Uncategorized
Ambasadori finlandez: Kosovës nuk i duhet më UNMIK-u
Të hënën, më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të diskutojë për Kosovën. Në takim pritet të diskutohet raporti i Sekretarit të Përgjithshëm, për zhvillimet në vend nga 16 janari deri më 15 maj. Qëllimi i misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, 20 vjet mbas krijimit të tij mbetet siguria, stabiliteti dhe të drejtat e njeriut.
Roli aktual i OKB-së, me misionin UNMIK në Kosovë, është i diskutueshëm. Vetë Kosova dhe vendet perëndimore mendojnë se ka ardhur koha që UNMIK-ut t’i jepet fund. Ndërkohë që Serbia dhe vende që e mbështesin thonë se roli i UNMIK-ut në Kosovë vazhdon të jetë i nevojshëm. Në takimin e të hënës nuk mendohet të merren vendime mbi të ardhmen e UNMIK-ut.
Ambasadori i Finlandës në OKB, Kai Sauer, mendon se prezenca e OKB-së në Kosovë nuk është më e nevojshme. “Kosovës i duhet zhvillimi ekonomik, dhe për këtë ka organizata të tjera të afta për ta shoqëruar atë në këtë rrugë”.
Në një intervistë dhënë për Institutin “EastWest” në New York, mbi rolin që duhet të luajë OKB-ja në të ardhmen, ai thotë se OKB-ja duhet të fokusohet në rajone të tjera dhe jo në Ballkanin Perëndimor, shkruan kohanet, përcjell Albinfo.ch.
Sot, 20 vjet pas krijimit të UNMIK-ut, Sauer thotë se “Kosova është një lloj mikrokozmosi i politikës ndërkombëtare dhe zhvillimit të saj”. “Politika ndërkombëtare nuk ka funksionuar që nga fillimi, ka pasur tensione midis Rusisë dhe fuqive perëndimore, gjë që e ka përkeqësuar situatën, duke pasur ndikim direkt mbi të. Kjo bëri që kosovarët dhe serbët të avanconin me politikat e tyre dhe palët punuan kundër njëri-tjetrit”, kujton ai.
OKB-ja nuk arriti të koordinonte aktorët
Kai Sauer ka pasur angazhim të gjatë në rajonin e Ballkanit. “Kosova ka qenë një operacion special, një operacion pionier në atë kohë, sepse kombinonte disa organizata ndërkombëtare, OKB, në qendër të saj, Bashkimin Evropian që merrej me ekonominë si shtyllë kryesore, OSBE që merrej me demokratizimin dhe NATO, KFOR-i, që merrej me sigurinë”.
Ai mendon se koordinimi midis këtyre aktorëve ka qenë shumë i keq, një rrëmujë që filloi më 1999 e zgjati deri më 2003. Dhe OKB nuk ka arritur të bënte koordinimin e këtyre aktorëve aktiv në Kosovë. “OKB ka në Kosovë përfaqësuesin special të Sekretarit të Përgjithshëm, të ngarkuar me përcaktimin e të gjithë këtyre funksioneve, por në fakt organizatat qenë të pavarura, puna ka qenë shumë burokratike”, thotë ai.
Megjithatë ai vlerëson se dëshira për të bërë punë të mirë ka qenë shumë e madhe dhe “shumë gjëra janë arritur, situata u stabilizua, ne ndihmuam Kosovën të ngrihej në këmbët e veta, të paktën deri në gjysmë të rrugës”.
Para se të largohet nga OKB, sepse i përfundon detyra si përfaqësues i përhershëm i Finlandës, Kai Sauer thotë se “Aspirata e Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit është të futen me BE dhe BE-ja është partneri më i mirë për të ndihmuar këto vende që të pranohen. Partneriteti kryesor i këtyre vendeve duhet të jetë me Bashkimin Evropian”.
Të ngjashme
Të tjera nga Uncategorized
E-Diaspora
-
Alban Elezi Cannaferina siguron podiumin e parë në Kupën e Botës Podiumi i parë i Botërorit për 22-vjeçarin Alban Elezi Cannaferina... -
Rumani
Po udhëtonte drejt Francës, i riu shqiptar humb jetën në një aksident -
Itali
Brilant Milazimi përfaqëson Kosovën në Bienalen e Venecias 2026 -
Toronto
Shqiptarja nga diaspora drejt Olimpiadës Dimërore 2026 me flamurin kuqezi -
Greqi
Denik Prizreni përfaqëson Kosovën në Festivalin Ndërkulturor 2026 në Athinë
Jeta në Zvicër
-
Cyrih: Debati mbi menutë vegane për nxënësit e shkollave Parlamenti i qytetit të Cyrihut po shqyrton mundësinë e ofrimit të ushqimeve vegane për nxënësit e... -
Katër shtetas zviceranë mbështetës të ISIS-it në kampe në Siri -
Këshilli Federal dëshiron mbrojtje më të mirë për komunitetin LGBTQIA+ -
Gjeneva paralajmëron për rritjen e pasigurisë -
Vonesa në pagesën e përfitimeve të papunësisë në Zvicër














