E-Diaspora

“17 Shkurti” feston 28 Nëntorin

Shoqëria “17 Shkurti” organizoi festimin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, ku morën pjesë diplomatë nga Kosova e nga Shqipëria dhe përfaqësues politikë të qytetit

Badeni, një qytet i bukur në periferi të Vjenës jehoi fuqishëm me vrullin festiv shqiptar. Shoqëria Kulturore-Artistike “17 Shkurti” organizoi me sukses festimin e 28 Nëntorit- Ditës së Flamurit. Salla e madhe e ngjyrosur kuqezi jehoi nga  kënga e vallet dhe urimi për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Mysafirë të shumtë nga i gjithë rajoni mbushën sallën e bukur me dashurinë e tyre për prosperitetin kombëtar në të gjitha trevat etnike. 

Festimin e nderuan me pjesëmarrjen e tyre mysafirët e shumtë në mesin e të cilëve edhe  Blerim Canaj, u.d. i ambasadorit të Republikës së Kosovës në Austri, Ymer Lladrovci, konsull, Dede Prenga, atashe ushtarak shqiptar në Austri. Helga Krismayer, nënkryetare e Badenit dhe Peter Ranmberga, përfaqësues për integrim. Blerim Canaj, në emër të stafit të Ambasadës së Kosovës i uroi të pranishmit duke thënë veç tjerash se “28 Nëntori ka një domethënie të madhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Ne, me 28 nëntor i treguam botës se jemi aftë të krijojmë e të mbajmë shtet. Më bën të lumtur fakti se Austro-Hungaria e atëhershme e pati përkrahur pavarësinë e Shqipërisë më shumë se të gjitha shtetet tjera. Nisur nga kjo unë dua veçanërisht ti përshëndes zyrtarët komunalë  të Badenit për përkrahjen e tyre që i japin aktiviteteve kulturore shqiptare. Historikisht dihet se shoqatat kanë luajtur një rol me rëndësi në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe këtë po e vërteton edhe Tahir Turkaj me shoqatën e tij “17 Shkurti”  për çka e falënderoj”, ka thënë Canaj duke përshëndetur të tubuarit.

Dedë Prenga, përshëndeti dhe uroi të pranishmit në emër të stafit të Ambasadës së Shqipërisë në Austri. Ai mes tjerash tha: ”Dita e Pavarësisë është një ditë e madhe dhe një motiv për të gjithë shqiptarët kudo që janë, kudo që ata jetojnë dhe integrohen e tregojnë vlera të jashtëzakonshme të tyre nga burimet shekullore me bazament  kombëtar pa harruar për asnjë çaste përkushtimin dhe detyrimin që kanë ndaj atdheut. Kjo është vlerë e pa tjetërsueshme dhe kjo do jetoj brezave”.

Ndërsa Zgjim Gashi, nga Ministria e Diasporës në fjalën e tij u shpreh se “muaji nëntor për të gjithë ne është muaji i krenarisë e festës së shumëfishtë: Shpallja e Pavarësisë në Vlorë, Ditëlindja e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe e daljes në skenë të UÇK-së”. Ai pastaj ka uruar 28 Nëntorin në emrin e Ministrit të Diasporës Ibrahim Makolli. Ndërsa po ashtu në emër të Qeverisë, Gashi, ka falënderuar strukturat vendore të Badenit për përkrahjen që i japin komunitetit shqiptar në ruajtjen e kulturës e traditave kombëtare. Ai lexoi letrën përshëndetëse nga Ministri i Diasporës Ibrahim Makolli dërguar të pranishmëve e cila u prit me duartrokitje.

Peter  Ranmberga, përfaqësues për integrim i qytetit Baden veç tjerash ka thënë: “Jam krenar që jam në mesin me kaq shumë të pranishmëve dhe që mund të ju drejtohem me përshëndetje.  Rrallë ndodh një tubim kaq madhështor i cili po organizohet çdo vit me ndjenjën e të përbashkëtës, në shërbim të prospektit e civilizimit të përgjithshëm që kultivon komuniteti shqiptar këtu. Urime!”

Kreshnik Spahiu nga “Aleanca Kuqezi” e Shqipërisë, duke iu drejtuar kryetarit të shoqatës “17 Shkurti”, ka thënës se sikurse shoqata e përmendur që mban emrin e një date historike, “17 Shkurtit, ashtu dhe sot jemi mbledhur për një datë të shënuar, 28 Nëntorin. Këto dy data të cilat bashkojnë shumë pranë Shqipërinë e Veriut me Shqipërinë e Jugut të cilat kërkojnë dhe një datë të tretë e cila do jetë data e Shqipërisë së bashkuar, e cila nuk do jetë e vonuar. Ne synojmë bashkimin kombëtar  në një shtet ashtu siç jemi një komb me një histori”.

Manifestimin e drejtoi Kaltrina Durmishi. Nxënësit e Shkollës Shqipe Sohela, Homer, Hatixhe e Ehat Alili të udhëhequr nga  mësuesi Ibrahim Hasanaj recituan vjersha kushtuar pavarësisë, Adem Jasharit gjuhës shqipe e flamurit.

Piktori shqiptar nga Linci Gazmend Freitag dhuroi një pikturë kryetarit të shoqatës Tahir Turkaj në shenjë respekti dhe shkrimtarit turk Memet Zeki Metin.  

Mysafir rasti ishte edhe aktori nga Prishtin Fatmir Spahiu.

Këngëtarët Arif Vladi, Gjin Marku e Hamdi Hyseni e ngrohën atmosferën me këngët e tyre duke ngritur në valle e gjithë sallën.

Shoqëria Kulturore “17 Shkurti” dha një program të pasur me këngë e valle nga përbërja e saj.  

Të gjithë falënderuan donatoret e zellshëm e atdhetar që e mundësuan këtë program madhështor.

Hazir Mehmeti