Lajme

“Ardhmëria” u takon shqiptarëve të integruar

Pilotprojekti “Të jetojmë së bashku në Rheintal” dhe shoqata “Ardhmëria” në St, Margrethen gjejnë përkrahje në mesin e komunitetit shqiptar

Më shumë se një vit më parë, një shoqatë shqiptare figuronte në letrën e dëshirave të zyrtarëve komunalë të rajonit Rheintal për integrim më të mirë të komunitetit shqiptar. Në kooperim me pilotprojektin rajonal „Zusammenleben in Rheintal“, që i bie “të jetojmë së bashku në Rheintal”, në janarin e vitit të kaluar është formuar shoqata kulturore „Ardhmëria“, e cila njëvjetorin e ekzistimit e shënoi në Rheinausaal në St. Margrethen para një numri të madh të zviceranëve që ishin kureshtarë të dinin më shumë për komunitetin aq të përfolur e të shikuar me aq shumë stereotipe, shqiptaro-kosovarët ose “Kosovo Albaner”.

Në fakt, angazhimi kundër getoizimit, ka sjellë këtu shefin e zyrës rajonale të integrimeve Hanspeter Wöhrle dhe shumë nëpunës tjerë si dhe përfaqësues e zyrtarë komunalë të dymbëdhjetë komunave të kantonit St. Gallen, në rajonin Rheintal. Ky takim mbi të gjitha është një rast i mirë për t’u njohur nga afër me ta dhe me punën e shoqatës shqiptaro-kosovare „Ardhmëria“ në St. Margrethen, u tha ndër të tjera.

©albinfo.ch: Nga e majta: kryetari shoqatës Ardhmëria, Selajdin Hoxha, Integration Fachstelle Hanspeter Wöhrle, Koordinator komunal: Toni Vrenezi

Hanspeter Wöhrle kreu i Zyrës për integrim, për të njohur më mirë shqiptarët, dy vite më parë, ka kaluar dy javë „pushim“ në Kosovë, kryesisht në Gjilan dhe rrethinë. Ai thotë se shqiptarët realisht nuk janë ndryshe nga zviceranët. “Mirëpo për vendasit është shumë vështirë të krijojnë një pasqyrë më të qartë për këtë komunitet, pasi që mungojnë kontaktet e këtilla dhe për arsyen se mediet zakonisht merren me raste negative. Kështu, është krijuar përshtypja se çdo person që nget një BMW dhe ka të veshur një xhaketë të lëkurës e nuk u përmbahet rregullave te lojës, është shqiptar”. Në fakt, shton ai, kur je në mesin e tyre, në një manifestim të këtillë sikurse ky sot, shihet që ata janë të ngjashëm, si ne. Kjo shihej edhe në Kosovë, ata ishin shumë mikpritës, të afërt dhe shumë të dashur. Prandaj edhe angazhimi im konkret me shqiptarët këtu është më i lehtë. Sidomos tani me shoqatën „Ardhmëria“ e cila na ka ndihmuar të merremi për së afërmi me preokupimet e të rinjve shqiptarë.

Kryetari i saj, Selajdin Hoxha, na sqaron se angazhimi i shoqatës ka qenë kryesisht puna me të rinjtë. Ata tani kanë lokalin e shoqatës në dispozicion për t’u mbledhur nga e enjtja deri të dielën. “Kjo na ndihmon ne që t`i largojmë këta të rinj nga punët e këqija apo nga rrugë e vende të ndjeshme, siç ishte grumbullimi i tyre tek stacioni i trenit. Me formimin e shoqatës duket që ka lëvizje pozitive në përmirësimin e raporteve me vendasit”.

Selajdin Hoxha është shumë i kënaqur me seriozitetin e zyrtarëve komunalë. „Ata po na mbështesin maksimalisht në konkretizimin dhe luftimin e problemeve brenda komunitetit tonë“. Gjë që shihet me prezencën e përfaqësuesit, siç u tha, kyç të shqiptarëve në kuadër të komunës, Toni Vrenezi, punëtor social i komunës St. Margrethen.

Takimet multikulturore, për Toni Vrenezin janë të domosdoshme për t’u dhënë rastin vendasve të njihen për se afërmi me jetën tonë kulturore e sociale. Në fakt, sipas tij, shoqata shqiptare ka, por komunat e këtij rajoni kanë dashur ta kenë një shoqatë kosovare, ashtu si na njohin, Kosovo-Albaner. Sepse problemet sfiduese që ata vazhdimisht i dëgjojnë, identifikohen si probleme të “kosovo-albaner”. Kështu që ne me këtë shoqatë kemi krijuar një adresë komunikimi për problemet që na preokupojnë. Përmes kësaj shoqate ne sot tentojmë t`i zbusim paragjykimet. Prandaj edhe i kemi dërguar mbi dyqind ftesa përfaqësuesve të të gjitha niveleve të popullatës zvicerane. Ishte po ashtu i dukshëm edhe interesimi i medieve vendase, prej atyre lokale e gjer të prezenca e „St.Galler Tagblatt“. Ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e shkollës shqipe, imami i Xhamisë Enis Koshi dhe këshilltari i ministrit të Diasporës, Ahmet Asani, të cilët patën rastin t’i drejtohen të pranishmëve më një fjalë rasti.

Për programin kulturor u kujdes shoqata veleshtare „Shqiponja“ që ka në mesin e saj dy këngëtaret e njohura: Arjeta Zhuta dhe Dorina Vinca. Kurse fare në fund me këngë të zgjedhura nga thesari i muzikës folklorike kënduan Faton Rugova dhe Isuf Reshiti. Gjithsesi edhe në këtë manifestim, për kurreshtarët zviceranë, nuk mungoi kuzhina tradicionale dhe gatimet „A la nona“.

© albinfo.ch: Mysafirë zviceranë gjithandej sallës