Kosti Deti, instrumentisti i talentuar në Vjenë

Kosti Deti është instrumentisti i talentuar në Vjenë, është vlerësuar me çmimin e madh në garën ndërkombëtare të pianos Valetta në Maltë, shkruan albinfo.ch.

Vlen të theksohet se pianisti shqiptar ka mbajtur koncerte në gjithë Europën dhe më gjerë.

Që nga 2006 është i vlerësuar me mbi 30 çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, shkruan tutje albinfo.ch.

Ai së fundmi, në një postim në rrjetet sociale, është shprehur i gëzuar për fitoren në garën ndërkombëtare të pianos Valetta në Maltë.

 

Postimi i plotë:

Të dashur miq!

Jam jashtëzakonisht i nderuar që jam fitues i GRAND PRIX në garën ndërkombëtare të pianos Valetta në Maltë.

Jam shumë mirënjohës ndaj Jurisë së jashtëzakonshme…

Mezi presim të performojmë në këtë vend të bukur…

Belgjikë: Sopranoja shqiptare, Ana Naqe, me veprimtari artistike

Sopranoja shqiptare, Ana Naqe, jeton dhe ushtron aktivitetin e saj artistik në Belgjikë, transmeton albinfo.ch.

Artistja e mirënjohur vazhdon me interpretimet e saj në skenat evropiane, pas pak kohësh ajo do të jetë aktive në fushën e kinematografisë, duke u bërë dhe pjesë e një filmi.

“Në moshë shumë të vogël, 13 vjeçe, shkova të bëja master klasa dhe koncerte në Belgjikë. Aty krijova lidhjet dhe mundësitë që të mund të studioja në shkollë të mesme”, shprehet ajo.

Aftësia vokale dhe interpretuese i kanë siguruar asaj role të shumta në skenat belge dhe në shtete të tjera, si Spanja, Franca etj.

Ana thotë se, edhe pse ka pasur fat, suksesi i saj është më tepër punë dhe këmbëngulje. Ajo është nënë e një djali 13-vjeçar që nuk dëshiron të largohet nga Belgjika dhe kjo është arsyeja që nuk është kthyer në Shqipëri.

“Unë kam pasur shumë fat. Por dua të them se është tepër punë, punë natë e ditë dhe këmbëngulje. Sigurisht që në Shqipëri mendoj se do ta kisha shumë më të lehtë, njerëzit njihen më tepër dhe kush nis rrugën e tij, ecën para shumë më shpejt. Pas kohësh që isha unë u desh shumë kohë që talente të rinj të dalin. Arsyeja pse nuk kthehem në Shqipëri është se kam një djalë 13 vjeç që është shumë belg, e do Belgjikën”, vijoi Ana. /Albinfo.ch

Soprano shqiptare mahnit publikun në Firencë

Soprano shqiptare, Dioklea Hoxha ka debutuar në skenën e operës në Firencë të Italisë. Ajo në rolin e Paminës ka luajtur në shfaqjet “Piramida e Dritës” nga “Fyelli Magjik” i Mozartit, raporton albinfo.ch.

Debutimi i saj ka marrë shumë vlerësime pozitive, derisa shfaqja do të vazhdojë në qytetin italian deri më 7 prill në dy termine.

Ajo ka performuar së bashku 900 fëmijë nga shkollat e Firencës. Pikërisht qëllimi i shfaqjes ka qenë lidhja e fëmijëve dhe Teatrit të Operës në Firencë.

Ajo është shprehur e lumtur për debutimin dhe me përkrahjen që i kanë dhënë. “Jam e lumtur që kam edhe përkrahjen e vendit tim, ju kam në zemër”, ka shkruar ajo në “Facebook”.

Megjithatë, ajo nuk e ka ndërmend të ndalet dhe sipas “opusalb.com”, pritet që të performojë edhe në Teatrin e Operës në Tiranë, një ide të cilën e ka përkrahur edhe sopranoja nga Prishtina.

