Sporte Luftarake

ESAF 2022: Sporti kombëtar zviceran dhe “vallëzimi i kombeve”

Shqipe Sylejmani, ambasadore e ESAF 2022: "Është veçanërisht e rëndësishme për mua që të mund të përdor artin dhe kulturën për të ndërtuar një urë ndërmjet atdheut tim të parë, Kosovës dhe atdheut të ri, Zvicrës"

Në vitet 1898, 1929 dhe më në fund në vitin 1977, ESAF është mbajtur në kantonin e Basel-Stadt-it. Por, për herë të parë Schwing dhe Älplerfest po zhvillohen në truallin e Kantonit Baselland, në Pratteln. Parada e sivjetshme ka shpalosur gjithashtu kostumet tradicionale nga mbi 15 komunitete që jetojnë në Zvicër, përfshirë dhe ato nga traditat shqiptare.

Zviceranët autoktonë do të “luftojnë” kundër njëri-tjetrit mbi tallash gjatë kësaj fundjave fundjavë dhe sonte shoqata shqiptare  Vatra nga Bylahu do të kërcejë në skenën e Valleve të Kombeve.

Në Festivalin Federal të Mundjes dhe Alpin (ESAF 2022), atletët garojnë në duele, mbi tallash. Ky sport i mundjes, i quajtur gjithashtu Hose(n)lupf, konsiderohet një sport kombëtar zviceran së bashku me Hornussen dhe Steinstoss. Albinfo ishte live aty kur festimet nisën në orën 14:00 me pritjen e flamurit dhe parakalimin nëpër Pratteln në Baselland.

Në Zvicër, mundja ka një traditë shekullore. Por eventi i sivjetshëm i ESAF është i veçantë në disa aspekte. Nga njëra anë garat kombëtare zhvillohen për herë të parë në Baselland dhe nga ana tjetër ceremonia e hapjes u zgjerua me programin “Tracht lacht – Brauchtum verbindet” (Veshjet tradicionale qeshin – Zakonet bashkojnë), të zhvilluar nga zonja Andrea Sulzer.

Andrea Sulzer është në krye të departamentit për arsimin, kohën e lirë dhe kulturën në Komunën e Pratteln-it. Një shenjë me peshë simbolike është dhënë me “vallen e kombeve”, sepse këtë herë të gjithë po “tunden” (emri i sportit: Schwingen ka afërsisht këtë kuptim, v.j.).

Disa do të “tunden” kundër njëri-tjetrit në tallash në fundjavë dhe të tjerët do të kërcejnë së bashku në skenë sonte, ku do t’u jepet hapësirë ​​më shumë se 15 kombeve të ndryshme. Ndër të tjera, edhe  shoqatës kulturore të znj. Shqipe Sylejmani, me të cilën u zhvillua një intervistë e shkurtër.

Shqipe Sylejmani

albinfo.ch: Zonja Sylejmani, na tregoni për rolin tuaj në Festivalin Federal të Mundjes dhe Alpin të këtij viti?

Shqipe Sylejmani: Unë si ambasadore jam përgjegjëse për festivalin e kostumeve dhe valleve tradicionale, shkurt: “Veshjet tradicionale qeshin, zakonet bashkojnë”. Sonte unë jam përgjegjëse për moderimin në skenën e kërcimit dhe në rolin tim si ambasadore e Pratteln-it.

albinfo.ch: Si ndodhi që të merrni këtë detyrë në Pratteln?

Shqipe Sylejmani: Unë vetë jetoj në Pratteln dhe jam një qytetare e kësaj komune të bukur. Para disa vitesh, unë dhe shoqata ime kulturore organizuam një aktivitet për gjuhën dhe kulturën tonë shqiptare, ku ishin të pranishëm edhe njerëz nga komuna Pratteln. Që nga ky rast, ka pasur kontakte të gjalla midis shoqatës sonë kulturore dhe komunës, prandaj unë jam e njohur tashmë në Pratteln si një punonjëse kulturore. Kur komuna vendosi të festonte edhe diversitetin shoqëror në Pratteln, dukej e qartë se mua dhe shoqatës time kulturore do të na ofrohej një vend në Schwingerfest, gjë që më mbush me gëzim dhe krenari të madhe.

albinfo.ch: Pra, a mund të thuhet se është e vetëkuptueshme që pakicat në shoqëri veshin kostumet e tyre tradicionale në paradën e Festivalit Federal të Mundjes dhe Alpine?

Shqipe Sylejmani: Jo, është pikërisht e kundërta. Për herë të parë në historinë 125-vjeçare të kësaj ngjarjeje madhore, është bërë e natyrshme që veshjet tradicionale nga e gjithë bota të marrin pjesë në parakalimin e Schwinger dhe Älplerfest. U jam shumë mirënjohëse të gjithë përgjegjësve këtu dhe veçanërisht znj. Andrea Sulzer.

albinfo.ch: Çfarë mesazhi do të donit t’i përcillnit shumicës së shoqërisë zvicerane sot?

Shqipe Sylejmani: Është veçanërisht e rëndësishme për mua që të mund të përdor artin dhe kulturën për të ndërtuar një urë ndërmjet atdheut tim të parë, Kosovës dhe atdheut të ri, Zvicrës. Kultura, muzika dhe arti lidinh njerëzit në mbarë botën dhe këtë e uroj edhe për Zvicrën.

albinfo.ch: Po diaspora shqipfolëse?

Shqipe Sylejmani: Është shumë e rëndësishme për mua që brezi i ri në veçanti të mund të rritet me imazhin për veten që ata gjithashtu mund të ndihen si në shtëpi dhe të pranuar në Zvicër.

Autor: Driter Gjukaj