Lajme
Dy nga Zhegra e Gjilanit: dy trofe në Cyrih: Shaqiri dhe Rexhepi shkëlqejnë në swissalbs
Çmimi kryesor, “swissalbs Entrepreneur Award 2025”, iu nda prodhuesit të orëve, Rexhep Rexhepi ndërsa me çmimin “swissalbs Community Hero 2025” u nderua ish futbollisti i kombëtares zvicerane, Xherdan Shaqiri. Platforma mediale albinfo.ch është sponsor medial i këtij aktiviteti!
Tapeti i kuq i Gala-s swissalbs u shtrua sërish për shqiptaro zviceranët. Në një atmosferë madhështore, me të ftuar nga fusha e biznesit, politikës, arsimit kulturës dhe sportit, në sallën prestigjioze Kongresshaus Zürich u mbajt edicioni i pestë i swissalbs Award Gala Night, eventi i komunitetit shqiptaro-zviceran, shkruan albinfo.ch.
Platforma mediale albinfo.ch është sponsor medial i këtij aktiviteti!
Ceremonia u moderua nga Zoe Torinesi, ndërsa muzika e këngëtares së njohur Miranda Hashani i dha mbrëmjes një atmosferë festive.
“Ne duam të tregojmë,”, theksoi Përparim Avdili, president i swissalbs “se si fëmijët dhe nipërit e ish-punëtorëve sezonalë sot po kontribuojnë në mënyrë të pazëvendësueshme në ekonomi, shkencë, kulturë dhe sport, duke e bërë shoqërinë zvicerane më të gjallë, më të larmishme dhe më të fortë.”
Ndërsa juristja dhe gazetarja zvicerane Nadine Jürgensen, duke iu drejtuar shqiptarëve të pranishëm tha se : “Korniza festive në këtë sallë të mrekullueshme, në zemër të Cyrihut, shërben gjithashtu për ta vënë në dritën e duhur imazhin e komunitetit shqiptar në Zvicër – dhe për të treguar se ju meritoni një pasqyrim pozitiv për diasporën tuaj në Zvicër, se ndonjëherë jeni madje edhe zviceranët më të mirë, dhe se tashmë jeni bërë pjesë e shoqërisë – pa i harruar rrënjët tuaja. Dhe këtë po e festojmë së bashku sonte.”
Rexhep Rexhepi, sipërmarrësi i vitit 2025
Çmimi kryesor, “swissalbs Entrepreneur Award 2025”, iu nda prodhuesit të orëve Rexhep Rexhepi, themelues i markës së njohur Akrivia në Gjenevë. Një nga orët e prodhuara në atelienë e tij është shitur në ankand për 4,3 milionë franga, dëshmi e një mjeshtërie që ka thyer kufij. Rexhepi erdhi si fëmijë në Zvicër gjatë luftës së Kosovës dhe sot është bërë emër botëror, për të cilin kanë shkruar mediat më prestigjioze, si New York Times etj.
Duke e marrë çmimin, Rexhepi tha se ky vlerësim i dedikohet ekipit të tij dhe vlerave që e udhëheqin: pasioni, mjeshtëria dhe guximi për të sjellë risi në një zanat që është krenari e Zvicrës.
Xherdan Shaqiri, heroi i komunitetit
Me çmimin “swissalbs Community Hero 2025” u nderua ish futbollisti i shquar i kombëtares zvicerane dhe tani i FC Basel, Xherdan Shaqiri. Heroi i ri i komunitetit, Shaqiri, i lindur në Zhegër të Gjilanit, ku është lindur edhe Rexhepi, doli në skenë modest, i thjeshtë, plot humor dhe sinqeritet.
Ylli i futbollit me origjinë nga Kosova shihet si shembull i guximit, disiplinës, këmbënguljes dhe punës së palodhur , vlera që i transmeton tek brezi i ri përmes aktiviteteve të tij të ndryshme.
