Lifestyle

Feliksa Jakaj: “Dua të jem inspirim për nënat e reja”

Është ndër blogeret më të njohura shqiptare në Zvicër. Feliksa, një grua e martuar dhe nënë e një djali 4 vjeçar, tregon për jetën e saj si blogere dhe shpërnguljen nga Austria për të jetuara në Zvicër

Emri i saj është i veçantë. E quajnë Feliksa. Më këtë emër e ka pagëzuar xhaxhai i saj. “Xhaxhai im ka qenë shumë kreativ.  Emrin Felix apo Feliks ai e ka lakuar në gjininë femërore, duke më pagëzuar me emrin Feliksa. Ky emër do të thotë: e lumtur, e suksesshme”, shprehet ajo në fillim të bisedës për albinfo.ch.

Feliksa është e martuar dhe është nënë e një djali 4-vjeçar. Në kohën e lirë është aktive në botën e modës dhe të fitnesit. Rrugëtimi i saj si blogere ka filluar si një hobby. Për një kohë të shkurtër, ka arritur të grumbullojë mijëra ndjekës në instagram. Brende të ndryshme të modës tashmë janë të interesuare për të bashkëpunuar me të. Por cilat janë veçoritë që e bëjnë një blogere të modës të suksesshme? “Ndjekja e trendeve aktuale me stilin personal si dhe më kryesorja është të jesh origjinale dhe vetvetja”, thotë Feliksa për “albinfo.ch”.

Nuk është e lehtë të ruash atraktivitetin për ndjekësit

Shumë të rinj e të reja kudo në botë sot janë të dhënë pas rrjeteve sociale, veçanërisht pas trendit të ndjekëseve në instagramit, megjithatë jo të gjithë kanë suksese. “Mendoj qe nuk është aq e lehtë të jeshë gjithmonë atraktive dhe interesante për ndjekësit. Në botën e rrjeteve sociale patjetër duhet te jesh unike jo vetëm fizikisht, por edhe si person. T`i bësh ndjekësit te ndihen sa më afër teje, dhe ta ndërtosh një lidhje përmes sinqeritetit dhe temave aktuale rreth botes, jo vetëm në boten e modës por ne përgjithësi”.

Feliksa tregon se fotografitë që i poston në rrjetet sociale varen edhe prej bashkëpunimeve që ka me shtëpi të ndryshme të modës. “Aktualisht e kam kohen e caktuar për sa ditë duhet t`i postoj produktet dhe veshmbathjet e kompanive që bashkëpunoj. Ndërsa fotot personale mundohem t’i postoj 3 herë në javë në kronikë. Në storje mbaj lidhje konstante me ndjekësit. Postimet mundohem t`i kombinoj sipas vendit dhe veshjeve. Megjithatë shpeshherë postoj edhe foto të rastit”, na tregon ajo.

Blogun e përdor për inspirim mode, motivim për fitness dhe ushqim, biseda për tema të përditshme. “Kam dëshirë ta tregoj jetën time reale. Kam një dashuri të madhe për fotografinë. Vendet e bukura, udhëtimet apo pushimet me familje e shoqëri dua t’i ndaj me të tjerët. Me fjalë të tjera dua të jem inspirim për nënat e reja, për femrat moderne”.

Lë Austrinë për të jetuar në Zvicër

Feliksa është nga Gjakova. Për shumë vite ka jetuar në Vjenë të Austrisë. Por ajo migron sërish për të dytën herë. Kësaj here e lë Austrinë për të jetuar në Zvicër. Prej më shumë se dy vitesh Feliksa së bashku më bashkëshortin dhe djalin e saj janë vendosur për të jetuar në Lucern të Zvicrës. “Ka qenë një ofertë e punës jashtë mase e mirë e bashkëshortit tim të cilën nuk kishim dëshirë ta refuzojmë. Jemi ambientuar shumë mirë edhe në Zvicër. Më herët kemi jetuar në Vjenë. Vjena është i vetmi qytet në Austri që me mungon shumë. Është qytet i pazëvendësueshëm!” shprehet ajo.

Ndërkohë gjatë bisedës Feliksa na tregon edhe për dallimet në stil të jetës, apo modës mes Austrisë dhe Zvicrës. “Sa i përket modës mendoj se Zvicra është në rrugën e duhur. Flas për modën që e shoh në qytet. Mirëpo, në krahasim me Cyrihun, Lucerni më duket paksa më konservativ”. Ajo ka edhe një mendim për shqiptarët në Zvicër. “Te shqiptarët në Zvicër më ka bërë përshtypje se thuajse të gjithë e përdorin fjalën stres. Pa keqkuptime, por si duket, këtu mendojnë se në shtetet tjera nuk punohet. Për mendimin tim, si në Zvicër ashtu edhe në Austri njerëzit punojnë njëjtë, dikush më shumë e dikush më pak. Nëse dëshiron, secili mund ta këtë një jetë të baraspeshuar”.

Feliksa na tregon se ajo dhe familja e saj nuk e kanë ndërmend kthimin për të jetuar në Austri, por sipas saj, ofertat për të jetuar në shtete të tjera janë gjithmonë të mirëseardhura. “Më pëlqen të njoh kultura të reja”, përfundon bisedën me albinfo.ch, blogerja Feliksa Jakaj.

“Stres” nuk ka vetëm në Zvicër

“Te shqiptarët në Zvicër më ka bërë përshtypje se thuajse të gjithë e përdorin fjalën stres. Pa keqkuptime, por si duket, këtu mendojnë se në shtetet e tjera nuk punohet. Për mendimin tim, si në Zvicër, ashtu edhe në Austri njerëzit punojnë njëjtë, dikush më shumë e dikush më pak”.

E ambientuar në Lucern

Për shumë vite ka jetuar në Vjenë të Austrisë. Por ajo migron sërish për të dytën herë. Kësaj here e lë Austrinë për të jetuar në Zvicër. Prej më shumë se dy vitesh Feliksa së bashku më bashkëshortin dhe djalin e saj janë vendosur për të jetuar në Lucern të Zvicrës. “Ka qenë një ofertë e punës jashtë mase e mirë e bashkëshortit tim të cilën nuk kishim dëshirë ta refuzojmë. Jemi ambientuar shumë mirë edhe në Zvicër.