Komunikatë për media

Xherdan Shaqiri dekorohet me çmimin “Diaspora” për vitin 2012

Në ambientet e hotel Bellevue është organizuar solemniteti i ndarjes se çmimit “Diaspora”. Në emër të mërgatës kosovare në Zvicër, ky çmim i ndahet çdo vit një personaliteti të shquar, i cili ka dhënë kontribut në vendosjen dhe zhvillimin e paqes në Kosovë, në forcimin e imazhit të Kosovës, në promovimin vlerave dhe të kulturës së saj, si dhe në integrimin e kosovarëve në Zvicër.

Talenti i futbollit Xherdan Shaqiri, si laureat i merituar i çmimit “Diaspora”, është nderuar me këtë çmim për kontributin e dhënë në integrimin dhe krijimin e një imazhi më të mirë të Kosovës dhe kosovarëve në Zvicër.

Në solemnitetin e ndarjes se çmimit “Diaspora” ishin të pranishëm mysafirë të shumtë nga Kosova dhe Zvicra, në mesin e tyre edhe ministri i Diasporës i Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli, ministri i qeverisë kantonale të qytetit te Bazelit, dr. Hans-Peter Wessels, përfaqësues të lartë të autoriteteve zvicerane, diplomatë të huaj të akredituar në Bernë, bashkatdhetarë, si dhe përfaqësues të mediave nga Kosova dhe Zvicra.