Medina Jusufi Berisha, punon në profesionin që kishte ëndërruar si fëmijë

Medina Jusufi Berisha është stjuardesa më e re në kompaninë ajrore zvicerane CHAIR. Ajo është lindur dhe ka jetuar në Bewerwijk të Holandës deri në vitin 2016, kur u zhvendos në Cyrih të Zvicrës. Tani ajo po ndjek ëndrrën e saj prej stjuardese

Ndonëse kishte përfunduar shkollën e Infermierisë në Cyrih dhe kishte katër vjet që punonte në këtë drejtim, Medina nuk hoqi dorë nga dëshira e saj e kahershme, të bëhej stjuardesë. Ajo përfundoi shkollën në kompaninë ajrore CHAIR dhe praktikën në Lufthansa. Që nga fillimi i vitit 2024 26-vjeçarja ushtron këtë profesion, të cilin e ëndërronte që fëmijë.

Nga infermiere, në stjuardesë, ëndrra e Medinës bëhet realitet

Medina i donte udhëtimet qëkur ishte e vogël. Ajo për albinfo.ch ka treguar se kjo ishte një ëndërr e saj e kamotshme.

“Dëshira ime për t´u bërë stjuardesë lindi që kur isha e vogël dhe udhëtoja me familje. Më linte shumë përshtypje kur shihja stjuardesat. Mendoj që të kesh këtë profesion është ndjenja më e bukur, sepse mund të shëtitësh rreth botës, deri sa shijon qiellin, gjë të cilën nuk e bën gjithkush”, ka thënë ajo.

Deri sa flet rreth kompanisë dhe profesionit ku punon, Medina  thekson se në CHAIR ajo është stjuardesa më re nga mosha.

“Kushtet në kompaninë CHAIR janë jashtëzakonisht të mira. Mbi të gjitha, kemi marrëdhënie shumë të mira me kolegët dhe tashmë jemi bërë si një familje, sepse udhëtojmë bashkë shumë. Në këtë profesion unë aty jam më e reja“, thotë ajo.

Atdheu, destinacioni më i shpeshtë i Medinës

Një ditë e punës për Medinën fillon zakonisht në orët e hershme të mëngjesit. Ajo përgatitet për udhëtimin e radhës.

“Dita ime nis kryesisht herët në mëngjes. Varet edhe nga destinacioni ku do të shkojmë, sepse disa zgjasin shumë, e disa janë më të shkurtra. Bëhem gati, vesh uniformën dhe zakonisht kam një valixhe me vete. Patjetër që duhen ID-të e punës, pastaj një uniformë rezervë dhe gjëra estetike si parfum e make-up”, thotë ajo.

Kur flet për destinacionet më të shpeshta, Medina thotë se më së shpeshti udhëtojnë drejt Prishtinës ose Shkupit.

“Në shumicën e rasteve udhëtimet jona janë drejt atdheut, Prishtinës, pastaj Shkupit. Disa nga destinacionet tjera janë: Mallorca, Rhodos, por më i largti që kemi udhëtuar deri më tani është në Hurghada, në Egjipt”, shton ajo.

Udhëtarëve shqiptarë, Medina u flet në shqip

Një nga gjërat që e gëzon Medinën më së shumti si stjuardesë, është kur sheh fytyrat e pasagjerëve shqiptarë të buzëqeshura kur ajo u flet në shqip.

“Më ka ndodhur gjatë fluturimit që dy pasagjere tentojnë të flasin për diçka, por nuk merreshin vesh. Me njërën që ishte shqiptare, i fola shqip dhe ajo u befasua këndshëm kur e kuptoi se jam shqiptare. Kështu më ndodh shpesh kur udhëtojmë drejt atdheut. U flas pasagjerëve në gjuhën shqipe dhe ata menjëherë më buzëqeshin. Ndjehen shumë mirë që mund të komunikojnë me mua në gjuhën tonë”, thotë Medina.

Ajo shprehet se deri më tani pasagjerët shqiptarë nuk e kanë këtë mundësi në kompanitë e tjera, andaj ndjehen shumë mirë nga mikpritja e saj. Ky fakt e gëzon Medinën tej mase.

Për të ardhmen e saj, Medina ka thënë se duke qenë se po ushtron profesionin e ëndërruar, do të vazhdojë ta shijojë secilin sekondë që udhëton në ajër.

Foto: FIONA MURTAJ

 

Puna në qiell të jep ndjenjën e paqes

Domenika Munishi është një vajzë e re shqiptare, e lindur në Wil të Kantonit St. Gallen. Ka mbaruar gjimnazin në vitin 2023 me temën e diplomës mbi patriarkalizmin ndër shqiptarët, me notën më të lartë në Zvicër, 6. Jeton me prindërit, dy motra dhe një vëlla, në Zvicër.

Këtë vit ajo do të kandidojë për Parlamentin e qytetit të Wil-it, ndërsa në vitin e ardhshëm do të fillojë studimet në Universitetin e St. Gallenit, ndër më të mirët në botë, për Ekonomi. Por, arsyeja e prezantimit të saj për lexuesit e albinfo.ch kësaj radhe është profesioni që ushtron, ai i stjuardesës.

Albinfo.ch: Kur ju lindi dëshira për t’u bërë stjuardesë?

