Autotech

Zuckerbergu dërgon deklaratën për dëshmi në Kongres

Kreu i kompanisë Facebook, Mark Zuckerberg, pohon se kompania e tij ishte tepër e ngadalshme në dallimin apo kundërpërgjigjen ndaj përfshirjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane.

Ai po ashtu ka kërkuar falje për skandalin me vjedhjen e të dhënave personale nga një kompani britanike e përdoruesve të këtij rrjeti, përcjell albinfo.ch.

“Unë e kam themeluar Facebookun, e drejtoj atë dhe unë jam përgjegjës për atë çfarë ndodh aty”, pohon Zuckerberg në deklaratën hyrëse, e cila do t’u dorëzohet komisioneve të Kongresit amerikan. Ai pohon se kompania e tij është idealiste dhe optimiste. Megjithatë, ka thënë se rrjeti social nuk ka marrë qëndrim të duhur ndaj përgjegjësisë që ka.

Të mërkurën Zuckerberg do të duhej të dëshmojë para komisioneve të Senatit amerikan dhe Dhomës së Përfaqësuesve. Ai është ftuar të dëshmojë edhe në Parlamentin Evropian, e refuzimin e tij euro-deputetët e vlerësuan si mosrespekt të papranueshëm.