Lajme

Komuniteti Shqiptar Musliman në Austri reagon pas sulmit në xhaminë shqiptare

Komuniteti Shqiptar Musliman në Austri ka dalë me reagim publik pas sulmit të armatosur ndaj një xhamie shqiptare.

“Mbrëmë, pak para orës 00:00, xhamia jonë në Hollabrunn ka qenë objekt i një sulmi me armë zjarri. Për fat të mirë, në momentin e incidentit nuk ka pasur persona brenda objektit, pasi besimtarët ishin larguar vetëm disa minuta më herët nga xhamia. Komuniteti Shqiptar Musliman në Austri e dënon ashpër këtë akt dhune të drejtuar kundër një institucioni fetar. Sulme të tilla përbëjnë një kërcënim serioz jo vetëm për sigurinë e komuniteteve fetare, por edhe për bashkëjetesën paqësore dhe rendin demokratik në shoqëri”, thuhet në reagim.
Përmes deklarates, u bëhet thirrje organeve kompetente të sigurisë që të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për zbardhjen e këtij rasti dhe për identifikimin e autorëve, si dhe për garantimin e sigurisë së institucioneve fetare dhe qytetarëve, transmeton albinfo.at.
“Njëkohësisht, u bëjmë apel përfaqësuesve politikë dhe opinionit publik që të shmangin çdo formë gjuhe nxitëse apo urrejtjeje ndaj institucioneve fetare dhe anëtarëve të tyre. Fjalët kanë peshë dhe përgjegjësi – veçanërisht në kohë të ndjeshme. Komuniteti Shqiptar Musliman në Austri qëndron i vendosur në përkushtimin e tij për paqe, dialog, respekt të ndërsjellë dhe bashkëjetesë në shoqërinë austriake”, përfundon deklarata.