D. Munishi: Ka qenë gjithmonë ëndrra ime e fëmijërisë.

Albinfo.ch: Sa kohë keni që punoni në këtë profesion?

Munishi: Një vit.

Albinfo.ch: Cilat ishin kushtet që duhej plotësuar për të punuar si stjuardesë?

D. Munishi: Aftësitë gjuhësore, aftësitë e notit, kualifikimet shkollore, pamja dhe sjellja, aftësitë njerëzore. Në ditën e vlerësimit më duhej të luaja një lojë me role në të cilën më duhej të zotëroja situata të ndryshme, kështu që fleksibiliteti është gjithashtu shumë i rëndësishëm.

Albinfo.ch: Sa femra shqiptare njihni në këtë profesion?

D. Munishi: Unë kam pasur nderin të punoj me dy femra shqiptare, por të jem e sinqertë, ne jemi një pakicë e vogël në mesin e diku rreth 5000 stjuardesave që punojnë për SWISS.

Albinfo.ch: Si është të jesh stjuardesë dhe të jetosh në qiell?

D. Munishi: Për mua personalisht, nuk ka asgjë më të mirë se të mund të punoj në qiell. Kur kam kohë dhe shikoj nga dritarja, nuk shoh kufij, fe, ngjyra lëkure, varfëri, luftë dhe kjo më jep një ndjenjë paqeje.

Albinfo.ch: Mund të na tregoni si duket një ditë e zakonshme e punës?

D. Munishi: Mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje është me një shembull: Kur fluturoj për në Shangai, tashmë e kam paketuar valixhen time një ditë më parë. Nisemi në orën 13:00. Ekuipazhi mblidhet për një konferencë në orën 11:30. Kështu që unë nisem me tren në orën 10:00 në mënyrë që të arrij atje në kohë. Gjatë udhëtimit me tren bëj përgatitjet e mia të fluturimit. Shikoj pasagjerët dhe shoh nëse kemi ndonjë pasagjer me nevoja të tjera, si për shembull, një person me aftësi të kufizuara. Kur mbërrij, bëhet informimi, vijnë edhe pilotët dhe na tregojnë për kohëzgjatjen e fluturimit, turbulencat dhe kushtet e motit. Më pas marrim rrugën për në aeroplan. Në aeroplan bëjmë kontrollet tona të sigurisë dhe shikojmë kateringun (shpërndarja e ushqimit). Pastaj vjen hipja. Pasi të gjithë janë ulur përfundimisht, ne kontrollojmë kabinën dhe fluturimi fillon.

Shërbime të ndryshme vijnë me radhë, gjatë fluturimit. Në fluturimet e gjata si, për shembull, në Shangai, ne gjithashtu kemi pushime të ekuipazhit, kështu që ne flemë me turne. Sigurisht që koha e gjumit nuk është e gjatë. Pas pushimit, kthehemi në shërbim. Pak para uljes, ka një tjetër kontroll të kabinës (aeroplanit) dhe ne zbarkojmë. Të lodhur dhe të rraskapitur, ne shkojmë me makinë drejt hotelit të ekuipazhit dhe më pas kemi qëndrimin tonë atje.

Albinfo.ch: Zakonisht udhëtimet tuaja janë me bashkudhëtarët tanë. Si është reagimi i tyre kur kuptojnë që jeni nga Kosova dhe flisni shqip?

D. Munishi: Në fluturimet për në New York, si dhe në Prishtinë e Tiranë, njerëzit që i përshëndes më së shumti janë njerëzit tanë, pra, shqiptarët. Sa herë që takoj ata, më gëzohet zemra. Njerëzit ndihen të sigurt dhe më trajtojnë sikur të isha vajza, motra apo mbesa e tyre. Ndihesh si në shtëpi.

Albinfo.ch: Si sillen ata gjatë udhëtimit ?

D. Munishi: Ata janë shumë mirënjohës, të thjeshtë, miqësorë dhe mirëkuptues.

Albinfo.ch: A keni ndonjë rast interesant që ju ka ndodhur gjatë fluturimit?

D. Munishi: Ngjarjet kryesore interesante për mua janë kur marr familjen time me vete dhe ata më shoqërojnë në punën time të përditshme.

Albinfo.ch: Cilat janë kërkesat më të shpeshta që ua bëjnë pasagjerët?

D. Munishi: Pyetjet më të zakonshme janë: Sa zgjat fluturimi? Po fluturimi im në vazhdim…? Pra, shumë thjesht duhet të kalojnë kohën dhe duan të bisedojnë.

Albinfo.ch: Po fluturimi më i frikshëm, cili ka qenë?

D. Munishi: Lajmet nga 31 marsi kur avioni SWISS duhej të bënte një ulje emergjente për shkak se një pasagjer sulmoi ekuipazhin. Unë isha pjesë e ekuipazhit në këtë fluturim dhe kështu e përjetova një ditë të tmerrshme.

Albinfo.ch: Mendoni se kjo është puna që ju do ta bëni gjithmonë?

D. Munishi: Edhe pse do të jetë gjithmonë puna më e mirë në sytë e mi, nuk mund ta bëj, sepse dua të studioj së shpejti dhe do të doja të krijoj familje. Në këtë kombinim, ky profesion nuk funksionon për mua.