Lajme

Austria refuzon lejet për fluturime ushtarake amerikane mbi territorin e saj

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kritikoi aleatët evropianë pasi disa vende refuzuan kërkesat amerikane për përdorimin e hapësirës ajrore për misione ushtarake në lidhje me situatën në Iran, raporton “Euronews”, transmeton albinfo.ch.

Austria, duke mbrojtur statusin e saj si shtet neutral, ka refuzuar lejet për fluturime ushtarake amerikane mbi territorin e saj. Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes në Vjenë bëri me dije se çdo kërkesë e SHBA-së do të shqyrtohet veç e veç, pa dhënë detaje mbi numrin e fluturimeve të ndaluara.

Në të njëjtën linjë ka vepruar edhe Zvicra. Po ashtu, Franca dhe Italia kanë ndaluar përdorimin e hapësirës së tyre ajrore për aeroplanët ushtarakë amerikanë, ndërsa Spanja ka zgjeruar ndalimin për të gjitha misionet ushtarake të përfshira në konflikt. Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares Bueno, tha se ky vendim pasqyron opinionin publik dhe parimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Këto refuzime, së bashku me mungesën e gatishmërisë së aleatëve për të bashkëpunuar në një forcë detare për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, bënë që Trump ta quante NATO-n një “tigër prej letre” dhe të paralajmëronte për një tërheqje të mundshme të SHBA-së nga aleanca.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se marrëdhëniet me NATO-n duhet të rishikohen. Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron kritikoi Trump për “minimin e NATO-s” dhe krijimin e “dyshimit të përditshëm” mbi angazhimin amerikan ndaj aleancës.