Qielli është i vetmi limit për astronomen shqiptare

Talenti dhe gjeniu i njeriut mund të shprehet shpeshherë edhe përballë diçkaje të pazakontë, siç është fusha e astronomisë. Mjafton dëshira dhe vullneti për të arritur realizimin e ëndrrave, në destinacionin e duhur. E kush më mirë mund të na vërtetojë këtë se sa Pranvera Hyseni, astronome shqiptare, me ambicie të mëdha, shkruan albinfo.ch.

Ajo bëri shumë “zhurmë” në Kosovë për arritjet e saj dhe çmimet e fituara si astronome.

Ani pse e lindur dhe e rritur në Kosovë, me mundësi dhe mjete jo të mira për astronomi, nuk e ndaloi së realizuari ëndrrën e saj.

Që në moshë të re kishte tërheqje ndaj fushës së astronomisë, duke u “zhytur” thellë në gjithësi, se një ditë ka për t’u bërë një studiuse astronomike, shkruan tutje albinfo.ch.

Sheti i Kosovës nuk ka ofruar mundësi njohjeje me fushën e astronomisë dhe vazhdon ende të ketë mungesa mjetesh për këtë lëmi.

Pavarësisht kësaj, Pranvera, edhe pse në moshë të re, pasionin që kishte për astronomi, bëri që në janar të vitit 2015 të themelojë organizatën “Astronomy Outreach Kosova”, bashkë me disa profesorë dhe një numër të rinjsh të apasionuar pas astronomisë.

“Në fillimet tona, ne kemi startuar në mënyrë amatore, me disa teleskopë që kemi siguruar si donacion nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare. Përmes këtyre pajisjeve, jemi munduar të realizojmë aktivitete të ndryshme, edukative- shkencore në shkolla të ndryshme të Kosovës, duke u dhënë një mundësi që ata të mund të vrojtojnë trupat qjellorë, diçka të re që në shtetin e Kosovës nuk ka qenë më herët”, është shprehur Pranvera në një intervistë.

Duke punuar me vullnetin e mirë, ky grup i të rinjve realizoi organizatën joqeveritare “Astronomy Outreach Kosova” që për pak kohë arriti të bëhet e njohur ndërkombëtarisht edhe nga figurat e njohura shkencore, që tani janë duke gëzuar mbështetje maksimale në të gjitha format.

Teleskopët e parë në këtë organizatë erdhen nga Shtetet e Bashkuara dhe sigurimi i pajisjeve ka qenë shumë e rëndësishme për këtë organizatë, shkruan albinfo.ch.

Pranvera është themeluese dhe drejtoreshë e “Astronomy Outreach Kosova”, program me më shumë se 200 pjesëmarrës që punon për të ngjallur interesim për astronominë mes fëmijëve në gjithë Kosovën. Duhet theksuar se shoqata gjithashtu ka dhuruar një shumë të konsiderueshme për të mbështetur ndërtimin e observatorit të parë në Kosovë.

Vlen të cekët se kjo organizatë është programi më i lartë për shpërndarjen dhe popullarizimin e astronomisë në Kosovë.

Në vitin 2020 Pranvera filloi studimet në Shtetet e Bashkura të Amerikës, në Universitetin e Kalifornisë, në Santa Claus, studime Mastër, në Shkenca Planetare, për studimin e sistemit diellor dhe planetëve të tjerë.

Ajo është edhe një promovuese e shkëlqyer e Kosovës dhe po përfaqëson shqiptarët në mënyrën më të mirë me botën e saj të pasur në shumë konferenca shkencore, ndërkombëtare, duke përmendur Kosovën dhe duke siguruar donacione të shumta për astronomi.

Një asteroid merr emrin “Pranvera”

Një asteroid ose planet i vogël është emëruar me emrin e themelueses së “Astronomy Outreach of Kosovo”, Pranvera.

“Asteroidet janë një ndër trupat qiellorë që unë më së shumti merrem me ta dhe i fotografoj. Shpeshherë asteroidet emërohen sipas personave që i zbulojnë apo ata që japin një kontribut të caktuar në shkencë. Kjo ka qenë një nder jo vetëm për mua, por për gjithë Kosovën” sepse është votuar nga të gjithë astronomët”, shprehet ajo.

Në faqen e Unionit Ndërkombëtar të Astronautëve, Pranvera përshkruhet si një përfaqësuese entuziaste e Kosovës në Astronomi.

Përvoja në NASA

Pranvera, përveç tjerash, ka vizituar edhe Departamentin e shkencave në Cyrih të Zvicrës, madje pa nga afër shkëmbin hënor të sjellë nga NASA në Milano të Italisë, ku pati rastin të takojë dhe të bisedojë me shumë ekspertë të astronomisë, shkruan albinfo.ch.

Në atë kohë, me ftesë të Robert Rives, Pranvera Hyseni mbajti një fjalim para shumë astronautëve dhe shkencëtarëve të NASA-s në konventën shkencore Spacefest 2017 në Arizona.

Hyseni ka përfaqësuar Kosovën denjësisht në tubime dhe konferenca të shumta shkencore anembanë botës. Ajo ka vizituar qendrat e NASA-s, SpaceX dhe Northrop Grumman, qendra astronomike.

Për të ka qenë shumë interesante të shihet gjithë ajo teknologji amerikane në institutin NASA. Sipas saj, shteti amerikan e vlerëson shumë edukimin, jo vetëm të astronomisë, duke zotëruar të gjitha mundësitë, prandaj edhe ka filluar studimet pikërisht në këtë vend.

