CH-Ballkani

Hahn e Mogherini: Viti 2018, kyç për Ballkanin Perëndimor

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ata kanë theksuar se shtetet ballkanike duhet t’i shtojnë përpjekjet ku ka nevojë për zhvillim

Viti 2018 është vit kyç për Ballkanin perëndimor prandaj shtetet duhet t’i shpejtojnë hapat integrues. Kështu ka deklaruar komisioneri evropian për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore, Johannes Hahn dhe shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ata kanë theksuar se shtetet ballkanike duhet t’i shtojnë përpjekjet ku ka nevojë për zhvillim.

“Të jemi krenarë për arritjet e përbashkëta, t’i përforcojmë përpjekjet në fushat ku progresi duhet akoma të realizohet”, theksoi komisionari Hahn, i cili ka uruar vitin e ri, duke ftuar të formojnë një të ardhme për të rinjtë.

“Të gjithë partnerëve, politikanëve dhe qytetarëve u dëshiroj Vit të Ri të qetë dhe të gëzuar. Ta formojmë të ardhmen së bashku për rininë tonë”, theksoi Hahn.

Edhe shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini tha se viti 2018 do të jetë një vit vendimtar për Ballkanin. Ajo në blogun e saj ka përmendur 12 momente të veçanta që kanë shënuar vitin e saj më 2017.

“Ky nuk ishte një vit i lehtë për Ballkanin. Kam vizituar gjashtë kryeqytete të rajonit në një nga momentet më të vështira – në disa raste, koha e krizës së thellë politike”, ka shkruar Mogherini, sipas të cilës, në sajë të vendimeve të guximshme dhe punën e madhe që është bërë së bashku, shumica e kësaj krize është zgjidhur.

“Rruga për reforma është zhvendosur përsëri (edhe pse ka ende shumë punë) dhe busulla e integrimit evropian tregon në këtë mënyrë. Viti 2018 do të jetë një vit vendimtar që kjo rrugë të forcohet dhe të bëhet e pakthyeshme. Ky do të ishte një rezultat i rëndësishëm jo vetëm për rajonin, por për të gjithë Evropën”, ka thënë ajo.