Prezantim me dinjitet i kulturës shqiptare në Gjermani

Në fundjavë qytetarët e Krefeldit dhe qyteteve të tjera përreth, si Dyseldorfi, Këlni apo Eseni kishin fatin që në ambientet e shkollës publike për të rriturit të përjetonin nga afë pjesë nga kultura shqiptare. Salla ishte mbushur plot, sa shumë mbetën edhe në këmbë. Mbrëmja nisi me dy valle shqiptare të interpretuara nga nxënësit e shkollës shqipe me mësuesin Adem Shala nga qyteti Viersener-it. Kryetarja e shoqatës gjermano – shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Arsim, IKB, Juna Kule-Mörsch në fjalën e saj vuri theksin në nevojën e një ure bashkëpunimi kulturor mes dy popujve.

 

Procesi i integrimit, i kuptuar si proces integrimi mes kulturave, po ndryshon kahje me kalimin e kohes. Në qoftë se ai filloi si proces me kahje shqiptaro-gjermane te individët e ardhur pas viteve ’90, me brezin e ri po vazhdon si proces me kahje gjermano-shqiptare. Fëmijët dhe të rinjtë e lindur mes kulturës gjermane duhet t’i përdorin avantazhet e kësaj kulture në dobi të përvetësimit dhe pasurimit të kulturës së tyre të origjinës, asaj shqiptare. Sepse nëpëmjet ballafaqimit të kulturave dhe përfitimit reciprok mes tyre ndërtohen ura të forta bashkëpunimi e miqësie mes popujve të Europës së shekullit të 21-të“.

 

Madhështia e kësaj mbrëmjeje arriti pa dyshim nga mysafirja e ardhur posaçërisht nga Tirana, sopranoja e njohur Alma Strazimiri. Me këngët perlë të muzikës shqiptare si „Vajta, kalova“, Moj e bukura More“ apo“Lule Borë“ dhe „Margjelo“ ajo elektrizoi të gjithë sallën, madje këngët u kënduan së bashku me të pranishmit. Edhe pse ishte hera e parë që këndonte në Gjermani, Alma arriti ta bëjë për vete gjithë publikun në sallë, veçanërisht mysafirët gjermanë. „Për mua është hera e parë që jam në Gjermani me një repertor tërësisht me muzikë popullore të përpunuar të ngritur në art nga Lola Gjoka dhe Raul Domi. Ishte një kënaqësi shumë e madhe për mua, sepse kisha një auditor vërtet të veçantë. U përpoqa që gjithçka e imja të shkonte tek spektatori, pra që me gjithë shpirt unë të jem tek ai. Suksesin ia dedikoj vërtetësisë sime dhe spontanitetit, duke qenë e zhveshur nga komplekset në skenë“, thotë për Deutsche Welle, këngëtarja Strazimiri.

Shumë interesant mbrëmjen e bëri edhe paraqitja e një video-bandi me pjesë filmash të interpretuara nga artisti shqiptaro-gjerman Kasem Hoxha. Ai erdhi në Gjermani bashkë me refugjatët e 2 korrikut 1990 duke marrë me vete edhe ëndrrën për t’u bërë aktor. Sot ai numëron një sërë rolesh kryesorë dhe të dytë në filma të prodhimit gjerman, gjermano-austriakë, shqiptar, italian, etj. Së shpejti ai do të jetë i pranishëm në filmin e njohur televiziv Tatort „NICK2“ me regji të Christian Alvart. Në fjalën e tij përshëndetëse, artsiti Hoxha vlerësoi iniciativën e ndërmarrë nga shqiptarët, por edhe mbështetjen që i ka dhënë qyteti i Krefeldit kësaj iniciative, e cila sipas tij bën të mundur pasurimin dhe ringjalljen e një kulture kaq të mrekullueshme siç është kultura shqiptare.

