Kosova

Ambasada e Kosovës në Izrael apelon shqiptarët atje: Zbatoni udhëzimet e sigurisë

Njoftim i rendësishm i Ambasades se Kosovës per shqiptaret ne Izrael

Ambasadorja e Kosovës në Izrael, Ines Demiri, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe qëndrojnë në Izrael të tregojnë kujdes të shtuar pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit të shtunën.

Në apelin e saj publik, ajo ka udhëzuar qytetarët që të ndjekin me përpikëri njoftimet zyrtare dhe të zbatojnë udhëzimet e sigurisë të autoriteteve vendore.

Sipas njoftimit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Izrael, po monitoron nga afër zhvillimet aktuale të situatës së sigurisë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, së bashku me Ambasadën e Kosovës në Izrael, po monitorojnë nga afër zhvillimet aktuale. Ju informojmë se Ambasada e Kosovës në Izrael është plotësisht në dispozicion të qytetarëve tanë dhe mbetet në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse vendase. Për çdo rast urgjent, qytetarët e Republikës së Kosovës që ndodhen në Izrael mund të kontaktojnë në numrin: +972 586 340450”, thuhet në apelin e ambasadores.

Autoritetet u kanë bërë thirrje bashkatdhetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë të informuar përmes kanaleve zyrtare.