Dështojnë të gjitha përpjekjet – Shemsi Nuhiu ekstradohet në Serbi
Edhe Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, pas asaj federale të Zvicrës, ka refuzuar ankesën e Shemsi Nuhiut për mos ekstradim
Pasi që Gjykata Federale e Zvicrës ditë më parë kishte hedhur poshtë ankesën e Shemsi Nuhiut, shtetas i Kosovës, për mos ekstradim, këtë e ka bërë sot edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Kështu na njofton vëllai i Shemsiut, Sherifi. Ai na thotë se sot pasdite, e ka marrë njoftimin nga avokati, se vendimi për ekstradim është përfundimtar.
“Avokati më tha se ankesa e bërë të martën në Gjykatën e Strasburgut më është hedhur poshtë. Gjykata në fjalë sot më ka dërguar përgjigjen sipas të cilës ajo nuk ka mundësi të bllokojë ekstradimin e vendosur nga autoritetet zvicerane”, thotë Sherifi. Ai po ashtu shton se pas përgjigjes negative të ardhur të hënën nga Gjykata Federale e Zvicrës, autoritetet zvicerane kishin vendosur ta bënin ekstradimin pa e pritur përgjigjen e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, por megjithatë e kanë shtyrë atë. Kjo na bën të ditur se puna e ekstradimit është definitive, thotë z. Nuhiu. “Sipas të gjitha gjasave sonte ose nesër vëllai im do të ekstradohet për Beograd”.
Më tutje Sherif Nuhiu ankohet në angazhimin e institucioneve të shtetit të Kosovës, shtetas i të cilit është Shemsiu. Sipas tij, “reagimi i institucioneve kosovare nuk ka qenë i duhur”. Megjithatë ai nënvizon se “Ambasada e Kosovës në Bernë, sipas mendimit tonë ka bërë aq sa ka mundur për ndalimin e ekstradimit. Por ajo e ka fuqinë e kufizuar”.
Familja Sherifi ka fjalë të mira për komitetin e themeluar për ndalimin e ekstradimit. Ky komitet ka grumbulluar mijëra nënshkrime për këtë qëllim. “Ata kanë bërë maksimumin por nuk është varur nga ta. Fundja, ata kanë punuar vullnetarisht”.
Por familja Nuhiu shprehet e zhgënjyer edhe me institucionet e Zvicrës. Ato, sipas tij kanë dështuar me vendimin për të ekstraduar një shtetas të Kosovës në Serbi, shprehet Nuhiu, i cili prej kohës ka edhe shtetësinë zvicerane.
“Vëllai im do tu dorëzohet organeve serbe duke pasur të vetmin dokument pasaportën e Kosovës”, thotë ai.
Të befasuar me vendimin e Gjykatës Federale shprehen edhe në Komitetin Kundër Ekstradimit të Shemsi Nuhiut. Vendimi i fundit i Gjykatës Federale në Lozanë, sipas kryetarit të Komitetit në fjalë, avokatit kosovar nga Lozana, Jeton Kryeziu është i ngutshëm ngase sipas tij nuk janë sqaruar ende procedurat në Gjykatën Supreme në Beograd.
“Po me vjen shumë çudi se si Gjykata Federale ka pranuar të ekstradojë Shemsi Nuhiun para se të përfundojë procedura e qartësimit në Gjykatën Supreme të Serbisë. Sepse Gjykata në fjalë ka kthyer aktakuzën e parë para disa javësh, kështu nuk është e sigurt nëse Shemsi Nuhiu do të jetë i akuzuar me aktakuzë të re”, tha avokati Jeton Kryeziu, i cili ishte angazhuar me rastin Nuhiu.
Avokati Kryeziu thotë se gjithashtu edhe nëse përmendet emri i tij në këtë aktakuzë të re, askush nuk e din për çfarë vepra ngarkohet Shemsi Nuhiu.
“Ndoshta veprat për të cilat akuzohet tash nuk janë vepra që lejojnë ekstradimin në Serbi”, tha për albinfo.ch, Jeton Kryeziu.
“Në fund, Gjykata Federale në Zvicër është dashur ta merrte parasysh se prokurori serb ka marrë fakte dhe dëshmi ligjore për të ngritur aktakuzën e parë (e cila është anuluar). Kjo vepër dëshmon si autoritetet serbe veprojnë kundër ligjit dhe kundër mbrojtjes të së drejtave të njeriut”, tha në këtë prononcim lidhur me rastin Nuhiu, avokati Kryeziu.
Lidhur me vendimin për ekstradim në Serbi të Shemsi Nuhiut, për albinfo.ch është prononcuar edhe ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj. Për Malajn, ky vendim është për keqardhje, por vendimi vjen nga gjykata dhe është fakt se këtu pushtetet janë të ndara.