Por as shoqata dhe as mbrëmja kulturore nuk do të kishin kuptim pa kontributin e violinistes së njohur Migen Begolli. Ajo bashkë me Juna Kule-Mörsch ishin iniciatoret e formimit të një shoqate të tillë që megjithë vështirësitë e para si fillim janë të bindura se me përpjekje do të arrijnë t’i realizojnë synimet e tyre. „Unë mendoj se ne shqiptarët kemi një kulturë të vjetër dhe mjaft interesante, e cila pritet shumë mirë në Gjermani. Në prag të festave të nëntorit ne menduam që ta organizojmë këtë aktivitet me artistë të njohur duke krijuar një ambjent të ngrohtë për vetë shqiptarët që jetojnë këtu si dhe për gjermanët me të cilët ndajmë të njëjtin vend. E gjitha kjo sigurisht që nuk bëhet lehtë, ka vështirësitë e veta. Por edhe veshtirsitë janë relative. Unë mendoj se kur njeriu do të arrij diçka, me përpjekje e arrin“, thotë për Deutsche Welle, violinistja Begolli.

Por Juna dhe Migeni nuk janë vetëm organizatore të kësaj mbrëmjeje. Ato ishin pjesë edhe të koncertit: Juna në piano dhe Migen në violinë. Pjesët instrumentale me violinë u shoqëruan edhe nga Fernando Nina në violinçel dhe nga Paolo Dinuzzi në bas. Mjaft prekëse ishte dhe kënga “Moj e bukura Arbëri”, e cila u interpretua nga nxënësja 12 vjeçare, Donika Imeri. Suprizë për të pranishmit e kësaj mbrëmjeje ishin edhe këngë lirike të kënduara nga Dorina Porodini dhe Miriam Suarrez-Argueta si dhe grupi gjermano-grek i valleve popullore, „Odysseas”, duke i dhënë gjithë ambjentit një atmosferë më të gjerë multikulturore. Alfred Mançe nga Brühl-i e cilësoi dinjitoz koncertin: „Iniciativa e kësaj mbrëmjeje më pëlqeu jashtë mase, por pjesa më e bukur ishte hapësira e gjerë e folklorit shqiptar, e muzikës shqiptare. Për mua vlen të veçohen këngët e zhanrit operistik që u intepretuan nga një artiste shumë e madhe. Mendoj se ishte një mbrëmje shumë dinjitoze. Ndërsa Hermann Heitmann i ka lënë përshtypje veçanërisht kënga “Lule Borë” dhe vallet shqiptare të interpretuara nga nxënësit. “Ishte vërtët një mbrëmje e bukur dhe interesante. Muzika shqiptare tingëllon shumë melankolike, sidomos kënga “Lule Borë”, por edhe valltarët sollën vërtet një përjetim tipik shqiptar“

 

Entuziast u shpreh për Deutsche Welle edhe mësuesi Rifat Hamiti. „Ishte një kënaqësi e rallë. Shqiptarët definitivisht duhet të paraqiten me këtë nivel kulturor para gjermanëve. Ne duhet të tregojmë vërtet vlerat tona kulturore. Unë jam shumë i entuziasmuar nga ky aktivitet”. Genti Mebelli që kishte ardhur nga Këlni dëshiron të ketë më tepër takime të tilla kulturore në të ardhmen. “Kjo ishte një mbrëmje fantastike. Dëshira ime është që të ketë edhe aktivitete të tjera në vijim me një numër më të madh pjesëmarsish. Ishte një mbrëmje shumë e veçantë, kishte një nivel shumë të lartë, qoftë nga ana kulturore, qoftë nga ana muzikore dhe qoftë nga ana instrumentale”.

