Artisti shqiptar nga Amsterdami, solisti i parë në ”Balet Het Nationale”

Artisti shqiptar Altin Kaftira, jeton dhe ushtron aktivitetin e tij në Amsterdam, Hollandë, transmeton albinfo.ch.

Kaftira ka interpretuar si solist i parë në ”Balet Het Nationale” – Baleti Kombëtar Hollandez, nga viti 2000 deri në 2007.

Në një intervistë, kritiku dhe shkrimtari hollandez Herman Stevens, e ka konsideruar një të preferuar të audiencës, një yll që zotëron karizmën më të madhe nga çdo artist në Baletin Kombëtar.

Pas një karriere të suksesshme në balet, ai vendos në vitin 2007 të ndjekë rrugën e artit si kineast.

Altin Kaftira, në rolin e ri, ka sjellë një tjetër punë artistike bashkëpunuese me koreografi nga David Dawson të baletit “Metamorphosis” dhe muzikë nga Philip Glass. /Albinfo.ch

Me kërrabëzat kosovare në sfilatat botërore

Albinfo.ch vazhdon me prezantimin e gjashtë video-portreteve të para të realizuara me pjesëtarët e diasporës kosovare. Që tani e tutje do të zbuloni profilet e sipërmarrësve nga diaspora kosovare në Zvicër dhe gjetkë në Evropë, të cilët kanë nisur projekte inovuese dhe me vlerë të shtuar në Kosovë.

Projekti “Storie suksesi” synon të prodhojë dymbëdhjetë video-portrete të emigrantëve ose ish-emigrantëve kosovarë, të cilët kanë ndërmarrë iniciativa të pazakonta në favor të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit të tyre të origjinës. Bëhet fjalë, pra, për kosovarët e diasporës që kanë përfituar nga arritjet e tyre në Zvicër apo në vende të tjera të Evropës për të nisur projekte origjinale ekonomike, shkencore, kulturore apo socio-politike në favor të Kosovës. Nëpërmjet këtyre portreteve ne mund të kuptojmë më konkretisht ndikimin që diaspora kosovare mund të ketë në prosperitetin e shtetit të Kosovës.

Kjo qasje pozitive e projektit “Storie suksesi” synon të influencojë vendimmarrësit në Kosovë dhe në rajon, në mënyrë që të jenë më të vetëdijshëm për potencialin që ka diaspora në modernizimin e vendit. Ky projekt gjithashtu synon të promovojë shembuj të suksesshme, duke ngritur vetëdijen dhe duke nxitur anëtarët e tjerë të diasporës të ndërmarrin iniciativa të ngjashme, pasi që Kosova është e mbushur me mundësi për investime ekonomike.

“Storie suksesi” i përgjigjet një nevoje prioritare sa i përket përpjekjeve për të krijuar mekanizma të qëndrueshëm dhe institucionalë në transferimin e njohurive në Kosovë. Më konkretisht, transmetimi gjatë gjithë vitit të këtyre video-portreteve ka për qëllim të theksojë projektet që kanë efekte direkte ose indirekte në Kosovë.

Ky projekt është hartuar pas një reflektimi afatgjatë dhe është ndërtuar me një qasje moderne dhe dinamike. Ai është i pasuruar nga një shumëllojshmëri vendesh xhirimi në Kosovë, Zvicër dhe vende të tjera perëndimore. Intervistat e ndryshme janë kryer me bashkëbisedues dhe dëshmitarë të drejtpërdrejtë. Gjithë kjo punë sjell një komponent të rëndësishëm informacioni në marrëdhëniet e diasporës me vendin e origjinës.

