Integrimi

25 vjet të UPSH-së në Gjenevë, një histori suksesi që vazhdon të shkruhet

Në përvjetorin e 25-të të Universitetit Popullor Shqiptar në Gjenevë, albinfo.ch ka intervistuar drejtoreshën e  UPSH, Albana Krasniqi – Malaj

Gjatë javës që lamë pas u mbajt një manifestim për përvjetorin e 25-të të Universitetit Popullor Shqiptar (frëngjisht: Universite Populaire Albanaise) në Gjenevë, me ç ‘rast u mblodh ish-udhëheqja dhe shumë pjesëmarrës të tjerë, të cilët përkujtuan punën e vazhdueshme të këtij institucioni, që përfshin shumë aktivitete brenda qëllimeve të UPSH-së.

Ky institucion ndër vite ka shërbyer si derë e hapur për t’i mirëpritur me qindra njerëz të ikur nga luftëra të ndryshme, posaçërisht për shqiptarët e Kosovës që kanë ardhur në Zvicër në periudhën e luftës së viteve 1998-1999.

Misioni i UPSH-së mbetet i qartë dhe gjithmonë me synimin për t’i mundësuar dhe ndihmuar në integrim më shumë se 80 nacionalitete, të cilët bashkëveprojnë në Zvicër. Nga kjo, tashmë ky universitet, edhe pse emri nuk i është ndërruar, është shndërruar në universitetin e kulturave në Gjenevë.

Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me drejtoreshën e këtij institucioni, Albana Krasniqi-Malaj, e cila është e angazhuar ndër vite në udhëheqjen e UPSH-së.

Albinfo.ch: UPSH është institucioni i parë shqiptaro-zviceran. A mund t’ua rikujtoni lexuesve të platformës albinfo.ch zanafillën e këtij projekti?

Albana Krasniqi – Malaj: UPSH ose Universiteti Popullor Shqiptar, që tani quhet universiteti i kulturave, ka bërë një rrugëtim të gjatë. Ai është krijuar në vitin 1996 nga personalitete shqiptaro-zviceranë, të cilët jetonin dhe punonin në Gjenevë. Në kohën e themelimit të UPSH-së, ideja e krijimit të tij ka qenë pikërisht që të jetë një bazë pritje, formimi, informimi, integrimi të shqiptarëve të ndodhur këtu, sidomos në kushtet e luftës së Kosovës, ardhjes masive të refugjatëve, qoftë në kuadër të bashkimit familjar, qoftë në kuadër të qëndrimit të përkohshëm, në mbrojtjen zvicerane të të ikurve nga kjo luftë. Me kalimin  e kohës ky institucion ka evoluar dhe kjo i ka siguruar atij jetëgjatësinë, sepse ai është përshtatur gjithmonë dhe është vënë në  dispozicion të nevojave të publikut për të cilin ai punon, dhe këto nevoja e kanë transformuar dhe e kanë shndërruar aktivitetin e tij gjithmonë në vijimësi.

Albinfo.ch: Kush janë themeluesit e UPSH-së?

Albana Krasniqi – Malaj: UPSH-ja e mban të njëjtin emër, por për të respektuar dhe përfaqësuar më së miri dhe denjësisht të gjithë pjesëmarrësit në kurset, aktivitetet, atelietë e ndryshme që organizohen këtu tashmë ai quhet universiteti i kulturave të Gjenevës. Ky institucion është krijuar nga Ueli Leuenberger dhe tashmë udhëhiqet nga dy gra, njëra zvicerane dhe një shqiptare.

Albinfo.ch: Sot po i përmbushni 25 vjet ekzistencë. Cili është bilanci i këtij institucioni për këtë jubile ?

Albana Krasniqi – Malaj: Në festimet e “25 vjetorit plus një”, sepse vitin e kaluar nuk arritëm të bënim festimin siç duhet, këtë vit ne arritëm të mbledhim të gjithë ish-presidentët e UPSH-së dhe ishte impresionuese të shohim se çfarë personalitetesh të larta të fushës politike, por jo vetëm politike të Gjenevës por edhe të Zvicrës në përgjithësi kanë qenë në krye të UPSH-së gjatë viteve. Kemi filluar që vitin e kaluar përgatitjet dhe disa prej hallkave të këtyre përgatitjeve kanë qenë pikërisht mbrëmja hapëse, e cila ishte më 18 mars në sallën e madhe Palladium në Gjenevë, ku ishte e pranishme zonja Micheline Calmy-Rey, ish-presidente e konfederatës Helvetike. Aty ishin të pranishëm personalitete të larta së fushës së kulturës dhe politikës, ishte kryetarja e bashkisë, kryetarë të disa komunave të kantonit të Gjenevës, po ashtu figura të larta të drejtimit të këtij universiteti ndër vite që kanë pasur funksione kyçe në politikën zvicerane në këto vitet e fundit.

Ne këtë festë kishte mbi 200 veta, shqiptarë e zviceranë, të huaj të tjerë që morën pjesë. Jemi shumë të lumtur që arritëm ta realizonim, në një kohë rekord, sepse deri në momentin e fundit nuk e dinim se, për shkak të masave të kovidit a do mundemi ta mbanim apo jo aktivitetin.

