Krasniqi dhe Walter: Lidhje shumë të ngushta mes Kosovës dhe Zvicrës
Walter: "është me rëndësi jo vetëm që ne, delegacionet të flasim mes vete por kemi nevojë për tu folur edhe qytetarëve të të dy vendeve"
Në përmbyllje të pjesës zyrtare të vizitës së tij në Zvicër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka mbajtur mbrëmë një konferencë shtypi bashkë me homologun e tij, Hansjörg Walter.
Në fjalën e tij të mbajtur me këtë rast, Walter ka përshëndetur delegacionin e shtetit të ri, duke theksuar afërsinë dhe lidhjet e Zvicrës me Kosovën. Ai ka vënë theksin në ngjashmëritë në mes të dy vendeve si, territori relativisht i vogël dhe përbërja shumetnike e të dy vendeve. Por, për ndryshim nga Kosova, Zvicra ka një zhvillim stabil demokratik prej shekujsh, ndërkohë që Kosova para pak vitesh ka qenë në luftë dhe ka mbrapa vetes një histori zhvillimesh dramatike të dekadave të fundit, ka thënë ai.
albinfo.ch
“Zvicra ka lidhje shumë të ngushta me Kosovën, për shkakun se këtu jeton një komunitet prej rreth 170 mijë kosovarësh. Një numër i tyre janë të natyralizuar, të tjerët janë afër. Kosovarët janë kryesisht të integruar mjaft mirë këtu.
Zvicra e ka njohur Kosovën në vitin 2008 si shtet të pavarur. Kjo pati ngjallur diskutime, por mendoj se ka qenë hap pozitiv. Me këtë kemi fituar edhe më shumë simpatinë e kosovarëve që jetojnë këtu”, ka theksuar Walter
Kryeparlamentari i Zvicrës ka thënë më tutje se Zvicra është angazhuar për ndihma humanitare në Kosovë qysh gjatë luftës. “Kemi strehuar edhe shumë refugjatë kosovarë gjatë luftës dhe një numër i madh i tyre pas luftës janë kthyer në atdhe”.
Po kështu Zvicra është angazhuar shumë në ndihmat për rindërtimin e Kosovës pas luftës dhe për zhvillimin e saj.
Walter më tutje ka vlerësuar angazhimin ushtarak të Zvicrës në Kosovë, respektivisht të Swisscoy-t në kuadrin e Kfor-it, që është një sfidë për Zvicrën. Duhet thënë se ushtarët tanë që shërbejnë atje kthehen me përshtypje shumë të mira, ka thënë ai.
Ai nuk ka lënë pa përmendur edhe futbollistët me prejardhje kosovare që po tregojnë sukses në Zvicër. “Unë e di se ju më me dëshirë do t`i kishit ata në mesin tuaj”, ka thënë ai. Por, Sukseset e lojtarëve si Shaqiri me shokë shkaktojnë emocione pozitive dhe kjo na bashkon të dyja palëve sepse ata angazhohen për Zvicrën por mburren edhe me prejardhjen e tyre si kosovarë”.
Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi duke përshëndetur homologun e tij dhe duke falënderuar për mikpritjen ka thënë se Kosova dhe kosovarët kanë respekt të madh për Zvicrën. “Kjo, për faktin se Zvicra ka mbështetur në kontinuitet Kosovën pastaj ka qenë vendi i parë që ka përmendur të drejtën e Kosovës për të qenë shtet i pavarur dhe më vonë ka qenë ndër të parët që edhe e ka njohur këtë pavarësi”, ka nënvizuar Krasniqi.
Po kështu Zvicra është një vend në të cilin jetojnë prej vitesh shumë bashkatdhetarë tanë, një pjesë e mirë e tyre janë integruar në jetën e këtushme, ka shtuar ai.
Pastaj Krasniqi ka bërë bilancin e takimeve dhe pritjeve që delegacioni ka pasur gjatë këtyre dy ditëve, me ç`rast ka theksuar se mikpritja ka qenë jashtëzakonisht e ngrohtë dhe ka vlerësuar lartë mbështetjen që ka gjetur delegacioni nga institucionet e Zvicrës kudo ku është pritur.
