Lajme

Falimentimet e bizneseve në BE, në nivelin më të lartë që nga viti 2015

Në tremujorin e dytë të vitit 2023 numri i deklaratave të falimentimit të bizneseve të BE-së u rrit për të gjashtin tremujor radhazi.

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, numri i falimentimeve është rritur me 8.4% dhe ka arritur kështu nivelin më të lartë, që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave më 2015.

Kur bëhet fjalë për regjistrimet e bizneseve të reja, krahasuar me tremujorin paraardhës, pas një rritjeje prej 2% në tremujorin e parë të vitit, këto janë ulur lehtësisht me 0,6% në tremujorin e dytë 2023. Në përgjithësi, që nga viti 2023, numri i regjistrimeve të bizneseve ka qenë më i lartë se në periudhën 2015-2022.

Deklaratat e falimentimeve u rritën më së shumti në shërbimet e akomodimit dhe ushqimit në TM2 2023.

Duke parë konkretisht falimentimet sipas aktivitetit, të gjithë sektorët e ekonomisë shënuan rritje të numrit të falimentimeve në tremujorin e dytë të vitit 2023, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Shërbimet e akomodimit dhe ushqimit (+23,9%), transporti dhe magazinimi (+15,2%) dhe arsimi, shëndetësia dhe aktivitetet sociale (+10,1%), ishin sektorët me rritjen më të lartë të numrit të falimentimeve në tremujorin e dytë të 2023-ës, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Krahasuar me tremujorin e katërt para pandemisë 2019, numri i deklarimeve të falimentimeve në tremujorin e dytë 2023 ishte më i lartë në shumicën e sektorëve të ekonomisë.

Rritjet më të mëdha të numrit të falimentimeve, krahasuar me tremujorin e katërt 2019, janë shënuar në shërbimet e akomodimit dhe ushqimit (+82,5% dhe transportit dhe magazinimit (+56,7%).

Në të kundërt, në tremujorin e dytë të 2023, kishte vetëm dy sektorë të ekonomisë ku numri i deklarimeve të falimenteve, ishte më i ulët se në tremujorin e katërt para pandemisë 2019: industria (-11,5%) dhe ndërtimi (-2,7%).

Krahasimi tremujor sipas shteteve anëtare

Duke krahasuar tremujorin e dytë të 2023, me tremujorin e parë të 2023, midis shteteve anëtare për të cilat disponohen të dhëna, rëniet më të mëdha në regjistrimet e bizneseve të reja, u vunë re në Poloni (-11,3%), Bullgari (-9,1%) dhe Danimarkë (-9%).

Rritjet më të mëdha në regjistrimet e bizneseve të reja, janë vërejtur në Irlandë (+50,9%), Sllovaki (+30,2 %) dhe Gjermani (+9,6%).

Duke krahasuar tremujorin e dytë të vitit 2023, me tremujorin e parë të 2023, rritjet më të larta në deklaratat e falimentimit, u vunë re në Hungari (+40,8%), Letoni (+ 24,8%) dhe Estoni (+ 24,6%).

Uljet më të mëdha në numrin e deklarimeve të falimentimeve, u regjistruan në Qipro (-48,5%), Kroaci (-23,6%) dhe Danimarkë (-15,9%). / Eurostat