Sport

Kosova për histori

Takimi kundër Finlandës zhvillohet sonte nga ora 20:45. Ky është takimi i parë për Kosovën në garat ndërkombëtare, që kur ajo është pranuar në FIFA dhe UEFA

Përfaqësuesja e Kosovës do të debutojë ndaj Finlandës si mysafire. Ky është takimi i parë për Kosovën në garat zyrtare. Futbollistët janë të motivuar maksimalisht që ta nisin mbarë, derisa kanë premtuar angazhim maksimal. Albinfo.ch sjell disa prej deklaratave të tyre.

 

Milot Rashica: Ndeshja kundër Finlandës do të jetë një ndeshje e fortë dhe e vështirë. Por kemi motiv të madh dhe po punojmë shumë me përkushtim që të nisim me fitore në kualifikimet për Kampionatin Botëror. Kemi një atmosferë jashtëzakonisht të mirë brenda ekipit përfaqësues ndaj edhe besojmë në fitore.

 

Albert Bunjaku: Ballafaqimi nuk do të jetë aspak i lehtë, por ne e dëshirojmë këtë fitore dhe unë me shokë do të japim maksimumin që të arrijmë këtë dhe t’i gëzojmë adhuruesit anë e mbanë. Kemi ekipin e mirë dhe secili mendon veç në fitore.

 

Amir Rrahmani: Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme. Është ndeshja e parë për kualifikimet e Botërorit dhe për këtë ka shumë rëndësi që ta nisim mirë. Kemi cilësi të ekipit duke i njohur të gjithë lojtarët dhe unë besoj se do të arrijmë një rezultat pozitiv.

 

Valon Berisha: Do të jetë një ndeshje e fortë dhe e vështirë. Ne e pamë ndeshjen e Finlandës kundër Gjermanisë, përfaqësuesja e Finlandës ka një strukturë të mirë. Por ne duhet që me kundërsulme t’i përgjigjemi, sepse kemi shumë futbollistë të shpejtë dhe mund të shënojmë që do të ishte përparësia e jonë.

 

Avni Pepa: Kjo për ne është një ndeshje historike, ndaj edhe po punojmë që të japim maksimumin për fitore që besoj nuk është pamundur pavarësisht se kemi të bëjmë me një kundërshtar mjaft të mirë. Unë kam besim tek bashkëlojtarët që do të japin gjithçka nga vetvetja që Kosova të ngadhënjejë.

 

Eroll Zejnullahu: Jemi të vetëdijshëm se na pret një lojë e fortë, por besojë shumë se do të fitojmë. Finlanda meriton respekt, por dëshira dhe vullneti i jonë për fitore është tepër i madh dhe besoj se do të arrijmë qëllimin tonë çka për fillim do të ishte diçka e mrekullueshme.

 

Samir Ujkani: Mezi po presim që ta zhvillojmë këtë lojë që për ne është historike. Këtë ndeshje dhe fitoren që unë nuk e vë në dyshim do të ua kushtojmë brezave të tërë që u sakrifikuan për këtë ditë. Atyre që ndihmuan dhe dhanë për futbollin e Kosovës dhe nuk e lanë të shuhet por mbajtën gjallë shpresën për këtë ditë.

 

Bernard Berisha: Do të jetë një ndeshje e vështirë por unë kam besim se do të kemi një fillim të mirë. Jemi duke punuar me zell e përkushtim dhe nuk mendojmë ndryshe veç se për fitore. Atmosfera është jashtëzakonisht e mirë që premton shumë. Kemi analizuar mirë kundërshtarin dhe presim që të gëzohemi të gjithë. T’i gëzojmë adhuruesit dhe popullin e Kosovës.

 

Bersant Celina: Presim një ndeshje të fortë dhe do të ketë rivalitet të madh. Do të angazhohemi maksimalisht i gjithë ekipi dhe unë besojë fortë në fitore, ndonëse mendojë se Finlanda ka ekip të mirë. Duhet që patjetër të nisim mirë që do të jetë një shtysë e madhe për ndeshjet tjera.