Lajme

Cilat janë mënyrat që duhet vepruar një qytetar jo-BE/EFTA, për qëndrimin në Zvicër

Shtetasit e vendeve të treta përballen me rregulla strikte edhe për të gjetur një punë në Zvicër. A mund të shpresojnë të jetojnë ndonjëherë këtu?

Ndryshe nga homologët e tyre nga Bashkimi Evropian dhe shtetet EFTA (Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni), të cilët kanë një akses pothuajse të pakufishëm në tregun e punës dhe vendbanimin e Zvicrës në përgjithësi, njerëzit nga vendet e treta përballen me më shumë kufizime në këtë drejtim, përcjell albinfo.ch.

Sipas Sekretariatit Shtetëror për Migracionin (SEM), në mënyrë që të aspirojnë të punojnë në Zvicër, shtetasit e vendeve të treta duhet të jenë shumë të kualifikuar – domethënë të jenë menaxher, specialist ose një profesionist tjetër i aftë. “Kjo do të thotë, në thelb, që ju duhet të keni një diplomë nga një universitet ose një institucion i arsimit të lartë, si dhe një numër vitesh përvojë pune profesionale”.

Gjithashtu, “punëdhënësi juaj i ardhshëm duhet të dëshmojë se nuk ka person të përshtatshëm për të plotësuar vendin e lirë të punës nga Zvicra apo nga një shtet i BE/EFTA-s”.

Vetëm atëherë mund të kualifikoheni për një numër të kufizuar lejesh pune – 12,000 gjithsej – të vendosura për shtetasit e vendeve të treta, duke përfshirë qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar.

Nëse leja juaj nuk rinovohet çdo vit, do t’ju duhet të largoheni nga vendi.

A ka ndonjë mënyrë që ju mund të qëndroni ligjërisht në vend përgjithmonë?

Në fakt, ka disa. Nëse i plotësoni të gjitha kushtet për t’u kualifikuar për ndonjërin prej tyre është një çështje tjetër.

Për shembull:

Punësimi juaj është kaq i vlefshëm për kompaninë tuaj dhe për ekonominë e Zvicrës në përgjithësi, sa që leja juaj rinovohet çdo vit.

Ky është shpesh rasti me kompanitë ndërkombëtare – ato punësojnë në mënyrë rutinore specialistë nga jashtë (përfshirë nga vendet e treta) dhe janë në gjendje, pasi plotësojnë kriteret e SEM të përmendura më lart, të zgjasin lejet e punonjësve të tyre nga një vit në tjetrin.

Nëse arrini të zgjasni qëndrimin tuaj në Zvicër në këtë mënyrë për 10 vjet, do të keni të drejtë për një leje C e cila, nga ana tjetër, do t’ju mundësojë të qëndroni në vend për një kohë të pacaktuar (përveç nëse jeni amerikan ose kanadez, në këtë rast mundeni aplikoni për një leje C pas pesë vitesh qëndrimi të vazhdueshëm).

Jeni i martuar me një shtetas zviceran ose një shtetas të BE/EFTA

Nëse jeni martuar me një zviceran, do t’ju lejohet të jetoni me bashkëshortin tuaj në Zvicër (së pari me leje B dhe pas pesë vjetësh me një C) dhe do të jeni në gjendje të aplikoni për nënshtetësinë zvicerane (nëpërmjet natyralizimit të thjeshtuar).

Nëse bashkëshorti juaj është shtetas i BE-së ose EFTA-s, ju mund të qëndroni në Zvicër për aq kohë sa burri/gruaja juaj jeton këtu.

Megjithatë, nëse divorcoheni, në rrethana të caktuara mund të humbni të drejtat tuaja të qëndrimit.

Ju jeni (shumë) i pasur

Zviceranët janë njerëz shumë pragmatikë.

Neni 30 pak i njohur i Aktit Federal për të Huajt u mundëson të huajve nga jashtë Evropës të lëvizin në Zvicër – por vetëm nëse janë mjaftueshëm të pasur, që do të thotë se ata mund të dëshmojnë se kanë mjete financiare për të jetuar në Zvicër pa pasur nevojë të punojnë ose të përdorin mirëqenie, përfitimet.

Bazuar në këtë ligj, kantonet mund t’u lëshojnë leje B për këta persona, nëse autoritetet lokale vlerësojnë se ka një “interes të konsiderueshëm fiskal” në një lëvizje të tillë.

Çfarë do të thotë saktësisht “interesi i rëndësishëm fiskal?”

Ky term përcaktohet nga secili kanton.

Për shembull, norma më e ulët e taksave vjetore për një të huaj jashtë BE-së është 287,882 franga në Valais, 312,522 franga në Gjenevë dhe 415,000 Vaud.

Duke pasur parasysh kriteret strikte, shumë pak të huaj nga jashtë BE/EFTA aktualisht lëvizin në Zvicër sipas këtij legjislacioni.

Në vitin 2021, viti i fundit për të cilin disponohen statistika gjithsej 352 të huaj me këtë leje speciale kanë jetuar në Zvicër. Ata vinin kryesisht nga Kina, Rusia, Arabia Saudite, Shtetet e Bashkuara dhe Brazili.