Futboll

Eksperti sllovak: Kosova është më e fortë se pozita aktuale në renditjen e FIFA-s

Borbely thotë se ka studiuar Kosovën, tregon pikat e forta dhe parashikon ndeshjen: Një ekip ballkanik i talentuar, me mentalitet gjerman

Kosova është përfaqësuese më e mirë sesa e tregon pozita e saj aktuale në renditjen botërore të FIFA-s. Kështu ka deklaruar eksperti sllovak i futbollit, Ladislav Borbely, në një intervistë për mediumin sllovak Pravda.

Kosova momentalisht renditet në vendin e 79-të në ranglistën e FIFA-s, ndërsa Sllovakia mban pozitën e 44-të. Megjithatë, Borbely vlerëson se ky dallim në renditje nuk pasqyron realisht fuqinë e skuadrave.

“Dy ekipet janë të balancuara sa i përket vlerës. Dy apo tre milionë nuk bëjnë dallim. Ne jemi më lart në ranglistën e FIFA-s, por kjo nuk tregon shumë. Kosova është në rritje të madhe dhe pozita e saj është larg nga përfaqësimi i forcës momentale. Ajo është shumë më e madhe, e ngjashme me tonën”, ka thënë Borbely.

Ai ka theksuar se e ka analizuar me kujdes përfaqësuesen e Kosovës dhe ka nxjerrë përfundime interesante.

“Është një ekip i talentuar nga Ballkani, me elemente të mentalitetit gjerman. Falë përzgjedhësit Franco Foda, Kosova ka arritur të përmirësojë elementet natyrale, gjë që i mundëson të konkurrojë në nivelin evropian”, është shprehur ai.

Borbely ka vlerësuar gjithashtu se Kosova luan me racionalitet dhe pragmatizëm, duke zgjedhur situatat me kujdes, ndërsa lojën e ka cilësuar si stabile.

Sipas tij, nuk pret që lojtarët e Kosovës të hyjnë në ndeshje me emocione të tepruara, duke theksuar se përzgjedhësi Foda do të kujdeset që skuadra të jetë e disiplinuar.

Në fund, eksperti sllovak ka thënë se shpreson që “shqiponja dykrenare” të mos fluturojë mbi Bratisllavë, por ka pranuar se është e vështirë të parashikohet një favorit i qartë në këtë përballje.