Moderatori i mbrëmjes Thomas Warnecke, i cili bëri një prezantim fantastik, e vlerësoi shumë të gjithë programin. Unë besoj se të gjithë mbetën të kënaqur me programin. Unë vetë kam përshtypjet më të mira për këtë aktivitet pasi ishte shumë i larmishëm, me artistë profesionistë dhe amatorë dhe të brezave të ndryshëm. I tërë aktiviteti ishte një prezantim shumë cilësor“. Këtë aktivitet e përshëndetën edhe Doris Schlimnat, zevëndësdrejtore e shkollës publike (VHS) të Krefeldit, dhe Ante-Dragan Franjicevic, Kryetar i Qarkut për Integrim dhe Migracion. Vetë kryetarja e shoqatës Juna Kule-Mörsch shprehet optimiste për misionin e saj. „Unë nuk e kisha llogaritur që do të kemi një rezonancë kaq pozitive dhe kaq mbështetëse. Por jam e vetëdijshme që në të ardhmen na pret një punë shumë e madhe për të pasur aktivitete të një niveli më të lartë. Megjithatë, kam besim se do t’ja arrijmë, sepse dëshira është shumë e madhe”

Inva Mula me CD-në “Për ty atdhe”, vjen edhe në Cyrih

Të premten, më 1 mars 2013, në orën 19.30 në bibliotekën interkulturore Pestalozzi Hardau në Cyrih, Inva Mula dhe fondacioni HI Classic ju ftojnë në promovimin e CD „Për ty Atdhe“.

Siç bën të ditur për albinfo.ch Suela Jorgaqi, udhëheqëse e bibliotekës, kjo është një nismë që Inva e ka filluar në Tiranë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë duke pasuar në Prishtinë e Shkup. Inva Mula do të jetë mes nesh dhe do të flasë mbi realizimin e këtij disku, ku ajo interpreton 12 këngët më të bukura për Atdheun, të shkruara në jetë mes vite”.

Të interesuarit për të marrë pjesë në këtë mbrëmje mund të na njofojnë për pjesëmarrjen tuaj në e-mail adresën: [email protected]

Biblioteka interkulturore Pestalozi gjendet në Norastr. 20, mbas Migros në Albisriederplatz), Zürich.

 

14.02.2013

Ermonela Jaho merr çmimin “Gramaphone”

Sopranoja shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho me pjesë solisike nga  Opera e Pucinit “Il Trittico”, të regjistruara drejtpërdrejtë në Operan Mbretërore 300-vjeçare të Londrës, e hedhur në DVD, ka marrë çmimin prestigjoz “Gramaphone” për vitin 2013. Në këtë operë sopranoja shqiptare luan rolin e murgeshës Anxhelika. Revista 90-vjeçare angleze e ka vlerësuar DVD-në si “Një nga pikat më të larta të referencës për operën e regjistruar direkt” dhe cilësuar interpretimin e Ermonela Jahos si “një vulnerabilitet thellësisht prekës”, Pa hezitim, shprehet revista britanike “Gramaphon”, do ta bënim këtë DVD rekomandimin tonë më të lartë”transmeton TCH

E kontaktuar nga Top Channel, pas këtij çmimi Ermonela Jaho u shpreh se “është një kënaqësi tepër e veçantë të arrish të shprehësh artin tënd në një produksion kaq cilësor dhe të vlerësohesh për punën tënde dhe atë të kolegëve të tu nga një autoritet i vërtetë i muzikës klasike botërore”. Opera është shfaqur në stacionet e radios dhe televizionit britanik BBC disa herë dhe ka disa muaj që është e vlefshme për shitje në “Amazon” në formatin DVD dhe BlueRay.

Ermonela Jaho interpretoi “La Rondine” përpara dy muajsh në Operan Mbretërore të Londrës me të cilën ka kontratë deri në fund të dekadës, ndërkohë që pas Londrës ishte në Munih dhe Barcelonë dhe se shpejti këndon në Paris, për t’u rikthyer sërish në Londër në janar të vitit të ardhshëm.

 

31.08.2013

Elbenita Kajtazi, në skenën e “Deutsche Opera” të Berlinit

Sopranoja  kosovare nga Mitrovica, Elbenita Kajtazi do të paraqitet sonte  në skenën e Filarmonisë së Berlinit si pjesë e operës “Werther” krijuar nga kompozitori Francez Jules Massenet.