“Ky është një vendim për të cilin ne shprehim keqardhje. Mjerisht vendimin e Gjykatës Federale në Lozanë e ka konfirmuar sot edhe Gjykata e Strasburgut. Duhet të theksoj se çështja e Shemsi Nuhiut ka qenë preokupim i të gjitha institucioneve tona qe një vit e më tepër, duke filluar nga Ministria e Jashtme, Ministria e Drejtësisë, dhe ambasada jonë. Në të gjitha takimet që kemi pasur me autoritetet zvicerane kjo çështje është ngritur. Ne e kemi shprehur kundërshtimin tone për ekstradimin e Nuhiut në Serbi”, shprehet Malaj.
Por, vazhdon ai, ju e dini se “në Zvicër dhe në vendet tjera demokratike çështja e gjyqësorit dhe e politikës janë çështje të ndara, pushtetet janë të ndara. Gjykata ka gjykuar mjerisht për ekstradimin e Shemsi Nuhiu në Serbi. Nuhiu ka dy shtetësi, të Kosovës dhe të Sërbisë”.
Më tutje Malaj tregon se ambasada ka pasur qasje gjatë gjithë kohës, si me avokatët ashtu dhe me familjen. “Kemi qenë në kontakt të rregullt jo vetëm me autoritetet zvicerane por edhe me avokatët dhe me familjen. Duhet thënë se të gjitha instancat janë respektuar, është shfrytëzuar e drejta e ankesës në të gjitha shkallët. Avokati ka bashkëpunuar në mënyrë të ngushtë me ambasadën tonë. Një pjesë të dosjes së dokumentacionit të Nuhiut ua kemi dërguar ne”.
Është me rëndësi të theksohet se në takimet që ne kemi pasur me institucionet e Zvicrës ne kemi insistuar që Ambasada e Zvicrës në Beograd ta përcjellë rastin nga afër. Pra Ambasada Zvicerane ka marrë angazhime për të ndjekur nga afër trajtimin e rastit të Shemsi Nuhiut në Serbi, përfundoi ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj.
Meqenëse lajmi për hedhjen poshtë të ankesës kundër vendimit për ekstradim ka ardhur në orët e vona të pasdites, institucionet përgjegjëse zvicerane kanë qenë të paarritshme për të dhënë një konfirmim zyrtar.
Sqarim
Familjarët e Shemsi Nuhiut duan të sqarojnë se Shemsiu nuk ka qenë dhe as është shtetas i Serbisë. “Ai, ashtu sikurse të gjithë shtetasit e Kosovës disponon vetëm me dokumente të shtetit të Kosovës. Po ashtu sikurse kosovarët tjerë, edhe Shemsiu ka pasur më parë dokumente të ish Jugosllavisë por ai asnjëherë nuk ka marrë dhe as ka kërkuar dokuemnte të Serbisë”, deklaron në emrin e familjes, Sherif Nuhiu, vëllai i Shemsiut.
Lexoni po ashtu
Dosja e jonë e mëhershme:
Ekstradimi i Nuhiut në Serbi nuk është përfundimtar
Dorëzohet në Ambasadë peticioni për Shemsi Nuhiun
Protestë kundër ekstradimit të Shemsi Nuhiut në Serbi
Gjilanasit nënshkruajnë peticionin kundër ekstradimit të Shemsi Nuhiut
U protestua kundër ekstradimit të Shemsi Nuhiut nga Zvicra në Serbi
Ekstradimi i Nuhiut në Serbi nuk është përfundimtar
Në Zvicër arrestohet ish pjesëtari i UÇPMB-së nga Presheva
E-Diaspora
-
Arrestohet një kosovar në Suedi, i dyshuar për përfshirje në trafikim droge Një shtetas kosovar është arrestuar në zonën e Goteborgut, në Suedi, si rezultat i një operacioni... -
Fehmi Mahalla: Nga Ferizaj në Lozanë, kampion dhe trajner i kampionëve -
3eni.com, aty ku Arben “Beni” Myftari bashkon artin, teknologjinë dhe shpirtin -
Lirohet nga spitali familja kosovare e aksidentuar në Austri -
Një badhkatdhetar që po shkonte në Kosovë u arrestua në Serbi e më pas u lirua
Jeta në Zvicër
-
Zvicra paralajmëron për rreziqet e ruajtjes së të dhënave shtetërore jashtë vendit Autoritetet zvicerane të mbrojtjes së të dhënave kanë paralajmëruar institucionet shtetërore për rreziqet e ruajtjes së... -
A mund të detyrojnë kompanitë farmaceutike rritje të çmimeve të ilaçeve në Zvicër? -
Studim i ri zbulon pse zjarrfikësit profesionistë në Zvicër po largohen nga profesioni -
Ndërprerje udhëtimi që priten kur fluturoni nga Zvicra këtë sezon festash -
Safety Home GmbH me ofertë festive për sigurimin e pronave në Kosovë











