Integrimi

Zvicra dhe Kosova bëjnë hulumtime mbi delikuencën e të rinjve

ISRD (International self-report delinquency): Projekt afatgjatë dhe bashkëpunim premtues mes Kosovës dhe Universitetit të Cyrihut

A e keni pyetur ndonjëherë veten se a ka ndonjë mënyrë, vegël apo njësi me ndihmën e së cilës përcaktohet kriminaliteti apo delikuenca e të rinjve.

Kur janë në pyetje të rinjtë dhe sjelljet e tyre të pahijshme, në shkencën e kriminalistikës, kriminologjisë si dhe në jurisprudencë më tepër bëhet fjalë për “delikuencën” e të miturve apo juvenile, duke u distancuar nga fjala «kriminalitet». Çfarë i dallon këto dy terme ? Fjalori juridik «kriminalitetin» e definon si akte të paligjshme, të kryera në një vend të caktuar, në një kohë të dhënë, ose shkelje e normave juridike të një sistemi shoqëror, ndërsa «delikuenca juvenile» definohet si sjellje legale apo ilegale e një fëmije apo të riu, të cilat denoncohen nga mosha 10 deri 18 vjeç nga e Drejta Penale për të mitur. Këto sjellje trajtohen si gjeste kaluese, por jo të parëndësishme për t’ua kushtuar vëmendjen dhe për t’i sanksionuar me norma speciale.

Një hulumtim shkencor i organizuar nga ekspertët kriminologë në nivel ndërkombëtar, siç është ISRD, ose anketa për delikuencën e vetëraportuar është projekt afatgjatë, i realizuar në shumë shtete botërore, siç janë Anglia, USA, Zvicra, Belgjika, Holanda, Portugalia, Italia, Skandinavia, Indonezia, Franca, etj. Ky studim është motivuar me idenë që të zbulohen «numrat e errët» të delikuencës të paregjistruar në polici,  me anën e një sondazhi të organizuar në nivel nacional me të rinjtë apo nxënësit e klasave 7, 8 dhe 9. Kjo anketë bëhet me një mostër nga më së pakti 2500 – 3000 nxënës dhe përmban një pyetësor anonim, i cili i ka 100 pyetje, në të cilat nxënësit përgjigjen në mënyrë sa më të sinqertë dhe spontane. Të dhënat e këtyre anketave krejtësisht anonime pastaj klasifikohen, kodohen dhe përdoren për analizë me anë të programeve specifike. Rezultatet e nxjerra më vonë  krahasohen me statistika të policisë, ku arrihet të bëhet një përfundim në lidhje më numrin real të veprave të raportuara apo të paraportuara në polici. Ky studim botohet dhe publikohet mandej pasi të ketë përfunduar.

Deri më tash janë realizuar ISRD-1 dhe ISRD-2. Nga viti 2013 është duke u realizuar ISRD-3 në 23 shtete botërore dhe zyrtarisht është i paraparë edhe realizimi i këtij projekti në Kosovë, me mbështetjen dhe ndihmën e Universitetit të Cyrihut dhe atij të St. Gallen-it. Kur bëhet fjalë për krahasimin e të dhënave të nxjerra nga ky hulumtim në Kosovë me të dhënat nga sondazhet e ISRD-3 në Zvicër, qëllimi është që të kuptohet se a është delikuenca e të rinjve me origjinë shqiptare në Zvicër e importuar nga Kosova, apo është rezultat gërshetimi i një multirritjeje të faktorëve të ndryshëm, siç janë vështirësitë e integrimit, jeta socio-ekonomike, mentaliteti patriarkal i gjeneratës së parë në Zvicër, konfliktet kulturore, etj.

Realizimi i projektit ISRD-3 në Kosovë ka filluar më 23 tetor të këtij viti, i organizuar nga z. Mensud Ademi, koordinator nga Kosova dhe bashkëpunëtorëve të tij, z. Enis Verbovci dhe Valon Dobratiqi, sipas koordinatave të Dr. Prof. Martin Killias nga UNI Cyrih, asistentes së tij, Dr. Anastasija Lukash, si dhe koordinatores dhe vëzhgueses së deleguar nga Zvicra, z. Silvije Buçaj Shehi.

Autoritetet kosovare këtë projekt e kanë kuptuar dhe mirëpritur si shumë të rëndësishëm për shoqërinë kosovare, për sistemin dhe masat preventive, të cilat do të ndikohen dhe do të përmirësohen me ndihmën e këtij studimi, kështu që  Ministria e Punëve të Brendshme ka dhënë dritë të gjelbër për realizimin e kësaj ankete. ISRD-3 do të realizohet në 25 shkolla të Prishtinës dhe Prizrenit.