Albinfo.ch: Cili ka qenë kontributi i UPSH-së sa i përket çështjes së Kosovës (gjatë kohës së rezistencës ndaj okupatorit serb) ?

Albana Krasniqi – Malaj: UPSH gjatë kohës së luftës së Kosovës ka luajtur një rol esencial në informimin e popullsisë zvicerane, politikave zvicerane dhe mediave zvicerane për çfarë ndodhte në Kosovë. Ka qenë në bashkëpunim të plotë me Qendrën e Informimit të Kosovës, të drejtuar në atë kohë nga Xhafer Shatri, bashkë me të cilën UPSH-ja ka organizuar manifestime dhe demonstrata të vazhdueshme përpara OKB-së, në sheshe të ndryshme, në Bernë e Gjenevë me qëllimin që të ndërkombëtarizojnë çështjen shqiptare dhe të jetë një zë ndryshe nga zërat institucionalë të Beogradit të asaj kohe.

Albinfo.ch: UPSH-ja ka ndikuar dukshëm në ngritjen e imazhit si dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Zvicër. Konkretisht çfarë aktivitetesh keni zhvilluar?

Albana Krasniqi – Malaj: Sigurisht që Universiteti Popullor Shqiptar ka ndikuar dukshëm në ngritjen e imazhit dhe në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Zvicër. Duhet thënë që për herë të parë në Gjenevë, por edhe më gjerë në Zvicër, filloi të flitej për shqiptarët që deri atëherë quheshin jugo(sllavë) dhe zviceranët, popullsia pritëse, kuptuan që janë shqiptarët ata që punojnë nëpër kantiere, janë shqiptarët ata që largohen nga lufta, janë shqiptarët ata që kanë përjetuar vuajtje të gjata nga regjimi i Beogradi dhe UPSH-ja me emrin që mban, me punën që ka bërë, nga themelimi e deri në ditët e sotme, ka mbrojtur në mënyrë të denjë interesat dhe emrin shqiptar. Aktualisht prej vitit 2008, prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, UPSH ka mbaruar tashmë me misionin e saj pritës të shqiptarëve që duhet thënë janë mjaft mirë të integruar në fushën ekonomike, kulturore, politike, arsimore dhe kemi gjithnjë e më tepër referenca në fusha të ndryshme që mbajnë emra shqiptarë.

Albinfo.ch: Çfarë shërbimesh kryen universiteti i kulturave sot në favor të shqiptarëve dhe të huajve të tjerë?

Albana Krasniqi-Malaj: Ndër hallkat e tjera të këtij organizimi gjatë vitit do të jetë puna që do të bëhet rreth arkivave, arkivave fizike dhe njëkohësisht një ekspozite fotografish, për të cilën jemi në punë e sipër. Pra, disa grupe pune janë bashkërenditur me qëllim që secili grup pune të mund të organizojë aktivitetin e radhës. Kështu, mbaruam me mbrëmjen hapëse dhe me spektaklin “Amulettes”, i cili ia vlen të përmendet, sepse është një spektakël teatral i mbështetur nga Konfederata zvicerane dhe nga kantoni i Gjenevës, në bashkëpunim me teatrin “Spiral” si bashkëpunim me UPSH-në, përgjatë një viti, në atelie të shumta ku pjesëmarrësit e 80 nacionaliteteve të ndryshme të aktiviteteve tona kanë dëshmuar mbi vuajtjet dhe dhimbjet e largimit nga vendi i tyre, por edhe për mënyrën se si ata janë vendosur këtu, pritjen, ndjenjat e tyre etj.

Këtë eksperiencë që e ka krijuar ndër vite, UPSH e ka vënë në dispozicion të emigracioneve të tjera që vijnë nga gjithë bota, në momente krizash. Dhe, aktualisht, pas sirianëve, afganëve, gjeorgjianëve etj., jemi në pritje dhe zhvillim aktivitetesh me popullsinë ukrainase që në përgjithësi është e përbërë nga gratë, fëmijët dhe njerëzit e moshuar. Kështu, aktiviteti ynë mundohet të sjellë stabilitet në përditshmërinë e tyre në Gjenevë.

Kush është Albana Krasniqi-Malaj?

Albana Krasniqi-Malaj ka lindur në Tiranë, Shqipëri, në një familje nga Kosova. Është rritur në Tiranë dhe ka mbaruar studimet e para universitare aty, për të vazhduar studimet pasuniversitare në Gjenevë dhe në institucione të ndryshme në Zvicër.

Me profesion është linguiste, si profesion i parë, pastaj është specializuar në drejtësi, në politika zvicerane, në mediacion, në administrimin e konflikteve si dhe në qasjen sistemike në mjediset psikosociale, dhe në shumë formacione të vazhdueshme në Zvicër që kanë të bëjnë pikërisht me fushën e integrimit, kundër racizmit, emigracionit politikave sociale etj.

Intervistën e realizoi Alisa Buzhala

Foto: Demir Sönmez