Cikli i dymbëdhjetë portreteve “Storie suksesi” është i mbështetur nga Zyra Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim në Kosovë (SDC-DEZA-DDC), Programit për Promovimin e Shoqërisë Demokratike (DSP) dhe projekti po zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Besa, kosovarja me brendin e saj të modës në Nju Jork

Besa Neziri-Rugova është një kreatore nga Kosova shumë e suksesshme në Nju Jork, SHBA. Ajo ka linjën e saj në Nju Jork si dhe studion në Prishtinë, ndërsa është shumë e njohur në skenën ndërkombëtare, por në atë kosovare. Besa, në një intervistë për ‘Albinfo.ch’, tregon për rrugën që kishte si kreatore, sukseset dhe sfidat me të cilat është përballur, si dhe planet për të ardhmen.

Albinfo: Fillimisht Besa a mund të na tregoni për rrugën tuaj si kreatore? Si ka qenë në fillim dhe me çfarë vështirësish je përballur?

Besa Neziri-Rugova: Ky profesion në një formë ose tjetër ka qenë pjesë e jetës sime qysh nga fëmijëria. Por profesionalisht rrugëtimi im si kreatore filloi me fillimin e studimeve në ‘Parsons School of Design’, këtu, në Nju Jork. Kjo është një shkollë mjaft prestigjioze dhe rigoroze, prandaj studimet nuk ishin aspak të lehta. Gjithashtu është edhe shkollë mjaft e shtrenjtë kështu që më është dashur që të punoj edhe gjatë studimeve, me orar të plotë përfshirë dhe vikendet, ndërkohë që edhe në shkollë isha studente me orar të plotë. Kjo ka qene pjesa më e vështire, për shkak se më duhej ta ndaja kohën me shumë precizitet dhe të kalkuluar mirë, në mënyrë që të arrij t’i mbuloj të gjitha. Jo rralle herë bëja vetëm nga 3 orë gjumë.

Sa është e vështirë që një kreatore nga Kosova të depërtojë në arenën ndërkombëtare?

Nuk mendoj qe kam hasur në ndonjë vështirësi të veçantë që do të lidhej me  faktin që jam nga Kosova. Kjo industri është e vështirë për të gjithë dizajneret, ngado qofshin ato sepse nuk mjafton vetëm talenti për të arritur suksese. Janë shumë faktorë që e bëjnë këtë fushë mjaft sfiduese.

  • Sfidat e saj

Cilat janë sfidat me të cilat ballafaqoheni ju, dhe artistët kosovarë?

Një sfidë që mund ta veçoj që e kam hasur si artiste e huaj në një vend të huaj është ndoshta fillimi i një jete të re në një vend me kulturë e gjuhë krejt ndryshe, me një sistem shkollor shumë ndryshe prej vendit nga vij unë. Por, unë besoj që këto janë vështirësitë që i has çdokush që fillon një jetë të re në një vend të huaj, e jo domosdoshmërisht vështirësi si artiste që vij nga Kosova.

Çka e bën të suksesshme një kreatore?

Për të qenë kreatore e suksesshme, nuk mjafton vetëm ngritja profesionale. Ka disa komponentë që janë të domosdoshëm për një kreatore. Pasioni, është faktori numër një. Pastaj puna dhe përkushtimi i pafund, dëshira për të mësuar dhe për t’u përmirësuar çdo ditë. Kreativiteti, shpirti i lirshëm artistik, si dhe aftësitë e mira komunikatave dhe të biznesit, të gjitha këto janë faktorë që veprojnë së bashku për të siguruar suksesin e një kreatoreje.

  • E pasionuar pas profesionit të kreatores së modës

Sa e bën me pasion këtë punë?

Për të qenë i suksesshëm në çdo punë nevojitet pasion. Pasioni te jep zell, motivim, dhe shtytje! Siç thoshte edhe Martin Luther King: Nëse njeriu është edhe pastrues i rrugëve, ai duhet të fshijë rrugët, sikurse Mikelangjelo pikturonte, e Betoveni kompozonte, ose sikurse Shekspiri shkruante poezinë. Edhe unë shkrij shpirtin në punët e mia. Dhe kushdo që blen një veshje nga brendi im, ka blerë edhe një cope shpirti dhe shumë dashuri prej meje si artiste!

