Lajme
Aeroporti i Prishtinës, pa autobus për në Prishtinë!
Albinfo.ch qëndroi në aeroportin “Adem Jashari”. Të intervistuarit e konsiderojnë shqetësim që 15 vjet pas luftës arteria kryesore e qarkullimit me botën të mbetet pa Transport rrugor
Aeroporti i Prishtinës është i vetmi në rajon që nuk ka transport hekurudhor, e madje as linja të rregullta të autobusëve, të cilët do t’i shfrytëzonin pasagjerët gjatë shkuarjes apo ardhjes. Për mungesë transporti, bashkatdhetarët detyrohen ose të paguajnë taksitë, ose t’i detyrojnë familjarët të dalin e t’i presin.
Nga bashkatdhetarët kjo konsiderohet hendikep që duhet t’i shqetësojë “edhe autoritetet qendrore, por edhe ato lokale në Kosovë”.
Albinfo.ch qëndroi në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Sllatinë. Të intervistuarit e konsiderojnë shqetësim që 15 vjet pas luftës arteria kryesore e qarkullimit të Kosovës me botën të mbetet pa transport.
20 euro për taksi nga Prishtina në aeroport
“Erdha për pushim në Kosovë, ndërsa tash po kthehem për Cyrih. U detyrua të më sjellë prindi deri në aeroport, sepse nuk ka autobus nga Prishtina deri këtu. Kjo ndodh vetëm në Kosovë, ndërsa nëpër vendet e tjera ka transport sa të duash”, deklaroi Dardani, një 30-vjeçar që jeton në Zvicër.
Ai tha se nga Cyrihu deri në St. Gallen shkon me tren dhe nuk ka nevojë të dalin e ta presin. “Jo, s’ka nevojë. Është linja e rregullt e trenit nga aeroporti për në qytetin ku jetoj. Atje gjithçka është e menduar mirë”, deklaroi ai.
Sadullahu, një bashkatdhetar tjetër, është detyruar ta marrë një taksi nga Prishtina për aeroport.
“Nga Gjilani deri në Prishtinë erdha me autobus. Ndërsa për aeroport e mora një taksi, që në këto kushte me reshje bore më kushtoi 20 euro”, deklaroi ai. Sipas Sadullahut, nuk janë në pyetje paratë, sa është josinqeriteti i autoriteteve për t’ua lehtësuar qarkullimin bashkatdhetarëve.
“Kur bëhet fjalë për dërgesat, diaspora konsiderohet si shpëtim social. Kur janë në pyetje lehtësitë, harrohet diaspora. Paguaj taksi, paguaj kartonin e gjelbër në kufi kur po vijmë me veturë. Na shkoj jeta tu pagu”, tha ai, duke i përmendur edhe kontributet në “3 përqindëshin”, në “Vendlindja Thërret”, etj.
Kjo çështje e ngritur disa herë në formë debati ka mbetur vetëm në suazat e diskutimeve, por jo edhe të zgjidhjes.
Ministria e Transportit thotë se janë dy linja autobusësh për Prishtinë, por askush “nuk i sheh” ato!
Për të rregulluar linjën e transportit Prishtinë-aeroport është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës, respektivisht e Ministrisë së Infrastrukturës. Përgjegjësia bie mbi këto ministri, sepse hapësira e aeroportit është nën administrimin komunal të Lipjanit, prandaj kërkon ndërhyrjen e qeverisë qendrore për ta zgjidhur problemin ndërmjet dy komunave.
Albinfo.ch kontaktoi edhe Ministrinë e Infrastrukturës. Zyrtarë nga ky dikaster thanë se ministria i ka të aprovuara dy linja nga Stacionin i Autobusëve për aeroportin “Adem Jashari”.
“Më lejoni që t’ ju informoj mbi nisjet-kthimet e miratuara nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës sa i përket transportit në relacionin Aeroport-Prishtinë dhe anasjelltas. Janë dy nisje të miratuara në transportin e rregullt të udhëtarëve bazuar në rendin e udhëtimit dhe ato janë: Nisja nga Aeroporti në orën 9:30 dhe 13:35 dhe kthimi nga Prishtina në ora 10:35 dhe 14:35”, thuhet në përgjigjen e shkurtë të Ministrisë.
Mirëpo zyrtarë nga transportuesit i thanë albinfo.ch, se këto linja nuk janë të rregullta, por janë transit.
Ministria e Diasporës: Zgjidhja, në fillim të vitit të ardhshëm
“Ministria ka aprovuar linjat që shkojnë për Prizren, respektivisht kthehen nga Prizreni. Ato linja nëse kanë udhëtarë, hyjnë në aeroport, nëse jo, vazhdojnë drejt për Prizren”, deklaroi ky burim, duke u shprehur skeptik se kjo çështje do të zgjidhet shpejt.
Ky problem i mërgimtarëve i ka shqetësuar edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Diasporës, të cilët kanë kërkuar nga qeveria, por edhe nga Komuna e Prishtinës që të gjendet një mundësi për të rregulluar transportin për aeroport.
“Besojmë se në fillim të vitit të ardhshëm këtë çështje do ta zgjidhim”, deklaroi Lorik Pustina, zyrtar për informim në Ministrinë e Diasporës.
1.6 milion udhëtarë brenda vitit
Ndryshe, sipas statistikave, nëpër aeroportin e Prishtinës kanë kaluar mbi 1.6 milionë udhëtarë. Gjatë dy vjetëve të fundit udhëtimet më të shpeshta kanë qenë për Zvicër, me 34.5 për qind, pastaj Gjermania me 32.5 për qind, pastaj vijnë Turqia, Austria, Italia dhe Sllovenia.
Të ngjashme
Të tjera nga Lajme

Produktet “Made in Kosova” marrin identitet ndërkombëtar
- Rama – Trumpit për Gjykatën Speciale: Për hir të Zotit, të bëjmë diçka para se shumë gjëra të këqija të ndodhin
- Trump e konfirmon në takimin e Bordit të Paqes, kontributi i Kosovës do të jetë me pjesëtarë të FSK-së në Gaza
- Seanca paraprake për ish-presidentin, Ilir Meta: Arrestimi im është politik dhe kriminal
E-Diaspora
-
Të rrëfehesh në gjuhën e shpirtit, pse terapia në gjuhën amtare shëron më thellë Dr. Valbone Miftari, specialiste e psikiatrisë dhe psikoterapisë FMH flet mbi traumën e migrimit, gjuhën dhe... -
Bern
Shkolla Shqipe në Ostermundigen shënon me aktivitete festive Ditën e Pavarësisë së Kosovës -
Hamburg
Kosova feston 18-vjetorin e Pavarësisë në Hamburg -
Gjermani
Fatlume Bunjaku, zëri i ri i kinematografisë kosovare në skenën evropiane -
Austri
Festa Kombëtare e Kosovës u festua në Linz, në Shtëpinë e Kulturës “Neue Heimat”
Jeta në Zvicër
-
Sa të huajve u refuzohet shtetësia zvicerane në Gjenevë dhe pse? Gjeneva ka shkallën më të lartë të natyralizimit në Zvicër, por jo të gjithë ata që... -
Analiza e ujërave të zeza në Zvicër tregon rritje të përdorimit të ketaminës dhe kokainës -
Qeveria zvicerane njofton masa për sigurinë ushqimore në të ardhmen -
Ngritjet e planifikuara nga jugu në Aeroportin e Cyrihut po përballen me shumë kritika -
Zvicra shqyrton zbritjet për ilaçet më të shitura për të ulur kostot shëndetësore











