Lajme

Refuzimi i “Nismës së Kaosit” dëshmoi se qytetarët zgjodhën faktet mbi politikën e frikës

Në këtë intervistë për albinfo.ch, sindikalisti Hilmi Gashi, flet për rëndësinë e mobilizimit qytetar, punën në terren dhe mesazhin që dha referendumi për demokracinë zvicerane

Hilmi Gashi është  sindikalist  njohur në Sindikatën Unia, asambleist në Komunën Muri të Bernës (kryesues në mandatin 2025-2026) dhe i angazhuar në politikë në Zvicër. Në këtë intervistë ai flet për mobilizimin e sindikatës dhe aktivistëve shqiptarë, punën në terren dhe arsyet pse qytetarët zviceranë refuzuan nismën e SVP/UDC-së për kufizimin e popullsisë rezidente në 10 milionë banorë, të njohur si “Nisma e Kaosit”.

Dy javë para referendumit federal të 14 qershorit, më 30 dhe 31 maj, dhjetëra aktivistë shqiptarë nga kantone të ndryshme të Zvicrës u mblodhën në Martigny të Valisit në seminarin tradicional dyditor të Sindikatës Unia. Një nga temat qendrore të seminarit ishte fushata sindikale kundër iniciativës së SVP-së për kufizimin e popullsisë rezidente në 10 milionë banorë, e njohur si “Nisma e Kaosit”.

Me fokus mobilizimin dhe informimin e aktivistëve për procesin votues, seminari ofroi argumente të bazuara në fakte kundër një nisme që, sipas organizatorëve, nuk adresonte problemet reale të vendit, por ushqente përçarjen dhe stigmatizimin e migrantëve. Vetëm pak ditë më vonë, më 14 qershor, qytetarët zviceranë e refuzuan iniciativën me 54.79 për qind të votave.

Në këtë intervistë për albinfo.ch,  Gashi flet për rëndësinë e mobilizimit qytetar, punën në terren dhe mesazhin që dha referendumi për demokracinë zvicerane.

albinfo.ch: Z. Gashi, seminari në Martigny u zhvillua vetëm pak ditë para referendumit. Si e vlerësoni këtë organizim?

Hilmi Gashi: Ishte një seminar jashtëzakonisht i frytshëm dhe shumë produktiv. Përgjatë dy ditëve zhvilluam diskutime të thelluara, shkëmbyem përvoja nga terreni dhe ndërtuam argumente të përbashkëta për një temë që prek jo vetëm komunitetin e migrantëve, por gjithë shoqërinë zvicerane. Qëllimi ynë ishte që aktivistët tanë të largoheshin nga ky seminar jo vetëm më të informuar, por edhe më të përgatitur për të komunikuar me qytetarët dhe për të kontribuar në një debat publik të bazuar në fakte. Pjesëmarrja aktive dhe cilësia e diskutimeve treguan se ky objektiv u arrit.

albinfo.ch: Çfarë përfaqësojnë seminaret shumëgjuhëshe të Sindikatës Unia?

Hilmi Gashi: Seminaret në gjuhë të ndryshme janë një traditë mbi 20-vjeçare e Sindikatës Unia dhe organizohen për anëtarët tanë më aktivë. Dy herë në vit zhvillohen në gjuhën shqipe, dy herë në gjuhën portugeze, një herë në gjuhën turke dhe, së fundmi, kemi filluar organizimin edhe në gjuhën polake. Qëllimi është që aktivistët të informohen më gjerësisht për tema të rëndësishme që lidhen me botën e punës, të drejtat e tyre dhe zhvillimet politike e shoqërore. Temat përfshijnë kontratat kolektive të punës, organizimin sindikal, zgjerimin e anëtarësisë, luftën kundër racizmit dhe ksenofobisë, barazinë gjinore, luftën kundër ngacmimit seksual dhe shumë çështje të tjera me interes publik.

albinfo.ch: Pse ishte kaq e rëndësishme që ky seminar t’i kushtohej iniciativës së SVP-së?