Fituese e çmimit “Michael D. Reynolds”

Në vitin pandemik, Pranvera nuk reshti së punuari. Për angazhimin e saj u nderua me çmimin “Michael D. Reynolds” nga Organizata Ndërkombëtare e Vëzhguesve Hënorë dhe Planetarë, shkruan tutje albinfo.ch.

Çmim ky, në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e dhënë në popullarizimin e shkencës së Astronomisë.

Duhet theksuar se organizata në fjalë ka dhuruar një shumë të konsiderueshme financiare për të mbështetur ndërtimin e observatorit të parë në shtetin e Kosovës.

“Qielli është limiti për Pranvera Hysenin”

/Albinfo.ch

 

 

Libri i parë në gjuhën gjermane i kosovares, gjendet në 6000 librari në Gjermani

Kosovarja Nesa Krasniqi, e lindur në Bitigheim-Bissingen të Gjermanisë, është me prejardhje nga Negroci, komuna e Drenasit. Fillet e para në fushën e kulturës dhe arteve i filloi në moshën nëntëvjeçare, duke ndjekur shkollën e vallëzimit. Sot, ajo është trajnere e vallëzimit për vajzat e grupmoshës 14-16 vjeç, transmeton albinfo.ch.

Aktualisht ajo është studente në Akademinë e Arteve në Fakultetin e Shtuttgartit, në drejtimin për aktrim.

Së fundmi, Nesa ka botuar librin e parë të saj në gjuhën gjermane me titull: DEPP, HUMOR, NEUTRAL & FANTAZI (Seriozitet, Humor, Neutral dhe Fantazi), me anë të të cilit autorja u ofroi lexuesve një laramani zhanresh artistike. Me të arriturat e saj, autorja bëri të ndihen krenarë jo vetëm prindërit e saj, por edhe familjarët e gjerë.

Libri aktualisht gjendet në 6000 librari në Gjermani dhe 1000 faqe online, ku të gjithë lexuesit e interesuar mund ta gjejnë. /Albinfo.ch

Autorja shqiptare i prezanton publikut zviceran librin e saj mbi Kosovën

Të Premten, 2 Tetor, në orën 19:00, Biblioteka e Qytetit St.Gallen organizon një lexim publik me Basrie Sakiri-Muratin, autoren shqiptare të librit në gjuhën gjermane “Bleibende Spuren” (Gjurmë të përhershme).

Këtë njoftim, bashkë me një portret të autores nga Kosova, e cila prej shumë vitesh jeton në Zvicër, e ka publikuar portali nau.ch.

“Basrie Sakiri-Murati u politizua shumë herët. Si nxënëse e shkollës së mesme, në fund të viteve 1980, ajo ishte e përkushtuar për një “Republikë të Kosovës”, transmeton albinfo.ch.

Këto ishin kohë të trazuara kur kishte protesta të vazhdueshme kundër qeverisë serbe, e cila u përgjigjej me dhunë.

Aktivistët politikë janë përballur me përndjekje, burgosje dhe tortura. Edhe autores së këtij libri i qe dashur të fshihej bashkë me ilegalë të tjerë për javë të tëra, pranë bashkëveprimtarëve ose në pyll.

Kur situata u bë tepër kërcënuese, asaj iu desh të ikte: në Zvicër – shumë larg shtëpisë, familjes dhe të gjithë miqve të saj.

albinfo.ch vitin e kaluar ka zhvilluar një intervistë të zgjeruar me zonjën Sakiri-Murati.

Libri i saj “Bleibende Spuren – ein Weg vom Kosovo in die Schweiz» (Gjurmë të përhershma – Rruga ime nga Kosova në Zvicër), botuar në vitin 2019, bazohet në ditarin që ajo mbante asokohe në Kosovë.

Në pjesën e dytë të librit, Sakiri-Murati tregon për jetën e saj në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Është një raport prekës, i butë, por ndonjëherë edhe i zemëruar rreth një jete midis dy botëve, dy kulturave.

Autorja lexon pjesë nga libri i saj në dhomën e letërsisë dhe flet me ndëmjetësen letrare Eva Bachmann lidhur me prapavijën e librit. Hyrja është falas.

Basrie Sakiri-Murati ka lindur në Kosovë në vitin 1971. Në qershor të vitit 1989 ajo ka emigruar në Zvicër për shkak të aktiviteteve politike.

Sot ajo punon si përkthyese e akredituar për autoritetet gjyqësore dhe institucione të ndryshme shoqërore dhe gjithashtu si asistente e praktikës mjekësore, përcjell albinfo.ch. Basrie Sakiri-Murati jeton me dy fëmijët e saj në Bernë.

Ardian Retkoceri doktoron me temën “Ndërmarrësit shqiptarë në Zvicër”

Ardian Retkoceri, ligjërues në Swiss Bussines School të Cyrihut  ka mbrojtur sot temën e doktoratës në këtë fakultet. Tema e disertacionit të tij është “Ndërmarrësit shqiptarë në Zvicër”, temë kjo me të cilën Retkoceri, njëherësh bashkëpunëtor i çmuar i platformës albinfo.ch, është marrë intensivisht viteve të fundit.

Në vazhdim, postimi i tij në facebook, me rastin e doktorimit: “Gjurmët e kontributit të diasporës shqiptare në shtet-ndërtimin e vendlindjes sonë në përgjithësi, dhe në aspektin ekonomik në veçanti, janë të pamohueshme.

Edhe më shumë se dy dekada pas luftës, jeta e përditshme në Kosovë vazhdon të karakterizohet nga diaspora.

Rimëkëmbja jonë ekonomike, së bashku me qindra milionë euro që vazhdojnë të rrjedhin për çdo vit në formë të remitencave, shërbejnë si burim vital për mirëqenien e vendit. E vendi ynë prapë vazhdon të jetë më i varfri në Evropë, në shumë indikatorë ekonomikë dhe socialë.

Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e vazhdueshëm të diasporës shqiptare në Zvicër, në prani të Dr. Roman Borboa, Dr. Joseph Brady dhe Dr. Bert Wolfs, sot mbrojta me sukses disertacionin për t`i përfunduar studimet e mia te doktoratës me temën “Ndërmarrësit shqiptarë në Zvicër”.

Ky rrugëtim pesëvjeçar nuk do të ishte i mundur pa bekimin e Zotit, sakrificën e familjes dhe ndihmën e miqve si dhe komunitetit shqiptar në Zvicër.

 

Isufi zotohet për zgjerimin e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Mustafa, ushtrues detyre i pozitës së kryetarit, në Kuvendin e së dielës ka raportuar për punën e deritashme të këtij organizmi ekonomik të komunitetit të bizneseve shqiptare në Zvicër.

Ai ka numëruar aktivitetet e deritanishme të Rrjetit, duke potencuar edhe disa nga kontratat milionëshe të lidhura mes tyre. Pastaj ka treguar për organizimet dhe vizitat që i ka bërë Rrjeti, donacionet humanitare, si dhe për kontributet që kanë dhënë anëtarët e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare. Ka raportuar edhe për bashkëpunimin që solli, sipas tij, eksportimin e mallrave nga Kosova në Zvicër. “Në këtë rrugëtim 4-vjeçar, Rrjeti i Bizneseve ka ecur mirë. Ne sot në Zvicër mund të krenohemi që kemi filluar të njohim njëri-tjetrin. Kemi filluar të krijojmë një klimë të të bërit biznes, të unifikohemi dhe të bashkëpunojmë mes veti, duke shkëmbyer informata me shumë biznese”, ka deklaruar Mustafa.

Me të marrë besimin e anëtarëve biznesmenë, Isufi ka pranuar kritikat për numrin e vogël të anëtarëve të Rrjetit dhe është zotuar se do të punojë në masivizimin e këtij asociacioni biznesesh. “Pa qenë pak, nuk bëhemi kurrë shumë. Aq sa jemi këtu, po të kemi vullnet, mund të bëjmë shumë. Flitet për 5 mijë biznese shqiptare në Zvicër, dashtë e pa dashtë, ata janë anëtarë të Rrjetit. Dhe, ka shumë arsye pse të gjithë nuk janë anëtarë të Rrjetit… dhe është fatkeqësi që nuk janë pjesë jona”, ka deklaruar kryetari i sapozgjedhur i Rrjetit, Qamil Isufi, duke deklaruar se kjo organizatë nuk është e askujt, por është e të gjithëve dhe secili mund të japë kontributin e tij.

Kryetar nderi dhe njëri nga iniciatorët për krijimin e këtij asociacioni në Zvicër, Fehmi Fetahu, ka kërkuar nga kryetari i sapozgjedhur më shumë punë, e pak fjalë.

Kritika për numrin e vogël të anëtarëve të Rrjetit

Punimet e Kuvendit nuk kaluan pa kritika për punën e deritanishme 4-vjeçare të Asociacionit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër.
Madje, kishte kërkesa të tilla që të dorëhiqen të gjitha strukturat e deritanishme të Asociacionit të Bizneseve. Më kritik ishte arkitekti Ibrahim Sylaj, i cili tha se duhet të gjejnë mënyrën se si t’i bëjnë bashkë bizneset shqiptare në Zvicër. “As unë si anëtar, po as kryesia nuk ka legjitimitet që ta udhëheqë më tutje Rrjetin e Bizneseve Shqiptare në Zvicër. Rrjetin duhet ta udhëheqin anëtarë të firmave të reja që e kanë vullnetin dhe dëshirën për ta zgjeruar atë. Pas katër vjetëve ne takohemi me vetëm 100 anëtarë, apo edhe 200, po themi të regjistruar. Pse të mos jenë 2 mijë anëtarë të Asociacionit të Bizneseve. Fuqia e asociacionit është anëtarësimi i bizneseve dhe masivizimi i bizneseve shqiptare”, ka deklaruar Ibrahim Sylaj.

Edhe biznesmeni tjetër, Rexhep Berisha, është shprehur i pakënaqur me punën që ka bërë deri tani Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicër. “Edhe pse është ndër rrjetet e para të bizneseve që është krijuar në Zvicër, megjithatë është më i dështuari në krahasim me rrjetet e tjera shqiptare nëpër botë. Fajin për këtë e ka kryesia që ka më shumë dështime sesa suksese. Në Zvicër ka aq shumë potencial të bizneseve shqiptare dhe ky potencial duhet të shfrytëzohet”, ka thënë Rexhep Berisha, afarist nga Bazeli.

Në këtë Kuvend të biznesmenëve shqiptarë ishte e pranishme edhe Ambasadorja e Kosovës, Nazane Breca, i dërguari nga Ministria e Diasporës, këshilltari i lartë, Agim Kuleta, dhe Shukrije Ramadani nga Qendra Kulturore në Cyrih. “Rrjeti në Zvicër çdo ditë më shumë ia del të krijojë emër dhe të japë shembullin më të mirë se si duhet organizuar dhe si duhet punuar për të bashkuar idetë e tyre dhe veprimet, në mënyrë që të ndihmohet zhvillimi i Kosovës”, ka deklaruar diplomatja kosovare, Breca.
Agim Kuleta nga Ministria e Diasporës u ka thënë biznesmenëve se kanë kaluar fazën e parë të zhvillimit dhe pas këtij Kuvendi duhet të përballen me fazën tjetër që nënkupton konsolidimin dhe funksionalizimin e mëtutjeshëm të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër. Ai u ka kërkuar biznesmenëve që të hapin një zyrë dhe krijimin e një strukture administrative të Rrjetit të Bizneseve. “Rrjeti përbën dëshmi që në një hark kohor më pak se dy dekada njerëzit tanë kanë arritur që nga punëtorët në kompanitë zvicerane, të shndërrohen në udhëheqës e pronarë të kompanive të tyre në Zvicër”, tha Kuleta.

Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicër është themeluar në vitin 2013, si organizatë e parë e pavarur jopolitike dhe joprofitabile, si urë lidhës e bizneseve të diasporës me vendlindjen.Tashmë funksionojnë 26 rrjete biznesesh të shqiptarëve në tërë botën.

Sindikata Unia, një dekadë në shërbim të punonjësve

Sindikata Unia është një histori suksesi. Ajo sot është sindikata më e madhe dhe më e fuqishme e Zvicrës. Për shumkënd emri „Unia“ ndërlidhet me angazhim të suksesshëm për përmirësimin e pagave, të drejtave në punë, mbrojtje të shëndetit, pensioneve. Suksesi më i madh i kësaj Sindikate është krenaria dhe dinjiteti i punonjësve, të cilët kanë kuptuar, se vetëm së bashku janë më të fortë.

Vitet e 90-eta ishin vite të krizës ekonomike. Suksesi ekonomik zvicëran pësoi një frenim të fortë. Numri i të papunëve rritej, investimet mungonin dhe shoqëria gjendej në një tranzicion politik. Mu në këto vite fillon ripërtëritja e sindikatave, të cilat në vitet e 80-ta kishin rënë në gjumë. Me fushatën për paga minimale mbi 3000 Franga dhe aksioneve konkrete nëpër fabrika, kantiere dhe vendet e ndryshme të punës, ato fillojnë të bashkojnë punëtorët. Sukseset nga këto aksione krijojnë bindjen te punëtorët se shumëçka mund të ndryshojë nëse bashkojnë forcat. Bashkimit të tri Sindikatave në Unia i paraprin suksesi i ndërtimtarëve, të cilët me kërkesën “40 vite punë në ndërtimtari janë mjaftë – pensionim me 60 vjet tash!”.

Fillet e një lëvizje të suksesshme

Bashkimit të tri sindikatave më të mëdha, sindika e ndërtimtarisë dhe industrisë (GBI) si dhe sindikata e Metalistëve dhe Orëndreqësve (SMUV) zhvillonin bashkë projekte të shumta. Pas diskutimeve interne, jo edhe aq të thjeshta, erdhi deri tek rezultati i pritur: në vitin 2004 në Bazel u zhvillua kongresi themelues i Unia-s. Me këtë rast sindikatat më të mëdha të Zvcirës GBI dhe SMUV arritën të fuzionojnë me sindikatën e vogël të shërbimeve VHTL (Sindikata e shitjes, tregtisë, transportit dhe artikujve ushqimor) si dhe ACG (Shoqata e nëpunësve të Gjenevës).

Një fuzion i tillë do të mundësojë që edhe sektori i shërbimeve më në fund të organizohet fuqishëm në sindikatë. Bashkimi i fuqisë kishte për qëllim rritjen e mundësisë goditëse të sindikatave karshi orientimeve neoliberale në rritje në radhët e punëdhënësve dhe të shumicës së djathtë politike në vend. Aftësia mobilizuese si dhe aftësia luftarake përmes Unia-s pritej të bëhej edhe më e madhe.

Të arritura nëpër sektorë të ndryshëm

Përkundër shumë vështirësive në sektorë të shumtë ekonomik megjithatë mund të flitet për zhvillime të suksesshme. Ndërtimi i mëtejmë i sektorit terzier është në zhvillim e sipër. Tanimë Unia në sektorin e shërbimeve numëron 50‘000 anëtarë, pra dyfish më shumë se sa para fuzionimit në vitin 2004. Bashkimi i forcave ka shënuar përparime gjithashtu edhe në sektorët tradicional. Kështu edhe në sektorin e tregtisë është rritur prezenca sindikaliste dhe në ndërkohë i tërë sektori është mbuluar me Kontrata Kolektive të Punës. Konfrontimet e shumta mbi Kontratën Kombëtare të Punës në sektorin e ndërtimtarisë kryesore, në vitit 2007 dhe 2011 kanë treguar se Unia është në gjendje të udhëheq bisedime të gjithmbarshme. Këtu duhet patur parasysh pozitën e vështirësuar sindikaliste për shkak të ndrrimit të stafit të përhershëm të punonjësve nëpër ndërmarrje si dhe rritja e subndërmarrjeve (nënkotraktuesve) e poashtu edhe rritja e numrit të të punësuarve temporal. Vlen të theksohet se një fitore vendimtare strategjike ka arritur të festoi sektori i industrisë, ku për herë të parë janë përcaktuar pagat minimale në Kontratën Kolektive të Punës në Industrinë e metalit, atë elektrike dhe të makinave (MEM).

Angazhim i vazhdueshëm edhe për migrantët

Në 10 vitet e fundit UNIA është anagzhaur fuqishëm në shumë lëmi: qoftë për pensionimin e mëhershëm në sektorin e ndërtimtarisë dhe tregtisë, qoftë kundër orarit të zgjatur të punës nëpër shitore, apo edhe kudnër dumpingut në paga dhe vjedhjes së pensioneve.

