Një “Lapsh” për boshnjakët e Kosovës në Zvicër
Zv.ministri Bajrami: “Mësimin plotësues, Ministria e diasporës e planifikon pos për gjuhën shqipe, edhe për atë boshnjake dhe turke”
© albinfo.ch: Ministri Ćerim Bajrami, zv. konsulli Salih Sefa dhe këshilltari Ahmet Asani, në mesin e aktivistëve boshnjakë. Në sfond, Flamuri i Kosovës
E vendosur në një zonë industriale, selia e shoqatës nuk dallon shumë nga klubet shqiptare gjithandej Zvicrës. Për më tepër, Shoqata e Boshnjakëve të Kosovës, në Cyrih, ka edhe një ngjashmëri me to: Flamurin e Kosovës në ballë të sallës.
Të premten e kaluar, zëvendësministri i diasporës, Ćerim Bajrami i ka bërë një vizitë shoqatës së boshnjakëve të Kosovës në Cyrih. Bajramin e kanë shoqëruar edhe zëvendës konsulli i Kosovës në Cyrih, Sali Sefa dhe këshilltari i ministrit, Ahmet Asani. Ata kanë zhvilluar një bashkëbisedim me krerët e shoqatës, duke pasur në fokus mësimin plotësues në gjuhën boshnjake të fëmijëve të komunitetit.
“Qëllimi i vizitës ishte intensifikimi i mësimit plotësues, që është pjesë e planeve të ministrisë së diasporës për mësimin plotësues në diasporë në gjuhën shqipe, boshnjake dhe turke”, thotë për albinfon zëvendësministri Bajrami, duke bërë fjalë për nismat e konsolidimit të mësimit plotësues në gjuhën boshnjake në Zvicër.
Por duket se këto nisma po përcillen nga shumë probleme. Financimi është njëri ndër ta, por jo i vetmi! Prandaj, Ćerim Bajrami (i përkatësisë boshnjake) thotë: “Problem është pagesa e mësuesve që do ta zhvillonin mësimin, por edhe hapësira. Për këtë arsye ne sot, patëm në këtë qendër një mbledhje të dobishme. U morëm vesh që grupi punues për arsim, i themeluar këtu, të mbajë kontakte me konsullatën dhe me ministrinë, për të gjetur një zgjidhje”, thotë ai.
Një problem i radhës është shpërndarja e nxënësve në një hapësirë të gjerë. Dhe kjo e vështirëson grumbullimin e nxënësve nëpër pika mësimi. “Është problem që të bëhen bashkë nxënësit boshnjakë të Kosovës, për faktin se këtu janë shumë të shpërndarë, siç janë edhe nxënësit shqiptarë. Prandaj, i kemi shtruar bashkë këto probleme dhe Konsullata në Cyrih është shprehur e gatshme të ndihmojë”, thotë ai.
“Telashe ka shkaktuar deri më tash edhe mungesa e programit të posaçëm të mësimit në gjuhën boshnjake në diasporë dhe librat përkatëse. Tash i kemi edhe ato dhe janë sjellë dhe këtu, kështu që nuk ka asnjë arsye që mësimi të mos fillojë”.
Zv. Ministri i diasporës shpreh brengosjen edhe me nivelin e vijimit të mësimit plotësues në gjuhën shqipe. “Edhe pse gjendja në shkollën shqipe është më e mirë, për faktin se ekzistojnë librat dhe programi, mjerisht, edhe përqindja e fëmijëve shqiptarë në mësimin plotësues është e vogël. Ndërsa ne po shohim se fëmijët tanë, shqiptarë e boshnjakë, dita ditës e humbin identitetin dhe lidhjet me kulturën e tyre. Qëllim i ministrisë sonë është që të ruhet identiteti i diasporës sonë kudo ku jeton”.