Ja se çfarë shpjegon bashkëpunëtori dhe organizuesi kryesor nga Kosova, z. Mensut Ademi, për këtë studim:

z. Ademi, a mund të na tregoni në pika të shkurta kush jeni ju dhe çfarë punoni ?

Përshëndetje, të nderuar, unë quhem Mensut Ademi,  jam kriminolog-kriminalist dhe jurist i diplomuar, kam Master të mbaruar në Fakultetin e Kriminalistikës dhe Kriminologjisë – Studime të Sigurisë në Universitetin e Sarajevës.

Jam themelues dhe drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Kriminologëve dhe Kriminalistëve të Kosovës NGO/OJQ, punoj në BPrAL Universitare AAB si Asistent Ligjërues dhe koordinator i zyrës së cilësisë dhe qendrës hulumtuese në BPrAL Universitare AAB, Fakulteti Juridik.

Ju keni filluar një bashkëpunim me Universitetin e Cyrihut dhe Prof. Dr. Martin Killias në lidhje me një hulumtim shkencor ISRD-3, i cili e përcakton kriminalitetin e të rinjve. A mund të na tregoni pak më tepër për këtë temë?

Ne  së bashku me profesorë nga Sarajeva në vitin 2009/2010 kemi implementuar ISRD2 në disa shkolla të Kosovës dhe, me këtë rast, ne si pjesë e ASKK (Asociacionit të kriminologëve dhe kriminalistëve të Kosovës) kemi filluar një bashkëpunim me profesorë nga Sarajeva, Zagrebi, Lubjana dhe Cyrihu, dhe me këtë rast kemi kontaktuar me prof.dr.M.killias, të cilin e falënderojmë për ndihmën dhe mundësinë që na ka ofruar që edhe ne në Kosovë, si shumë vende të botës, si: USA, Zvicra, Gjermania, Spanja, etj., të marrim pjesë në këtë hulumtim ISRD-3.

Tema ka një rëndësi nacionale, sepse ne arrijmë që nëpërmes metodave shkencore dhe instrumenteve të njohura ndërkombëtarisht  të kemi në dispozicion të dhënat e sakta për numrin e „të errtëve“  dhe „të përhirëvë“, të delikuencës së të miturve në Kosovë. Vitet e fundit ne kemi hasur në probleme me të rinjtë, si rrahje masive, vrasje, shantazhe, kërcënime, vjedhje, keqpërdorim të pajisjeve elektronike, keqpërdorim të softeverëve kompjuterikë etj.. dhe me këtë rast ne kemi të dhëna me të cilat jemi në gjendje të përpilojmë strategji preventive për të ardhmen dhe t‘u ofrojmë rekomandime profesionale institucioneve përkatëse.

Sipas përvojës tuaj të deritashme, punës suaj dhe eksperiencës së përgjithshme, cilët janë faktorët kryesorë që i nxisin të rinjtë në Kosovë të bëjnë vepra delikuente ?

Sipas përvojës  të deritashme si dhe duke u mbështetur në teori shkencore, mund të arrijmë te një përfundim se shkaktarët dhe format të cilat i nxisin të rinjtë të bien në delikuencë janë kryesisht:

1.  Tranzicioni,
2.  Familja,
3.  Kushtet socio-ekonomike,
4.  Mungesë e institucioneve adekuate për të rinjtë, etj, etj…

A mund të na tregoni në fund, a e keni parashkuar ndonjë projekt që do të vijojë pas këtij projekti ISRD-3 (International self-report delinquency))në bashkëpunim me universitetet zvicerane?

Ne i kemi ofruar një projekt propozim Universitetit të Cyrihut dhe KRC (Killias Research & Consulting), pasi të përfundojmë projektin  ISRD3.

E falënderojmë për këtë intervistë z. Ademin dhe i urojmë suksese të mëtejshme.

Për informacione të mëtejshme në lidhje me avancimin e këtij projekti, rezultatet si dhe të dhënat që kanë të bëjnë me gjendjen statistikore të delikuencës juvenile në Zvicër dhe në Kosovë, këshilla të rëndësishme se si duhet vepruar për t’i ndihmuar fëmijët tanë të mos bien në grackë të delikuencës dhe dukurive negative do të lexoni në shkrimet e mëtejshme në albinfo.

Silvije Buçaj Shehi, kriminologe në Zvicër