Unia është angazhuar në vazhdimësi edhe për migrantët. Qoftë për të drejtat nga rrafshi i sigurimeve shoqërore apo edhe kundër iniciativave të panumërta ksenofobe, sikur ajo për dëbim ose atë mbi migrimit masiv. Edhe në të ardhmen ky angazhim do të vijoj të fuqizohet edhe më shumë!

Sindikata Unia dhe shqiptarët e Zvicrës

Në sindikatën Unia, nga gjithsej 200’000 anëtarë, mbi 100’000 anëtarë janë me prejardhje jashtë Zvicrës, nga të cilët rreth 15’000 janë shqiptarë. Për të komunikuar më mirë, për të mobilizuar dhe organizuar edhe punëmarrësit me prejardhje shqiptare në sindikatën Unia përpos aktivistëve sindikalistë shqiptar janë të punësuar një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve në stafin profesional të saj. Unia publikon edhe fletëpalosje, broshura e materiale të ndryshme informuese nga sektorë të ndryshëm të botës së punës dhe jetës shoqërore në Zvicër si dhe nxjerrë edhe shtojcën e gazetës sindikaliste Horizonte edhe në gjuhën shqipe.

Nga angazhimi i sindikatës Unia në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar kanë përfituar edhe shqiptarët. Këtu përpos përfitimeve të përgjithshme nga Kontratat Kolektive të Punës, të drejtat dhe mbrojtjen në punë, do të veçonim angazhimin e Unia-s për qarkullimin e lirë edhe të migrantëve shqiptarë të punësuar në Zvicër në hapësirën Shengen e veçanërisht angazhimin i gjithanshëm i saj dhe partnerëve tjerë për Marrëveshjen e anuluar ndërshtetërore mbi Sigurimet Shoqërore mes Zvcirës e Kosovës, me ç`rast shumë punëmarrës  nga Kosova, si kontribuuesit kryesorë në të dy vendet dhe shoqëritë, vazhdojnë të përjetojnë diskriminim selektiv nga lëmi i sigurimeve shoqërore, për shkak të mosmarrëveshjeve dhe mungesës së vullnetit të mirë në mes të  zyrtarëve të dy vendeve. Ky angazhim shpresojmë të kurorëzohet me një zgjidhje të ndërmjetme deri tek negocimi i  një Marrëveshjeje të re në fjalë.

Edhe përkundër rezultateve të arritura, sindikata Unia zotohet se do të angazhohet edhe më tej fuqishëm për të avancuar të drejtat e të gjithë punëmarrësve dhe për ti bëre ballë sulmeve për dobësimin e sindikatave dhe lëvizjeve punëtore gjithandej si dhe sulmeve karshi të arriturave të deritashme në botën e punës. Dhe edhe në të ardhmen nën moton: Bashkë jemi më të fortë!

Sindikata Unia1

Osman Osmani, sekretar sindikal për migracion në Unia

“Studenti“, organizata që po i bashkon studentët shqiptarë

Studentët shqiptarë në Cyrih duket të jenë organizuar mirë në organizatën e tyre studentore „Studenti“, e cila ishte themeluar para  15 vjetësh.

“Studenti” grumbullon qindra studentë shqiptarë që studiojnë në fakultete të ndryshme në Universitetin e Cyrihut, po edhe në atë të ETH-së.

Ditët e fundit studentët shqiptarë kanë zgjedhur kryesinë e re të organizatës së tyre “Studenti”, të cilën tash e tutje do ta udhëheqë Vjosa Ismaili, një studente e Ekonomisë me origjinë nga Tetova.

“Të jesh në krye të një organizate kaq të madhe studentore do të duhet më shumë përgjegjësi për të gjithë studentët”, tha kryetarja e re e shoqatës “Studenti” për albinfo.ch.

Para se të vijë në krye të organizatës së studentëve, Vjosa ka qenë në kryesi, duke u marrë me marketing dhe komunikim, e që i ka ndihmuar të jetë në kontakt gjithmonë me studentët shqiptarë.

“Gjithsesi besoj që eksperienca do të më ndihmojë të bëj një punë të mirë dhe të vlefshme për studentët”, thotë Vjosa, duke premtuar se do të zgjerojë bashkëpunimin me organizata të tjera studentore zvicerane.

Tetovarja thotë se do të angazhohet që gjatë mandatit të saj të ketë më shumë aktivitete për studentët, siç ka qenë vitin e kaluar.

“Qëllimi është që studentët të njihen mes vete dhe të bëjnë networking, edhe kur do t’i kryejnë studimet të kenë një rreth shqiptar që do t’iu ndihmojë”, tha studentja e Ekonomisë në Universitetin e Cyrihut.

Kryetarja e re e shoqatës “Studenti” nuk ka informacione të sakta për numrin e studentëve shqiptarë në Cyrih. Por, janë rreth 400 kontakte e-mailash që i pranojnë studentët nga shoqata e tyre.

„Kemi filluar vitin e kaluar të krijojmë një webfaqe të re, që ka për qëllim që secili anëtar i shoqatës të regjistrohet. Kështu do të na mundësohet të kemi një pasqyrë konkrete për numrin e studentëve tanë“, tha Ismaili.

Studentja e Ekonomisë pret mbështetjen e kolegëve të saj shqiptarë për të zhvilluar tutje projektin „Dituria +“.

„Projekti „Dituria +“ ka për qëllim që studentët shqiptarë të ndihmojnë nxënësit shqiptarë të klasave 5-9 që ata të arrijnë rezultate të mira në shkollën fillore“, tha në këtë bashkëbisedim me albinfo.ch kryetarja e shoqatës „Studenti“, Vjosa Ismaili.

