Lajme

Zvicra me inflacionin më të ulët në Evropë

Zvicra, për të disatën herë, me një normë të inflacioni të harmonizuar pranë rreth 2.7%, sinjalizojnë shifrat zyrtare

Sipas të dhënave të “Institutit të Statistikave” në Shqipëri, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, që mat rritjen e çmimeve sipas metodës së Eurostat, fiksohet për muajin dhjetor të vitit 2022 në 7.5%. Ndërkohë, nga ana tjetër, inflacioni sipas metodës së Instat për muajin dhjetor regjistrohej në 7.4%. Të dhënat vjetore të rritjes mesatare të Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit në vitin 2022 regjistrohet në 6.6%, ndërsa sipas metodës së Instat ky tregues për vitin 2022 ishte 6.7%, pra 0.1 pikë përqindje më e lartë.

Rritja më e madhe e çmimeve prej 13.0% gjatë dhjetorit vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Transporti” me 7.5%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 6.6%. Po ashtu, me rritje paraqiten grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 5.1%, “Veshje dhe këpucë” me 4.9%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4.5%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3.8%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3.6%, “Shërbimi arsimor” me 3.0%, “Shëndeti” me 2.4%, “Argëtim dhe kulturë” me 1.5% dhe “Komunikimi” me 1.1%.

Në muajin Dhjetor 2022, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0.4%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1.3%, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0.5%, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Shërbimi arsimor” me 0.4% secili, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0.3%, “Komunikimi” me 0.2%, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Shëndeti” me 0.1% secili. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 1.5% pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.2% dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0.1%.

Krahasuar me vendet e tjera të Evropës ndërkohë, norma vjetore e rritjes së çmimeve në Shqipëri prej 7.5% në dhjetor rezulton të jetë e 8-ta më e ulët mes vendeve të BE-së, dhe nën mesataren e unionit, e cila fiksohet pranë 10.4%. Hungaria raportohet si vendi me rritjen më të lartë të çmimeve në Evropë, prej 25% në dhjetor, dhe nga krahu i kundërt i tabelës gjendet Zvicra, për të disatën herë, me një normë të inflacioni të harmonizuar pranë rreth 2.7%, sinjalizojnë shifrat zyrtare.

Theksojmë se Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit i referohet metodologjisë evropiane, por të dhënat janë ato të Institutit të Statistikave, por të vetmet ndryshime mes dy metodologjive janë sa i përket peshës që zë secili grup në normën e rritjes së çmimeve.