Shqiperia

Kryeministrja italiane flet për marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët

Parlamenti italian do të jetë në gjendje të shprehet mbi memorandumin e fundit të mirëkuptimit për krijimin e qendrave të përpunimit të emigrantëve nën juridiksionin italian në Shqipëri për të përpunuar deri në 36 000 azilkërkues në vit, deklaroi kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

Meloni i përshkroi lajmet se Parlamentit i ishte hequr funksioni lidhur me memorandumin si “lajme të rreme” dhe premtoi se ”së shpejti do të paraqitej një projektligj për zbatimin e marrëveshjes”.

“Kjo marrëveshje është trasparente dhe së shpejti do t’ia paraqesim Parlamentit një projektligj ratifikimi që përfshin rregullat e shpenzimeve”, theksoi ajo.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, deklaroi dy ditë më parë se ”qeveria do të paraqesë në Kuvend një projektligj për ratifikimin e marrëveshjes së arritur me Tiranën për krijimin e qendrave të emigrantëve në Shqipëri”.

“Qeveria synon të paraqesë me shpejtësi në Kuvend një projektligj, ratifikimi i cili do të përmbajë edhe rregullat dhe ndarjet e nevojshme për zbatimin e protokollit”, theksoi Tajani në sallën e Parlamentit.

“Debati i sotëm mbi marrëveshjen dhe votimi në fund të tij tregojnë se qeveria jonë nuk i është shmangur asnjëherë dialogut dhe kontrollit parlamentar, veçanërisht për çështje të një rëndësie të tillë”, shtoi ai.

Ministri tha se ”sipas marrëveshjes do të ngrihen dy qendra në Shqipëri, në të cilat do të mbahen jo më shumë se 3000 emigrantë në të njëjtën kohë”.

”Vetëm emigrantët e shpëtuar në det nga autoritetet italiane do të dërgohen në qendrat në Shqipëri, pra jo ata që shpëtohen nga anijet e menaxhuara nga OJQ-të apo personat që zbarkojnë në tokën italiane. Emigrantët do të kenë saktësisht të njëjtin trajtim të parashikuar nga rregulloret italiane dhe evropiane. Ky protokoll nuk është i krahasueshëm me marrëveshjen midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Ruandës”, theksoi Tajani.

“Shqipëria do të anëtarësohet së shpejti në Bashkimin Evropian dhe do të jetë pjesë e Këshillit të Evropës. Përjashtimet do të ishin të pamundura”, shtoi ai.

Kryeministri Meloni, nga ana e saj, tha se ”Italia ishte një pioniere me marrëveshjen, duke shtuar se ajo kishte tërhequr shumë interes nga shtetet e tjera të BE-së”.

Ajo nënvizoi se “juridiksioni italian” do të garantohet gjatë gjithë periudhës në të cilën emigrantët do të sillen në Shqipëri.

Meloni kritikoi gjithashtu të majtën italiane për kritikat ndaj kryeministrit socialist të Shqipërisë, Edi Rama, për pranimin e idesë së qendrave të emigrantëve.

Elly Schlein, kreu i Partisë Demokratike (PD) të opozitës së qendrës së majtë, tha se ”plani ishte jokushtetues, sepse ishte efektivisht një shtytje ndaj një vendi të tretë”.