Muzikë

Ermal Meta pas finales së Sanremos: Një eksperiencë e paharrueshme!

Këngëtari me origjinë shqiptare, Ermal Meta, ka reaguar në rrjetet sociale pas përfundimit të Festivalit të Sanremos në Itali, ku u rendit në vendin e tetë me këngën “Stella Stellina”.

Përmes një postimi, Meta e përshkroi pjesëmarrjen në festival si një nga momentet më të rëndësishme të jetës së tij dhe falënderoi drejtorin artistik Carlo Conti, i cili besoi në këngën e tij.

“Ky festival ka qenë një nga përvojat më të rëndësishme të jetës sime, për shumë arsye,” shkruante artisti, duke shtuar falënderimet për të gjithë ata që e mbështetën me dashuri gjatë javës së Sanremos.

Ai iu drejtua edhe fansave të tij: “Të gjithë ju që dëgjoni dhe doni muzikën time… ju detyrohem gjithçka.”

Një pjesë e veçantë e postimit iu kushtua familjes: Meta falënderoi partneren Chiara, duke e përshkruar si “grua dhe nënë të jashtëzakonshme”, si dhe vajzat e tij, që e kanë mbështetur në çdo hap të këtij rrugëtimi.

Përfundimisht, artisti bëri një dedikim të veçantë për “fëmijët pa zë”, në përputhje me mesazhin human të këngës “Stella Stellina”, e cila u kushtua fëmijëve palestinezë në Rripin e Gazës.