 

Cilat kanë qenë sukseset tua deri më tani dhe cilat janë synimet për të ardhmen?

Për mua sukses është mundësia për të ushtruar profesionin tim lirshëm dhe për të krijuar pa kufizime ato që i dua. Formimi i linjës sime në Nju Jork dhe hapja e studios sime në Prishtine, pastaj krijimi i një klientele të besueshme me shije të rafinuar dhe që i beson punës sime janë disa nga ato që unë i quaj sukses. Unë besoj në suksesin me bazament dhe themel të fortë, e jo në atë të ndërtuar brenda natës, prandaj me hapa të ngadalshëm, por të sigurt po e ndërtoj karrierën time. Kam shumë plane dhe projekte për të ardhmen në të cilat punoj çdo ditë me shumë dashuri

Mesazhi i Besës për diasporën

Mesazhi im për diasporën shqiptare nëpër botë është që mos të lejojnë që frika nga asimilimi, të ju pengojë në integrimin në shoqërinë dhe vendin ku ata jetojnë. Të jesh pjesë e një shoqërie tjetër nuk domethënë që të harrosh gjuhën dhe prejardhjen, por vetëm çka e pasuron njeriun. Gjithashtu ju uroj shumë shëndet e suksese kudo që janë, dhe shumë kurajë  për të ndjekur ëndrrat e tyre, sepse nuk është e lehtë të startosh një jetë prej fillimit në një vend me kulturë, gjuhë e zakone krejt tjera!

 

Stilistja e suksesshme kosovare në Nju Jork

 

Besa Neziri Rugova është një stiliste nga Kosova, puna e saj karakterizohet me elemente tradicionale, e kombinuar me modernen. Ajo pas përfundimit të studimeve të saj në “Parsons School of Design” në Nju Jork ka filluar të punojë në marka të ndryshme të modës, derisa në vitin 2013 filloi linjën e saj, shkruan albinfo.ch.

Në një intervistë për ‘kosovodiaspora.org’, ajo tregon për karrierën e saj, vështirësitë dhe planet për të ardhmen. “Kam diplomuar në Akademinë e Arteve në Kosovë e më pas kam diplomuar në Nju Jork. Pas diplomimit kam filluar të punojë në industrinë e modës në marka të ndryshme, ku ka fituar më shumë njohuri mbi veshjet dhe anën e biznesit të industrisë. Kjo me të vërtetë më ka ndihmuar që të fillojë me linjën time, diçka që unë e kam kërkuar dhe ëndërruar. Në vitin 2013, kam nisur linjën time në Nju Jork, duke filluar me një koleksion të vogël, e më pas jam zgjedhuar dhe zhvilluar.

Më parë këtë vit, kam hapur një studio në Prishtinë, jo vetëm më prodhime të mia. Unë gjithashtu kam klientë privat, për të cilët punojë punë me porosi. Në të njëjtën kohë, jam duke vazhduar punën time në Nju Jork.

Ajo më pas ka folur për planet dhe projektet e saj. “Unë sapo kam përfunduar një ‘photoshoot’ për koleksionim tim pranverë-verë 2017 në Nju Jork, derisa shumë shpejt pritet të hapet edhe një dyqan.

Gjithashtu kam filluar punën për koleksionim vjeshtë-dimër 2017. Gjithashtu një projekt tjetër do të jetë së shpejti, që nuk është e lidhur shumë ngushtë me atë të modës, por do të vjen shumë shpejt. Tani nuk do të zbuloj më shumë”, theksoi ajo.

Në fund ajo ka folur edhe si shqiptarët e diasporës mund të ndihmojnë imazhin për të mirë të Kosovës. “Unë mendoj se ne jemi në rrugën e duhur, sidomos për brezin e ri, që po përfaqësohet me shumë sukses, si Dua Lipa ose Rita Ora. Është e rëndësishme që të drejtojë në mënyrë shembullore, duke përcjellë vlerat e duhura dhe talentin autentik, si çelësi i suksesit”, është shprehur ndër të tjera stilistja nga Kosova.