Këtu thonë se janë rreth 1500 familje boshnjake të Kosovës vetëm në kantonin e Cyrihut, ndërsa rreth 10 mijë boshnjakë vlerësohet se jetojnë në gjithë Zvicrën, thotë zv.ministri dhe mikpritësit e tij e konfirmojnë.
Zëvendëskonsulli Sali Sefa shpreh kënaqësinë për njohjen me komunitetin e këtushëm kosovar boshnjak dhe përkushtimin e konsullatës për të qenë në shërbim edhe të tyre, si qytetarë të Kosovës. “Kemi pasur ftesë që të mbahet një takim me këtë komunitet, për të gjetur një zgjidhje që fëmijët boshnjakë të zhvillojnë mësimin në gjuhën amtare. Që edhe këta fëmijë të ndihmohen nga Ministria e Diasporës. Është shumë e arsyeshme dhe e drejtë që këtë komunitet ta mbajmë sa më afër sepse është pjesë e Kosovës. Kjo gjë mund të shihet edhe në lokalet e tyre, ku kanë të vendosur edhe flamurin e Kosovës”, shprehet dr. Sefa. Ai është impresionuar edhe me numrin e madh të anëtarëve të shoqatës. Ndërkaq, sa i përket zhvillimit të mësimit në gjuhën boshnjake, Sefa thotë se “qëndrimi ynë ishte që mësimi të zhvillohet në mënyrë të veçantë, në hapësira shkollore dhe jo në xhami”.
Në emrin e mikpritësve, nënkryetari i shoqatës së boshnjakëve të Kosovës në Cyrih, Dzavid Hamza na njofton se kjo shoqatë ose “xhemat” siç e kanë quajtur, është themeluar në vitin 2008 dhe tubon kryesisht boshnjakët e regjionit të Prizrenit. Ajo numëron rreth 500 familje të anëtarësuara. “Qëllim kryesor është kultivimi i parimeve islamike dhe i kulturës sonë boshnjake e kosovare”, thotë Hamza. Ndërsa rreth takimit me zyrtarët qeveritarë, ai thotë: “Kemi biseduar për nisjen e mësimit plotësues në gjuhën boshnjake, për modulet dhe metodat e punës. Po kështu, është biseduar edhe mbi bashkëpunimin tonë me Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih.
Ne falënderojmë z. Sefën për mbështetjen dhe ndihmën e ofruar boshnjakëve kosovarë për zgjidhjen e problemeve konsullore. Sefa po ashtu ka pranuar kërkesën tonë që, sipas nevojës, në lokalet tona të organizojmë një “ditë konsullore” ku anëtarësia jonë do të informohej lidhur me çështjet konsullore”, përfundon Hamza.
E-Diaspora
-
Arrestohet një kosovar në Suedi, i dyshuar për përfshirje në trafikim droge Një shtetas kosovar është arrestuar në zonën e Goteborgut, në Suedi, si rezultat i një operacioni... -
Fehmi Mahalla: Nga Ferizaj në Lozanë, kampion dhe trajner i kampionëve -
3eni.com, aty ku Arben “Beni” Myftari bashkon artin, teknologjinë dhe shpirtin -
Lirohet nga spitali familja kosovare e aksidentuar në Austri -
Një badhkatdhetar që po shkonte në Kosovë u arrestua në Serbi e më pas u lirua
Jeta në Zvicër
-
Zvicra paralajmëron për rreziqet e ruajtjes së të dhënave shtetërore jashtë vendit Autoritetet zvicerane të mbrojtjes së të dhënave kanë paralajmëruar institucionet shtetërore për rreziqet e ruajtjes së... -
A mund të detyrojnë kompanitë farmaceutike rritje të çmimeve të ilaçeve në Zvicër? -
Studim i ri zbulon pse zjarrfikësit profesionistë në Zvicër po largohen nga profesioni -
Ndërprerje udhëtimi që priten kur fluturoni nga Zvicra këtë sezon festash -
Safety Home GmbH me ofertë festive për sigurimin e pronave në Kosovë











