Integrimi
Balloja e Ndërmarrësve Shqiptarë të Zvicrës, shkëlqimi i një mbrëmjeje që inspiron
„JAMATU“ ndërmarrje e suksesshme me pronar Sysret Kastratin, sipas vlerësimit të jurisë profesionale, ka fituar çmimin e parë “Ndërmarrësi i Vitit 2021”
Pas gati dy vjetësh shtyrjeje, Hotel Kameha Grand në Zürich ishte qendra e ndërmarrësve shqiptarë në Zvicër.
Në një gala mbrëmje, të mbështjellë me glamur-in që i përshtatej, shoqata Swissalbs, pas një pritjeje të gjatë për shkaqe tashmë të ditura si pasojë e pandemisë, arriti që më në fund t`i mbledhë nën një kulm gati të gjithë aktorët kryesorë shqiptaro-zviceranë në fushën e ndërmarrësisë, për të zgjedhur kështu Ndërmarrësin e vitit 2021.
Platforma mediale albinfo.ch ishte partnere mediale e kësaj ngjarjeje.
Tashmë me rregullat strikte të pandemisë, mysafirët prisnin në radhë me telefonat e tyre në duar, teksa ekipi i Swissalbs kontrollonte për certifikatat e tyre të COVID 19, si dhe bënte identifikimin e tyre në listat e të ftuarve.
Pos pijeve të mirëseardhjes, mysafirët i priste edhe Trio Osmanaj, që ka luajtur mjeshtërisht disa pika të mirënjohura të muzikës së mirëfilltë shqipe të percjellur më pas edhe nga Arbnora Marku me disa këngë me shije.



Ngadalë merr fund edhe kjo pjesë, për t`i lënë vendin pjesës qendrore të kësaj ngjarjeje, për të cilën u punua shumë nga stafi i Swissalbs.
Arbela Statovci, Përparim Avdili, Bardhyl Coli dhe Burim Hasani, janë themeluesit e shoqatës Swissalbs, si dhe organizatorë të ngjarjes “Ndërmarrësi i vitit 2021”.
“Komuniteti shqiptar i ndërmarrësve jep një kontribut të ndjeshëm për ekonominë zvicerane. Qoftë si tregtarë, si themelues të startup-eve, menaxherë, trajnues ose politikanë. Sot zvicerano-shqiptarët mbajnë pozicione të rëndësishme në ekonomi. Nuk ka kufij të padukshëm në mes të dy kombeve tona. Ne na lidh fryma e ndërmarrësisë. Ne jemi njerëz të veprimit, aksionit“, kishte deklaruar Arbela Statovci për Albinfo.ch në një intervistë, teksa Swissalbs ishte në fillet e saj.
Ndërsa të shtunën, duke shikuar një sallë përplot të mbushur me ndërmarrës të profileve të ndryshme, duhet t`i japim të drejtë konstatimit të Arbelës.
Në konkursin për çmimin „Ndërmarrësi i vitit“ kishin konkurruar mbi 20 kompani, të cilat, përmes videove të shkurtra kishin prezantuar veprimtaritë e tyre.


Juria ishte po ashtu e përbërë nga emra që kanë emër të përveçëm në fushën e ndërmarrësisë, siç janë Lejla Ibrahimi-Salahi, Vllaznim Xhiha, Ruedi Noser, Roman Schuler si dhe Michele Pernet.



