Lajme
Austri: Sa po zbatohet vendimi për ndalimin e telefonave në shkolla?
Që nga 1 maji, përdorimi i telefonave celularë është ndaluar zyrtarisht në shkollat austriake deri në klasën e tetë, dhe deri më tani rregullorja e re po zbatohet pa ndonjë vështirësi të konsiderueshme, shkruan ORF, transmeton albinfo.ch.
Sipas përfaqësuesve të nxënësve, mësuesve dhe prindërve, ndalimi i pajisjeve digjitale në ambientet shkollore ka sjellë më shumë disiplinë dhe përqendrim në mësim.
Edhe pse shumica e shkollave kishin tashmë rregulla të brendshme për përdorimin e telefonave, një ndalim me bazë ligjore po rezulton më efektiv. “Ligji ka një peshë tjetër krahasuar me rregullat e brendshme nxënësit janë më pak të prirë të rebelohen,” tha Mira Langhammer, zëdhënëse federale e shkollave.
Langhammer shtoi se ndikimi është më i dukshëm në shkollat që më parë kishin zbatim më të dobët të rregullave, ose fare nuk i kishin ato. Si pasojë e ndalimit, disa shkolla kanë zgjeruar ndalimin edhe në nivele më të larta, si në vitin e parë të shkollës së mesme.
Fëmijët janë njoftuar nga mësuesit për rregulloren e re dhe nëpër shkolla janë vendosur tabela ndalimi. Prindërit janë informuar përmes letrave ose kanaleve digjitale. “Është me rëndësi që prindërit të përfshihen,” theksoi Langhammer, transmeton albinfo.ch.
Edhe konfiskimi i telefonave në rast shkeljesh nuk ka sjellë shqetësime serioze. Përfaqësuesi më i lartë i mësuesve në FCG, Paul Kimberger, tha se nuk ka marrë asnjë pyetje për këtë ndalim dhe se rregullorja “po funksionon relativisht mirë”. Ai megjithatë ngre shqetësim për mungesën e sanksioneve të qarta ndaj prindërve që nuk reagojnë kur fëmijët e tyre shkelin rregullin në mënyrë të përsëritur.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e prindërve kanë mbështetur ndalimin në shkallë vendi. Paul Haschka nga Shoqata Federale e Prindërve për Shkollat e Mesme dhe të Larta tha se nuk është raportuar ndonjë problem me zbatimin e ndalimit dhe se masat janë pranuar mirë nga komuniteti, transmeton albinfo.ch.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Ambasada e Kosovës në Austri njofton për pushimet gjatë festave zyrtare në prill 2026 Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë dhe Shërbimi Konsullor bëjnë me dije se gjatë muajit... -
Filharmonia e Kosovës debuton me sukses në Berlin -
Mërgata nga Zvicra mbështet studentët e UP-së me bursa mujore -
“The Guestkeepers”, një projekt që trajnon “ambasadorët e mikpritjes” në Kosovë -
Familjarët flasin për kosovarët që humbën jetën në Vjenë
Jeta në Zvicër
-
12,000 franga gjoba për parkim në St. Gallen në vetëm 20 ditë Në St. Gallen, vendet e reja për motoçikleta në qendër të qytetit ngjajnë me vendet për... -
Bllokime trafiku në Gotthard gjatë Pashkëve: Çfarë pritet dhe si të përgatiteni -
Tre muaj pas tragjedisë në Crans-Montana: ku qëndron ndihma financiare për viktimat? -
Këshilli Federal i Zvicrës rekomandon refuzimin e iniciativës për ndalimin e armëve bërthamore -
Zvicër: Hiqet tatimi mbi vlerën e qirasë nga viti 2029