Studenti Nderim Mustafa është zgjedhur si udhëheqës i projektit Dituria +, ndërsa Arbnora Aliu do të merret me organizime aktivitetesh studentore, e Dafina Shabanit i kanë besuar financat. Në kryesi janë edhe Sali Zimberi,  webmaster dhe Jetmir Behluli në marketing.

Shoqata „Studenti“ funksionon tash e 15 vjet dhe puna e saj kryesore është vendosja e lidhjeve në mes të studentëve shqiptarë që studiojnë në universitetet dhe shkollat e larta të Cyrihut. Prezantimi dhe afirmimi i kulturës shqiptare këtu është po ashtu njëri nga misionet e shoqatës.

Si aktivitete më të rëndësishme të shoqatës “Studenti”, përveç mbrëmjes “Old meet young”, vlen të  përmendet edhe darka studentore „Sofra“, e cila tash sa vjet është bërë tradicionale dhe mbahet në pranverë, pastaj kremtimi i 28 Nëntorit dhe ligjëratat e personaliteteve të ndryshme shqiptare dhe të huaja që mbahen periodikisht para studentëve të këtushëm shqiptarë.

Illyrian, ekipi i vetëm shqiptar në botë që luan „Beach Soccer“

Shqiptarët në Zvicër nuk janë të suksesshëm të luajnë futboll vetëm nëpër fusha të gjelbra dhe me ekipe favorite, por edhe në ato me rërë, siç i quajnë „Beach Soccer“,  sport shumë i njohur në SHBA dhe tashmë edhe në Evropën Perëndimore.

Illyrian quhet ekipi i vetëm tash për tash shqiptar në botë që këtë sezon synon të sfidojë ligën e parë profesionale në Zvicër, e quajtur  „Suzuki Beach Soccer“, e cila sponzorizohet nga kompania më e njohur e automobilave „Suzuki“.

Dy vëllezërit, Selami dhe Rabit Rexhepi nga Kamenica e Kosovës, të cilët e formuan ekipin Illyrian në vitin 2009 në Zvicër,  nuk pretendojnë vetëm të zmbrapsin kampionin aktual zviceran „Havanna HotShoots Aarau“,  por edhe synojnë të arrijnë që në të ardhmen në garat ndërkombëtare të futbollit në rërë „Beach Soccer“ të përfaqësojnë vendlindjen e tyre, Kosovën.

„Plani tjetër në një afat më të gjatë kohor është të kontaktojmë Federatën e Futbolli të Kosovës dhe atë të Shqipërisë për të vetmin qëllim, përfaqësimin e tyre në garat ndërkombëtare të futbollit. Në Kosovë dhe në Shqipëri duhet edhe shumë kohë për të zhvilluar këtë lloj sporti.

Selami Rexhepi

Ne kemi këtë mundësi të pëfaqësojmë vendin tonë në „Beach Soccer“,  është shprehur me entuziazëm njëri nga tranjerët dhe futbollistët e ekipit Illyrian, Selami Rexhepi.

Ai ka thënë për albinfo.ch se pa asnjë problem, me një përgatitje dhe përkushtim të madh të ekipit, vitin e kaluar kanë qenë ndër më të mirët në ligën e dytë zvicerane, në një garë të fortë, në mesin e 30 ekipeve.

Ekipin Illyrian e përbëjnë kryesisht futbollistë shqiptarë nga të gjitha viset shqiptare, e që për tranjerin janë vise ilire dhe, për këtë arsye, ai thotë të jetë pagëzuar me këtë emër klubi.

Një përjashtim e bëjnë futbollisti italian, Davide Sodano dhe ai zviceran, Andreas Gloor, të cilët pas asnjë paragjykim dhe me shumë dëshirë stërviten dhe luajnë bashkë me futbollistët shqiptarë.

„Për mua nuk është problem të luaj me shqiptarët, përkundrazi në këtë ekip e kam gjetur veten dhe po ndjehem mirë si një familje. Mua po më duket sikur po luaj me bashkëkombësit e mi italianë. Me rëndësi është të jemi kampion“, thekson Sodano.

Në ekip vërehej se ka një harmoni në mesin e lojtarëve.

„Një sport i tillë është risi jo vetën në Zvicër, po edhe në vendet e tjera, se ne jemi njëri prej ekipeve të para që luajnë futboll në rërë, dhe duhet të tregojmë se jemi më të mirët. Ekipin tonë e përbëjnë shumica lojtarët shqiptarë, por megjithatë mbretëron harmoni e theksuar në mesin tonë“, shprehet studenti Orhan Spahiu.

Rabit Rexhepi

Rabit Rexhepi, i cili me një angazhim të madh ka arritur që klubi i tyre Illyrian të jetë  i regjistruar në ligën e parë zvicerane „Suzuki Beach Soccer 2011“,  ka  thënë se vazhdimisht janë në stërvitje në sallën e sportit në Dietikon, që kur të nisë sezoni në maj të jenë sa më të pëgatitur për kampionatin zviceran, në të cilin garojnë 16 ekipe.

Të gjitha lojrat e futbollit në rërë do të luhen në Zvicër dhe do të transmetohen nga televizionet e njohura sportive zvicerane.

„Futbolli në rërë  „Beach Soccer“ dallon nga futbolli normal, nevojitet teknikë dhe kondicion i madh dhe luhet pa patika dhe çorapa “, sqaron Selamiu.

Dy vëllezërit Rexhepi, njëri projketues në ndërtimtari të lartë dhe tjetri inxhinier i makinerisë, kanë kryer kurse të shumta për të qenë sa më të suksesshëm në krye të ekipit të tyre.

Ekipi i tyre numëron 18 lojtarë, ashtu e kërkon lloji i këtij sporti, që duhet të ndërrohen me njëri-tjetrin për shak të lodhjes nga vrapimi në rërë. Por, nuk do të thotë që nuk kanë nevojë edhe për futbollistë të tjerë.

