E-Diaspora
Festim madhështor i 28 Nëntorit në Deutsch-Wagram
Roland Bimo: “...Pavarësia e Shqipërisë dhe Kosovës kanë në themelet e tyre sakrificën e mërgimtarëve shekujve....ne përpara se të jemi besimtarë të një feje të caktuar, mbi të gjitha jemi shqiptarë...”
Shoqata e Mësuesve Shqiptarë dhe Shoqata Kulturore-Sportive “Afrim Zhitia” organizuan shënimin e 28 Nëntorit –Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe rënien e heronjve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, emrin e të cilëve e mban.
Fundjava e nëntorit ishte e veshur kuqezi gjithandej hapësirave ku kremtohej 28 Nëntori-Dita e Pavarësisë së Shqipërisë e mishëruar tani në ndërgjegjen kombëtare si Dita e Flamurit. Kështu ishte edhe në Vjenë e rrethinë, ku u dallua Deutsch Wagrami me stolisjen e tij nga shumëngjyrëshi shqiptar. Salla e bukur e qytetit ishte e mbushur me mërgimtarë nga Vjena e rrethina, mes tyre dhe mysafir të shumtë. Morën pjesë edhe Roland Bimo, Ambasador i Shqipërisë në Austri, Dedë Prenga, atashe ushtarak, Ymer Lladrovci, konsull në Ambasadën e Kosovës dhe zonja e tij, Ilirjana Lladrovci.
Këndimi i himnit kombëtar nga nxënësit shqiptar shënoi hapjen e programit duke u pasuar me një minutë heshtje në përkujtim të dëshmorëve të rënë për liri. Manifestimin solemn e hapi Fetah Sahiti, kryetar i shoqatës. “Në emër të organizatorit urime 28 Nëntorin- Ditën e Pavarësisë, Ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari, daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot përkujtojmë 25 vjetorin e rënies së heronjve të kombit Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu dhe 24 vjetorin e shoqatës sonë “Afrim Zhitia. Ne i falënderojmë të gjithë aktivistët patriotë pararendës për veprën e tyre me vlerë e cila na përcjell deri në ditët tona. . Programin e prezantoi Osman Adem. ”
Në fjalën e tij z.Roland Bimo përshëndeti dhe uroi të pranishmet mes tjerash, shtoi: “Përjetoj emocione të veçanta kur shoh një manifestim kaq masiv me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo më kujton kontributin jashtëzakonisht të çmuar që është dhënë për çështjen kombëtare historikisht nga mërgata dhe mund të thuhet se, në një masë të konsiderueshme pavarësia e Shqipërisë dhe Kosovës kanë në themelet e tyre kontribut të pashoq që ka dhënë mërgata në të gjitha format, njerëzore, financiare e materiale. Dhe për këtë iu takon një falënderim i veçantë. Dy Luftërat Botërore i shkaktuan kombit tonë vuajtje dhe mjerim të jashtëzakonshëm, ku trevat shqiptare u kthyen në shesh lufte të forcave pushtuese. Rrethanat në Europën fashiste e komuniste i penguan shqiptarët të jenë pjesë e zhvillimit në kontinent…Ne historikisht e kemi vlerësuar kaq shumë bashkimin, por bashkimi në kushtet konkrete në të cilat po flasim merr forma nga më të ndryshmet. Rreth kësaj do doja ta them përmbajtën e fjalës së kryeministrit Edi Rama në Preshevë, ku thotë që “ne shqiptarët jemi për një Evropë të bashkuar, të madhe që të ketë vend për gjithë shqiptarët ashtu sikurse edhe për të tjerët, brenda së cilës ne do zhvillojmë gjitha aspiratat tona kombëtare dhe t’i garantojmë popullit tonë një jetë më të mirë”.
Është e ditur se liria nuk dhurohet, por fitohet, e shpeshherë me gjak. Dhe ky përvjetor sot koincidon edhe me ditëlindjen e Heroit Legjendar të popullit shqiptar Adem Jashari, veprën e të cilit ne do ta kujtojmë përjetë të jetëve me shumë nderim dhe respekt, duke u përkulur gjithmonë para veprës së tij. Sot pas një rrugëtimi kaq të vështirë, kombi shqiptar është një nga fazat më të mira në historinë e një shekulli të kaluar…
Një moment historik për kombin shqiptar, do përmendja këtu atë të vizitës së Papa Benediktit në Shqipëri. I pyetur disa herë nga gazetaret, disa edhe provokues, rreth vizitës në Shqipëri, ai u përgjigj se ishte në Tiranë dhe takoi një popull evropian. Këtu kam parasysh një përpjekje që po mundohen të na godasin në atë që ne e kemi më të shenjtë e më të shtrenjtë se çdo gjë tjetër në jetë, atë se, ne përpara se të jemi besimtar të një feje të caktuar, ne mbi të gjitha jemi shqiptar. Dhe këtë realitet nuk ka për ta ndërruar asnjë gjë dhe asnjë forcë sado e fuqishme propagandistike që të jetë, që të na heq ne ato vlera më themelore që kemi, për të cilat na ka zili e gjithë bota, një shkuarje e jashtëzakonshme mes besimeve të ndryshme fetare. Kjo çështje ju përket të gjithëve që ta përballoni me sukses në çdo rrethanë, duke qenë krenar për besimin që praktikoni por mbi të gjitha qëndron kombi dhe çështja kombëtare. Shoqata e juaj, me punën që bën në ruajtjen e kulturës e gjuhës shqipe, e nderon emrin e Heroit të Kombit –Afrim Zhitia.”