Mërgimja, vajza prapa sfilatave të modës

 

Babai i saj kishte migruar prej vitesh në Zvicër. Ai kishte një parandjenjë që shumë shpejt këtë rrugë do ta ndjekë edhe vajza e tij e sapolindur. Për këtë, ai vajzën e tij e pagëzoi me emrin Mërgime. Që në moshën njëvjeçare Mërgime Millaku iu bashkëngjit të atit në Zvicër, nga ku vazhdon të jetojë me familjen e saj. Mërgimja jo vetëm që u integrua suksesshëm në shoqërinë zvicerane, por ajo është bërë mjaft e njohur me kreacionet e saj si dizajnere e modës në këtë shtet. Vajza me origjinë nga Klina, në intervistë për albinfo.ch na tregon për sukseset e saj si dizajnere, por edhe përcjelljen e modës në Zvicër.

albinfo.ch: Për ata që kanë më pak njohuri rreth aktiviteteve tuaja, cilat janë sukseset tuaja të deritashme si dizajnere?

Mërgime Millaku: Përgjatë shkollimit si dhe pas përfundimit, kam pasur herë pas here prezantime të ndryshme të koleksionit tim duke angazhuar edhe modele të ndryshme, ndër to  edhe motrën time, të cilës ia kisha qepur një fustan nusërie më të cilin fustan ajo e kurorëzoi martesën e saj.
Thuajse të gjitha sfilatat i kam pasur në Cyrih dhe Bazel. Së fundmi, tani para një muaj kisha rastin të përzgjidhem ndër shumë dizajnere nga shkolla e dizajnit në Cyrih ku edhe e kam përfunduar shkollën. Më është bërë e mundur që t`i prezantoj punimet e mia në këtë “Showroom” duke e pasur privilegjin që të gjitha punimet t`i shes tek klientët të cilëve iu pëlqejnë qepjet dhe modelet e mia.
Po ashtu vlen të përmendet që për muajin gusht të vitit 2015 në revistën e njohur ndërkombëtare për dizajn, kulturë, muzike dhe art “Superior-Magazine“ jam prezantuar si asistente me një koleksion të disa punimeve.

Pse e zgjodhët këtë profesion?

E kujtoj veten që kur isha pesë vjeçare dhe i kërkoja nënës sime gjilpëra kur i preja rrobat e mia dhe i qepja kukullave fustane sipas shijes sime.
Pastaj edhe në shkollë, në lëndën punëdore, kam qenë nxënësja më e zellshme dhe më e suksesshmja ngase veç kisha njohuri të qepjes. Përkrahjen e parë e kam pasur natyrisht nga nëna ime, e sidomos nga mësuesja ime e cila e patë organizuar për mua në atë kohë një „modeshow“ me kreacionet e mia ku patën marrë pjesë edhe nxënës tjerë. Që atëherë e kam kuptuar se ky do të jetë profesioni im i të ardhmes. Më pëlqen kur nga një material të papërpunuar të krijoj në mënyrën time, artin tim dhe ta gëzoj një person, i cili e vesh punimin tim. Mendoj që këtë profesion e kam paksa të trashëguar  edhe nga gjyshja ime (nga ana e nënës).

Me çfarë po merreni aktualisht?

Pas përfundimit të shkollës profesionale të dizajnit në Cyrih, nga ku mora edhe shumë përvoja të ndryshme dhe vizitova vende dhe shkolla të shumta nëpër botë, për t`u relaksuar pak dhe për të fituar edhe përvoja në fusha të tjera, vendosa të punojë me disa firma të njohura që merren me kualitete të larta të materialeve, stofrave etj. Aktualisht krahas disa aktiviteteve (si këshilltare e modës, valltare) punoj si stiliste dhe këshilltare e modës në filialin e firmës së njohur franceze të rrobave “The Kooples“ në Bazel.

