Lajme
“Car Dushani” trazon shqiptarët në Maqedoni
Përmendorja e mbretit serb të mesjetës Car Dushan është ngritur në bronz në kuadër të projektit "Shkupi 214". Kjo përmendore ka nxitë reagime tek shqiptarët
Një përmendore e ish-udhëheqësit serb të mesjetës, Car Dushan ngritur në mes të Shkupit, ka ngjallur reagime gjithandej opinionit shqiptar në Maqedoni. Përjetësimi në bronz i carit serb, konsiderohet nga historianët shqiptar si “provokimi më i madh i shqiptarëve në këtë shtet”.
Historianët e kanë pritur me habi lajmin e ngritjes së përmendores së Stefan Dushanit, duke ditur bëmat e tij kundër shqiptarëve në atë kohë.
Dushani mori fronin e mbretit të Serbisë duke rrëzuar nga pushteti babanë e tij, e më pas urdhëroi vrasjen e tij me varje. Në vitin 1346 pikërisht në Shkup u shpall Car i Serbisë. Gjatë 24 viteve në krye të shtetit serb, Car Dushani pushtoi të gjitha trojet ku jetonin shqiptarët, në Kosovë, Shqipëri, në Shkup e në Janinë.
“Është me të vërtetë një lajm trishtues, të ngresh përmendore midis Shkupit i cili ka qenë pushtues të këtyre trojeve gjatë sundimit të tij. Është e dëmshme, është e palogjikshme të shënohet dhe të ngrihet shtatorja e këtij sundimtari të ashpër mesjetar në ditën e sodit”, ka thënë historiani Vehbi Xhemaili.
Edhe pse të gjithë anojmë kah Evropa, sot sipas tij, u ngritën përmendore atyre pushtuesve të cilët kurrë nuk ia kanë dashur të mirën këtij populli. “Prandaj është e papranueshme për shqiptarët, por edhe për popujt e tjerë, të ngrihet përmendore e Car Dushanit”, tha Xhemaili.
Përmendorja e mbretit serb të mesjetës është ngritur në bronz në kuadër të projektit “Shkupi 2014”. Sipas medieve serbe dhe maqedonase Car Dushani ka simbolikën e tij në Shkup, pasi që ai siç shkruhet më 1346 është kurorëzuar në këtë qytet.
Partia shqiptare që është pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim BDI) nuk ka komentuar rreth vendosjen e përmendores së Car Dushanit në Shkup.
Mirëpo i menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK), e cila për këtë ka fajësuar partinë shqiptare në pushtet BDI. Por nga ana tjetër një parti minore serbe DPSM, pjesë e koalicionit me VMRO-DPMNE të Gruevskit thekson se pas gjashtë shekujve kanë kthyer Car Dushanin në Shkup.
Kjo parti thekson se serbët kanë edhe përmendoren e Mbretit Marko, përkrah Car Dushanit. Këto dy përmendore gjithashtu janë punuar nga ndërmarrja serbe për punimin e përmendoreve “Jeremiq”.
Sot ka reaguar edhe Lëvizja “ZGJOHU!”, e cila ka theksuar se kjo përmendore simbolizon okupimin serb të këtyre trojeve.
“Vendosja e një figure të tillë është kontraverze nga disa aspekte. Së pari, vendosja e përmendores së një okupatori serb flet për krizën e identitetit ose serbofilinë e atyre që e kanë vendosur. Së dyti, në kohë krizë ekonomike dhe varfëri të skajshme, vijohet me vendosjen e përmendoreve me të cilat na përqesh e gjithë bota e civilizuar” thekon “ZGJOHU!” citon INA.
Edhe partia tjetër e opozitës, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka reaguar lidhur me vendosjen e përmendores së mbretit serb Car Dushanit në Shkup. Kjo parti akuzon BDI-në se po i kontribuon shkatërrimit të identitetit shqiptarë.
Ndryshe në kuadër të qindra skulpturave që do të vendosen si pjesë e projektit “Shkupi 2014”, vetëm tri janë me karakter kombëtar shqiptar. Por ato vazhdojnë të mos vendosen..
Nga Ministria e Kulturës nuk shpjegojnë se kur do të vendosen përmendoret e shqiptarëve, e as simbolikën e vendosjes së Car Dushanit në Qendër të Shkupit. Përmendorja është vendosur në pjesën e 30 përmendoreve tjera në të ashtuquajturën Urën e Qytetërimeve në hyrje të ndërtesës së re të Gjykatës Supreme dhe Muzeut Arkeologjik të Shkupit.
E-Diaspora
-
Shasime Osmani zgjidhet deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernës Me 9641 vota, Shasime Osmani e lindur në Kërçovë është shqiptarja e vetme që ka siguruar... -
Cyrih: U prezantua projekti “The Guestkeepers” për turizmin kulturor në Kosovë -
Lidhja e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër zgjedh kryetarin e ri dhe mbyll me sukses simpoziumin shkencor -
Ka nisur Simpoziumi i 7-të i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës -
SHKA “Ilirët” nga Lozana, sot me program artistik në Monthey
Jeta në Zvicër
-
Eutanazia do të bëhet e mundur në spitalet e Lucernës Banorët e sëmurë terminalisht në kantonin zviceran të Lucernës nuk duhet të jenë më të detyruar... -
Masat kundër gripit të shpendëve hiqen nga 1 prilli -
Një çerek ton bakllava e padeklaruar u gjet në kufirin zviceran -
Pse 250 milionerë shpërngulen në Zvicër çdo muaj -
Pothuajse një sulm në ditë raportohet në infrastrukturat kritike zvicerane











