Sport

Fitorja e Seferit për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Nuri Seferi me fitoren në Shkup ka hyrë ndër 3 boksierët më të mirë në botë në kategorinë „Cruiser“ 90kg

Seferi ka  mbrojtur pa problem të dielën mbrëma në Shkup titullin e kampionit të Evropës në versionin WBO

Shqiptari nga Gostivari i Maqedonisë, i cili jeton në Bernë të Zvicrës ka mbajtur premtimin se do ta rrahë serbin në ring, Nenad Stankovic për “100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë“.

Spektatorët e mbledhur nuk kanë parë edhe aq shumë boks në këtë duel, ngase boksieri Nuri Seferi e ka nokautuar kundërshtarin serb, Nenad Stankoviç, qysh në raundin e parë në arenën më të madhe të Maqedonisë, në “Boris Trajkovski Sports Arena.  Nuri Seferi i cili në ringun e boksit profesionist i ka zhvilluar 38 duele dhe i ka fituar 32 nga ato, në mbrëmjen e 7 tetorit ka luftuar për herë të dytë për titullin WBO të Evropës, të cilin e kishte fituar në vitin 2010 dhe e kishte mbrojtur 2 herë me sukses. Mirëpo, pas një sëmurjeje dhe kohe të gjatë të kurimit, titulli i tij është shpallur vakant “neutral” nga WBO, dhe tani për fat e mori sërish mundësinë të luftojë për këtë titull në kategorinë “Cruiser”. 

Nuri Seferi në Organizatën Botërore të Boksit WBO mban pozitën e 5-të në botë dhe me fitoren në Shkup ka hyrë ndër 3 boksierët më të mirë në botë në kategorinë „Cruiser“ 90kg.