„Ne jemi të hapur edhe për lojtarë të rinj“, ka thënë Selamiu.

Drejtuesit e Illyrian po bëjnë plane që kët vit të formojnë edhe Ekipin B, me të cilin do t’iu mundësohet lojtarëve të rinj të provojnë shkathtësitë e tyre edhe në futboll me rërë.

Madje është paralajmëruar formimi edhe një ekipi për femra, por e gjithë kjo sipas tyre do të varet nga paraqitja e sponzorëve.

Anëtar nderi i klubit është futbollisti i njohur kosovar, Milaim Rama.

„Ai e viziton shpesh klubin për t‘i motivuar lojtarët tanë“, tregon tranjeri Rexhepi.

Futbollisti tjetër, Besnik Thaçi, kishte braktisur ekipin e tij në ligën e dytë zvicerane në futboll për t‘iu bashkangjitur ekipit Illyrian.

Ai është zgjedhur golashënuesi më i mirë në vitin 2010, me 14 gola të shënuara.

„Futbolli në rërë më pëlqen më shumë, sepse bëhet lojë „Fairplay“ dhe tashmë më është bërë pasion, me gjithë stërvitjet e rregullta dhe intenzive“, e arsyeton braktisjen e futbollit Thaçi.

Për lojë “Fairplay”, vitin e kaluar,  klubi BSC Illyrian, ka zënë vendin e tretë në mesin e 20 ekipeve tjera zvicerane.

Megjithatë këkohet shumë eksperiencë në futboll, thonë lojtarët.

„Përveç kondicionit, eksperienca në futboll në rërë duhet të jetë më e madhe në krahasim me futbollin normal, ngase topi vazhdimisht është në ajër“, ka thënë futbollisti tjetër me përvojë disavjeçare, Afrim Danaj.

Drejtuesit e klubit BSC Illyria në prag të kampionatit po ballafaqohen me problemin e sponzorizimit të aktivitetit të ekipit, që për fillim është i pjesërishëm. Deri tash mbështetje kanë gjetur vetëm nga kompanitë Striker Beer në Meilen dhe EMS BAU nga Winterthuri.

Vëllezërit Rexhepi shpresojnë që para fillimit të kampionatit të lehtësohet edhe kjo barrë e klubit.

Për më shumë për ekipin shqiptar në botë në „Beach Soccer“, BSC Illyrian mund të vizitoni faqen e internetit: www.illyrian.ch

Klubi i futbollit “FC DIASPORA 2014”

Ditë më parë në Soyhiéres të Kantonit Jura një grup sportdashës shqiptarë, donatorë dhe adhurues të futbollit, mbajtën Kuvendin e parë zgjedhor për të themeluar klubin shqiptar të futbollit “Diaspora 2014”.

Ndër të tjera u zgjodh kryesia prej 7 anëtarëve: Leonis Tafaj, kryetar, Besim Hoxha, nënkryetar, Nazmi Mehmetaj, përgjegjës financiar, Aladin Burziç, sekretar, Flurim Xhaqkaj, arkëtar, Kadri Hamzaj dhe Muharrem Xhaqkaj, drejtues sportivë, Visar Rexhepaj, anëtar nderi.

Si rezultat i përpjekjeve dhe punës së ngulmtë njëzëri themeluan klubin shqiptar të futbollit të emërtuar si “FC DIASPORA 2014”. Klubi ka emblemën e vet me ngjyrat kuq e zi dhe kokën e shqiponjës në mes.

Me këtë shenjë dalluese është regjistruar dhe pranë organeve shtetërore kantonale në Jura.

Formimi i këtij klubi sportiv pa dyshim është një ngjarje me rëndësi, bashkëpunimi i mirë mes shqiptarëve e gjallëron jetën kulturore të mërgimtarëve në përgjithësi.

Mënyra e këtillë e vendosjes dhe e veprimit të klubit të futbollit paraqet rrethanë fatlume për të rinjtë shqiptarë. Një nder i veçantë është se u jepet mundësia të gjithë të rinjve që e adhurojnë dhe e duan futbollin të tregojnë talentin dhe vendosmërinë e tyre sportive.

Klubi shqiptar i futbollit do të jetë i dobishëm edhe për të rinjtë, të cilët zhvillojnë aktivitetin e tyre në klube të tjera sportive. Këtu do ta kenë edhe një mundësi më shumë për të shtuar stërvitjet për suksese më të mira.

Ky organizim sportiv do të ketë një rol të veçantë për të hyrë në familjen sportive për gara të miqësisë dhe mirësisë me të tjerët.

Sipas anëtarëve të kryesisë, qëllimi përfundimtar i këtij klubi është thjesht argëtimi përmes sportit dhe integrimi në shoqërinë pritëse.

Kryetari i klubit, Leonis Tafaj, pohoi se për ta realizuar këtë mision kemi filluar të bëjmë përgatitjet e para në regjistrimin e lojtarëve, në konsolidimin e ekipit.

Ne shpresojmë se punët do ecin mirë, klubi do të jetë i hapur për të gjithë të rinjtë pa dallim. Presim bashkëpunim me të gjithë të rinjtë futbollistë, kështu që në perspektivë sukseset e tyre mund të shtrihen në këtë fushë.

Klubi i futbollit “Diaspora”, emër i ri në kantonin Jura, i bashkohet familjes së madhe të klubeve të futbollit në Zvicër.

Ne besojmë dhe urojmë që klubi “Diaspora 2014” në Jura do të shndërrohet në një fole të ngrohtë e të shëndoshë për përfaqësuesit dhe për anëtarët që do t’u bashkëngjiten atyre.

