Lajme

Shqiptarja Lindita Nebiu Hyseni ligjëruese në Universitetin SRH në Mynih

Akademikja shqiptare nis angazhimin me dy grupe studentësh në fushën e programimit në një nga universitetet private të Gjermanisë

Një tjetër sukses i shqiptarëve në arenën akademike ndërkombëtare vjen nga Gjermania. Lindita Nebiu Hyseni ka njoftuar se ka nisur angazhimin e saj si ligjëruese në SRH University – Campus Munich, ku po udhëheq module të programimit për studentët e nivelit Bachelor, transmeton albinfo.ch.

Ajo bëri të ditur se së fundmi ka mbajtur ligjëratën e saj në modulin Programming Lab (PL) për studentët e grupit October 2025 Cohort, duke shprehur entuziazmin për punën që e pret me studentët në projektet praktike dhe sfidat laboratorike gjatë semestrit.

Po ashtu, Nebiu Hyseni ka mbajtur edhe ligjëratën e parë në modulin Programming (P) për studentët e grupit April 2026 Cohort, duke shënuar fillimin e një tjetër cikli mësimor në universitet.

“Me padurim pres të bashkëpunoj me studentët në projektet dhe sfidat praktike që i presin gjatë semestrit”, është shprehur ajo.

Angazhimi i Lindita Nebiu Hysenit në SRH University në Mynih përfaqëson një tjetër shembull të suksesit dhe kontributit të profesionistëve shqiptarë në institucionet prestigjioze të arsimit të lartë në Evropë./Albinfo.ch