Lajme
Kërkohet mbrojta e votës së lirë
Presidentja Jahjaga kërkoi nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare që të mbrojnë me çdo kusht votën e qytetarëve kosovarë në zgjedhjet e 8 qershorit
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga u bëri thirrje organeve të rendit, por edhe autoriteteve ndërkombëtare që të bëhen gardian i mbrojtjes së votës së lirë në zgjedhjet e 8 qershorit. Ajo tha se këto zgjedhje duhet të përcjellin mesazhin se Kosova mund të organizojë zgjedhje demokratike.
Këto komente presidentja kosovare i bëri në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, tema e të cilit është “Zgjedhjet dhe korrupsioni”.
“Kosova nuk ka shumë kohë për të humbur, sepse procesi i integrimeve euroatlantike varet nga vetë ne, nga vullneti, puna dhe angazhimi ynë për të dëshmuar se jemi të gatshëm dhe të guximshëm për të ndërmarrë hapat më të rëndësishëm për shtetin dhe shoqërinë tonë”, deklaroi presidentja kosovare.
Luftimi i korrupsionit, sipas saj, mbetet një ndër pengesat më të mëdha në përparimin drejt integrimeve euroatlantike. Ndërsa sistemi i drejtësisë, siç tha Jahjaga, mbetet hallka më e rëndësishme në këtë proces.
‘Ne sot jemi në një periudhë kur na duhet më shumë punë dhe veprim për të treguar jo vetëm gatishmërinë por edhe efektshmëri në parandalimin e korrupsionit edhe në procesin zgjedhor”, tha Jahjaga, sipas të cilës, standardin e përcaktuar në zgjedhjet komunale, duhet të dëshmohet edhe në zgjedhjet e 8 qershorit.
Kosova, siç tha ajo, po hyj në zgjedhje të reja me ligj të vjetër, prandaj sado i mangët që të jetë ligji ekzistues, “kemi vërtetuar se mund të organizojmë dhe mbajmë zgjedhje të pranueshme ndërkombëtarisht, siç ishin zgjedhjet komunale të 2013 që u mbajtën në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.
“Në zgjedhjet e kaluara organet e rendit, të ndjekjes dhe gjykimit kanë treguar një përmirësim në kapjen dhe ndëshkimin e personave që kanë provuar përmes metodave korruptive të ndikojnë në lirinë e votës. Këtë praktikë ne duhet që ta intensifikojmë edhe më shumë në këto zgjedhje”, tha presidentja.
Sipas saj, institucionet duhet të mbrojnë edhe më fuqishëm votën e qytetarëve për të krijuar institucione të besueshme dhe legjitime.
“Është e domosdoshme që të shmangim pasojat politike që shfaqen nga korrupsioni në zgjedhje, me qëllim që të mos e humbim kredibilitetin përpara qytetarëve tanë dhe me qëllim të rritjes së llogaridhënies”, tha Jahjaga, duke ftuar të gjitha institucionet që të jemi vigjilentë dhe të zbatojmë me përpikëri ligjin.
“Zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme në vend duhet të jenë zgjedhje shembull që e çojnë përpara shtetin e Kosovës, që vendosin standardin për proceset zgjedhore dhe që i bëjnë qytetarët, në çdo cep të Republikës së Kosovës, të vendosin vetë për të ardhmen e tyre, pa frikën e manipulimit të votës së tyre”, deklaroi ajo.
Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi e konsideroi të rëndësishme që Kosova t’i bashkojë forcat për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Ai tha se duhet t’u dërgohet një mesazh i qartë qytetarëve të Kosovës mbi rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira demokratike, zgjedhje ku fitimtare në fund rezulton të jetë Kosova dhe qytetarët e saj.
“Ftoj organet e rendit, Policinë, Prokurorinë por edhe monitoruesit dhe qytetarët që të lajmërojnë çdo parregullsi gjatë zgjedhjeve dhe të gjitha format potenciale të korrupsionit apo ndërhyrjeve tjera në votën e lirë të qytetarëve”, deklaroi mes tjerash ministri Kuçi.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hap 23 kuti postare për votuesit e diasporës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka vënë në funksion 23 kuti postare në shtete të... -
Ministrja shqiptare paralajmëron iniciativa për të drejtat e diasporës në Greqi -
Udha e Lorik Canës: Sporti, Kultura dhe Kombi -
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato
Jeta në Zvicër
-
Sondazh: Zviceranët duan të paguajnë më pak për shërbimet dixhitale Konsumatorët zviceranë janë gjithnjë e më të vetëdijshëm për kostot kur bëhet fjalë për shërbimet dixhitale,... -
Rinovimet në aeroportin e Bazelit, do të operojë vetëm një linjë -
Pse Zvicra duhet të përqendrohet më shumë te kursimi i energjisë? -
Temu, Shein, AliExpress: A duhet Zvicra të taksojë paketat kineze si BE-ja? -
Këshilli Kombëtar i Zvicrës miraton 1 milion franga për luftën kundër dhunës me bazë gjinore