Nexhmije Mehmetaj

Zbuloni njëzet klubet futbollistike shqiptare në Zvicër

Në kuadër të Federatës Zvicerane të futbollit bëjnë pjesë 13 federata regjionale, të shpërndara në tërë Zvicrën. Të gjitha klubet garat e tyre i zhvillojnë në kategoritë si në vijim: Super liga apo liga e parë shtetërore; Challenge League; Liga e parë promocion; Liga e parë; Liga e dytë interkantonale- 6 grupe; Liga e dytë kantonale; Liga e tretë kantonale; Liga e katër kantonale; Liga e pestë kantonale

Në kuadër të këtyre ligave në klube të ndryshme janë të angazhuar numër shumë i madh i lojtarëve shqiptarë. Është vështirë të gjendet ndonjë klub ku nuk ka futbollist shqiptar.

Në mesin e këtij numri të madh të klubeve në liga të ndryshme, aktivitetin e tyre e zhvillojnë edhe disa klube shqiptare të futbollit. Sipas faqes zyrtare të Federatës Zvicerane dhe duke u bazuar sipas emrave me domethënie në gjuhën shqipe, figurojnë  20 klube shqiptare. Disa nga këto klube kanë brenda vetes edhe nga disa skuadra të kategorive të ndryshme. Mund të ndodhë të ketë edhe klube tjera shqiptare por jo me emra në gjuhën shqipe.

Ka po ashtu edhe klube me emra jo shqiptarë e ku pjesën dërmuese të lojtarëve e përbëjnë futbollistët shqiptarë. Kërkojmë ndjesë për ato klube që nuk ceken në këtë shkrim dhe çdo plotësim eventual është i mirëpritur nga lexuesit e albinfo.ch.

Nga klubet shqiptare në kategorinë më të lartë, në ligën e dytë interkantonale apo në ligën e pestë shtetërore, këtë sezon futbollistik zhvillojnë aktivitetin e tyre: FC Dardania nga Lozana, (e cila edhe deri  para 4 viteve ishte në këtë ligë gjatë 5 kampionateve); FC Kosova nga Cyrihu dhe FC Dardania nga Bazeli Këto klube, si më të mëdhatë, kanë edhe skuadra tjera në gjirin e tyre.

Ja lista komplete e klubeve shqiptare

Liga e dytë interkantonale:

1.FC Dardania-Lozanë

2.FC Kosova Zurich

3. FC Dardania Bazel

 

Liga e dytë kantonale

1.FC Besa Biel-Bienne

2.FC Iliria Solothurn

3.FC Kosova Gjenevë

 

Liga e tretë kantonale

1. FC Eagles (Shqiponja) Aarau

2. FC Prishtina Bernë

3.FC Ilirida Bernë

4. FC Kosova Cyrih-ekipi i dytë

5. FC Kosova Neuchâtel

6. FC Iliria Payerne

7. FC Rilindja Burgdorf

8. FC Shqiponja Langenthal

 

Liga e katërt kantonale

1. FC Liria Othmarsingen

2. FC Besa Biel-Bienne-ekipi i dytë

3. FC Dardania Bazel-ekipi i dytë

4. FC Dardania St. Gallen

5. FC Iliria Solothurn-ekipi i dytë

6. FC Albania Schwerzenbach

7. FC Tetova Dübendorf

8. FC Dardania Lozanë

9. FC Bashkimi Vevey

10. FC Iliria Payerne

 

Liga e pestë kantonale

1.FC Diaspora Delémont

2.FC Ilirida Bernë

3.FC Prishtina – ekipi i dytë

4.FC Besa St. Gallen

 

Nga ky numër i madh i klubeve shqiptare, bazuar në nivelin dhe përhapjen që kanë, mund të formohej pa problem një si ligë e përbashkët shqiptare e Zvicrës. Po ashtu klubet në fjalë mund të zhvillonin gara në mes vete në forma të ndryshme. Iniciativat ekzistojnë por duhet edhe konkretizimi.

 

Jakup Isufi, kryetar i ri i “Groupe suisses-étrangers”

Jakup Isufi, i lindur më 26 nëntor 1982, i natyralizuar me origjinë shqiptare, është bërë kryetar i ri i shoqatës së quajtur “Grupi zviceran dhe të huaj” në Moudon dhe rajon. I sapozgjedhur, emërimi i tij do të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.

Kryetari aktual, Claude Vauthey, mbetët në radhët e kryesisë me mbikëqyrjen e sekretarisë së shoqatës, ndërsa Carmen Vouilloz vazhdon të kryjë detyrën e saj me titullin e zëvendëskryetares.

Pa dyshim se ky ndryshim do të sjellë energji të reja për grupin, në një kohë kur ekzistenca e shoqatave të tilla është esenciale, me që këto të fundit të paktën mundësojnë idenë e “të jetuarit së bashku”.

Linku për shoqatën “Groupe suisses-étrangers” në Moudon dhe rrethinë:  www.suetmo.ch / CV – 24 octobre 2013

 

Disa fjalë për Jakup Isufin

Jakup Isufi ka lindur më 26 nëntor 1982 në Kumanovë të Maqedonisë. Ai është punëtor i tregtisë në Romandie Energie Commerce SA. Tashmë kryetari i shoqatës “Groupe suisses-étrengers” në Moudon që nga viti 2004 ishte kryetar i Shoqatës Shqiptare në Moudon dhe rrethinë. I natyralizuar që nga muaji mars 2005, Jakup Isufi jeton në Moudon dhe mund të kontaktohet në këtë numër telefoni: 079 7776337.

29.10.2013