Kultura

“Duke shikuar filmin “Shqiptari”, ne shohim veten në pasqyrë”

Dardan Gashi: “Der Albaner” e shtron dhe e pasqyron qind për qind situatën aktuale të shqiptarëve në vend dhe jashtë tij”

Emri Dardan Gashi ka rënë në sy në saje të filmit të famshëm gjerman me temë shqiptare “Der Albaner”. Gashi nuk luan në këtë film dhe as nuk është në ndonjë mënyrë tjetër i lidhur me prodhimin e filmit. Prandaj: kush është Dardan Gashi?

I riu me tipare të një njeriu energjik është i lindur 30 vite më parë në Prizren. Në moshën 14 vjeçare, pas përfundimit të klasës së shtatë, vjen me prindërit në Gjermani. Diku në rrethinën e Frankfurtit ai ka kryer shkollimin fillor dhe të mesëm. Pastaj, ka ndjekur shkollime të ndryshme në lëmin e marketingut. Ka punuar si agjent tregtar për disa vite. Dardani, prej diçka më shumë se një viti ka kaluar për të jetuar në Zvicër. Ai thotë se shkollimi i kryer i ka ndihmuar edhe për të njohur njerëzit, preokupimet, profilin e tyre etj.

Dardan Gashi

Filmi i parë që Dardan Gashi e ka distribuuar në Zvicër ka qenë “Russlands Wildnis” (Egërsia ruse), një film dokumentar për natyrën e egër të Rusisë.

“Ndërsa filmi “Der Albaner” është filmi i parë me tematikë shqiptare që unë e kam distribuuar deri më tash në kinematë e Zvicrës”, thotë Gashi.

I pyetur se sa shikohen në kinema, filmat, në kohën e vërshimit të internetit, piraterisë dhe televizioneve, Dardan Gashi përgjigjet se kinemaja ka jo vetëm të tashme por edhe ardhmëri të sigurt. “Filmat nëpër kinema janë definitivisht të kërkuar dhe do të vazhdojnë të jenë. Kinemanë e dallon prej medieve tjera atmosfera e veçantë e ambientit të saj. Shikimi i filmit në kinema është më shumë edhe kulturë sociale.

Sa është e ashpër konkurrenca në tregun e distribuimit të filmave dhe si mbijetohet në të? “Kur të vendosësh të distribuosh një film, duhet shikuar nëse ai është i përshtatshëm për njerëzit në qytetin ose vendin ku do të shfaqet. Kështu p.sh. “Der Albaner”, edhe pse me një numër të madh çmimesh të fituara, nuk ka qenë një film i suksesshëm sa i përket shikueshmërisë në Gjermani. Atë, në gjithë Gjermaninë e 82 milionë banorëve, e kanë shikuar gjithsej rreth 7.000 veta! Nga ana tjetër vetëm në Tiranë, ky film është shikuar nga 43.000 shikues! Kjo flet mjaft për specifikat e përmendura. Duke shpresuar se megjithatë filmi do të ketë shikueshmëri të mirë në Zvicër, Dardani apelon edhe te shqiptarët që të shikojnë filmin në kinematë zvicerane.

Ndërkaq, rreth asaj se cili ka qenë motivi që e ka shtyrë të distribuojë filmin “Der Albaner”, distributori i ri thotë: “Së pari ka qenë tematika. Kur e kam parë në fillim, kam qenë i befasuar me kualitetin e filmit por edhe me titullin e tij kaq të thjeshtë dhe goditës: “Der Albaner” ose “Shqiptari”. Këtë fuqi ky titull e fiton edhe për faktin se fjala “Albaner” sidomos për Zvicër dhe Gjermani ka shpesh edhe ngarkesë emocionale negative”, vëren Gashi.