Si është të merresh me dizajn në Zvicër?

Duke e njohur mentalitetin minimal dhe të thjeshtësisë zvicerane, është pak e vështirë të krijosh atë modë çfarë ata dëshirojnë. Këtu njerëzit vishen në mënyrë më praktike, duke i dhënë rëndësi më shumë aktiviteteve tjera sesa botës së modës.

Çfarë dizajnesh bëni? A bëni edhe për meshkuj?

Krijimet e mia janë të veçanta dhe ekstravagante. Praktikoj stilin feminist dhe për momentin krijoj vetëm për botën femërore. Stili im i veçantë është punimi „Haute Couture”.  Në të ardhmen mendoj që të bëj kreacione edhe për meshkuj. Mendoj se për meshkuj ka nevojë për brende të reja.

Ku mund të gjenden kreacionet tuaja?

Në atelienë time ne Bazel. Shumë shpejt do ta hap edhe një butik dhe do ta kombinoj me një Atelier të dytë, në të cilën klientët do të kenë mundësi të bëjnë  ndryshime në veshjet e mëparshme ose të dizajnoj veshje të veçanta për atë person.

Çfarë mendimi keni, si vishen shqiptarët në Zvicër?

Mendoj se gjeneratat e reja, ose më mirë të them, diversiteti kulturor e multikulturor ka bërë që Zvicra të ngjyroset më mirë. Bashkëkombësit tanë, mendoj që kanë shije të veçantë në të veshur, kjo gjë shihet në blerjet e shumta nëpër dyqane si dhe kombinimet në të veshur i kanë më stil.

Përveç modelimit dhe dizajnit, merreni edhe me vallëzim?

Modelimi është pasion imi ashtu siç është edhe vallëzimi. Jam trajnere e vallëzimit të belly dance ku ushtroj herë pas here grupe të ndryshme duke performuar po ashtu. Të kuptohemi, përkushtimin më të madh e kam për profesionin tim, për të cilin dua që energjinë time ta shfrytëzoj deri në maksimum.

A keni ndonjë dizajner nga ku inspiroheni?

Elie Saab është idoli im më i madh. Më pëlqen edhe Karl Lagerfeld, i cilli është dizajner i shumë brendeve të njohura, prej tyre ma e famshmja “Channel”. Më bën përshtypje ngase me punimet e veta tregon se sa kreativ është duke krijuar shumë stile dhe labela të ndryshëm.

Në Kosovë a mendoni t’i prezantoni ndonjëherë kreacionet tuaja?

Po, është dëshirë e madhe imja, krijimet e mia një ditë t`i prezantoj edhe në Kosovë, në vendin ku mendoj që ka shumë talent në këtë fushë dhe ka mjaft ide për krijime të ndryshme.

Cilat do të jenë planet tuaja për këtë vit?

Kam shumë plane dhe kërkesa për bashkëpunime me agjenci të ndryshme që kanë treguar interesim për krijimet e mia. Shpresoj që të më realizohen dhe të kem shumë sukses.

Zviceranët preferojnë veshjet praktike
Duke e njohur mentalitetin minimal dhe të thjeshtësisë zvicerane, është pak e vështirë të krijosh atë modë çfarë ata dëshirojnë. Këtu njerëzit vishen në mënyrë më praktike, duke i dhënë rëndësi më shumë aktiviteteve tjera sesa botës së modës.

Në të ardhmen, edhe kreacione për meshkuj
Krijimet e mia janë të veçanta dhe ekstravagante. Praktikoj stilin feminist dhe për momentin krijoj vetëm për botën femërore. Stili im i veçantë është moda „Haute Couture”. Në të ardhmen mendoj që të bëj kreacione edhe për meshkuj. Mendoj se për meshkuj ka nevojë për brende të reja.

