Maqedonia

A po frikësohet pushteti nga opozita shqiptare e bashkuar në Maqedoni?

Pas shumë kohësh, skena politike ka filluar të marrë formë dhe të dihen tashmë garuesit e frontet e formuara.

Vikendin e kaluar opozita shqiptare kurorëzoi bashkimin e saj të emërtuar si “Lidhja evropiane për ndryshim”, sado pa lidhje të duket ky emërtim, çështja kryesore qëndron te bashkimi i tyre.

Në anën tjetër të frontit kanë ngelur partitë e tjera shqiptare që janë pjesë e pushtetit, por që deri në këto momente kanë deklaruar që nuk do të jenë të bashkuar.

Referuar asaj që është thënë nga ish-kryetari i ASH-së, Ziadin Sela, kuptohet që ASH do të garojë e vetme në zgjedhje. Por, ky bashkim i opozitës shqiptare a ka ndikuar që të frikësojë pushtetin për një përballje të vështirë, ose a po përgatitet pushteti t’i kundërvihet me mjete të tjera opozitës shqiptare? Mbetet të shihet në vazhdim, por që ankesat e para të këtij lloji veçse kanë filluar të dëgjohen nga opozita shqiptare. Kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ka deklaruar që pushteti po e ndjen humbjen, një vend në KSHZ i takon opozitës, sipas tij po përgatitet terreni për manipulime, shkruan Zhurnal, përcjell albinfo.ch.

Opozita e bashkuar shqiptare po paralajmëron frikën e pushtetit 

Opozita shqiptare e bashkuar në përbërje të tre partive politike, Lëvizjes Besa, Lëvizjes Demokratike dhe Alternatives, të dielën këtë bashkim e kanë emërtuar si “Lidhja evropiane për ndryshim”. Por, një ditë më vonë menjëherë kanë dalë me reagimin e tyre që pushteti po frikësohet prej tyre dhe madje kanë ngritur alarm shqetësimi se nga pushteti po përgatisin terrenin për të manipuluar në zgjedhje, sepse sipas tyre, një anëtar në KSHZ i takon opozitës, ndërkaq pushteti këtë vend e ka rezervuar për partnerin e koalicionin Aleancën për Shqiptarët.

“Një anëtar në KSHZ duhet t’i takojë opozitës shqiptare, ndërsa që tani kanë filluar që këtë vend në KSHZ t’ ia japin vendin ASH-së dhe të mos na lënë të përfaqësohemi në KSHZ”, ka deklaruar kreu i LD, Izet Mxhiti, në emër të Lidhjes evropiane për ndryshim, për Top Chanel.

Sipas tij, kjo tregon se pushteti po përgatitet për zgjedhje jo fer dhe për manipulime, sepse e ndjen humbjen. Në fakt, ky dyshim i opozitës shqiptare është i bazuar në këtë vend të rezervuar në KSHZ, nga ana tjetër opozita shqiptare ka të drejtë të kërkojë një anëtarë të tyrin në KSHZ.

Ai mes tjerash ka paralajmëruar edhe formimin e grupit të tyre parlamentar që do të përbëhet nga 6 deputetë. “Së shpejti do të formalizojmë edhe grupin parlamentar opozitar në Parlament. Për momentin jemi gjashtë deputetë dhe shohim që pushtetarët janë në siklet”, tha Mexhiti.

Bujar Osmani nuk krahason Frontin Evropian me partitë opozitare shqiptare 

Dy liga të ndryshme i cilësoi Bujar Osmani koalicionin e ri të sapokrijuar të partive opozitare shqiptare e të quajtur Lidhja Evropiane për Ndryshim dhe Frontin Evropian të BDI-së. Osmani këmbëngul se partitë opozitare janë shumë të vogla përballë BDI-së.

“Janë shumë të vegjël për t’i krahasuar e për t’i dalë ballë kauzës së Ali Ahmetit dhe BDI-së. Janë dy liga të ndryshme”, tha Osmani. BDI-ja, sipas tij, po rrumbullakëson misionin e vet për barazinë e plotë të shqiptarëve dhe për integrimin e vendit në NATO dhe BE.

Ngjashëm edhe kreu i BDI-së, pas përçarjes që përjetoi në parti, me çka u shkëputën figurat kryesore e bashkëthemeluese të partisë, për Ahmetin kjo nuk bën aspak problem, sepse BDI është e konsoliduar mirë.

Megjithatë, populli shqiptar gjithmonë kanë qenë ithtar të bashkimit, madje para disa viteve si pasojë e mosbashkimit të opozitës së atëhershme votuesi shqiptarë këtë revoltë e shprehu duke votuar parti maqedonase, dhe një numër i madh votash iku nga kampi shqiptar drejt atij maqedonas. Ky bashkim i opozitës shqiptare do të ndikojë që gjitha votat do të kthehen në vendin e tyre në kampin shqiptar. Dhe, kjo duhet të ndodhë, sepse ishte i pakuptimtë garimi i partive maqedonase në terrenin shqiptar.

Lëvizja Besa si parti opozitare është fuqizuar jashtë mase, kreu i kësaj partie për herë të parë arriti ta fitojë BDI-në dhe ta “dëbojë” nga selia e partisë. Tetovën e fitoi Bilall Kasami në garë me pushtetin në krye me Teuta Arifin. Por, Besa si duket ka rikthyer shpresën te qytetarët, përgjatë kësaj periudhe të qeverisjes kjo parti është fuqizuar edhe më shumë dhe si duket qëndron fuqishëm në rajonin e Pollogut, zona prej ku del edhe numri më i madh i deputetëve shqiptarë.

Nga ana tjetër, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike së bashku qëndrojnë fuqishëm në zonën 1 dhe 2, zona që po ashtu nxjerrin numër të konsiderueshëm të deputetëve shqiptarë, kjo nënkupton që konsolidimi i opozitës shqiptare ndikon në një shtrirje ideale në zonat posaçërisht të populluara me shqiptarë.

Prandaj, bashkimi opozitar është një strehë e qytetarëve të dëshpëruar nga pushteti si dhe do të ndikojë në rikthimin e votës shqiptare që kishte ikur në kampin maqedonas. Shqiptarët e duan bashkimin, prandaj edhe do të jenë pro secilit bashkim. Dhe, një koalicion i tillë do të ndikojë qartazi në fitimin e një numri të madh të deputetëve, nuk përjashtohet mundësia që mund të kenë edhe mbi 10 deputetë në legjislaturën e ardhshme.