CH-Ballkani
Kosovë-Turqi, marrëveshje për tregti të lirë
Marrëveshja garanton heqjen e menjëhershme të tarifës doganore nga Turqia për të gjithë prodhuesit kosovarë që do të eksportojnë mallra industriale në Turqi
Autoritetet kosovare dhe ato turke kanë nënshkruar të premten në Stamboll Marrëveshjen për tregtinë e lirë ndërmjet dy shteteve. Marrëveshja është nënshkruar nga ministrja kosovare e Industrisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila dhe ministri i Ekonomisë së Turqisë, Zafer Caglayan.
Në historinë e Kosovës, kjo është Marrëveshja e Parë e Tregtisë së Lirë e negociuar nga institucionet e Kosovës, thuhet në një kumtesë për media. Negociatat për këtë marrëveshje kanë filluar në shtator të vitit të kaluar dhe u përmbyllen pas 4 raundeve të bisedimeve.
Ministrja Kusari Lila tha se marrëveshja do të ndihmojë zhvillimin e biznesve, jetën e qytetarëve dhe ngritjen e investimeve të huaja.
“Nga marrëveshja do të përfitojnë qytetarët dhe bizneset e dy vendeve tona. Qytetarët e Kosovës nuk do të paguajnë tarifë doganore për produktet turke të cilat nuk prodhohen në Kosovë. Tarifa doganore do të eliminohet menjëherë për një numër të madh të produkteve, kryesisht atyre industriale duke i bërë ato më të lira për konsumatorët tanë”, tha Kusari Lila.
Njëkohësisht marrëveshja, siç u tha, garanton heqjen e menjëhershme të tarifës doganore nga Turqia për të gjithë prodhuesit kosovarë që do të eksportojnë mallra industriale në Turqi.
“Kjo marrëveshje hap mundësi të mira për prodhuesit kosovar. Të gjitha produktet industriale kosovare dhe një numër i madh i produkteve bujqësore do të lejohen të hyjnë në Turqi me tarifë doganore zero, menjëherë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes”, tha ministrja Kusari-Lila.
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me Turqinë garanton mbrojtjen deri në 10 vite të sektorëve të ndjeshëm prodhues në Kosovë nga heqja e doganave për produktet me origjinë nga Turqia.
“Ne jemi kujdesur që gjatë negociatave të mbrojmë sektorët tanë prodhues të cilët kanë filluar të zhvillohen dhe të cilët kanë potencial të rritjes gjatë viteve të ardhshme. Marrëveshja garanton mbrojtjen me tarifë doganore deri në 10 vite për të gjitha këto produkte”, nënvizoi ministrja kosovare.
Ndërkaq, ministri i Ekonomisë së Turqisë, Caglayan tha që kjo marrëveshje është një lajm i mirë për tregtinë e dy vendeve, qytetarët dhe bizneset tona.
“Ne sot po nënshkruajmë marrëveshjen e tregtisë së lirë e cila do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe Turqisë. Kjo është edhe një tregues që marrëdhëniet ekonomike në mes vendeve tona po forcohen për cdo ditë edhe më shumë”, deklaroi Caglayan.
Ministri turk tha që Marrëveshja hap mundësi të reja për rritjen e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare në mes Kosovës dhe Turqisë.
“Ne sot po e trasojmë këtë autostradë ekonomike për bizneset tona. Tani ata duhet të shfrytëzojnë këtë përparësi dhe të shikojnë opcionet më të mira për të investuar në Kosovë dhe anasjelltas”, tha në fjalën e tij ministri Caglayan, sipas të cilit, Marrëveshja e Tregtisë së Lirë në mes Kosovës dhe Turqisë është rezultat i negociatave të vazhdueshme për një vit në mes të dy ekipeve.
Të tjera nga CH-Ballkani
E-Diaspora
-
Zvicra dhe Kosova drejt një epoke të re ekonomike Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet shteteve të EFTA-s dhe Republikës së Kosovës po hyn në... -
KQZ lejon votimin në përfaqësitë diplomatike edhe me dokumente të skaduara -
Vritet një grua e moshuar nga Kosova në Buchs ZH: tre arrestime deri tani -
Krishtlindja dhe Viti i Ri: Saktësia teologjike e gjuhës në traditën katolike dhe etërve të Kishës -
Leyla Ibrahimi-Salahi uron udhëtarët: “Na pret një 2026 plot risi”
Jeta në Zvicër
-
Nga viti 2026, kursimtarët në Zvicër do të mund të plotësojnë kontributet e humbura në shtyllën e tretë të pensioneve Sigurimi privat i pensionit përmes shtyllës së tretë mbetet një nga format më të përhapura të... -
Zyrtarët e zgjedhur zviceran duan të promovojnë verën vendase -
Më shumë se gjysmë milioni njerëz marrin pjesë në tregun e Krishtlindjeve në Montreux -
Ticino është kantoni më i prekur nga gripi -
Ndërhyrjet e pazakonta të policisë dhe zjarrfikësve në Zvicër gjatë vitit 2025