Ai e cilësoi këtë nderim si një përgjegjësi për të dhënë më shumë për fëmijët dhe të rinjtë.
Shaqiri u shpreh veçanërisht i nderur që ky vlerësim i erdhi nga komuniteti shqiptaro-zviceran: “Jam krenar që marr këtë çmim nga swissalbs. Futbolli më ka hapur shumë dyer, dhe është detyrë e imja të jap diçka mbrapsht, sidomos për fëmijët e të rinjtë që përmes sportit gjejnë shoqëri, disiplinë dhe gëzim.”
Avdije Rizvani, ekselenca akademike
Për herë të parë, në bashkëpunim me Shoqatën e Inxhinierëve Shqiptarë AES, u nda edhe çmimi “Academic Excellence Award”, që shkoi për Avdije Rizvanin. Ajo u vlerësua për kërkimet e saj shkencore në fushën e sigurisë kibernetike në tregjet financiare – punë me ndikim të madh potencial në mbrojtjen e ekonomisë dhe shoqërisë.
Arben Ademi, inspirim me Gisada!
Një nga kulmet e mbrëmjes ishte rrëfimi i Arben Ademit, themelues dhe CEO i markës globale të parfumeve Gisada. Me historinë e tij për ngritjen nga fillimet modeste deri në suksesin ndërkombëtar, ai impresionoi publikun dhe dha një mesazh të fuqishëm: “Inovacioni, angazhimi dhe dijenia janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet një e ardhme e suksesshme – për komunitetin tonë dhe për Zvicrën”.
“Historitë që dëgjuam sonte tregojnë fuqishëm se sa shumë forcë ka brenda komunitetit tonë. Inovacioni, angazhimi dhe dija janë shtyllat mbi të cilat mund të ndërtojmë së bashku një të ardhme të suksesshme – për komunitetin shqiptaro-zviceran dhe për Zvicrën.”, tha Ademi!
Nga Zhegra e Gjilanit në Cyrih mbrëmë u shkrua një kapitull i ri frymëzimi: Rexhep Rexhepi dhe Xherdan Shaqiri, dy shembuj të suksesit dhe humanizmit, që tregojnë fuqinë e mërgatës shqiptare.
Lexoni po ashtu:
Të ngjashme

4 emra, një çmim: Kush do të jetë “Sipërmarrësi shqiptar i vitit 2025” në Zvicër?
- AES fuqizon rolin e diasporës në teknologji dhe siguri
- NZZ: “Një brez i ri i shqiptarëve, i gatshëm të performojë, i uritur për sukses dhe që di si të mbrohet”
- Nadine Juergensen: Sipërmarrësit shqiptarë i nevojiten Zvicrës
- Albanian Engineering of Switzerland: Tre të nominuar për Çmimin e Ekselencës Akademike 2025
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Reperi EAZ publikon këngë në mbështetje të Përparim Avdilit Reperi nga Cyrihu, EAZ, dhe kandidati i FDP-së nga Zurich Stapi, Përparim Avdili, kanë realizuar një... -
Samiti i Diasporës Shqiptare rikthehet me edicionin e katërt -
Rusi
Ramë Lahaj performon në Rusi, promovon kulturën dhe këngën shqipe -
Gjermani
Dy qytete në Gjermani drejt hapjes së shkollave shqipe -
Kosova/Diaspora
Kur tregu i banesave i shërben diasporës, jo qytetarit të Kosovës
Jeta në Zvicër
-
A është skijimi tani shumë ekskluziv? A është skijimi tani një sport ekskluziv? Një studim i ri federal konfirmon atë që shumë... -
Aldi tani do të mbyllë dyqanin kryesor -
Eksportet zvicerane arritën një nivel rekord në vitin 2025 -
Si disa zviceranë e kanë të vështirë të integrohen në Zvicër -
Krasniqi shpëton Grasshopperin me golin e debutimit

