Mbi qilimin e kuq, para kinemasë në Wil, së bashku me Luan Jahën dhe bashkëshorten e tij

“Po kështu roli i Nik Xhelilajt më ka lidhur emocionalisht me historinë e ardhjes time në Gjermani. Njësoj, jam i bindur se ky film do t`i prekë emocionalisht edhe shumë , shqiptarë të tjerë, që kanë ardhur në Zvicër ose në Gjermani në mënyra të ngjashme sikur Arbeni i aktorit Xhelilaj. Kjo dhe ka qenë arsyeja kryesore që unë kam vendosur që këtë film ta distribuoj në kinematë e Zvicrës. Më vonë kam mësuar se filmi ka marrë në Moskë 2 çmime, po kështu 2 çmime në Antalia. Ai ka marrë çmimin e parë në festivalin më të madh nacional të filmit gjerman “Max Ophelius”, pastaj në Prifilm Fest të Prishtinës, në atë të Tiranës, të Gjenevës etj”.

Por, Dardan Gashi shpreson se filmi do t`i prekë edhe zviceranët. “Nga ata pres të kuptojnë që një i huaj që vjen në kushte të tilla në perëndim bie në sprovë që të bëjë gjithçka për të mbijetuar. Unë njoh fare pak njerëz këtu që ia bëjnë vetes pyetjen: përse këta njerëz bien ndesh me ligjin, përse kanë probleme me integrimin? A mos janë më pak inteligjentë se të tjerët? Ndër pak njerëzit e tillë është edhe regjisori i filmit “Der Albaner”, Jochanes Naber. Ai është marrë me këtë çështje, por nuk e ka krijuar paragjykimin duke takuar shqiptarët në Gjermani. Naber ka udhëtuar në Shqipëri dhe ka qëndruar atje për të njohur rrënjët e shqiptarëve. Si rezultat, “Der Albaner” e shtron dhe e pasqyron qind për qind situatën aktuale të shqiptarëve”.

Por, si paraqitet realiteti i filmit shqiptar, respektivisht i mundësisë së distribuimit të tij në kinematë botërore? Sipas Gashit, Kosova dhe Shqipëria kanë potencial për të realizuar filma që do të depërtonin në botë, por pengesë është vetëm ana financiare. “Unë mirëpres filma shqiptarë me kualitet të filmit “Der Albaner” që do të më bënin krenar t`i distribuoj sikur këtë, jo vetëm në Zvicër por edhe në Gjermani e gjetiu. Mendoj se Kosova ka potencial, sidomos falë aktorëve dhe regjisorëve të shquar, për të bërë filma të mëdhenj por problemi është te paraja. Te ne nuk ndahet mjaft për kulturën. Por më mban shpresa që shumë shpejt do të kemi mundësi të realizojmë një film të madh që mund të çajë rrugën në kinematë botërore”.

© albinfo.ch

Cili do të jetë hapi i ardhshëm i distributorit të filmave, Dardan Gashit?

“Së shpejti do të shfaqet në kinematë e Zvicrës filmi gjerman i zhanrit triler horror “Der letzer Angestellter”, i distribuuar nga unë. Është film që shpresoj se do të ketë shikueshmëri të mirë”, thotë Gashi. Ndërkaq, përveç distribuimit të filmave, ai na prezantohet edhe me një veprimtari më specifike. “Një projekt që po e bëj aktualisht është harta e kinemave, ose cinemap 2012 që po e realizoj pa pagesë për kinematë zvicerane, projekt që do tu hyjë në shërbim distributorëve të filmit”, sqaron ai.

Ai thotë se pret po ashtu që ndërkohë të ketë edhe filma tjerë shqiptarë që do t`i trokasin në derë për t`i shfaqur në kinematë zvicerane, gjermane ose austriake.

“Do ta distribuoja me dëshirë edhe ndonjë film eventual për bukuritë natyrore të Kosovës. Ne nuk i njohim as vetë ato, si duhet. Por për të bërë një film të mirë të llojit të tillë, nevojitet ndihma e shtetit, shprehet ai. “Besoj se një film i tillë që do të shpaloste bukuritë natyrore të Kosovës jo vetëm do të gjente shikues por edhe do të nxiste njerëzit ta vizitonin Kosovën”, përfundon Dardan Gashi.

Pas premierës së mbajtur në Wil, shfaqja zyrtare e filmit në kinematë e Zvicrës ka filluar nga 26 janarit, në 7 qytete të të Zvicrës gjermane: Basel, Bernë, Zürich, Luzern, Winterthur, Olten dhe Wil