Aida Husaj, bukuroshja e skenave holandeze të modës

Quhet Aida Husaj, është 18 vjeçare nga Peja dhe jeton në Holandë. Aida është  finaliste e “Miss Teen Noord Brabant 2016” në Holandë.

Në këtë spektakël i cili organizohet në këtë qytet verior të Holandës, marrin pjesë mbi 120 vajza, ndërsa 10 prej tyre kanë të drejtën e vazhdimit të konkurrimit për në finale.

“Jam shumë me fat që në atë konkurrencë aq të madhe arrita të jem njëra nga 10 vajzat finaliste”, thotë Aida për “albinfo.ch”.

Finalja e këtij spektakli mbahet më 28 maj të këtij viti.

“Jam duke u përgatitur shumë që të prezantohem sa më mirë në skenë dhe para të pranishmëve në sallë”.

Por, për Aidën kjo nuk është hera e parë që prek skenat e modës dhe konkurseve të bukurisë. Me modelim ajo merret që prej moshës  15 vjeçare. Prandaj, me përvojën që ka, bukuroshja pejane nuk i frikësohet konkurrencës dhe as paraqitjeve para publikut. “Jam mësuar tashmë me këto spektakle. Nuk kam frikë aspak. Mendoj vetëm se si të shfaqem sa më mirë.

Natyrisht se kjo është një garë dhe synimi i secilës prej nesh është kurora”, tregon Husaj.

Aida është në kontratë me agjencionin e modës “Dyon Caractere” me të cilin ajo reklamon veshje të firmave të njohura në botë si: “Vero Mode”, “Only”, “H&M” dhe “JOW Fashion”. “Sa herë që dal në skenë ndihem shumë mirë. Është diçka e mrekullueshme”, shprehet ajo për albinfo.ch.

Përveç modelimit, Aida është nxënëse e shkollës së mesme për menaxhim dhe ekonomi. Shumicën e kohës së lirë e kalon me familje, ndërkohë gjatë vikendeve i pëlqen të dalë me shoqëri dhe të shkojë në kinema.

Në të ardhmen, mendon që të jetë e pranishme edhe në aktivitetet e modës në Kosovë, por synimi i saj është të vazhdojë karrierën për t’u bërë modele e njohur evropiane.

 

Në kontratë me agjenci të mëdha të modës

Aida është në kontratë me agjencionin e modës “Dyon Caractere” me të cilin ajo reklamon veshje të firmave të njohura në botë si: “Vero Mode”, “Only”, “H&M” dhe “JOW Fashion”. “Sa herë që dal në skenë ndihem shumë mirë. Është diçka e mrekullueshme”, shprehet ajo.

Linda Nikolla, parukierja që po përfaqëson me sukses Zvicrën

Është vetëm 25-vjeçare por ka arritur shumë në profesionin e saj, madje tash e një kohë përfaqëson shtetin zviceran në kampionatin botëror të parukerisë. Këtë do ta bëjë edhe këtë vit në kampionatin “Color Zoom” që mbahet në Berlin të Gjermanisë ku edhe shpreson të shpërblehet me një nga vendet e para.

Kjo është parukierja dhe stilistja, Linda Nikolla, shqiptare nga Kosova, e cila tash e një kohë jeton në Zvicër dhe është bërë mjaft e njohur në botën e profesionit të saj.
“Janë bërë disa vite që merrem me këtë profesion si parukiere dhe stiliste dhe grimere . Kisha fat që hobin tim ta bëj profesion, kështu që me punë shumë të madhe arrita të jem e pranishme në gara nacionale dhe ndërkombëtare në botën e modës.