Programi i kësaj mbrëmjeje udhëhiqej nga shkrimtarja Shqipe Sylejmani, e cila pas fjalëve përshëndetëse, ka ftuar në skenë ndërmarrësin dhe filantropin e shquar Vllaznim Xhiha, shkruan albinfo.ch. Ai, në fjalën e tij para të pranishmëve, tërhoqi një paralele të së sotmes me vitin 1967, kur ai kishte ardhur për studime në Zvicër, kohë në të cilën jo vetëm që s`kishe ndërmarrës shqiptarë, por as studentë të tjerë shqiptarë, pos tij.
„Ndërmarrësia është një koncept që nuk duhet të kufizohet në një komb ose në një grup etnik. Sidomos jo sot, kur interneti gjithëpërfshirës dhe lëvizja e pakufizuar u japin të gjithë ndërmarrësve qasje në të gjitha tregjet në botë. Duke thënë kështu, mendoj se nisma Swissalbs është e qëlluar nëse ndërmarrësit shqiptarë që punojnë në Zvicër rrjetëzohen me njëri-tjetrin dhe, në këtë mënyrë, krijojnë mundësi të reja për bashkëpunim me ndërmarrësit në Kosovë“, tha ndër të tjera z. Xhiha. 
Më pas, për të zgjedhur atë për të cilin prisnin shumë nga të pranishmit, kryetarja e Jurisë, znj. Lejla Ibrahimi Salahi, kryeshefe ekzekutive e Air Prishtina si dhe pronare e CHAIR, duke folur për kriteret me të cilët janë vlerësuar konkurruesit, përmendi edhe „admirimin dhe pasionin e ndërmarrësve në punën e tyre që bëjnë“.
„JAMATU“, ndërmarrje kjo e suksesshme me pronar Sysret Kastratin, sipas vlerësimeve të jurisë profesionale, ka fituar kështu çmimin e parë si “Ndërmarrësi i vitit 2021”, shkruan albinfo.ch. Ndërsa vendin e dytë, përkatësisht të tretë i ndanë Platforma DUA.com me Valon Asanin, dhe “Cardio Zentrum Luzern” nga kardiologu Dr. Florim Cuculi.
Pas ndarjes së çmimeve si pjesë kryesore e ngjarjes, mbrëmja vazhdoi me pjesën artistike, të pasuruar nga artistë shqiptarë nga Zvicra, si Arjeta Zuta dhe Ilir Derbaci. Atmosfera kulmoi me të ftuarit special “Zig Zag Orkestra”, me Dren Abazin nga Prishtina.
Gjithçka rrodhi ashtu siç ishte planifikuar nga organizatorët. Sipas tyre, ishte një natë magjike, e stolisur me shumë buzëqeshje, sharm, inspirime, emocione dhe dashuri.


Duke shpresuar në rritjen e ndërmarrjeve të reja me sfond shqiptaro-zviceran, Swissalbs tashmë ka bërë të ditur datën për ballon tjetër të ndërmarrësve. Ajo pritet të mbahet më 12 nëntor 2022.






Më shumë foto nga ky aktivitet gala: https://drive.google.com/drive/folders/1zj726o7kKo3dAOj_moZoKhlQYBJGd–J
(Autor i fotografive, Rromir Imami, albinfo.ch)
E-Diaspora
-
Pianistja shqiptare Fatjona Maliqi interpretoi veprën monumentale të Bach-ut në Gjermani Artistja shqiptare solli para publikut gjerman “Goldberg Variationen”, një nga kryeveprat më të njohura të muzikës... -
Gjermani
Shqiptarja Lindita Nebiu Hyseni ligjëruese në Universitetin SRH në Mynih -
Suedi
Getoar Luta diplomon në Universitetin prestigjioz të Uppsallës në Suedi -
Panel diskutimi: Gratë në ndërmarrësi dhe pozita udhëheqëse -
Një i ri kosovar paguan për sigurimin e makinës deri 8000 franga më shumë se moshatari i tij zviceran
Jeta në Zvicër
-
Skandal në spitalet e Neuchâtelit: ngacmime psikologjike dhe seksuale në sallat e operacionit Një raport i klasifikuar, i siguruar nga RTS, zbulon se ngacmimi psikologjik dhe ai seksual janë... -
Panel diskutimi: Gratë në ndërmarrësi dhe pozita udhëheqëse -
Një i ri kosovar paguan për sigurimin e makinës deri 8000 franga më shumë se moshatari i tij zviceran -
Parlamenti zviceran rihap derën për energjinë bërthamore -
Zvicër: Votohet garantimi i orareve të aeroporteve përballë interesave të tjera


















