Lajme

Fehim Abazi, kryetar i ri i Komunitetit Musliman Shqiptar të Zvicrës

Zgjedhja u bë gjatë Kuvendit të rregullt të mbajtur të dielën në xhaminë e Friburgut, ku morën pjesë 106 delegatë nga e gjithë Zvicra

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ) ka zgjedhur udhëheqësin e ri. Fehim Abazi, imam në Lozanë, është votuar për kryetar pas tërheqjes nga gara të kryetarit të deritanishëm, Mehas Alija.

Zgjedhja u bë gjatë Kuvendit të rregullt të mbajtur të dielën në xhaminë e Friburgut, ku morën pjesë 106 delegatë nga e gjithë Zvicra. Me këtë vendim, drejtimi i KMSHZ-së kalon nga pjesa gjermanofolëse e vendit në atë frankofone.vPunimet e Kuvendit nisën në një atmosferë të qetë pune, me miratimin e rendit të ditës dhe shqyrtimin e raporteve vjetore.

Kryetari në largim, Mehas Alija, prezantoi aktivitetet e vitit 2025, duke theksuar se janë realizuar rreth 40 iniciativa në fusha fetare, arsimore, sociale dhe institucionale.

“Është një volum pune që kërkon përkushtim dhe koordinim të vazhdueshëm”, theksoi Alija.

Delegatët miratuan gjithashtu raportin financiar, i cili u vlerësua pozitivisht edhe nga revizorët profesionalë. Në kuadër të vendimmarrjes, Kuvendi aprovoi disa ndryshime në rregulloren e punës dhe pranoi tri xhami të reja si anëtare. Me këtë, numri i xhamive shqiptare në kuadër të KMSHZ-së arrin në 67.

Gara për kryetar fillimisht përfshinte dy kandidatë: Mehas Alija dhe Fehim Abazi. Megjithatë, pak para votimit, Alija njoftoi tërheqjen e tij, duke i hapur rrugë zgjedhjes së Abazit.

Në fjalën e tij përmbyllëse, Alija falënderoi bashkëpunëtorët për mbështetjen gjatë një dekade angazhimi, duke veçuar si arritje kryesore bashkimin e dy bashkësive islame shqiptare në vitin 2020. “Ky ka qenë një rrugëtim i përbashkët, me sfida dhe suksese, për të cilin ndihem mirënjohës. Kemi ndërtuar ura bashkëpunimi, kemi mbështetut iamamët dhe krysitë. Kemi qenë bashkë në ditë të mira dhe të vështira. Kemi realizuar unifikimin e 64 xhamive shqiptare brenda KMSHZ së, kemi rritur buxhetin, kemi themeluar disa departamente. Është puna më e mirë pas formimt të shkollave shqipe dhe themelimit të xhamive, dhe për këtë jemi krenar” u Mehas Alija në mbyllje të fjalimit.

Si kandidat i vetëm, Fehim Abazi u votua nga delegatët dhe mori drejtimin e organizatës.

Në deklaratën e tij të parë, ai theksoi nevojën për unitet dhe komunikim të drejtpërdrejtë me komunitetin. “Është një përgjegjësi e madhe. Prioritet do të jetë forcimi i unitetit dhe kontakti i drejtpërdrejtë me çdo xhami në vend”, tha Abazi, duke shtuar se planifikon vizita në të gjitha qendrat gjatë vitit të parë të mandatit.

Kuvendi zgjodhi gjithashtu një kryesi prej 11 anëtarësh, e përbërë nga imamë, përfaqësues të xhamive dhe tri gra nga sektori civil. Lista e propozuar u shpalos nga Komisioni zgjedhor, i udhëhequr nga Ferid Zeqiri, dhe u miratua me shumicë votash.

Në përmbyllje të punimeve, u ndanë mirënjohje për kontributet gjatë vitit të kaluar, ndërsa nikoqirët e xhamisë së Friburgut organizuan një darkë për pjesëmarrësit.