23 vjeçarja nga Kosova  nga maji i këtij viti e deri në vitin 2015, do të jetë edhe solistja e kësaj shtëpie operistike.

Edhe pse vetëm 23 vjeç, Elbenita Kajtazi, tashmë është quajtur “zëri i ëmbël i Kosovës” nga mediat kosovare.

Në moshën 15 vjeçare ajo ka ndjekur ëndrrën e saj, për t’u bërë një këngëtare opere.

Pas diplomimit ajo dha tre koncerte solo, një në qytetin e saj të Mitrovicës, një të dytë në Prishtinë dhe të fundit në Tiranë, Shqipëri.

Duke përfaqësuar Kosovën në koncerte dhe konkurse të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare, Elbenita ka fituar disa çmime.

Ajo aktualisht është duke studiuar me sopranon Ermonela Jaho dhe Caroline Merz.

Siç raporton Agjencia Telegrafike Shqiptare, aktualisht, Elbenita është një soliste me kohë të plotë në Orkestrën Filharmonike të Kosovës, dhe ngjithashtu gjatë vitit 2014 është soliste me kohë të plotë edhe në “Deutsche Opera” në Berlin.

Sopranoja shqiptare, Mirjam Tola, shkёlqen në Gjermani

“E mrekullueshme, madhёshtore, jam shumё e entuziazmuar nga interpretimi i Tosca-s prej sopranos Mirjam Tola!”. “E kam parё Toscan shumё herё, por njё Tosca siҫ e interpreton atё Mirjam Tola deri mё sot nuk e kemi pasur nё Operën e Wuppertal-it, njё soprano e shkёlqyer!” Kёshtu shprehen disa spektatorё pas duartrokitjeve qё nuk kishin tё reshtur pas shfaqjes sё “Tosca-s” sё Giacomo Puccinit nё Wuppertal, shkruan DW. Surpriza e hapjes sё sezonit sivjet nё Wuppertal ishin perfeksioni estetik nё inskenim, regji, skenografi, koreografi, kostume dhe ndriҫim nga regjisori i njohur italian, Stefano Poda. E veҫanta tjetёr ishte nisma ambicioze e drejtorit tё ri tё kёsaj opere dhe njёkohёsisht dirigjentit tё saj, japonezit Toshiyuki Kamioka, i cili guxoi njё revolucion nё skenёn operistike tё Gjermanisё. Opera publike e Wuppertal-it ёshtё e para qё thyen traditёn duke e shpёrbёrё trupёn e solistëve të saj, pёr t’i vёnё nё skenё shfaqjet me artistё tё ftuar. Shumё media prestigjioze nё Gjermani i kushtuan vёmendje tё posaҫme shfaqjes sё Toscas nё Wuppertal.
Mirjam Tola, njё soprano nё kulmin e karrierёs sё saj, e konsoliduar dhe me njё zё brilant, me interpretimin nё nivel tё lartё artistik e zhdёrvjellёt dhe e natyrshme edhe si aktore nё skenё e mbёrthen publikun pёrgjatё dramёs qё zhvillohet nё operën tragjike.

Mirjami vlerёson jashtёzakonisht mbёshtetjen qё ka pasur gjatё karrierёs sё saj tashmё 20-vjeҫare nё skenat mё tё njohura evropiane, si edhe nё SHBA e gjetkё, nga dirigjentё, kompozitorё e drejtues artistikë tё njohur, por tё paharruar mbeten pёr tё pedagogu i parё i saj i kantos, Behar Islami dhe pedagogia, sopranoja e njohur shqiptare, profesoresha Suzana Frashёri, së cilës i është jashtëzakonisht mirënjohëse. Nga profesoresha Frashёri Mirjami mёsoi bazat e mjeshtёrisё sё tё kёnduarit, ajo e mbёshteti atё nё formimin si soprano nё vitet e studimeve nё Akademinё e Arteve nё Tiranё.