Në emër të Ambasadës së Kosovës mërgimtarët e tubuar i përshëndeti z.Ymer Lladrovci, konsull. Ai në fjalën e tij mes tjerash tha: “Nderime dhe respekt para flamurit tonë dhe Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Heronjtë e Kombit Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu janë bërë synonim i lirisë të cilët në lulen e rinisë e dhanë jetën e tyre duke u bërë themel i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.” Mërgimtarët i uroi edhe e Kolonel Dedë Prenga, atashe ushtarak shqiptar në Austri, kurse në emër të Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri Avdullah Avdullahu, bashkëveprimtar i heroit Afrim Zhitia. “Rënia e Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut ishte frymëzim për kryengritjen e armatosur dhe lindjen e UÇK-së.”
Referatin rreth jetës dhe veprës së heroit Afrim Zhitia e mbajti z.Ibrahim Hasani. Poeti dhe aktori shkodran Ragip Dragusha, recitoi vjershën kushtuar Afrim Zhitisë. Kori i nxënësve nën drejtimin e mësuesit Shefqet Gashi këndoi këngë korale. Nxënësit shqiptar të përgatitur nga mësuesit: Miradije Berisha, Ibrahim Hasani, Osman Ademi dhe Hazir Mehmeti dhanë një program të pasur artistik. Nxënësja nga Tullni, Fiona Kabashi luajti në violinë një valle popullore. Kurse recituan nxënësit/et: Dorint Alushaj, Suhela dhe Humera Alili, Fiona Murseli, Anesa Izairi, Jerina e Anisa Sutaj, Lira e Lisa Fetahaj, Fimete e Makfire Jashari, Iljuna Maksuti, Blina Gashi, Krenar Miftari, Erenik Pepshi, Laurent Qestaj, Shqipe Salihu, Ehat Halili, Hatixhe Alili, Agush Gjoci, Qefsere Limani, Flutura Ademi, Flutura Murseli, Blerta Ismaili, Alban Spahiu etj.
U disa nga pjesët e reportuarit të tyre artistik u paraqiten Shoqëritë Kulturore Artistike “12 Qershori” nga Vjena nën drejtimin e Rolanda Limanit dhe “17 Shkurti” nga Badeni me udhëheqësin e tyre z. Tahir Turkaj. Këngëtari Adnan Isaku u prezantua me disa këngë popullore të cilat u shoqëruan me vallëzimin festiv.
Të tjera nga E-Diaspora
E-Diaspora
-
Vlashent Sata “Lufto me kenë i mirë, ma shumë ke me kenë i lirë” Vlashent Sata, një identitet artistik që harmonizon rrënjët me estetikën bashkëkohore. Intervistë me artistin që ndërthur... -
Nata e parë e Tri Net Film Fest, një fillim i mbarë i festivalit -
Itali
9-vjeçarja shqiptare fiton festivalin italian “Zecchino d’Oro” për herë të parë në 68 vjet -
Gjermani
Ekspozitë në Braunschweig, identiteti dhe arti kosovar në skenën gjermane -
Familja Munishi dhe vizioni i Nikolas: Një histori suksesi në Wil
Jeta në Zvicër
-
Ndalimi i reklamave të duhanit në Zvicër për të mbrojtur të miturit do të fillojë në vitin 2027 Rregullat e reja mbi reklamimin e duhanit për të mbrojtur fëmijët, të miratuara nga parlamenti zviceran... -
Tregtia e energjisë elektrike diellore midis banorëve të së njëjtës komunë do të jetë e mundur nga viti 2026 -
Ndryshimet e transportit publik që priten në qytetet më të mëdha të Zvicrës në vitin 2026 -
Zvicra nënshkroi kontratën për tetë avionët e parë F-35 -
Pse autoritetet e Cyrihut po i anashkalojnë intervistat për natyralizim?











