Lajme
Deputetët kosovarë kërkojnë nga Serbia lirimin e nënkolonel Thaçit
Arrestimi nga Serbia i pjesëtarit të Policisë së Kosovës, nënkolonel Nehat Thaçi ka irrituar ligjvënësit kosovarë. Ata kërkuan që urgjentisht të lirohet oficeri kosovar që po mbahet dhunshëm nga autoritetet serbe
Arrestimi i nënkolonel Nehat Thaçit, komandantit të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, ka irrituar ligjvënësit kosovarë, të cilët kanë kërkuar që menjëherë polici Thaçi të lirohet nga autoritetet serbe. Sipas deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në Serbi akoma mbizotëron logjika e diktatorit Sllobodan Millosheviq.
Këtë kërkesë e kanë shqiptuar anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri të Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i këtij Komisioni. Daut Haradinaj tha se arrestimi i nënkolonelit Thaçit dëshmon qartë politikën e vjetër të Serbisë në raport me Kosovën.
“Arrestimet e njëpasnjëshme, ndalimet, apo edhe fyerja që po i bëhet uniformës së Kosovës, është dëshmi se Serbia po vazhdon me mentalitetin e vjetër. Ky është vazhdim i praktikave millosheviqiane”, tha Haradinaj.
Ndërkaq, Ganimete Musliu, si inicuese e këtij takimi, tha se nuk ka më asnjë vlerë që të vazhdohen bisedimet me Serbinë, derisa ka raste të tilla.
“Ose duhet të kërkojmë reciprocitet të marrëveshjeve që nënshkruhen në Bruksel, ose duhet të marrim vendim për vazhdimin ose jo të bisedimeve me Serbinë që zhvillohen në Bruksel”, tha ajo, duke apeluar tek qytetarët e Kosovës që të jenë të kujdesshëm dhe mos të kalojnë nëpër territorin e Serbisë.
Anëtari Nuredin Ibishi, tha se arrestimi i Nehat Thaçit është një goditje e rëndë për vendin dhe se kjo është vazhdimësi i një regjimi të tillë, sikurse ishte në të kaluarën. Ai tha se autoritetet tona duhet të ndërmarrin masat e duhura për lirimin e Thaçit.
Ndërkaq, shtoi se kjo tregon një sistem fragjil në sektorin e sigurisë, duke përmendur me këtë rast edhe mungesën e bashkëpunimit ndërkombëtar më këtë çështje.
Kurse Rexhep Selimi ish komandant i UÇK-së, theksoi se të pranishëm në këtë takim duhet të ishin përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo edhe Policisë së Kosovës, ndërkaq shtoi se ky nuk është rasti i parë kur xhandarmëria serbe arreston policë të Kosovës.
Ai madje ironizoi me bisedimet Kosovë-Serbi. “Ky qenka normalizim i marrëdhënieve me Serbinë”, tha ai.
“Nëse qeveria serbe shkel dhe nuk respekton ligjet Republikës së Kosovës dhe Kushtetutën e Kosovës, të njëjtën gjë po e bënë Qeveria e Kosovës e cila nuk po i respekton ligjet dhe Kushtetutën e saj, kur bëhet fjalë për arrestimin e atyre që duhet të arrestohen”, tha Selimi, duke përmendur me këtë rast paralajmërimin për vizitë të Gjuriqit në Kosovë.
Selimi vlerësoi se raportet më të mira ndaj Serbisë do të ndërtohen me aplikimin e reciprocitetit, në të gjitha fushat.
Ndryshe, disa ditë më parë derisa po kalonte në pikën kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë në Konçul, autoritetet serbe arrestuan nënkolonel Nehat Thaçin nën dyshimin se ka kryer vepra terroriste gjatë kohës së luftës. Ai po mbahet në burgun e Nishit në Serbinë Qëndrore.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut Aktiviteti synon ruajtjen e kujtesës kolektive, nderimin e viktimave dhe përcjelljen e së vërtetës historike... -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Linjat telefonike pediatrike në kantone për të shmangur mbipopullimin e urgjencave Viruse që qarkullojnë gjerësisht dhe zyrat e mjekëve të mbyllura gjatë pushimeve shpesh sjellin pritje të... -
Diskutohet roli i shtëpive të pleqve në asistimin e vdekjes në Lucern -
Orari i ri i SBB-së ka hyrë në fuqi sot me ndryshime të mëdha -
Mediumi zviceran shkruan për vizitën e Kurtit në Zvicër para zgjedhjeve të parakohshme -
Policia e Bernës në kërkim të një personi të rrezikshëm, situata në Reconvilier është qetësuar










