë shkoi në Itali me një nga anijet që zbarkuan në Puglia në vitin 1993. Aty është diplomuar më pas si avokat si dhe ka pasur eksperiencat e tij të para profesionale. Që nga viti 2010-të, ai gëzon edhe shtetësinë italiane”, shkruan e përditshmja italiane “Reppublica”.

Vitet e tij të para në Itali, siç thotë gazeta italiane ishin mjaft të vështira. “Ditën punonte në fabrikë, ndërsa natën studionte për t’u diplomuar si avokat”.

Krahasuar me kandidatët e tjerë në garën paraprake, shqiptari Gentian Alimadhi duket me i favorizuar, jo vetëm nga komuniteti shqiptar në Parma, që numëron rreth 8000 persona, por edhe shumë qytetarë italianë.

Xhelajdin Etemi siguron një ulëse në Asamblenë Komunale të Adliswilit

Politikani i ri shqiptaro-zviceran, Xheljadin Etemi, me origjinë në fshati Corroticë e Preshevës, ka siguruar një ulëse në Ansamblenë Komunale të Adiswilit, raporton albinfo.ch. Etemi është anëtar i Social Demokratëve PS prej 7 vjetësh. Vendin politikanit shqiptar ia ka lëshuar Peter Bühler, i cili ka dhënë dorëheqjen.

 

Etemi jeton me familje që nga 1996 në Adliswil. Ai kishte kandiduar më 2014 në zgjedhjet lokale dhe tani pas dy vjetëve ka fituar të drejtën të jetë përfaqësues në Asamblenë Komunale të Adliswilit.

Berisha, kandidati i parë shqiptar në zgjedhjet kantonale në Fribourg

Ibrahim Berisha, politikan i ri zviceran me prejardhje shqiptare, është kandidati për Parlamentin kantonal të Kantonit Fribourg në zgjedhjet që do të mbahen më 6 nëntor.

Politikani me rrënjë nga Rahoveci i Kosovës kishte fituar të drejtën të kandidohet vetëm pasi kishte marrë pasaportën zvicerane me propozimin e Thierry Steiert, kryetar aktual i qytetit të Fribourgut.

Ndërkohë me politikë ishte angazhuar që prej vitit 1992, por aktiv me Partinë Socialiste prej vitit 2009.

“Me PS jam se është partia që i mbron të drejtat e të gjithëve në territorin e Zvicrës, pa marrë parasysh ngjyrën, kombin, fenë apo vendin nga ata vijnë”, thotë në një prononcim për albinfo.ch Ibrahim Berisha.

45-vjeçari shpreson në mbështetjet e elektoratit shqiptar në këtë kanton.

“Votat për mua do të vijnë nga shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Fribourg, por edhe nga zviceranët ngase prej 2007-ës punoj në gastronomi dhe me punën time kam gëzuar përkrahjen e të gjithëve”, thotë më tutje Berisha.

Kandidati shqiptar i PS-së tha se në fokus të angazhimit të tij politik, nëse zgjedhet deputet kantonal, do të jenë interesat e komunitetit shqiptar në Zvicër.

“Nëse zgjedhem si deputet, prioritet imi kryesor janë shqiptarët: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e Bujanoc, për mbrojtjen e drejtave të tyre në kantonin e Fribourgut”, tha Berisha.