Bekim Zogaj gjykoi afro 60 ndeshje futbolli në një vit pandemik

Tashmë dihet se Bekim Zogaj është një nga arbitrat shqiptarë më të dalluar në arenën ndërkombëtare, i cili ka arritur të gjykojë shumë ndeshje në gjithë Evropën, e veçmas në ligën e Zvicrës, shkruan albinfo.ch.

Realisht virusi korona goditi çdo fushë të mundshme të jetës, duke “paralizuar” edhe sportin në tërësi për disa muaj, në mënyrë të veçantë futbollin. Pati disa muaj që nuk ndodhi asnjë ndeshje shkaku i pandemisë, duke u dhënë një kah krejt tjetër projekteve që ishin paraparë më herët.

Pa dyshim se Bekim Zogaj është gjyqtari më i mirë shqiptar me pasaportë zvicerane, atij i është besuar drejtësia në afro 60 ndeshje këtë vit pandemik (2020), shkruan tutje albinfo.ch.

Për Zogajn ishte e vështirë të shikohet dhe gjykohet një ndeshje pa të brohoriturat e tifozve dhe pa gjallërinë që krijohet në stadium. Por, pavarësisht kësaj, ai ka qëndruar i freskët në gjykimin e tij, duke respektuar etikën e punës që sot e shquan si gjyqtarin shqiptar më të mirë.

Intervista e plotë:

Fillimsht, cili është komenti i juaj, “pandemia dhe futbolli”, si e vlerësoni vitin 2020?

Vërtet një fazë shumë e vërshtirë, jo vetëm për ne gjyqtarët, por edhe për futbollistët dhe gjithë futbolldashësit. Për të gjithë ishte më rëndësi, që të jemi fleksibël dhe të fresktë.

Natyrisht që ishte një fazë jo shumë e lehtë për futbollin profesional dhe atë amator.

 

Duke qenë se keni një përvojë mbi 20 vjet, prej se keni marrë licencën për të arbitruar, sa ishte për ju e vështirë?

Ishte një rrugë shumë e gjatë dhe me sakrifica të mëdha. Në vitin 1997 pata vendosur ta marr licencën e një arbitri. Së pari isha aribiter kryesor nëpër ligat rajonale dhe ato të larta në futbollin zviceran. Pas 14 viteve si arbiteri kryesor, vendosa që të marë rrugën e asistentit, pasi më thanë që si arbiter kryesor nuk kam potencial në atë kohë për ligat profesionale. Si refer asistent, depërtova shumë shpejtë në futbollin profesional. Nuk kam marrur vetëm nota pozitive, kishte dhe performanca jo të mira në teren. Por puna dhe durimi më sollën këtu ku jam tani.

Po ashtu, gjatë asaj kohe, pata edhe një përkrahje maksimale nga shoku im dhe arbitri numer 1 nga Zvicra, ai quhet Sandro Schärer, që më zgjodhi mua si asistent në ekipin e tij.

Sa ndeshje keni referuar gjatë viti 2020?

Afër 60 ndeshje, duke përfshirë edhe ndeshjet miqësore. 24 prej tyre ishin në Super Ligën zvicerane, pesë ndeshje tjera në “Challenge League” të Zvicrës, katër në “Kupën e Zvicrës”, diku dhjetë ndeshje në “Arenën Ndërkombëtare” dhe disa ndeshje miqësore.

A ishte e vështirë për ju referimi, pa tifozë, si e vlerësoni?

Patjetër që ishte i vështirë. Mungonin emocionet e ndeshjës, por, pavarësisht kësaj, ne duhej të ishim të fokusuar në lojërat që u zhvillonin, si gjithherë.

 

Së fundi keni referuar në nivelin e grupeve të Ligës së Kampionëve, çfarë përvoje ishte?

Ishte një ëndërr e madhe që u realizua. Ne ishim ekipi i parë nga Zvicra, pas vitit 2011 që kemi ndarë drejtësinë në një ndeshje në “Chmapions League”.

Duhet theksuar se secili aribter që referon dhe ëndërron të ketë një ndeshje në Ligën e Kampionëve dhe ta dëgjon melodinë e ligës më të rëndësishme në futbollin botëror. Përvoja në Barcelonë ishte edhe pa tifozëri e shkëlqyeshme. Ne morëm kritika shumë të mira për atë ndeshje.

 

Cila është ndeshja më e “vështirë” që keni gjykuar ndonjëherë në karrierën tuaj?

Prej presionit ishte ndeshja në Kampionatin Grekë, Olympiacos Piräus – PAOK Saloniki, me një tifozëri të çmendur në mënyrë pozitive.