Hilmi Gashi: Sepse kjo nismë rrezikonte drejtpërdrejt të drejtat e të gjithë punëtorëve. Nga puna në terren e dinim se ekzistonte shumë konfuzion. Në shikim të parë, iniciativa tingëllonte tërheqëse, pasi trajtonte tema reale si pagat e ulëta, qiratë e larta, mungesa e banesave dhe mbrojtja e mjedisit. Por, kur lexohej me kujdes teksti i saj, bëhej e qartë se nuk ofronte zgjidhje për asnjërin prej këtyre problemeve. Përkundrazi, përgjegjësinë ua atribuonte të huajve, ndonëse ata japin një kontribut të rëndësishëm në ekonominë dhe zhvillimin e Zvicrës. Në thelb, kjo ishte një nismë ksenofobe. Ajo nuk synonte të zgjidhte problemet, por të kufizonte të drejtat. SVP-ja nuk kërkon më pak njerëz në Zvicër; ajo kërkon më shumë njerëz pa të drejta.

 

albinfo.ch: A ekzistojnë statistika për numrin e shqiptarëve me të drejtë vote në Zvicër?

Hilmi Gashi: Nuk ka statistika të sakta. Vlerësohet se rreth 200 mijë qytetarë me origjinë nga trojet shqiptare kanë të drejtë vote, por nuk ka të dhëna të besueshme se sa prej tyre marrin pjesë në zgjedhje. Pas marrjes së shtetësisë zvicerane nuk mbahen statistika sipas origjinës.

Megjithatë, shumica dërrmuese e pjesëmarrësve në seminar ishin qytetarë me të drejtë vote dhe kjo ishte shumë e rëndësishme, sepse ata kanë mundësi të ndikojnë drejtpërdrejt në vendimmarrje.

albinfo.ch: Sa ndikim pati puna në terren gjatë kësaj fushate?

Hilmi Gashi: Ishte vendimtare. Ne e nisëm këtë fushatë që para një viti, sepse e identifikuam herët rrezikun që paraqiste kjo iniciativë.

Gjatë gjithë kësaj periudhe zhvilluam qindra biseda me qytetarë. Me kalimin e kohës dhe zgjerimin e debatit publik u bë gjithnjë e më e qartë se synimi i kësaj nisme nuk ishte mbrojtja e mjedisit, rritja e pagave apo ulja e qirave. Këto ishin vetëm argumente të përdorura për të fituar mbështetje.

Problemet sociale dhe ekonomike mund të zgjidhen përmes politikave serioze dhe institucioneve funksionale. Por kjo iniciativë nuk ofronte zgjidhje. Ajo ndërtonte një narrativë ku përgjegjësia u faturohej të huajve, duke krijuar një klimë mosbesimi dhe armiqësie, prej së cilës përfitonte politikisht.

Madje, edhe në komunitetin tonë pati njerëz që e interpretuan atë si një iniciativë për mbrojtjen e vendit ose të natyrës. Por faktet flasin ndryshe. Pikërisht SVP-ja ka kundërshtuar vazhdimisht iniciativa për mbrojtjen e mjedisit, për banesa më të përballueshme dhe për politika më sociale. Ajo shfrytëzon pakënaqësinë e qytetarëve për të stigmatizuar migrantët, pa ofruar zgjidhje reale.

albinfo.ch: Referendumi i 14 qershorit përfundoi me refuzimin e kësaj iniciative. Si e lexoni këtë rezultat?

Hilmi Gashi: Rezultati është një mesazh shumë i rëndësishëm. Qytetarët i dëgjuan argumentet, analizuan faktet dhe vendosën të mos mbështesin një iniciativë që nuk zgjidhte problemet reale të vendit.

Një detaj interesant është se iniciativa u refuzua me përqindjet më të larta në kantonet dhe zonat urbane me numrin më të madh të banorëve me origjinë të huaj, ndërsa u mbështet më shumë në kantonet me përqindje më të ulët të migrantëve. Kjo tregon qartë se iniciativa nuk ishte e menduar mirë dhe se qytetarët nuk mbështesin propozime që nuk zgjidhin problemet, por krijojnë kaos dhe përçarje.

Refuzimi i saj dëshmon se shumica e shoqërisë zvicerane nuk pranoi që politika e frikës dhe stigmatizimit të zëvendësonte debatin serioz për sfidat sociale dhe ekonomike. Ky rezultat është një fitore e demokracisë, e informimit qytetar dhe e solidaritetit. Ai dëshmon se problemet nuk zgjidhen duke fajësuar migrantët, por duke ndërtuar politika që garantojnë drejtësi sociale, mundësi të barabarta dhe respekt për të drejtat e të gjithëve.