Ai ka vënë në dukje se meritat për qëndrimin pozitiv të Zvicrës zyrtare ndaj Kosovës janë edhe te bashkatdhetarët tanë që jetojnë të integruar në Zvicër. “Në të gjitha takimet gjetëm një gatishmëri të madhe për të ndihmuar zhvillimin e Kosovës në të gjitha aspektet. Ne njohëm mikpritësit me zhvillimet aktuale në Kosovë dhe me ndërtimin demokracisë në shtetin tonë të ri”.
Krasniqi shfrytëzoi nga rasti që t`i bëjë ftesë kryetarit të Parlamentit të Zvicrës për të vizituar Kosovën.
Të dy homologët u janë përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me rezultatet konkrete të kësaj vizite Kryekuvendari Krasniqi ka përkujtuar se Kosova ka të nënshkruara me Zvicrën 6 marrëveshje. “Është nënshkruar edhe një memorandum për sigurimet shoqërore. Janë duke u shqyrtuar nga pala zvicerane materialet që kanë ardhur nga Kosova që do të mundësojnë nënshkrimin e marrëveshjes. Tash varet nga kriteret që përcakton Zvicra se kur do të nënshkruhet edhe marrëveshja për sigurimet sociale”, ka thënë ai.
Ndërsa kryetari i Parlamentit zviceran, pyetjes nëse do ta vizitojë Kosovën i është përgjigjur: “mandati i kryetarit të parlamentit në Zvicër është njëvjeçar kështu që çështja mund të bartet te pasardhësi im në këtë post. Por në agjendën tonë vizita në Kosovë është në vendin më të lartë. Mendohet për një vizitë atje me përfaqësuesit respektivisht kryetarët e partive zvicerane”.
Walter i është përgjigjur edhe pyetjes nëse kjo konferencë shtypi, siç thuhej, ka qenë një përjashtim nga rregulli protokollar i kryetarit të parlamentit, i cili zakonisht nuk u drejtohet gazetarëve në konferenca.
“Kjo është zakonisht përcaktim personal. Por unë kam pyetur në protokoll nëse mund ta mbajmë një konferencë të tillë. Këtë e kam bërë për faktin se mendoj unë, është me rëndësi jo vetëm që ne, delegacionet të flasim mes vete por se kemi nevojë për tu folur edhe qytetarëve të të dy vendeve. Me rëndësi është edhe për këta 170 mijë qytetarë nga Kosova që pjesërisht janë bërë edhe shtetas zviceranë u bën mirë që të kenë qasje”, ka përfunduar Walter.
Për sonte, kryekuvendari Krasniqi ka paralajmëruar një takim publik me bashkatdhetarët, që do të mbahet në restorantin Salmen, në Schlieren afër Cyrihut.
E-Diaspora
-
Arrestohet një kosovar në Suedi, i dyshuar për përfshirje në trafikim droge Një shtetas kosovar është arrestuar në zonën e Goteborgut, në Suedi, si rezultat i një operacioni... -
Fehmi Mahalla: Nga Ferizaj në Lozanë, kampion dhe trajner i kampionëve -
3eni.com, aty ku Arben “Beni” Myftari bashkon artin, teknologjinë dhe shpirtin -
Lirohet nga spitali familja kosovare e aksidentuar në Austri -
Një badhkatdhetar që po shkonte në Kosovë u arrestua në Serbi e më pas u lirua
Jeta në Zvicër
-
Zvicra paralajmëron për rreziqet e ruajtjes së të dhënave shtetërore jashtë vendit Autoritetet zvicerane të mbrojtjes së të dhënave kanë paralajmëruar institucionet shtetërore për rreziqet e ruajtjes së... -
A mund të detyrojnë kompanitë farmaceutike rritje të çmimeve të ilaçeve në Zvicër? -
Studim i ri zbulon pse zjarrfikësit profesionistë në Zvicër po largohen nga profesioni -
Ndërprerje udhëtimi që priten kur fluturoni nga Zvicra këtë sezon festash -
Safety Home GmbH me ofertë festive për sigurimin e pronave në Kosovë











