Bizneset

Zyra që “ua udhëheq  shqip” kontabilitetin tuaj në Zvicër

“FO Finance Office GmbH”, pronë e të riut Faton Shkodra është një zyrë kontabiliteti në Dübendorf ZH. Shkodra flet për specifikat e punës së kontabilistit në Zvicër dhe për trajtimin që ai u bën edhe klientëve shqiptarë

Në kohën e bumit ndërtimor, ku për çdo ditë hapen dhe mbyllen firmat me veprimtari të ndryshme, kontabilistët janë ndër njerëzit më të kërkuar në Zvicër.

E vendosur në Dübendorf, 5 kilometra afër qytetit të Cyrihut dhe Aeroportit, ‘FO Finance Office GmbH’, është një zyrë kontabiliteti që flet edhe shqip. Duke punuar me kohë të plotë në sektorin financiar nëpër kompani tjera, Faton Shkodra, tashmë 28-vjeç, kishte vendosur të pavarësohej dhe të hapte këtë zyrë, e cila, sipas tij, është ndërtuar mbi vlerat  e ndershmërisë. “Ne i trajtojmë klientët si familje”, shprehet për albinfo.ch, gjilanasi i cili ishte pavarësuar kur ishte vetëm 22 vjeç, pasi kishte përfunduar shkollën si kontabilist në sektorin e tatimeve.

“Shumica e atyre që menaxhojnë firma në Zvicër nuk e kanë idenë se si funksionon auditimi, kontabiliteti, tatimet dhe konsulenca biznesore”, thotë Shkodra, duke e vlerësuar këtë gjë si normale ngase për këtë arsye edhe ekzistojnë zyrat e kontabilitetit në Zvicër. Një kontabilitet i suksesshëm qëndron pas një firme të suksesshme, pajohet me këtë thënie Shkodra.

Një firmë serioze, kontabilitetin ua lë të tjerëve

“Tashmë është bërë e domosdoshme që biznesi i një firme të përcillet nga afër nga një kontabilist profesionist që mos të ngecë me dokumente në administratë. Një firmë e suksesshme madje nuk as kohë të merret me administratë e me dokumente ngase duhet të merret me projektet nëpër kantiere dhe me oferta për klientët”. Ekzistojnë firma që ia mësyjnë edhe auditimit por që ngecin dhe sërish i drejtohen një kontabilisti.

Ndoshta duket pak e mundimshme por zyra e Faton Shkodrës merret me të gjitha shërbimet për të cilat ka nevojë një firmë: “Prej A deri në ZH, me të gjitha faturat, shpenzimet etj. Disa firma na sjellin dokumentet në gjendje të duhur, por ka edhe të tillë për të cilat duhet t’i bëjmë të gjitha”.

Për firmat e shqiptarëve, “trajtim më special”

Firmat që frekuentojnë në zyrën e Faton Shkodrës nuk janë vetëm të shqiptarëve por edhe të tjerëve. Ndërkaq ai e pranon se firmat shqiptare kanë një trajtim më special. “Shumica e drejtuesve të firmave shqiptare kanë pak përvojë në biznes dhe për këtë ne u ofrojmë të gjithë infrastrukturën e nevojshme që të kenë sukses në tregun zviceran”.

Ajo çfarë ai ka identifikuar në treg është shqetësimi që shumë firma të vogla, sidomos ato me pronarë shqiptarë, fillojnë punën pa pasur një plan biznesi. “Është shqetësuese mungesa e komunikimit mes një klienti dhe kontabilistit në nivel personal dhe profesional. Për këtë arsye ne jemi shumë me të afërt me firmat me pronarë shqiptarë. Në këtë mënyrë, ne arritëm të ndërtonim një urë bashkëpunimi duke njohur bizneset e tyre, mënyrën si pronarët i menaxhojnë ato dhe ku e shohin veten në të ardhmen. Të pajisur me këto njohuri dhe me vitet e eksperiencës, ne zhvilluam aftësitë për të qenë në gjendje të jepnim këshillat e duhura në nivel ekspertësh për bizneset dhe rrugën më të mirë që duhet ta ndjekin”.

Shqiptarët nuk janë më vetëm ”molera dhe gipsera”

Sot, numërohen me qindra ndërmarrje të vogla, të mesme dhe të mëdha në Zvicër, ku themeluesit apo pronarët janë me prejardhje shqiptare, por mbase është klishe të thuhet se të gjithë janë “gipsera” e “molera”. Sipas statistikave, shqiptarët prijnë në numër nga të huajt, për numrin e firmave që hapin, sidomos në ndërtimtari. Po në të njëjtën kohë ata dallohen edhe me numrin e firmave që mbyllin. Në ndërtimtari, shqiptarët janë numër një, pastaj vjen gastronomia, që do të thotë se ka shumë restorante me pronarë shqiptarë”.

Shkodra ndjehet në siklet kur klientët vijnë për të kërkuar në zyrën e tij që të mbyllin firmat e tyre, për shkak ecurisë së dobët në biznes. “Po, sigurisht që më vjen shumë keq pasi që të gjithë kanë një vizion në biznesin e tyre. Por, duke qenë se nuk ka pasur punë, jemi të detyruar ta mbyllim”.

Falimentimi i firmave në Zvicër nuk bëhet më aq lehtë…

Ka pasur një numër të madh ndryshimesh në vitet e fundit në industrinë e financës dhe kontabilitetit. Tashmë falimentimi në Zvicër nuk është dhe aq i lehtë, sqaron eksperti financiar me prejardhje nga Gjilani. “Nëse keni falimentuar, autoritetet me ligjin e ri do të hetojnë sërish në detaje të gjitha shkaqet e falimentimit të një firme”. Sido që të jetë, Zvicra mbetet parajsë për firmat, për këtë arsye edhe frekuentojnë një numër i madh i tyre.

“Nëse krahasohemi vetëm me Gjermaninë, dallimi është si dita me natën. Atje, për të hapur një firmë të duhen shumë dokumente dhe duhet të llogaritni më shumë kohë, deri në 2 muaj, ndërsa në Zvicër për dy javë krijoni një firmë. Edhe sa i përket tatimit, Zvicra mbetet oazë për kompanitë, përfundon në këtë bashkëbisedim me albinfo.ch, kontabilisti shqiptar Faton Shkodra.