Po ashtu, kemi pasur edhe disa ndeshje me përgjithësi të madhe siç janë, Bosnja – Italia, Manchester Untd. – Alkmaar, apo Arsenal – Standard Liege dhe natryrisht patëm një ndeshje të vështirë në Zvicër, siç ishte finalja e kupës së Zvicrës, ndërmjet, Young Boys Bern – FC Basel. Ajo ndeshje ishte shumë e veçantë për mua.

 

Para pak ditëve është hedhur shorti i Botërorit, sipas jush, Zvicra a ka konkurencë në grupin e saj?

Natyrisht që ka konkurencë, sepse në futbollin e sotëm nuk ka ekipe te “vogla” kushtimisht. Por, besojë qe Italia dhe Zvicra do të garojnë për vendin e parë në atë grup.

 

Cili është komenti juaj për Kombëtaren e Kosovës në grupin e saj?

Për mua një ndër grupet më të vërshtira, por Kosova ka shumë djem të rinj, të talentuar dhe me potencial të madh.

 

Cili është synimi juaj në të ardhmen?

Synimi im për të ardhmen është që së pari të kemi shëndetin dhe si refer-asistent, të kemi ndeshje rregullisht në Ligën e Kampionëve dhe të marrë pjesë në ndonjë turne, siç janë, Kampionati Botëror në U-17, ose Kampionatin Evropian në U-21.

 

 

Referi i parë shqiptar që debuton në superligën zvicerane

Gjyqtari shqiptar ka folur për albinfo.ch për paraqitjen e tij të parë në superligën zvicerane, përkatësisht në ndeshjen ku iu ka referuar dy shqiptarëve, Amir Abrashit e Shkëlzen Gashit.

Zogajt iu deshën 16 vjet për të realizuar këtë ëndërr. Referi nga Kosova për 16 vjet kishte referuar në ligat më të ulëta zvicerane si asistent dhe refer kryesor.

„Ndjenjë e veçantë, sepse kam pritur 16 vjet për këtë “ëndërr”. Kisha fatin të filloj me debutimin në një lojë derbi, siç është ndeshja  Aarau – Grasshoppers Zürich“, tha pas ndeshjes për albinfo.ch Bekim Zogaj.

Zogaj thotë se nuk e di nëse ka ndonjë shqiptar tjetër nga Kosova që ka debutuar në ligat elite ndërkombëtare.

34-vjeçari sivjet do të debutojë edhe në një ndeshje në Challenge League, më 30.11.2013.

«Ia arrita qëllimit me një punë shumë të madhe. Motivim të madh, plus interesim për arbitrimin. Po ashtu kam pasur përkrahje të madhe nga familja që është shumë e rëndësishme për mua», thekson Zogaj.

Shqiptari nga Kosova kishte ndarë arbitrimin me gjyqtarët Nikolaj Hänni (refer në Fifa) dhe Johannes Vogel (Asistent në Fifa). Ndeshja Aarau – Grasshoppers Zürich kishte përfunduar me rezultat 2:4. Dy gola i kishte shënuar Shkëlzen Gashi, ndërsa Abrashi ishte jashtë lojës për shkak të një lëndimi.

Ndryshe Zogaj ka qenë për dy vjet asistent në ligën e dytë zvicerane, derisa është gjyqtari i vetëm që ka licencë ndërkombëtare në futsall që nga 2010.

Sikur edhe gjyqtarët e tjerë të futbollit, edhe Bekim Zogaj rrugën për profesionin e tij të sotëm e ka nisur nga pasioni për lojën e futbollit. Që nga viti 1991 deri në vitin 1999 ka luajtur për FC Wiesendangen të Winterthurit.

Në vitin 1997 ka mbaruar kursin për gjyqtar futbolli. Për dy vjet ka qenë në “Grupin e talenteve të Cyrihut”, grup të cilin tash, pas sa vjetësh, e udhëheq si shef i tyre.

Bekim Zogaj ka lindur para 34 vjetëve në Prejlep të Deçanit. Në Zvicër, ku ka ardhur si dhjetëvjeçar, ka kryer shkollën për komercialist.

Në mars 2012 fillon Shkollën e lartë për ekonominë e ndërmarrjeve. Bekimi është kënaqur edhe me punën që bën në Komunën e Winterthurit si kontabilist, me trajtimin që i bëhet dhe mirëkuptimin që ka punëdhënësi për angazhimet e tij si gjyqtar futbolli.

25.11.2013