Suksesi im i parë ishte ai në SwissCup”, thotë Linda duke shpalosur për albinfo.ch rrugën e saj të deritashme dhe planet për të ardhmen.
Ajo ka treguar se po punon shumë edhe këtë vit që të jetë pjesë e “Color Zoom”, garë kjo ku marrin pjesë shumë shtete dhe dëshira e saj është që këtë vit atje ta përfaqësojë shtetin shqiptar.
“Si shqiptare të përfaqësosh një vend tjetër nuk është shumë e lehtë, por fatmirësisht kisha fatin që shumë herë ta përfaqësoja Zvicrën në kampionatin botëror ku edhe u shpërbleva me shumë çmime. Shpesh herë edhe mërzitem nga se po të kisha mbështetje nga vendlindja ime, natyrisht do të isha duke garuar për shqiptarët aty. Këtë vit dua edhe një here ta provoj veten, të marr pjesë në kampionatin botëror “Color Zoom”, dhe shpresoj që të rikthehem nga aty në Zvicër me vendin e parë por natyrisht si shqiptare. Jam duke u përgatitur shumë për të marrë pjesë në këtë event që këtë vit mbahet në Berlin”, ka shtuar ajo.

(Linku i eventit të vitit 2013 i cili u mbajt në Los Angelos: http://youtu.be/707FxuJxogo)

Më tutje Linda tregon se gjatë muajit maj ka realizuar një videoklip me të cilin afirmon idenë se të gjithë kanë të drejtë për të ndikuar për një jetë më të mirë.
“Në protestën e një majit që mbahet në Cyrih me mbështetjen e shumë iniciatorëve dhe aktores, Sira Topic, kemi realizuar një klip. Qëllimi i klipit është që të gjithë, pa dallim gjinie, mund të ndikojmë në shtet e në politikë e po ashtu tek njerëzit dhe kudo. Kjo tregon se pavarësisht përkatësisë tënde etnike, nëse e do vendin ku jeton, edhe ti ke të drejtë të ndryshosh diçka. Videoja do të lansohet shumë shpejt si në mediet zvicerane ashtu edhe në kanalin youtube”, ka theksuar ajo duke treguar se tashmë shumë shqiptarë po bëhen pjesë në vendimmarrje në këtë shtet.

Nikolla ka thënë se ndihet mirë që jo vetëm ajo por edhe shumë shqiptarë të rinj të tjerë në Zvicër, me talentin e tyre po ndryshojnë mendimin për shqiptarët.
“Besoj se së shpejti shumë talente që jetojnë në shtetin helvetik do t’ua ndryshojmë medieve dhe popullit zviceran mendimin që kanë për shqiptarët që jetojnë këtu. Dhe kjo është diçka e mirë që po ndodh”.

Linda kohëve të fundit bëhet lajm në mediet tona për çdo postim apo foto që poston në rrjetin e saj social. Shumë herë ajo edhe keqinterpretohet nga mediet dhe kjo gjë po e mërzit shumë parukieren dhe stilisten e njohur në Zvicër.

Linda ka mohuar se ajo është e lidhur me aktoren franceze Sira Topic për çfarë kohëve të fundit ishte shkruar shumë. Ajo thotë se aktoren franceze e ka mikeshë shumë të mirë.
“Sa i përket lidhjes sime me Sira Topic, s`kam shumë për të thënë, përveç se është e vërtetë që e kamë mikeshën më të ngushtë, thjesht e kam si motër”, ka thënë Linda duke na treguar se ajo është e dashuruar por ende nuk ka vendosur ta bëjë publike lidhjen e saj.

“E dashuruar jam gjithë kohën sepse nuk mund të ndalem pa e dashuruar familjen time, ata janë të vetmit që e ndajnë çdo moment të jetës së tyre me mua. E sa i përket lidhjes …jam në lidhje …”, ka thënë ajo.

Linda Nikolla është njëra ndër shqiptaret më të suksesshme në lëmin e saj në Zvicër ndërsa premton se shumë shpejt ajo do të vijë me projekte të reja për të cilat thotë se do të ndjehen mirë si shqiptarët edhe zviceranët.

Po ndodh diçka e mirë
“Besoj se së shpejti shumë talente që jetojnë në shtetin helvetik do t’ua ndryshojmë medieve dhe popullit zviceran mendimin që kanë për shqiptarët që jetojnë këtu. Dhe kjo është diçka e mirë që po ndodh”.

Linda Nikolla përfaqëson Zvicrën në “Goldwell – Color Zoom”

Parukierja dhe stilistja e njohur shqiptare që jeton në Zvicër, Linda Nikolla, me sukseset e saj nuk po i gëzon vetëm shqiptarët, por edhe zviceranët. Fituesja e shumë çmimeve ndërkombëtare për parukeri më 10 tetor do ta përfaqësojë Zvicrën në njërin nga spektaklet më të mëdha të parukerisë në botë “Goldwell 2014 – Color Zomm”, i cili do të mbahet në Berlin.

“Color Zoom” është një ndër festivalet më të mëdha në botë, i cili mbahet çdo vit nëpër vende të ndryshme të botës, ku prezantohen trendet, ngjyrat dhe produktet e reja për vitin e ardhshëm. Meqë pata fituar çmimin e parë në “Gold…”, kam nderin që edhe këtë vit t’i prezantoj idetë e mia dhe të jem pjesë e këtij spektakli”, ka thënë Linda për albinfo.ch.

Në këtë spektakël do të garojnë frizerë nga e gjithë bota, ndërkaq do të përcillet edhe nga media të shumta botërore, veçanërisht nga revistat e famshme “Vogel”, “Arabela” e të tjera.

Linda është e lumtur se si shqiptare e ka mundësinë të përfaqësojë shtetin zviceran dhe njëkohësisht të ndihmojë në ndryshimin e imazhit të shqiptarëve në Zvicër.

“Jam e lumtur për këtë mundësi. Uroj të jem një imazh i mirë për të gjithë shqiptarët që jetojnë këtu dhe kudo nëpër botë”, shprehet ajo, teksa thotë se nuk frikësohet nga sfidat e reja.

“Jam mësuar me sfida të ndryshme, por ende kam emocione dhe nuk më besohet se arrita ta fitoj vendin e parë “New Talent Category”. Për suksesin dhe punën time u krenua edhe shteti zviceran dhe menjëherë më ofruan kontratë që t’i përfaqësoj në këtë spektakël deri në vitin 2016”, përfundon biseden për albinfo.ch parukierja Linda Nikolla.

Goldwell – Color Zoom

A.GJ

Berberi shqiptar, në Kanë me Paris Hilton

Ludovik Tunaj është  një stilist shqiptaro-zviceran flokësh i njohur nga Rohr-i i kantonit Argau. Por më i njohur Ludoviku është bërë pasi në facebook dhe pastaj edhe në medie tjera, janë shpërndarë fotografitë e tij nga Festivali i Filmit në Kanë. Në to ai shihet në takime mjaft të afërta me yje filmi dhe vip-a të tjerë.

Fotografitë e tij me trashëgimtaren e milionëve, Paris Hlton kanë bërë bujë më të madhe në medie. Aty duket Tunaj bashkë me milioneren e njohur, duke mbajtur një kek me pamjen e flamurit shqiptar .

Ndërkaq, në facebook-un e tij, berberi shqiptar nga Zvicra ka sjellë rrëfime për atë se si ka vallëzuar me Paris Hilton dhe se si për këtë ka xhelozuar i dashuri i saj, River Viiperi 21 vjeçar. Por, Ludoviku i ka thënë Viiperit se nuk duhej të brengosej pasi që ai në të vërtetë me Paris Hilton kishte vetëm shoqëri dhe asgjë më shumë, etj. etj.

Shqiptari i pashëm dhe shumë komunikativ, Ludovik Tunaj, në Festivalin e Kanës ishte me misionin për të reklamuar firmën e njohur të stolive Chopard.

Gjatë këtyre ditëve ai ka bërë rreth 200 fotografi në qilimin e kuq të festivalit, me persoalitete të njohura, të filmit shoubiznesit etj.